E enjte, 28.03.2024, 12:01 PM (GMT)

Faleminderit

Kujtim Mateli: Poeti, folkloristi, publicisti dhe studjuesi Niko Tyto

E enjte, 19.06.2008, 04:57 PM


Kujtim Mateli dhe Niko Tyto
Poeti, folkloristi, publicisti  dhe  studjuesi  Niko Tyto  në pranverën  e  krijimtarisë  së  vet

Nga Kujtim Mateli

Njerëzit e identifikojnë kombin, qytetin, krahinën,  fshatin, madje edhe fisin me bijtë më të mirë të tyre.
Ndër këta njerëz me personalitet të spikatur dhe karizmatik është dhe Niko Tyto që unë dua të shpreh disa mendime të motivuara me ndjenjën e sinqeritetit dhe të dashamirësisë, si njohës dhe admirues i krijimtarisë së tij letrare-artistike. Natyrisht, nuk pretendoj se do të them gjithçka, por mendoj se do të nënvizoj disa vlera që mua më duken me interes dhe që plotësojnë këtë personalitet.
Niko Tyto vjen si një figurë popullore, i njohur gjerësisht jo vetëm në rrethin e Përmetit, por edhe më gjerë.
U  lind më 1936 në Malëshovë, në një nga fshatrat pranë qytetit të Këlcyrës. Aty mori arsimin fillor. Shkollen 7-vjeçare e kreu në Elbasan ku vazhdoi dhe pedagogjiken,të cilën e mbaroi në Gjirokastër, më 1955.
Mbaroi Universitetin e Tiranes, Fakultetin Histori-Filologji, dega Letërsi shqipe, më 1961.
Pas 11 vitesh,më 1972, kreu kursin pasuniversitar për letërsi shqipe, në Tiranë.  Ka  shërbyer si mësues i ciklit të ulët në Mbrezhan e Riban, në ciklin 8-vjeçar në Kajcë dhe Ballaban  si drejtor shkolle dhe 30 vjet në shkollën e mesme Përmet, Sukë e Këlcyrë, si mësues letërsie.
Shpejt u dallua jo vetem si mësues i përkushtuar, po shfaqi tiparet e një njeriu popullor, i kudondodhur tek njerëzit, pjesëmarrës në shqetësimet e tyre. Aftësitë e tij do të shfaqen në pesë   drejtime kryesore:
Përkushtimi i parë  ka qenë ndaj punës së tij si mësues. U dallua shpejt me dhuntitë e tij sidomos në komentin e pjesëve letrare, të cilat i përcillte me frymëzim dhe emocion duke rikrijuar veprën artistikisht në stilin e tij dhe duke nxjerrë në dukje vlerat reale të veprave. Njihet si komentues i talentuar sidomos i autorëve të Rilindjes sonë kombëtare dhe të atyre të Pavarësisë. Po edhe shumë veprave të autorëve të huaj, me komentet dhe analizat që u bëri, u dha edhe një dimension të ri, atë të hapësirës shqiptare.  Krijoi një profil të veçantë dhe  u bë model për mësuesit e tjerë të letërsisë. Këtë përvojë kaq të pasur do ta botonte pjesërisht në librin“Fjala e mesuesit permetar” nr.8  në vitin 1980  ku u kushtohet komenteve letrare për të gjitha shkollat, duke komentuar disa nga këngët popullore, sidomos nga ato që këndohen në rrethin e Përmetit. 
Nuk rreshti së dhëni përvojën e tij.  Ai ka drejtuar punën metodike në bazë shkolle, zone dhe rrethi, punë të cilën e ka përgjithësuar edhe në shkrimet e tij në gazetën “Mesuesi”.
Po ashtu duhet të citoj se ka qënë i aktivizuar në diskutimet që organizonte Ministria  e Arsimit për programet e letërsisë si dhe për hartimin e teksteve shkollore.
Ka  referuar materiale letrare e gjuhësore në sesionet shkencore si: në Përmet, Gjirokastër, Berat, Elbasan e Tirane.  Këto tema kishin karakter gjuhësor,folklorik, letrar, historik  etj.
 Ja disa prej tyre:
“Naimi dhe gjuha shqipe”,  “Mendimet  e Sami Frashërit në fushën e proverbave”,  “Figura e tre vëllezërve  Frashëri e pasqyruar në këngën popullore përmetare” etj.

Ka referuar për figura të  shquara të kombit tonë si: Abdyl Frashëri, Kamber Bënja, Sefulla Malëshova , Dashnor Mamaqi,  At Stath Melani,  Mithat  Frashëri si dhe për ngjarje të shënuara historike si : “Lidhja shqiptare e Prizrenit” Këto shkrime e kanë parë dritën e botimit në shtypin periodik.
Nikoja është i pranishëm në çdo veprimtari. Si veprimtar shoqëror ka qenë aktivizuar dhe në diskutimet e tij ka shënë ndihmesë për problemet sociale,kryesisht në Këlcyrë, në Shoqatën Atdhetare Kulturore të Përmetit e të  Malëshovës. Duke qenë respektivisht anëtarë kryesie i këtyre shoqatave, me penën e tij ka trajtuar një sërë problemesh. Po ashtu duhet të theksoj  kontributin e tij në diskutimet dinjitoze në promovimin e librave të publicistit përmetar Nuri Dragoi për librat ”Dëshnica dhe dëshnicarët”,  “Dosja Trebeshina”etj,  si dhe të kompozitorit po  përmetar Vasil Tole  “Usta Laveri” .
Për përkushtimin e tij ndaj punës nga Kuvendi Popullor,  Nikoja është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë me motivacionin  “Për nivel të lartë të mësimdhënies, përgatitjen e lartë të nxënësve dhe studimin e folklorit të Zonës” Dekreti nr 799 viti 1994.
Gjithashtu Niko Tyto ka qenë delegat në Konferencën kombëtare të folkloristikës shqiptare më 1972 si dhe i ftuar po këtë vit në Kongresin e Drejtshkrimit  po në Tiranë.  Shumë herë ka qenë i ftuar në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëvë  si dhe në sesione shkencore me karakter gjuhësor apo të letërsisë, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.  Një ngjarje e shënuar ka qenë, kur më 16 dhjetor 1996, në shtëpinë e kulturës Përmet në “Konferenca e intelektualeve përmetare” të ardhur nga mbarë Shqipëria, Niko Tyto mbajti referatin  “Të gjallërojmë jetën artistike kulturore përmetare”
Përkushtimi i dytë ka qenë krijimtaria letrare, sidomos ajo për fëmijë.
Në vëllimet poetike për fëmijë, një nga temat më të dashura të autorit është dashuria për atdheun, për të cilin janë  krenar jo vetëm të rriturit,  por edhe fëmijët.  Malli për vendlindjen,  për prindërit , për shoqërine, janë tema që spikatin ndër këto vjersha që aq ëmbël, mire e bukur janë trajtuar për botën fëminore. Duhet të citoj se këto poezi, me një tematikë  të larmishme, të  pasqyruara me një larmi formash metrike, të shkruara me stil të thjeshtë, duke ruajtur muzikalitetin dhe shumëllojshmërinë e rimave dhe të kadencës, kanë qenë të dashura për lexuesin, si për fëmijët e kopshteve, si për fëmijët e ciklit 8-vjeçar apo dhe për shumë kompozitorë  që i kanë shfrytëzuar, kryesisht në vitet 70-të, në festivalet e këngës për fëmijë në shkallë rrethi apo kombëtarë
Në serinë e almanakëvë letrarë që botonte shtëpia e kulturës Përmet, kryesisht në vitet 60-të-70-të, në çdo numër do të gjeje vjersha të Niko Tytos si dhe studime në rubrikën “Pasthënie” etj.
Në revistat  e kohës si: “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri” apo sot, “Cicërimat” , “Kacamici”  “Mrekullia”, “Kolopuçët” etj., gjenden me dhjetra vjersha që nuk janë pasqyruar në vëllimet e botuara.
Shumë nga këto vjersha i gjejmë në antologjitë poetike  për fëmijë, sidomos në vëllimet “Burimi i dijes”, libër për lexime jashtë klase, numri 1, 2, 3, 4, si: “Një lule”, “Kur vjen prilli”,   “Bëri mirë a bëri keq”,   “Një  këshillë” etj,etj.  Kur u botua vëllimi   “Lexikon”  (shkrimtarë shqiptarë për fëmijë) midis autorëve të tjerë kemi dhe poetin Niko Tyto faqe 228.

Krijimtaria letrare e autorit është e rritur dhe e vlerësuar në vlerë artistike, ndaj në analizën e Lidhjes së Shkrimtarëve për  fëmijë, ajo është vlerësuar. Si poet Niko Tyto është anëtar i Lishjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë qysh nga viti 1976.  Në gazetën letrare  “Drita”,dhe “Obelisku”  ka botuar poezi si dhe profile për personalitete letrare.

Po ashtu janë mbi 15 vëllime  libra artistikë  të redaktuara  dhe të pajisura me parathënie, për fëmijë apo për të rritur nga pena e Niko Tytos që e kanë parë dritën e botimit.
Nga krijimtaria e tij ka të botuar këta libra:
1- O ti yll         1975
2- Jam krenar  1976
3- Në fshatin e lumtur 1976
4- Rritem unë e rritesh ti 1989
5- Dashuria ime              1998
6- Të lutem gjyshe dhe një  2000
7- Tregon gjyshja        2001
8- Eh,sikur të kisha!  2006
9- Shih moj gjyshe sa u rrita! 2008
10-  99 gjëegjëza  2008

Përkushtimi i tretë ka qenë ndaj pasurisë folklorike.Trevat e krahinës së Dëshnicës dhe Malëshovës,  banorët e së cilës kanë rritur në numër qytetin e Këlcyrës,  janë një pasuri e paçmuar folklorike.  Kjo pasuri, shfaqet si gur margaritari në të gjithë rrethin e Përmetit. Nikos do t`i lindëte  pasionin per ta mbledhur atë.  Folkloristi  i ri, në gjurmim të kësaj pasurie popullore, do të mbetej i mahnitur në mozaikun e këngëve dhe valleve përmetare.  Nëpër vargjet e këngëve do të gjente figura historike të njohura, por edhe të panjohura, që njerëzit i kishin përcjellë brez pas brezi në rrjedhë të shekujve.  Ato këngë  të çonin larg në kohë dhe hapësirë.  Ato shpërthenin si buqeta lulesh në dasma dhe në festa. U kendohej fëmijëve mbi djep. Po kjo botë shpirtërore ishte e pasur edhe me fjalë të urta, me  gjëegjëza apo shprehje të ndryshme që shprehnin filozofinë e popullit mbi dukuri të ndryshme të jetës.  Ndaj iu përvesh punës si mbledhës i folklorit.
Niko Tyto ka qenë i aktivizuar në festivale folklorike që organizoheshin qoftë me bazë shkolle  apo Zone, qoftë në bazë Rrethi apo Kombëtare. Si anëtare komisioni i disa festivaleve folklorike të Gjirokastrës  apo “Përmeti multikulturor” ai ka dhënë ndihmesën jo vetëm në zbulimin e vlerave folklorike, por edhe në interpertimin dhe botimin e këtyre vlerave.  Duke qenë mbi 40 vjet bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, në vitet 1987, 1989 ka qenë anëtar i ekspeditës folklorike si në Dëshnicë, Shqeri dhe Dangëlli të organizuara nga ky Institut.
Në botimet e këtij Instituti si në vëllimet e  IV ,VI, VII etj. me emrin e Nikos do të gjejmë me dhjetra e qindra këngë përmetare.
Me interes janë dhe grumbullimi, studimi dhe botimi i këngës bektashine përmetare, po nga ky autor, në revistën “Urtësia” me titullin “Këngët bektashiane si bashkudhëtare”. Shumë shkrime folklorike i kemi lexuar në gazetën “ Dëshnica” si: “Ëmbëlsia e këngës dëshnicare” “Kënga popullore e nizamit në Dëshnicë” etj. ndërsa në shtypin periodik  janë botuar shkrime folklorike si:  ” Figura e Abdyl Frashërit në këngën popullore”, “Shkolla dhe mësuesi përmetar në gojën e popullit”,  ”Flamuri në vargjet e këngës përmetare”, etj. Këto shkrime folklorike kanë tërhequr  vëmëndjen e lexuesit dhe kanë marrë vlerësime  pozitive.
Për shumë vite në Përmet,  Niko Tyto ka drejtuar shoqatën e folklorit,  ku ka organizuar dhe drejtuar sesione shkencore folklorike edhe në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Popullore  si dhe botime që  tani janë  të njohura.   Disa nga këto sesione si: “Dëshmorët janë krenaria e rrethit” jane të rregjistruara nga arshiva e Institutit të Kulturës Popullore.
Për punën e tij  si folklorist, Niko Tyto, me dekret  të Kuvendit Popullor nr.5892 viti 1979 ka marrë Urdhërin “Naim Frashëri” kl.III-të me motivacionin “Për grumbullimin e krijimtarisë gojore popullore dhe përhapjen e saj në masë” .
Me interes kanë qenë emisionet në “Radio-Tirana” në muajin maj 2008 për vlerat kulturore e folklorike përmetare (katër emisione)
Në fushën e folklorit ka botuar këta libra:
1- Gëzon zemra përmetare  1971
2-  Fjala e mësuesit përmetar 1980
3- Lule për Atdhe  1987
4- Këngë popullore nga krahina e Malëshovës  2001
5- Anekdota 249    në vitin 2005
6- Këngë popullore të rrethit  të Përmetit  2006
7- Fjalë të urta 6150,  në vitin  2008
8- Gjëegjëza     2008
Në të gjitha këto vëllime bie në sy puna këmbëngulëse për të pasqyruar këtë pasuri popullore në mënyrë shkencore. Në  botimin  “Këngë popullore nga krahina e Malëshovës” lënda është e ndarë në kapituj sipas  tematikës. Ajo është specifikuar se në ç`rrethana këndohet kjo këngë, kush e ka kënduar atë, si dhe plot shënime të tjera që e bëjnë të qartë për brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
Mbi këto kritere shkencore është ndërtuar edhe libri tjetër  “Këngë popullore të rrethit të Përmetit “  2006 ku Niko Tyto është bashkautor me një tjetër studjues përmetar, Prof. Agron Xhagolli.  Libri i fundit që ka dalë në qarkullim këta muajt e fundit është  “Fjalë  të urta 6150”, ku siç thuhet dhe në titull përmban 6150 fjalë të urta. Autori ka punuar me kujdes duke na dhënë një vepër dinjitoze që qëndron përkrah veprave më të mira të këtij lloji.  Fjalët e urta janë grupuar në 69 kapituj,  e cila e bën mjaft të lehtë studimin e këtij libri dhe të përdorueshëm për të gjithë njerëzit.
Po  autori nuk ka të ndalur në punën e tij .  Punon me kujdes çdo ditë për të sjellë  këtë thesar tek lexuesi. Ka në dorëshkrim dhe në proces botimi librat e mëposhtëm:
1- 325 anekdota
2- 12.700  frazeologji popullore
3- 1300   përshëndetje,urime mallkime,betime
4- 65  përralla
 
Po të vërejmë me kujdes të gjithë materialin voluminoz të botuar dhe të pabotuar mund të themi pa frikë  se vepra  e Niko Tytos  përbën materialin bazë për një  Enciklopedi të rrethit të Përmetit.
Përkushtimi  i  katërt është  ndaj punës si publicist.
Puna e Niko Tytos eshtë e njohur ndër vite edhe në fushën e gazetarisë.  Qysh nxënës, në Pedagogjike  apo student në Universitet e sidomos si mësues, ai ka shkruar artikuj me tematikë  të larmishme dhe, pothuaj të botuar në të gjitha organet e shtypit si:  “Zëri i Popullit”,  “Bashkimi”,  “Zëri i Rinisë” ,  “Shekulli”,  “Republika”,  Albania”,  “Dita”etj. Po ashtu ka botuar në organet e shtypit lokal  si: “”Prometheu i Përmetit”, “Qyteti i Jugut”, “Fjala sot”, “Java”,   “Tepelena jonë”, “ Zagoria”,  ”Përmeti”,   “Dëshnica” etj.
Ka vlera shkrimi  “Sefulla Malëshova patriot e poet autentik” në gazetën “Rilindja”, tetor 1994,  botim i Kosovës.
Disa shkrime të tjera janë:  “Këlcyra në këngët e L.A.N.Çl.”,  botuar tek “Bashkimi” apo “Përse na tërheq vëmendjen  çeta partizane “Koto Hoxhi”, botuar tek “Zëri i Popullit” 2008. Po  aq  tërheqëse janë dhe intervistat,  dhënë në këto gazeta, kushtuar personaliteteve shoqërore të cilat kanë hapur debate konstruktive.
Theksojme se Nikoja ka qenë korrespodent i gazetës “Zëri i Rinisë”  i rrethit  të  Përmetit në vitet  60-të, ndërsa në vitet 90-të tek gazetat “LLajko Dhima” dhe “Fjala sot” që dilnin në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Sot drejton gazetën Malëshova. Në shkrimet e tij të filluara nga informacioni dhe intervistat, nga portreti dhe reportazhi,deri tek artikujt recesionerë dhe problemorë, është shquar për një stil  të zhdërvjellët, me një gjuhë të pastër e të pasur emocionalisht, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesit.
Përkushtimi i pestë ka qenë puna studimore shkencore.
Kjo punë e lodhëshme dhe e dobishme ka qenë pasion i përhershëm i Nikos, sepse ai me laps në dorë, në çdo bisedë apo diskutim, në cdo takim me prindër të nxënësve apo kur lexonte literaturë, do të mbante shënime e do të bënte nënvizime. Jane me interes studimet ”Bektash Shkëmbi mësues këlcyriot”, përpjekje e këlcyriotëvë për të fituar dituri në vitet 30-të si dhe “Të njohim patriotët e Zones së Këlcyrës” etj.
Po  kaq interes ka dhe puna studimore: “Fjala sevda në erotikën përmetare” që shpreh përdorimin e kësaj fjale në funksion emocional në 92 këngë erotike.
Vlera studimore kanë dhe shkrimet e botuara në shtypin periodik, për poetin e talentuar Lliko Nano apo për legjendën përmetare të muzikës, Laver Bariu. Shume recesione si: “Një antologji  dinjitoze”, “Prehëri i nënës”, “Llukan Qorri njeri dhe poet”, janë mirëpritur për vlerat e tyre.
Vëmendje ka tërhequr në rrethet intelektuale puna studimore dhe interpretimi i figurës poliedrike, te kalorësit të demokracisë, përfaqësuesit të denjë të socialdemokracisë shqiptare, poetit dhe shqipëruesit të nderuar Sefulla Malëshova.
Ky studim u shqua jo vetëm për grumbullimin dhe sistemimin e materialit gojor, të grumbulluar nga 107 veta, në kohë e vende të ndryshme, por edhe nga përzgjedhja, renditja e sidomos nga interpretimi, duke iu larguar ngjyrimeve politike, pavarësisht se diktatura emërkeqe  hodhi baltë dhe veprën e këtij martiri të demokracisë  e krasiti me dorë të trashë. Nxjerrja e vlerave intelektuale si njeri politik, mendimtar i shquar, poet e shqipërues i talentuar, polyglot i rrallë, njohës i 14 gjuhëve, u realizuan nëpër konferenca e sesione shkencore që u organizuan në Këlcyrë, Përmet  e Tiranë, si dhe në disa artikuj në shtypin e përditshëm, derisa u kurorëzuan me botimin e librit “Për Sefulla Malëshovën”.  Dimë se autori po vazhdon të punojë me këtë figurë, si emblemë  të diturisë dhe urojme që të lexojmë gjëra të mira dhe të bukura.
Deri tani janë të botuar këta libra studimorë:
1- 50-vjetori i shkollës 7-vjeçare Mbrezhan  1999
2- Për Sefulla Malëshovën    2003
3- Nder për Malëshovën       2004
4- Gazmore kuriozitete,a e dini se?!  2007
Edhe pse në moshën 72-vjecare,  poeti, folkloristi, publicisti  dhe studjuesi Niko Tyto, ndodhet në pranverën e krijimtarisë.  Libra të tjerë presim nga dora dhe mendja e tij.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora