E enjte, 18.04.2024, 11:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Dashi: Pluralizmi i bashkon njerëzit, tek ne, ndodh e kundërta

E merkure, 18.06.2008, 06:53 PM


Box

Kujtim Dashi u lind në qytetin e Shkodrës, më 15 korrik 1951. Shpërngulet familjarisht në qytetin e Lezhës pas mesit të viteve ’50, ku kryen gjimnazin “Hydajet Lezha”. Rikthehet në Shkodër për t’u diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, në vitin 1975.

Ka punuar librar, mësues, funksionar rinie, gazetar (kryeredaktor i parë i gazetës lokale “Koha jonë”, i “Lissus”-it dhe i gazetës letrare-kulturore “Në fillim qe FJALA”, së bashku me poetin Ndoc Gjetja), punëtor krahu, bibliotekar, politikan, funksionar shtetëror, specialist i bibiotekave në MKRS. Që nga Nëntori 2005 (jo me 8, po me 9), për shkaqe të mirëfillta politike, gjendet i papunë.  Për më se tre dekada përgatit e boton antologji poetike, studime e monografi, shkruan humor, radiodramatizime, merret me publicistikë. Krijimtaria e tij është botuar edhe jashtë vendit, si në Itali, Bullgari etj.

Botime të autorit: 

?

"Edhe një gotë Filipit", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë, 1998.

"Viktima hyjni", tregime, Sh.B."Toena", Tiranë, 1999.

"Aktori i pafat", tregime, Sh.B."Lisitan”, Tiranë, 2002.

"Jetë e tymosur", tregime, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2003.

"Ritual", tregime, Sh.B."Lisitan", Tiranë, 2004.

“Në muajin e nëntë...”, tregime e novela, Sh.B “Ombra GVG”,Tiranë, 2006.

?

"Histori gazmore nga Lezha etj.", Vëllimi I, përmbledhje humori, Sh.B."Toena", Tiranë, 2000.

"Histori gazmore nga Lezha etj.", Vëllimi II, përmbledhje humori, Sh.B. "Naim Frashëri", Tiranë, 2002.

"Histori gazmore nga Lezha etj.", Vëllimi III, përmbledhje humori, Sh.B.”Geer”, Tiranë, 2007.

?

"45 poetë për Lezhën", antologji poetike, Sh.B."Gjergj Fishta", Lezhë, 1996.

"Baladë për Fran Ivanaj", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2000.

"Pas Migjenit", antologji poetike, Sh.B."Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 2001.

"Gjuha e zjarrtë…5 shekuj poezi, 100 poetë", antologji poetike, Sh.B."Globus R", Tiranë, 2004.                                                                                                                                     ?

”Thellësia e thjeshtësisë-Poeti dhe Njeriu Ndoc Gjetja”-, monografi, Sh.B ”Lisitan”, Tiranë, 2004.

”Leksikoni i Lezhës-Autorë, institucione, media”, Fjalor enciklopedik, Enti Botues “Lisitan”, Tiranë, 2005.

Në proces botimi:

- “Lezha-vendlindja ime”

-  “Jam Pater Fishta që them uratë me gishta”-përmbledhje me anekdota të Gj. Fishtës.

Opinione për prozën e autorit:

Ndoc  Gjetja: “Tregimet e novelat e Kujtim Dashit janë dëshmi autentike artistike të realitetit shqiptar në këto dekadat e fundit, me tërë shumëanshmërinë, me tragjizmin e absurdin e tij”.

Perikli  Jorgoni: “Gjëja e parë që të bën përshtypje, pasi ke lexuar me endje librin me tregime të shkrimtarit Kujtim Dashi është aftësia e rrallë për të krijuar personazhin”.

Visar   Zhiti: “Tregimtari Kujtim Dashi i beson shumë realitetit. Fantazia e jetës është më e madhja dhe për të…Ironia është dukuri e letërsisë bashkëkohore, si e tillë ajo fërgëllon dhe në këtë libër”.

Ndue Dedaj:”Tregimet e këtij libri ngjajnë si kapitujt e një romani me theks të dukshëm social, me kumte të drejtpërdrejta”.

Dr. Selami Tabaku: “Ndër tiparet dalluese të shkrimtarit Kujtim Dashi janë gjetjet interesante dhe origjinale, ku spikat shumëllojshmëria e detajeve funksionale dhe, shpesh, metaforat e simbolet”.

Muharrem Xhaxho:”Tregimet e Kujtim Dashit priren nga optika e një realiteti ndryshe. Në këtë realitet jetësor ai gjen bërthamën shpirtërore të përveçësuar, por edhe si shumësi”.                                                                 

Halil Jaçellari: “Libri “Në muajin e nëntë…” është shkruar me një forcë përfytyrimi të tillë, sa do t’ia kishte zili çdo shkrimtar”.

Sherif Bali: “Mjaft nga tregimet e Kujtim Dashit do t’i rendisja ndër prozat më të arrira të letërsisë sonë në këto dekadat e fundit; ato janë tregime antologjike…”

Nga Albert Zholi

Kujtim Dashi: Nuk kam njohur asnjë njeri që të shikojë gabimet e tij e të dijë të fajësojë vetveten

Pluralizmi i bashkon njerëzit, tek ne, ndodh e kundërta

Albert Zholi: Në librin tuaj me tregime e novela “Në muajin e nëntë...” (“Ombra GVG”, 2006) më tërhoqi vëmendjen thënia e Aleksandër Solzhenicinit “Nëse merremi vetëm me të kaluarën, na plas njëri sy, po nëse do të harrojmë të kaluarën, na plasin të dy”, të cilën ju e keni vënë në aperturë të librit, si një kredo.

Kujtim Dashi: Nëse më lejoni, më parë, dua të them me pak fjalë se ç’është ky libër. Ai përmbyll në njëfarë mënyre një fazë të rëndësishme të krijimtarisë sime mbi tridhjetëvjeçare në prozën e shkurtër. Kësisoj, në një përmbledhje voluminoze me dyzetepesë tregime e novela, mendoj se lexuesit, kritikës letrare dhe studiuesve të letërsisë iu krijohet mundësia të formojnë një mendim edhe më të plotë për fizionominë e profilin tim krijues.

Ndërsa sa i takon kredos që përmendet, për komentin e së cilës, në këndvështrimin tim, s’kam përse t’i humb kohën e çmuar lexuesit, pasi vetë librin e kam strukturuar në funksion të saj. Duke qenë se tregimet e novelat, para së gjithash, do të preferoja t’i konsideroj si dëshmi autentike artistike të realitetit shqiptar në këto dekadat e fundit, me tërë shumanshmërinë, me absurdin e tij e tragjizmin, edhe librin e kam ndarë në dy cikle, që i korrespondojnë konceptit solzhenician të “së kaluarës”, pasi është e kotë të kujtosh të kaluarën në qoftë se ajo nuk ushtron ndikimin e saj në të tashmen. Cikli i parë titullohet “Kori i kinemasë”, ndërsa i dyti “Ritual”.

Si është pritur libri?

Fatin e librit, në njëfarë mënyre, e ka paralajmëruar në parathënien që e shoqëron atë, redaktori, miku im i shtrenjtë dhe poeti i njohur Ndoc Gjetja, kur nënvizon se “Ky autor, ndonëse ka punuar shumë e me durim dhe ka pritur gjatë sa “të ketë” lexuesin e tij, është një nga ata që me vetëdije i qëndron larg karuseleve letraro-mediatike, shpesh herë të infektuara e të komercializuara deri në kufijtë e të pabesueshmes”. Megjithatë u jam mirënjohës për vëmendjen e treguar ndaj kësaj pjese të krijimtarisë sime dhjetëra e dhjetëra lexuesve, po edhe N. Gjetjes, P. Jorgonit, V. Zhitit, N. Dedaj, M. Xhaxhos, H. Jaçellarit, Sh. Balit, F. Halitit, M. Vyshkës etj.

Më intrigoi ky karuseli letraro-mediatik...

Para së gjithash këtë, duhet ta dish mirë, nuk e ka sajuar e as nxjerrë ndonjëfarë mllefi. Kurrësesi, që të jemi të saktë e të mos i lëmë shtegun e hapur ndonjë keqkuptimi. Debati po, sigurisht nga një krijues që i ndjek me vëmendje zhvillimet tona letrare për afro katër dekada. Mbi të gjitha, në këtë anë, më intereson mbarësia e shëndeti i letërsisë së kombit tim, më preokupon ndihmesa e secilit nga ne për një klimë e atmosferë të shëndoshë krijuese. Pra, duke mos “hipur” enkas në këto karusele letraro-mediatike, vazhdoj të paguaj haraçin e gjykimit e vlerësimit objektiv. Natyrisht, haraç më të rëndë paguajnë, sidomos, ata që jetojnë dhe krijimtarinë e tyre  vazhdojnë ta thurin jashtë kryeqytetit, jashtë “oborrëzave” të ish-Lidhjes, Unioneve apo grupimeve të ndryshme letrare, të mbledhura ose jo rreth disa gazetave a suplementeve letrare të të dielave. Më vjen keq të them se, disa syresh janë bërë si “At Donati (Kurti)” e “Lasgushi”: “Pse gjallë është?!”- pyesin profanët a dashakeqësit. E përsëris, ky s’është vetëm një problemi im. Kush më herët e kush më vonë, të gjithë kemi ardhur në kryeqytet nga provincat, por shqetësuese është se provincializmi është ulur këmbëkryq mu në qendër të “atdheut të shkrimtarëve”. Disa bjerrakohës magmëftohur pa pikë modestie, në mëngjes, të thonë se po shkruaj një vepër dhe, vetëm pas dy-tre orësh, kur i rindesh, harrojnë se çfarë të kanë thënë dhe ajo iu rezulton t’iu ketë dalë kryevepër! Se çfarë ke shkruar ti a kolegu yt, s’duan t’ia dinë fare. Nga çantat, si simitet, nxjerrin dorëshkrime dhe, thuajse të detyrojnë për t’i lexuar. Dhe, sakën u thua se e ke ...nënkryevepër! Veç këtyre, edhe ndonjë herë tjetër kam pasur rast ta cek, një nomenklaturë misterioze krijuesish, si një sekt, te dendur mirë e mirë në gjithfarë OJF-sh e me fonde shtetërore (Sikur të publikoheshin këto ndonjë ditë!?) kanë lëshuar rrënjë të thella në juri të ndryshme, që herë i ndesh si kryetarë e, radhën tjetër, si anëtarë (kur isha specialist i bibliotekave në Ministrinë e Kulturës, pata bërë një studim për këtë dukuri) dhe janë kthyer në fatpërcaktues të shkrimtarëve. Shkurt, hesapi,  bëjnë ligjin dhe gjëmën. Ata dhe një takëm gazetarësh të kompleksuar, ose të mbyllin portën, ose ta hapin katërkanatsh. Në monografinë “Thellësia e thjeshtësisë-Njeriu dhe Poeti Ndoc Gjetja” (“Lisitan”,2004) kam përmendur fakte, që vërtet janë tronditëse e shqetësuese për atmosferën letrare në Shqipëri. Si në tregun fshatar të qëmotit, këmbëjnë “qepët” me “kunguj”, sipas këngës së vjetër mëjepsetëjap. Madje thirren, po me paratë e taksapaguesve shqiptarë, edhe sesione shkencore për të sajuar edhe bashavanguardistin e letërsisë (?!) në një kohë, kur Ramiz Kelmendi e ka vënë dorën mbi plagën e rëndë kulturore kombëtare, këndej e matanë kufirit, kur thotë “Kurrë më shumë libra, e kurrë më pak letërsi. E sidomos-më pak lexues!”

Gjërat, në vështrim të parë, duket se nuk zhvillohen tërësisht në terrenin letrar...

Natyrisht ato janë mjaft komplekse dhe, shpesh herë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën si në atdheun fizik dhe në “atdheun e shkrimtarëve”, pra, si në parimin e enëve komunikuese, marrin e japin mes tyre. Dhe, si në pak raste, sekush, ngurron për të marrë autorsinë, ose për të veshur qyrkun. Ngjet pak a shumë ashtu siç thoshte Konfuci se “Nuk kam njohur asnjë njeri që të shikojë gabimet e tij e të dijë të fajësojë vetveten, pasi virtyri ynë është të merremi me të tjerët dhe të gjejmë gabime e faj tek të tjerët”. Nuk mund të pretendojmë për ndonjë katarsis, por kësaj situate mosvëmendjeje ndaj asaj letërsie që është krijuar apo krijojnë përpos 2-3 emrave më të njohur, mjaft krijues të tjerë të talentuar e seriozë, të cilët, principial si ata, nuk i kacavirren karuselit letraro-mediatik, këtij denigrimi provincialist apo hierarkie letrare fiktive me interferime të mirëfillta politike, që po dëmton (dikush mund të thotë edhe rrënon) mbarëvajtjen e letërsisë shqipe, mund e duhet vrarë mendja për t’i dhënë fund, me kurajo qytetare e atdhetare. Ja, ta dish ti, Albert, se sa para janë derdhur gjithë këto vite të tranzicionit për hartimin e politikave kulturore kombëtare, sa sesione, sa seminare, sa botime, udhëtime jashtë etj, etj vërtet do të çuditeshe. E ç’rezulton? Kurrë ndonjëherë si sot nuk kanë qenë më të shkapërdarë shkrimtarët shqiptarë, të dëbuar më në fund edhe nga shtëpia e tyre. Fatnjëjtë me punëtorët e fabrikave e uzinave, apo të atyre sektorëve të tjerë që po shkojnë drejt privatizimit. Saharovi thoshte që pluralizmi i bashkon njerëzit, tek ne, si zakonisht, ndodh e kundërta. Se dikujt, kuptohet, të djathtëve të majtë e të majtëve të djathtë kjo iu intereson. Në parlamentin shqiptar, kryesisht, badigardës dhe me një anonimat të padëgjuar ndonjëherë (skandalet zbulojnë emrat e tyre dhe se kush e tek janë), njerëzit e kulturës, thuajse, nuk ndjehen fare. Dhe nuk janë pak. Asqë bëhet fjalë për ndonjë lobing. Nuk e di se si mund të ndjehen rehat, kur shohin kolegët e tyre në këtë gjendje! Jashtë kontekstit të veprës së Ben Blushit, sikur pakëz nga ajo vëmendje që iu kushtua asaj, t’i kushtohej shkrimtarëve e artistëve, me siguri, gjërat do të ishin krejt më ndryshe. Të duket sikur jemi ende në “epokën e kioskave” që sekush këndon këngën “Bjer shi në bahçen time!”. Po le të shpresojmë që ndonjë ditë të flasë...ambasadori amerikan, që të vërë në lëvizje ingranazhet e ndryshkura të kulturës e të interesimit real për të...

Kam dëgjuar se veç pritjes për të folur ambasadori amerikan edhe për kulturën tonë, ty të atribuohen edhe dy thënie të tjera “të forta”...

Nëse e ke fjalën për përshtatjen që i kam bërë manifestit komunist “Gazetarë e shkrimtarë të papaguar, bashkohuni!”, po. “Gradacionin” ia kanë përcaktuar të tjerët. Është titulli i një shkrimi, që s’ma botuan dy-tre gazeta, të cilat s’dua t’i zë në gojë. Fjala është për një “thirrje” që iu bëja kolegëve, të cilët shkruajnë në gazeta dhe s’marrin asnjë kacidhe leku. E, pra, gazetat shiten, aq sa shiten, paçka se stoku i përditshëm i tyre është i frikshëm. Ndërkohë, ja na doli sërish këtu, një nomenklaturë tjetër e karuselit politiko-mediatik, thuhet se disa syresh marrin honorare, po i them marramendëse në raport me varfanjakët idealistë. Le t’i publikojnë këta “të nënës” e ata,   “të njerkës”!! E atëherë ç’ngjet? Në vend që të vijë në faqet e shtypit të shkruar mendimi i kualifikuar, profesional i shkrimtarëve e gazetarëve, ata tërhiqen, “nuk hedhin gurë në tjegullat e tyre”. Kjo më sjell ndërmend një shprehje të njohur nga Kalivaçi i Lezhës, ku jam “pagëzuar” si mësues. “Flisni çfarë të dini e të doni për kryetarin e kooperativës,-i grishte tasheparë njëherë i deleguari fshatarët. “Nëse themi gjithçka dimë ne për të, ju atëherë a e hiqni nga detyra?- pyeti një fshatar. “Me e hek nuk e heqim, por e kritikojmë e qortojmë, e...”Jo, o shoku i delegjuem, s’jemi duke hedhur gjurë në çjegullat tona!- tha fshatari i mençur me atë të folurën e tij. Po në radhët tona ka edhe “grevëthyes” e konçensionarë, të cilët çuditërisht kanë vetëm një kërkesë për shefat e gazetave e kënaqen, si thonë fjalës, me “pjatën e fundit të Harry Fullcit”: që shkrimi, mbi të gjitha emri i tyre, të paralajmërohet në faqe të parë, që në rubrikat e shtypit në televizione, të lexohet emri i tij, të amplifikohet. Kjo është skandaloze!

E tjetra, do doja ta dija...

Nëse nuk e teprojmë, mund ta them. Një miku im shkrimtar, i nxjerrë pa punë në rrugë të madhe nga Qeveria e Shërbimit dhe e Shërbesës (më tej:QeShSh) më thotë një ditë qejfprishur: “Ç’është kështu, mor burrë me ju shkrimtarët?-m’u turr gruaja e inatosur. Tërë librat që të dhurojnë shokët, të shkruajnë thuajse njëlloj “Me shumë dashuri e respekt!”, po ama në...frontespice! Ke kaq muaj pa punë, të hoqën kotsëkoti, si hakmarrje politike e kryetarit të QeShSh-it, ke kaq e kaq libra të botuar, jashtë je përkthyer, s’ke asnjë “latë” të hequr kudo ku ke punuar dhe askush nga kolegët nuk mori mundimin qoftë edhe njëherë të ngrejë zërin për të kundërshtuar, për të protestuar ndaj kësaj padrejtësie, ndaj kësaj sjelljeje antikombëtare për njerëzit e kulturës e të letërsisë. Ç’është kjo dashuri e respekt në frontespice?!”. Ja, pra, dhe solidariteti ynë: dashuri e respekt i madh në...frontespice!

Si mysafir, vini për herë të parë në gazetën tonë. Ç’mund t’i thoni lexuesit për veten tuaj?

Vitet e fundit, më duket se është bërë ca bezdisëse protagonizmi fals i disa njerëzve që iu krijojnë vetes akses në media (e dinë ata vetë se si), ndaj s’dua të bie në këtë “grackë”, që të shtohet edhe një emër tjetër në “fisin e madh të Belulëve”. Se në kujtesë, ndër vite, më janë fiksuar shumë syresh, psh, një katundar nga një zonë e thellë malore, që Enveri e “shtrëngoi” të bëhet ambasador dhe ky, nashti, i tregon lexuesit, në disa numra me radhë të një gazete se “ç’ka hequr në atë kohë”; një tjetër thotë në një gazetë tjetër se “vërtet ishte diktatura më egër në ...botë, pasi nuk më bëri ministër, po më la vetëm zëvendësministër” e plot broçkulla të tilla, që në Shkodër i thonë “me qesh edhi”.

Edhe shënimin biobibliografik nëpër libra, e kam vënë enkas, për t’u dalluar nga  disa Kujtim Dashi të tjerë që kam konstatuar se ka në gjithë vendin (vetëm në numratorin telefonik të Tiranës, më duket se janë dy-tre të tillë). Sidoqoftë, nëse do të më pranonit, në faqosje mund të vinit këtë shënim biobibliografik dhe ndonjë opinion për prozën time. Pastaj, këtu jemi. Kush do, “ta gjen derën”. Mendoj se më sipër, kam çelur ndonjë shteg, i cili do të ishte një ftesë e hapur për debat publik për gjërat që preokupojnë aktualisht “atdheun e shkrimtarëve”. Shkrimtarët e kanë obligim të jenë të sinqertë dhe të thonë të vërtetën, theksoi këto ditë Ismail Kadare, në promovimin e romanit të tij  “Kështjella” (anglisht) në Londër. Kështu, rrëshqanthi, shtyje ta shtyjmë, s’mund të shkohet. Mbase, kështu, do të jetë një mundësi për t’u ngushtuar distanca në mes të shkrimtarëve e lexuesve tanë.

Faleminderit.

Faleminderit ty, miku im i vjetër dashamirës e i palodhur!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora