E premte, 19.04.2024, 10:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Ragip Sylaj: Reflekse biografishë

E hene, 05.05.2014, 06:33 PM


REFLEKSE BIOGRAFISHË TË AUTORITETEVE TË DIJES, TË KULTURËS DHE ARTIT

(Ibrahim Kadriu, Buzëqeshje miqsh 2, Libri Shkollor, Prishtinë 2013)

Është e rëndësishme si për ata lexues që i kanë njohur, por shumë më me rëndësi për ata që nuk kanë pasur fatin t’i njohin këto figura emblematike, ta kenë nga një profil të tyre. Ato njëherësh i bën tërheqëse dhe interesante, sa çiltëria e rrëfimit që ua thekson madhështinë personazheve të librit, sa thjeshtësia me të cilën shprehen, po aq edhe nota e lehtë e humorit, që rrëfimeve në njëfarë mase ua shton edhe spirituozitetin. Këso mënyre, shkrimet e natyrës publicistike të librit të Kadriut lexohen me lehtësi, me kureshtje dhe me mjaft kënaqësi

Nga Ragip Sylaj

Pas vëllimit "Buzëqeshje miqsh" (që nënkuptohet se bëhet fjalë për librin e parë), e ku janë sjellë profilet krijuese të disa autoriteteve tona të njohura të spektrit kulturor, siç janë: Hivzi Sulejmani, Azem Shkreli, Mirko Gashi, Tefta Tashko, Rexho Mulliqi, Adem Kastrati, Agim Deva, Ymer Elshani, Agim Cavdarbasha, Muslim Mulliqi, Agim Ramadani etj., Ibrahim Kadriu para lexuesit ka dalë edhe me “Buzëqeshje miqsh, 2 (Reflekse biografish)”. Në librin e dytë, autori sjell shkrimet që sa janë portrete pa kornizë, po aq biseda pa teklif, siç thuhet, apo pa dorëza, por njëherësh edhe biografi jashtë stereotipeve të njohura. Andaj në to lexuesi do të shohë e do të njohë edhe anë të panjohura të disa personaliteteve, të cilat lanë vulën e vet qoftë në shkencë, në letra, në jetën shoqërore e politike, qoftë në arte të tjera, siç janë: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Ibrahim Rugova, Ali Podrimja, Jevrem Bërkoviq, Viktor Gjika, Nexhmije Pagarusha, Beqir Musliu, Faruk Begolli, Gjelosh Gjokaj e Daut Berisha.

Librit i paraprin hyrja e autorit, “Udhëzime për hyrje në një tekst”. Në këto reflekse, siç thuhet në parathënien e këtij botimi, si pjesë përbërëse të portreteve të emrave të përfaqësuar, zënë vend të pathënat, përmes të cilave ofrohet mundësia të njihen karakteret, përkushtimet e tyre deri në fanatizëm ndaj krijimtarisë, mbase edhe raportet shoqërore të cilat në kohën e thyerjeve të mëdha politike - kushtëzonin heshtjen, apo edhe improvizimin e ndjenjës për internacionalizëm etj.

Në vlerësimin e redaktorit të këtij libri, dr. Xhevat Syla, thuhet: Këto refleksione ai (I. Kadriu- plotësim imi) i vjel nga personalitete të njohura dhe të dëshmuara të artit, nga njerëz të cilët me veprën e tyre janë bërë pjesë e historisë, e shpirtit dhe e të qenmes sonë në kohë dhe në hapësirë. Ato personalitete nuk flasin vetëm për jetën e vet, për përvojat dhe për botëkuptimet që kanë, por shpalosin çështje të universit krijues, të veçorive të tyre si krijues, ndërkaq nëpërmjet tyre vihen në pah edhe njohuritë dhe botëkuptimet e autorit për krijimtarinë artistike.

Shkrimet e librit, “Buzëqeshje miqsh, 2”, siç kam shkruar edhe për librin e parë të kësaj natyre, sa janë biografi ose një anë e panjohur e biografisë së studiuesve, e shkrimtarëve dhe e artistëve të tjerë (ashtu siç i ka njohur shkrimtari, kolegu a miku i tyre Kadriu) po aq janë portrete karakteristike (ku spikasin karakteret dhe ana shpirtërore e intelektuale), sa janë tregime jo konvencionale për bëma e përjetime të akëcilit protagonist me historitë e tyre vetjake po aq mund të lexohen e të përjetohen si ese për çështje jete, arti e krijimtarie. Secili shkrim për akëcilin personalitet mund të ngjajë, po të shprehemi me gjuhën e Kadaresë, edhe në njëfarë ftese në studio, tek e cila lexuesit i shpalosen shumë të fshehta të punëtorisë krijuese. Këto të fshehta kanë të bëjnë sa me jetën e tyre, me raportet e tyre me pushtetin e me shoqërinë në përgjithësi, me autorin e shkrimeve dhe me vetë procesin krijues.

Andaj është e rëndësishmem, si për ata lexues që i kanë njohur, por shumë më me rëndësi për ata që nuk kanë pasur fatin t’i njohin këto figura emblematike, ta kenë nga një profil të tyre. Ato njëherësh i bën tërheqëse dhe interesante, sa çiltëria e rrëfimit që ua thekson madhështinë personazheve të librit, sa thjeshtësia me të cilën shprehen, po aq edhe nota e lehtë e humorit, që rrëfimeve në njëfarë mase ua shton edhe spirituozitetin. Këso mënyre, shkrimet e natyrës publicistike të këtij libri lexohen me lehtësi, me kureshtje dhe me mjaft kënaqësi, sa për mënyrën si janë shkruar po aq edhe për informacionin që e ofrojnë.

Ndoshta vetë togfjalëshi ‘buzëqeshje miqsh’ që spikat në titull të këtij libri lë për të nënkuptuar pozitivitetin e tij (si këndvështrim a si qasje), nxjerrjen në pah të anëve fisnike, ndonëse portretet janë ‘pikturuar’ me dritëhijet e tyre. Ndryshe sigurisht se nuk do të kishin dalë kaq të plota e as kaq të besueshme. Këto biografi tashmë mund të konsiderohen bazament i traditës sonë më të re, së këndejmi edhe udhërrëfim për brezat e rinj për disa nga fushat e dijeve e të arteve, në të cilat vepruan e krijuan ata. Shkrimtari e publicisti, Ibrahim Kadriu (Zhegër, 1945), përveç të tjerash, deri tash ka botuar një numër të madh veprash letrare për fëmijë e për të rritur, përfshirë ato të poezisë, të tregimit e novelës, por edhe romane e drama. Ky autor është përfaqësuar në disa antologji poetike, ndërsa për punën e tij krijuese në rang kombëtar është laureuar me disa çmime letrare.

(Zgjodhi për Zemrën Shqiptare, B. Y.)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora