E enjte, 28.03.2024, 11:42 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Të mos i mbyllet fryma shtypit

E hene, 28.04.2014, 07:10 PM


TË MOS I MBYLLET FRYMA SHTYPIT

Nga Frank Shkreli

Kjo javë është mbushur me aktivitete kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit që do të kulminojnë me Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit më 3 Maj, 2014.  Aktivitetet filluan në Washington të organizuara nga Departmenti amerikan i Shtetit, nga Kombet e Bashkuara në  New York, dhe UNESCO do të mbajë një konferencë ndërkombëtare dy ditore me 5 dhe 6 Maj në Paris.  Ndërkohë, aktivitetet në mbrojtje të lirisë së shtypit gjatë kësaj jave, përfshijnë edhe mbledhjen këtë javë në kryeqytetin Tallin të Estonisë mbi lirinë e internetit, të organizuar nga qeveria estoneze.

Dita Ndërkombëtare kushtuar lirisë së shtypit është shpallur nga Asambaleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe është caktuar të shënohet çdo vit me 3 Maj.   Kjo është një ditë kur në të gjithë botën festohet zbatimi i parimeve themelore të lirisë së shtypit, rëndësia e medias në një shoqëri të lirë dhe integriteti i vet  gazetarisë, në zhvillimin e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, është një rast për të vlerësuar  dhe për të komentuar mbi gjëndjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe është një ditë e caktuar kur liria e medias mbrohet  nga sulmet ndaj pavarësisë së saj, ndërkohë që kujtohen dhe nderohen gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Tema e aktiviteteve të këtij viti është: Liria e medias për një të ardhëme më të mirë.  Liria e fjalës, dhe rrjedhimisht liria e shtypit dhe medias në përgjithësi, është një e drejtë themelore e njeriut, siç përcaktohet  qartë në artikullin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Zbatimi i këtyre parimeve bazë të lirisë së shtypit nga shtetet dhe qeveritë, të cilat kanë nënshkruar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nevojitë gjithashtu edhe gazetarë profesionistë të cilët e kryejnë punën e tyre duke u bazuar në standardet më të larta etike dhe profesionale të gazetarisë, duke botuar ose duke transmetuar  në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, informacione të sakëta, të paanshme dhe objektive, duke paraqitur kështu edhe opinione të ndryshme për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria.  Media, me të vërtetë e lirë dhe e pavarur, do të duhej të shërbente si një pasqyrë, jo vetëm për vet shoqërinë por për më tepër edhe për udhëheqsit politikë të cilët mund të kenë humbur lidhjet dhe komunikimin normal me njëri tjetrin, si dhe kontaktet me shoqërinë, interesat e të cilës  ata janë zgjedhur t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë.

Këtu në Amerikë, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit, madje edhe nga nivelet më të larta të qeverisë. Edhe sivjet, sipas një njoftimi nga Departmenti Amerikan i Shtetit, (DASH) Shtetet e Bashkuara filluan aktivitetet e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të premtën më 25 Korrik, në Misionin e Amerikës pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në mbrojtje të gazetarve ose mediave që censurohen, që sulmohen, që kërcënohen ose veprimtaria e të cilëve shtypet.  Me aktivitetet e tyre, përfaqsuesit amerikanë, përpiqen gjithashtu që të tërheqin vëmendjen e botës ndaj fatit të gazetarëve dhe për tu bërë thirrje qeverive që shtypin lirinë e gazetarëve, që të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtën universale të lirisë së fjalës, bazuar në angazhimet që ata kanë marrë me nënshkrimin e konventave ndërkombëtare.  Në kuadër të aktiviteteve në mbrojtje të lirisë së shtypit që do të kulminojnë me 3 Maj, përfaqsuesja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, Samantha Powers, e cila ishte vet gazetare dhe si e tillë kishte mbuluar luftën në Bosnje,  para se të emërohej  krye-diplomatja e Shteteve të Bashkuara në OKB, të premtën mbajti një fjalim në ''Overseas Press Club" ku tha se, "Gazetaria e mirë dhe e dobishme -- e bazuar në punë të rëndë dhe në standarde të larta etike të gazetarisë -- shërben si një sitë ose filtër që na nevojitet të dallojmë gënjeshtrat nga realiteti."  Ajo tha se qeveritë që shtypin ose që përpiqen të pengojnë lirinë e medias, janë ato qeveri ose regjime që, "nuk kanë besim në legjitimitetin e tyre, ose të cilave në sytë e popullit u mungon kredibiliteti në politikat e tyre."  Andaj, për të ndaluar kritikat ndaj politikave të tyre, regjime të tilla, tha ajo, barazojnë -- kundërshtimet ose kritikat legjitime ndaj politikave të pushtetarëve -- me tradhëti ndaj vendit, dhe si përfundim përpiqen të kontrollojnë, të korruptojnë dhe të frikësojnë shtypin dhe gazetarët me lloj-lloj masash që qeveria ka në dispozicion. Ambasadorja amerikane theksoi gjithashtu se disa qeveri bëjnë ç'mos që të manipulojnë shtypin, duke paguar ose duke kufizuar botimin e gazetave, ose duke manipuluar me lejet e transmetimit dhe të botimit, duke ua dhënë ato një numëri të preferuar miqësh dhe përkrahsish të tyre.  Ajo përmendi rastin e Turqisë, e cila sipas ambasadores amerikane, "megjithëse mban zgjedhje të lira, lajmi i kohëve të fundit për përpjekjet e qeverisë turke për të kufizuar veprimtarinë e internetit dhe vendimi i asaj për të ndaluar ''Twitter'', u përhap anë e mbanë botës.  Por ajo shtoi se  -- më pak është i njohur fakti se, sipas Organizatës për Mbrojtjen e Gazetarve, vitin e kaluar, tha ajo, Turqia ishte në vendin e parë me numrin më të madh të gazetarve të burgosur në botë”.  Edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kohët e fundit ka marrë masa të jashtzakonshme për të shtypur lirinë e fjalës në vendin e tij, ndër të tjera, duke ndaluar transmetimet perëndimore dhe duke u përpjekur të bllokojë edhe internetin.  Nga ana e saj, Ambasadorja amerikane pranë OKB-së, Samantha Powers ritheksoi përkrahjen e administratës së Presidentit Obama ndaj lirisë së shtypit si një pjesë përbërse dhe e vazhdueshme e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se, "Çdo ditë, diplomatët tanë demonstrojnë mbështetjen e tyre për të drejtën që njerëzit kudo,duhet  të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, të jenë të  lirë të botojnë dhe të transemtojnë pa frikë, se do të ndëshkohen si përfundim i veprimtarisë së tyre gazetareske."

Përfaqsuesja amerikane tha para "Overseas Press Club" në New York" se, "Çdo demokraci -- përfshirë edhe demokracinë tonë -- përballet me sfida, por  ndryshimi është se demokracia posedon mbrenda sistemit të saj mjetet për tu përballur me zgjidhjen e problemeve nepërmjet alternativash të ndryshme, (përfshirë shtypin e lirë e të pavarur)....ndërsa autokratët mund të ofrojnë vetëm ruajtjen e status quosë, të interesave dhe privilegjeve të tyre, si dhe të miqëve dhe të bashkpuntorëve të tyre të ngushtë".  Ajo tha se ne besojmë se, heret ose vonë,  gënjeshtrat e diktatorëve do të zbulohen nga gazetarët të cilët nuk duhet të pushojnë së kërkuari të vërtetën.  Ambasadorja Samantha Powers përfundoi fjalimin e saj kushtuar Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit në botë, duke cituar Winston Churchillin, i cili ka thënë se, "Shtypi i lirë është roja vigjilente e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, të drejta të cilat çmohen dhe respektohen nga njerëzimi".  Liria e shtypit, sipas Churchillit, “është armikja më e rrezikshme e tiranisë."

Rëndësia e lirisë së shtypit është sot aq e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishme, se sa ka qenë ndonjëherë më parë. Shumë qeveri anë e mbanë botës, ndonëse shtihen si mbrojtëse të lirisë së medias, vazhdojnë të shtypin ose të pengojnë lirinë e fjalës dhe të abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe të gazetarëve duke përdorur  lloj-lloj taktikash, përfshirë tatimet. Nuk jam në dijeni të ndonjë aktiviteti, zyrtar ose jo-zyrtar, në Shqipëri ose në Kosovë për të shënuar këtë ditë, por në kontekstin shqiptar, dje lexova një kryeartikull të gazetës Telegraf të Tiranës, në të cilin thuhej se ditët e fundit, qeveria shqiptare paska marrë një vendim të bërë publik nga ministri i Financave, nepërmjet të cilit u bënë publike rregullat e tatimit mbi vlerën e shtuar apo si njihet atje shkurt me termin, TVSH, që prekë rëndë median.  Autori e akuzon vendimin e qeverisë si një masë që “kërkon të falimentojë mediat që po nxjerrin çdo ditë lakuriqësinë dhe babëzinë tuaj.”  Dashtë Zoti që kjo të mos jetë një masë presioni apo frikësimi nga ana e qeverisë ndaj lirisë së medias në Shqipëri dhe ndaj botuesve dhe gazetarëve që mundohen – nën rrethana edhe ashtu shumë të vështira -- sado pak të ruajnë parimet e gazetarisë së lirë e të pavarur, pa i komprometuar ato?  Vall, mos është kjo një masë e tërthortë, por e qëllimshme për t’i bërë presion medias dhe lirisë së veprimit të saj, duke e bërë punën e gazetave edhe më të vështirë se ç’është tani?  A nuk mund të ishte ky një vendim pak më i favorshëm për median?  Andaj,  përballë këtij vendimi të ministrit shqiptar të Financave të njoftuar para disa ditësh, a mund të thuhet në këtë përvjetor të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit, që po shënohet në më shumë se 100-vende të botës – se qeveria shqiptare është me të vërtetë dhe sinqerisht e vendosur,  që në përputhje me konventat ndërkombëtare, po mbështetë fjalën e lirë dhe lirinë shtypit -- si në parim, ashtu edhe në praktikë?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora