E marte, 23.04.2024, 11:34 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Xhemaledin Salihu: Hedhja e bombave në xhami

E diele, 27.04.2014, 11:05 AM


HEDHJA E BOMBAVE NË XHAMINË E POSHTME TË PRESHEVËS MË 1943

Ndodhinë e kishte paralajmëruar edhe banorja lokale serbe, baba/plaka/ Qipra

Shkruan: Xhemaledin SALIHU

Më 15 shtator të vitit 1943, në Xhaminë e Poshtme të Preshevës, Natën e Ramazanit, kur Xhemati  shkonte për të fal Terravit, ndodhi një masakër e madhe. Edhepse ishte kohë lufte, Lufta e Dytë Botërore, kur Presheva ishte e okupuar nga Bullgaria fashiste, Preshevarët në Xhaminë e Poshtme gjatë faljes së Namazit nuk venin roje për rreth Xhamisë. Këtë e dinin forcat e kontraçetës serbe me pushtetarët bullgarë, të cilët sëbashku vendosën të hedhin bomba në Xhaminë e Poshtme, e cila më pak ishte e mbrojtur, se sa Xhamia e Ibrahim Pashës, në qendër të Preshevës.

Kështu gjatë faljes së Namazit, këta i mbyllën derën kryesore të Xhamisë së Poshtme dhe i hodhën bombat për dritare, kah oborri i xhamisë. Ndërsa disa prej sulmuesve ishin vendosur në shtëpitë e afërta serbe për ti gjuajtur ata që dalin të gjallë nga xhamia.Mirëpo me ndëgjimin e shpërthimeve dhe qitjeve me armë, dalin banorët shqiptarë dhe fillojnë të gjuajnë sulmuesit. Njëri prej tyre ishte edhe Zymber Kurbalia, i cili me pushkë në dorë hapi zjarr në serbosllavët.

Preshevarët thonë se i pari e hodhi bombën Sazda i Preshevës. Një prej bombave të hedhura e kapi me dorë Ramiz Agushi i Mëhallës së Dodajve të Preshevës, të cilën deshi ta kthejë tek sulmuesit, mirëpo ajo i shpërtheu në dorë, kështu gishtat i mbeten të ngjitur për tavanë të Xhamisë.

Ndodhinë, masakrën në Xhaminë e Poshtme e kishin ditur disa nga banorët lokalë serbë. Kështu më vonë disa deshmitarë okularë, pjesëmarrës në Xhami rrëfehen se kanë pasur paralajmërime nga baba/plaka/ Qipra, sigurisht banore serbe e rrugës së sotme Ramiz Sadiku në Preshevë.

Kështu rrëfen Halit Ramadani nga fshati Sllupçan i Kumanovës, i cili më 1943 ishte 13 vjeçar dhe kishte ardhur te daja Hajredin Limani/Totorllozi/, në rrugën R.Sadiku të Preshevës.

Atë natë nisen për të shkuar në Xhami dhe në rrugë i del fqinja baba/plaka/ Qipra, e cila i drejtohet Agës Dini/Hajredin/ , duke i thënë pse po e merr në xhami këtë djal të ri?. Këta të dy nuk ia vejnë veshin dhe vazhdojnë në xhami, ku hidhen bombat. Ngjarjen e tregoi Halit Ramadani më 1996, i cili ishte plagosur në xhami.

Poashtu baba/plaka/ Qipra nuk ndejti rehat, ajo duke e parë komshin e vet Shukri Eminin e Hamishëve të Preshevës i drejtohet po me të njëjtat fjalë pse e ka marrë për xhami edhe nipin e tij Qazimin. Qazim Abdullahu/Emini/ i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës, atëherë fëmijë i kujtohen fjalët e baba/plaka/ Qipros dhe thotë se nuk i kujtohet se a ishin nisur për xhami apo për të shkuar te të afërmitë aty afër xhamisë, tek Aga Nijazi i Mëhallës së Derrajve të Preshevës. Deklaratat e Halit Ramadanit dhe Qazim Abdullahut i shënoi Edmond Kamberi, i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës.

Masakrën në Xhaminë e Poshtme, sipas të dhënave gojore  e organizuan:

1.Jagosh Jovanoviq , kryesori me moshë 45 vjeçare,

2.Zafir Tërrnava, ndihmës i Jagoshit, të dytë nga Reka e Tërrnavës,

3.Sazda i Preshevës, 40 vjeçar,

4.Stanimir Gërnçari I Preshevës, në shtëpia e tij  përballë Xhamisë u bë plani i masakrës dhe

5.Dushan Presheva, 39 vjeçar.

Në këtë masakër humbën jetën :

1.Rexhep Sherifi , me moshë 50 vjeçare, i Mëhallës së derrajve të Preshevës,

2.Rifat Kamberi, 42 vjeçar,i Mëhallës së Kamberëve të Preshevës,

3.Ramiz Agushi, me moshë 30 vjeçare, i Mëhallës së Dodajve të Preshevës/vdiq në spitalin e Kumanovës, ka thënë Rexhep Salihu Hoxha, i cili vet e çoi Ramizin në spital/dhe

4.Lutfi Mehmeti, i njohur si Lutë Tuxhari, 49 vjeçar/vdiq në spitalin e Kumanovës/.

Në Xhaminë e Poshtme u plagosën 28 veta, por shënime kemi për këta:

1.Idriz Aliu, 40 vjeç,

2.Mahmut Kurtishi, 32 vjeç,

3.Ibrahim Kamberi, 38 vjeç,

4.Arif Rushiti, 26 vjeç,

5.Jonuz Aliu, 54 vjeë,

6.Qamil Kurtishi, 44 vjeç,

7.Shefqet Agushi, 23 vjeç,

8.Beqir Ahmeti, 54 vjeç,

9.Jahja Veliu, 27 vjeç,

10.Mehmet Boshnjaku, 25 vjeç,

11.Hamdi Jonuzi, 34 vjeç,

12.Alisahit Sadiku, 41 vjeç dhe

13.Halit Ramadani, 13 vjeç

 

Bomba në xhami-versioni I

 

Ishin mbledhë o, shtat tet shkie

Kishin marr pes litra rakie

N`kafe Tozës jan ul me pi

Kshyr çka thot Jagoshi i zi`e

Ngoni shok e ngoni vllaznie

N`xhami t`eperm na s`guxojm me hie

Aty kan lon disa devrie

N`xhamie të poshtme na me shkue

N`katër on xhamin o, me rrethue

Nga dy bomba more m`i lishue

Njo për t`gjall mos me lon me pshtue

Se çashtu shkit kan veprue

N`xhamie t`poshtme jan drejtue

N`katër on e kan rrethue

Nga dy bomba i kan lshue

Ramiz Doda djal i ri

Deshti bombën me ja kthye

Bomba n`dorë djalit m`i krisi

Të pes gishtat n`tavan ja nxhiti

Kenga e Xhamise-versioni II

 

Terri i zi na ka ra,

n' ket Presheve e n' ket kaza.

Disa bugar' me do shki,

n' kafe t' Tozes kishin hi.

Tu pi ven' , tu pi raki,

bajshin llaf per shiptari,

çysh m' i myt' t' ton' n' xhami,

kush paj pa e kush paj ni.

- Ngoni kha, ju zapti,

po ju thot Jagoshi i zi.

N' kater on' me ndu devri.

Kur t' vin' shiptart' ne' jaci,

mloni ftyrat me shami,

çitni bombat ne xhami,

Kur u nisen taravit' ,

ju afrun xhamis' devrit' .

Disa bumba i lishun,

me mashinka i ndihmun.

Aty u vrane' kater vet' .

U plagosen nizet e tet'.

 

Në Preshevë  “Këngëne Xhamisë së Poshtme” e kënduan Selver e Shukri Emini i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës.

“Këngën e Xhamisë” aktuale për atë kohë dhe shumë të njohur e këndoi edhe Selver Ramadanii Mëhallës së Kajallarëve të Preshevës.

Teksti i “Këngës së Xhamisë së Poshtme”-versioni III, shënuar nga djali i Selverit, Sylejman Ramadani-Sylki :

 

Hej, se në Preshevë, çka ka bo vaki,

Ishin mbledh dy tri shki të zi,

Në kafe të Tozës paskanë hi,

Në kafe Tozës paskanë bisedue,

Hej xhamisë poshtme me i mshue,

Se xhamisë së epërme s’po guxojmë me i ra,

se shqiptarët po bojnë devri,

Ky Jagoshi foli, xhamisë së poshtme me i ra,

Se në këtë xhami nuk ka devri,

Po ju thot Jagoshi i zi,

N’katër anët me ndu devri,

Kur t’vin shiptart në jaci,

Hudhni bombat në xhami,

Mloni ftyrat me shami,

Shiptart duhet krejt faru,

Hi e pluhun mej maru.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora