Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Hoxha sipas dosjeve të CIA-s

| E diele, 27.04.2014, 07:00 PM |


Si gjurmohej dhe dokumentohej jeta private e diktatorit shqiptar

Për herë të parë një dokumentar televiziv arrin të sjellë një portret të Enver Hoxhës sipas të dhënave që grumbullonte Shërbimi Inteligjent Amerikan, CIA.

Dokumentet që publikohen për herë të parë sjellin fakte të panjohura por edhe tronditëse.

Ato zbardhin gjurmimin muaj pas muaji e vit pas viti të jetës private, por edhe publike të Enver Hoxhës, filluar që nga fundi i viteve 1950. Në këtë pjesë të parë të filmit janë përzgjedhur informacionet që kanë lidhje me një konflikt të panjohur dhe shumë të vjetër për pushtet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Një konflikt që hedh dritë dhe ka të ngjarë për herë të parë sqaron edhe të gjitha spastrimet e krerëve komunistë në vite, deri te vetë Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij. Po kështu në këtë pjesë të parë të filmit, për herë të parë bëhen publike disa dokumente që shpjegojnë orientimin seksual të Enver Hoxhës, ku veç të dhënave për femrat apo të dashurat e tij, vijnë edhe të dhëna konkrete edhe për mundësinë e homoseksualitetit të liderit komunist shqiptar.

Nuk dihet saktësisht se përse janë grumbulluar këto të dhëna nga shërbimi inteligjent më i madh i botës, po kështu nuk dihet nëse janë shfrytëzuar dhe përse.

Ka shumë ta ngjarë që ato të kenë qenë thjesht pjesë e rutinës së zakonshme të punës të këtij shërbimi secret për të plotësuar mozaikun e të dhënave për personalitete të ndyshme, sidomos për personazhe të renditur në anën e gabuar të historisë.

Në pjesën e dytë janë përzgjedhur materiale të cilat vërtetojnë se si CIA ka mundur të marrë informacione nga njerëz të besuar të regjimit komunist në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Janë informacione që herë janë marrë në mirëbesim, herë me anë të makinacioneve të ndryshme. Pjesën më të madhe të materialit në pjesën e dytë e zë investimi i CIA-s për të siguruar të dhëna për shëndetin e Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. CIA ka arritur të kontaktojë pothuajse të gjithë mjekët e huaj që kohë pas kohe kanë vizituar Tiranën me qëllim që të kontrollonin shëndetin e Enver Hoxhës. Menjëherë pasi janë kthyer nga Tirana për në vendet e origjinës, që të gjithë mjekët kanë kaluar në filtrat e shërbimit inteligjent amerikan.

Ajo që të bën përshtypje mbështetur në këto dokumente, është se nisur që nga fillimi i viteve 1950, në asnjë dokument të deklasifikuar të Shërbimit Sekret Amerikan nuk ka të dhëna se amerikanët janë interesuar të rrëzojnë nga pushteti Enver Hoxhën.

ABC NEWS