E premte, 29.03.2024, 12:01 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Identiteti mbi dallimet

E premte, 20.06.2008, 09:28 PM


Ndue Ukaj
Identiteti mbi dallimet

Nga Ndue Ukaj

Vizita e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi në Shqipëri, pa u analizuar dhe lexuar shumë në dimensionin politik dha një mesazh të kuptueshëm dhe përtej politikë: Kosova dhe Shqipëria nën një ombrellë kombëtare, tanimë në realitetet e reja politike, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë potencialet për të mirat e përbashkëta, duke sforcuar kështu substancën kombëtare shqiptare. Thënë shkurt, kjo vizitë, përveç se sforcon natyrshëm marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, ajo ishte një përgjigje adekuate ndaj atyre që trumbetojnë për projektimet imagjinare lidhur me identitetin kosovar dhe në anën tjetër kjo vizitë përçon fuqishëm mesazhin se shqiptarët janë shqiptar kudo që ata jetojnë. Mbi të gjitha, kjo vizitë duke tejkaluar përmasën e një dimension të thjeshtë  politikë, implikoj politikën në top temën lidhur me diskursin për identitetin kombëtar dhe këndej pari ishte një goditje e fuqishme ndaj atyre që shfrytëzojnë krijimin e shtetit të Kosovës për të proklamuar tendencat e marra për kombin kosovar. Dy kryeministrat Thaqi dhe Berisha në mënyre eksplicite proklamuan platformat e përbashkëta kombëtare, duke e kuptuar faktin se të fragmentuar jemi fare të parëndësishëm. Andaj, ata dhanë mesazhin e identitetit mbi dallimet. Së këndejmi ata duke i kuptuar dhe jetësuar realitetet e reja politike, kanë dimensionuar angazhimet politike në projekte të përbashkëta kapitale, të cilat kanë rëndësi mbarëkombëtare, sado qofshin ato projekte reale apo jo. Ky ishte sinjal sinifikativ, se ne jemi, në të njëjtën ombrellë të identitetit kombëtar shqiptar, ombrellë kjo që ka domethënie shumështresore për gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë. Kjo vizitë dhe përmasa e saj tejkalon sidomos tendencat e ndryshme të grupeve të caktuara që synojnë të na ndajnë "ne" nga "ata". 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës jo rrallë herë janë trajtuar sipas prirjeve negative duke u shpërfaq tendenca përçarëse, si dhe një retorike që synonte dhe synon të krijoj ndarjes në vend të bashkërendimit dhe bashkëpunimit. Një paradoks i çoroditur në vete, që nuk gjen pandehmë, edhe përkundër faktit se politika e Tiranës dhe e Prishtinës, sikundër edhe populli përgjithësisht gjithmonë kanë ndjek dhe kultivuar një linjë kombëtare. Dëgjojmë dhe lexojmë jo rrallëherë teza se Kosova duhet të krijoj identitetin kombëtar kosovar dhe ky model i ri automatikisht domethënë "ne" jemi këta dhe duhet të ndahemi nga "ata", pra të mos jemi sikur ata. Kjo ndarje, në perspektivën e zhvillimeve globale, në kohën e integrimeve të gjithanshme në Europë dhe Ballkan për shqiptarët ka konsekuenca tejet negative. Madje, për mendimin tim është një ide krejtësisht naive dhe ndaj së cilës duhet reflektuar me mençuri.

Lexojmë shpeshherë në shtypin shqiptar, sidomos në Kosovë se idetë nacionale tanimë na qenkan tëë vjetruara, së këndejmi edhe primitive. Ky soj i interpretimit më duket qesharak, ngase është pikërisht e kundërta ajo që i bën shtetet perëndimore aq të fuqishme. Janë idetë nacionale ato që i motivojnë italianët dhe francezët të synojnë majat e kulturës, sportit, ushqimit, dizajnit, ashtu sikurse janë pikërisht ndjenjat nacionale ato që i bëjnë gjermanët të jenë superfuqi ekonomike, apo britanikët e amerikanët "policë" të rendit botëror. Tek ne pikërisht nga mospasja e mirëfilltë e ideve dhe ndjenjave nacionale kemi pësuar deri tash, duke u bërë shpeshherë si armiqtë, duke i imituar ata pavetëdijshëm, apo në raste me të këqija edhe duke u identifikuar me ta.

Është moment që ne shqiptarët të ngrehim kokën lartë dhe të dëshmojnë botës qytetarinë dhe civilizimin e lashtë, duke ngadhënjyer kundruall të kaluarës së vrazhdë. E ardhmja varet nga e sotmja. Andaj nuk duhet abuzuar.

Të unifikuar dhe duke ruajtur civilizimin tonë perëndimor, mund të jemi pjesë respektabile e kombeve të qytetëruara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora