E enjte, 25.04.2024, 06:34 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një nënshtetësi tepër!

E merkure, 30.04.2014, 09:31 PM


Një nënshtetësi tepër!

Nga Elvi Sidheri

Hapeshin gazeta të ndryshme këto ditë me një lajm që ndokush shpejtoi t’a quante edhe “të bujshëm”.

Shoku Rexhep Qose pati vajtur drejt e tek njësia bashkiake numër 5 në Tiranë dhe qe bërë edhe zyrtarisht një qytetar rezident i kryeqytetit shqiptar dhe Republikës së Shqipërisë në përgjithësi (shtetësinë e ka prej 1999-ës)

Fundja Shqipëria sidoqoftë ka mjaft nënshtetas të padenjë për nënshtetësinë e saj.

Varfëria, stërmundimet, vuajtjet, zgjedhat e gjata shumëshekullore, prapambetja e thellë në shumë aspekte, mungesat e theksuara në evoluimin e banorit prototip të këtij shteti, kanë bërë të mundur që jo rrallë e keqja e vërtetë e vendit tonë, të mos jenë të huajt dhe rreziqet e tyre, siç rëndom kemi ëndje të mendojmë, por vetë shqiptarët autoktonë, nënshtetasit, qytetarët e Shqipërisë.

Çështja është se ndërkohë që prej fillimvjeshtës së kaluar u ndaluan importet e plehërave industriale nga jashtë vendit, më pas edhe ato kimike luftarake të Sirisë së përgjakur, atëherë si është e mundur që tani t’i hapen dyert kanat më kanat, importit të “Qoseve”??

Ç’t’i themi kësaj?

Të them të drejtën kam qenë i habitur për të përdorur terma të butë, edhe me strategjitë e pakuptueshme dhe të çoroditura të ish qeverisë së kaluar të djathto-majtë, në aspektin që kishte të bënte me dhënien e nënshtetësisë shqiptare për bashkëkombasit tanë jashtë kufirit tonë administrativ.

Njëherë thuhej e deklamohej se do shpërndaheshin pasaporta shqiptare anembanë Europës dhe planetit, sikur të ishte duke u bërë fjalë për bukë të freskëta në mëngjes që do mbushin stomaqet e gjindjes së uritur ditënisëse.

Pastaj dilte se për shembull, në mënyrë më të qëllimshme, sesa thjesht të turpshme, bëhej e ditur se pasaportat do të qenë në dispozicion të kujtdo njeriu me gjak shqiptar në vena, përveç atyre të Greqisë dhe Italisë...

Sepse siç dukeshin bathët, për shtetin tonë largpamës dhe ca më tepër “sylesh”, shqiptarë vendas në Greqi apo Itali nuk kishte!

Mirë të supozonim se shteti grek do varte turinjtë nga ndonjë iniciativë e Shqipërisë për të pajisur me pasaporta ata arvanitas ose çamë të besimit ortodoks, që e dëshironin këtë dokument...edhe përkundër trysnisë shoviniste helene (jo se grekët nuk iapin pasaporta të tyret, për minoritarët në vendin tonë ndërkohë).

Po italianët, do nxeheshin gjë, po qe se arbëreshëve do u ofrohej një shans i tillë nga shteti ynë?

Nuk e besoj!

Pastaj pas mbarsjes së malit për pjellje minjsh, doli se pasaporta nuk do jepeshin për këdo shqiptar nëpër rajon e botë, por vetëm për ata që kishin lëvizje të lirë në hapësirën Shengen!!!

Loja aspak frytdhënëse dhe e koklavitur e “pasaportave”, si përfundim, përveçse nuk i shpuri askund ata që e ngjizën, na dha sido që të jetë të kuptojmë, se në Shqipëri, politikë me nacionalizëm folklorik të këtij lloji nuk bëhet...

Kjo jo vetëm për faktin se të huajt perëndimorë, sponsorët e mëdhenj të mirëqenies së shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, Mal të Zi, Greqi e Itali si popullsi vendase, apo në botë si diasporë, nuk janë fare dakort me tendenca të tilla, por edhe sepse vetë shqiptarët, nuk priren të votojnë më shumë dikë që luan qëllimisht me teza kombëtare.

Atëherë?

Mbaj mend shumë mirë që Adem Demaçi, dikur teksa fliste për autoritetet dhe politikën shqiptare, kishte kritika të shumta dhe përgjithësisht të drejta, të thëna ashtu “pa doreza” nga goja e një veprimtari të çështjes kombëtare, i cili pati vuajtur në skëterrën e burgjeve serbe për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë.

Por njëkohësisht kujtoj se sipas tij, pasaporta shqiptare nuk kishte asnjë vlerë, jo më tepër se pasaporta kroate që tashmë ai dispononte.

Dhe më vonë gjithësesi pasaportën shqiptare ia dhanë dhe ai e mori, nuk është se e refuzoi siç do ishte pritur për shkak të “afrimitetit” që dukej të ndjente kundrejt pasaportës kroate!

Mirë e bënë, sadoqë do kishte qenë e preferueshmë që ky dokument më tepër simbolik sesa gjë tjetër, në rastin e këtij personaliteti i cili nuk vuan nga pamundësia për të udhëtuar i qetë dhe i lirë nëpër Europën e Shengenit, ashtu siç heqin keq rregullisht duke u rropatur nëpër ambasadat e e huaja të Prishtinës e Shkupit 2 milionë banorët e tjerë shqiptarë të Kosovës...të ishte ndopak i vlerësuar  e jo i përçmuar haptazi prej tij!

Por po të jetë se Demaçit i lejohet të kritikojë, sulmojë verbalisht, nganjëherë edhe shajë apo përgojojë me apo pa të drejtë, gjëra që s’i takojnë, nisur nga karakteri i tij impulsiv e fjalët e tij therëse, por mbi të gjitha si pasojë e burgut të stërgjatë që i rëndon në kurriz, sakrificës së tij sublime për çështjen shqiptare, me Qosen punët qëndrojnë sidoqoftë mjaft ndryshe.

Duke e mirëkuptuar njerëzisht faktin se Qoses i ka perënduar njëherë e mirë shteti i tij ideal, pra Jugosllavia Federative bashkë me druzhe Titon, kështu që një pasaportë jugosllave nuk ka kush t’ia japi më këtij nostalgjiku të pashërueshëm, kjo gjë sido që të jetë, nuk më bën të jem dakort me pajisjen e tij me nënshtetësinë shqiptare.

E sidomos me nënshtetësinë dhe pasaportën shqiptare, të Shqipërisë së vitit 2014, një Shqipërie që megjithë problemet e mëdha në funksionimin e shtetit dhe rregullave demokratike, është një vend jo-totalitar, jo enverist e aq më pak titist.

Ç’do ky njeri me të njëjtën nënshtetësi si unë atëherë?

Ç’ma ndyen pasaportën e vendit tim?

Në ka dhe ka pasur e do të ketë një gjë që s’do t’a mohoj kurrë, ai është gjaku dhe origjina ime kombëtare, ashtu si edhe dokumentet e udhëtimit që lëshon zyrtarisht shteti im.

I njëjti shtet që na i ndërron neve qytatarëve të tij, pasaportat njëherë në pak vjet, duke na lënë rradhave të pafundta, gjendjeve civile,tek korridoret e ngushta të njësive bashkiake duke u marrë me punonjëse të mërzitshme përtace, para banaqeve të postave, ndër të tjera duke na bërë të paguajmë rregullisht shuma të majme për çdo lloj të ri pasaportash, pa bërë fare zë, jo më të protestojmë.

Herën e fundit të paktën na i ndërruan për shkak të mundësisë për të udhëtuar të lirë në Europën e ëndërruar.

Për Qosen mund të ishin gjetur edhe rrugë alterantive për t’ia plotësuar oreksin...

Për shembull dikush, ndonjë koleksionist i fushës, mundej fare lehtë që t’i siguronte atij një pasaportë të para viteve 90-të (jo se ishin të shumtë ata që gëzonin të drejtën për të poseduar një pasaportë në kohën e Partisë, se në përgjithësi dalja jashtë vendit, në atë kohë konsiderohej kur nuk ishte me lejen e autoriteteve, si tradhëti e lartë ndaj atdheut).

Por Qoses një pasaportë të kohës së monizmit “ad personam”, pra të personalizuar, do ia kishim bërë pa e zgjatur sidoqoftë.

Nostalgjia nuk i ndalohet kurrë!

As qara...dhe qurra-vitja e përjetshme për Titon nga njëra anë dhe shokun Enver nga tjetra!

Por ja që pasaporta moderne shqiptare që tashmë disponon shoku Qose, i përket një shteti shqiptar, që me kushtetutë sanksionin të drejtat themelore të njeriut, pra lirinë e fjalës, mendimit e të besimit.

Një shteti ku idhullin e tij, shokun Enver, sadoqë përpiqen tinzash që t’a nxjerrin kontrabandë me portrete e fjalime nostalgjike, si të ishte marijuanë apo lopë e vjedhur, nëpër ceremonira shtetërore, gjithësesi historia zyrtare e konsideron si Diktator, Kriminel gjakatar, qënie të pashpirt, drejtues të një regjimi monstruoz, të gjykuar si të tillë, për sy e faqe apo jo, edhe nga të majtët të cilëve demokratikisht, u ka ardhur rradha të qeverisin për disa vjet.

A është i të njëjtit mendim me rregullat e tilla demokratike të këtij shteti shqiptar, pasaportën e të cilit e mban tani, shoku Qose?

Sinqerisht që nuk e besoj!

Të jetë për shokun Qose dhe për shumë shokë të tjerë nostalgjikë Enver-adhurues anë e kënd trojeve shqiptare dhe në diasporë, Shqipëria mbetet ajo që ishte dikur sipas valëve të TVSH-së dhe Radio Tiranës...

Një fushë me lule, kështjellë e socializmës, komunizmës, Leninit, Stalinit, Timonierit të Madh Mao Ce Dun, ku njerëzia jetonte e lumtur dhe e gëzuar, punonte fushat me kazëm e lopatë, u qepej maleve për t’i bërë ara, kishte gjithë popullin ushtar etj.

Por në qoftë se shumë bashkatdhetarë tanët përtej kufirit, vuanin nga mosnjohja totale e realitetit të vërtetë shqiptar, pas telave me gjemba të kufirit dhe për këtë arsye, besonin sinqerisht në dënglat e “kolloqifet me rigon” (pordhët) e regjimit komunist të Tiranës, me Qosen gjërat qëndrojnë katërcipërisht ndryshe.

Qosja në Shqipërinë diktatoriale vinte dhe ikte sa herë që t’ia donte kokrra e qejfit dhe sesi jetonin, apo thënë më mirë “mbijetonin” shqiptarët nën regjim, e dinte shumë mirë.

“Fushat me lule” dhe utopinë e mangët komuniste ala-shqiptare me vulën e qartë të vizionit rrënues të shokut Enver, Qosja i kishte parë e njohur mjaft mirë sesi gjenin zbatim në Shqipëri.

Prandaj edhe elozhet e tij të pareshtura për regjimin monist, që nuk mungojnë kurrë në shtypin tonë, janë në të vërtetë shumë më të papranueshme dhe fyese për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë dhe mënxyrave që ata kanë provuar gjatë atij sistemi, sesa preferencat e tij të njohura, lidhur me të majtën aktuale në Tiranë.

Nuk është fare problem fakti që Qosja është i majtë.

Shumë njerëz janë të tillë.

Puna është se Qosja nuk është i majtë, por i rrjedhur!

Po, po...pikërisht i rrjedhur, i leqendisur fare, i lajthitur tërësisht, me përjashtim të një llampe në tru, që i rri përherë ndezur, e cila ia shëndrit vazhdimisht figurën e shokut Enver!

Ajo llampë me siguri që nuk i fiket kurrë dhe i shërben si “Far” majë shkëmbit të thepisur, përballë një deti të trazuar, që me dritën e tij ia tregon rrugën dhe që e ndihmon t’a mbajë gjithnjë kursin e lundrimit, në mënyrë strikte, vetëm në vijën e Partisë.

Qosja dhe Shqipëria e ditëve të sotme, nuk kanë asgjë të vetme të përbashkët pra!

Tashmë në fakt neve shqiptarëve të 23 vjetëve pas monizmit, me Qosen na bashkon vetëm ky dokument, kjo pasaportë që ai disponon ashtu si miliona qytetarë të këtij vendi.

Pyetja vjen spontane në fund sidoqoftë dhe na bën të mendojmë, përse ky njeri na qenka më i mirë se 2 milionë shqiptarë të tjerë me origjinë nga Kosova si dhe ai?

Ndoshta ata nuk kanë të njëjtat “merita të veçanta” ose janë më pak trushkundur e enveristë të thekur se ky njeri, ndaj dhe këtë privilegj nuk mund t’a gëzojnë në të njëjtën mënyrë!



(Vota: 62 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora