E premte, 19.04.2024, 04:17 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Maqedonia vendos!

E shtune, 26.04.2014, 07:04 PM


Maqedonia vendos!

Nga Elvi Sidheri

Të dielën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, e njohur botërisht si vendi i flamurit me “ventilator”, apo si FYROM, shkon në zgjedhje të dyfishta, presidenciale të raundit të dytë dhe ato parlamentare, të parakohëshme.

Në fakt, nuk është më aspak zhvillim i ri, gara zgjedhore në fqinjin tonë lindor, pasiqë mbas vitit 2006 dhe rikthimit në pushtet të VMRO-së së djathtë e nacionaliste, shteti shumetnik ka përjetuar 2 herë zgjedhje të parakohëshme, dy herë zgjedhje lokale dhe në dy raste të tjera , zgjedhjet presidenciale.

Në Maqedoni pra, duket sikur jetojnë me “bukë e zgjedhje”!

Por ajo që bie lehtë në sy përsa i përket këtij vendi në të njëjtën kohë, është fakti i pamohueshëm, se zgjedhjet kurrësesi nuk janë transformuar në “zgjidhje” për qytetarët e atjeshëm, fenomen ky më i shpeshtë sidomos tek nënshtetasit shqiptarë të IRJM-së.

Gara e 2014-ës sa i përket kontekstit parlamentar pritet të jetë e njëjta e së kaluarës, në të dyja kampet nacionale.

BDI-ja përballë PDSH-së në anën shqiptare dhe VMRO-ja kundër LSDM-së në krahun sllav.

Pritshmëritë dhe sondazhet, por edhe ndjesia e përgjithshme publike, të bëjnë të mendosh se fitorja për partitë që qeverisën së bashku deri në mars të këtij viti, do të jetë e sigurtë.

BDI-ja pas suksesit të bojkotimit të zgjedhjeve presidenciale në raundin e parë, në të cilin një numër fare i ulët prej 38 mijë votuesish shqiptarë, dolën në zgjedhje për të votuar kandidatin e vetëm shqiptar të PDSH-së opozitare (shifra këto dukshëm më të ulta se vetë kapacitetet votambledhëse të kësaj partie), pritet të gëzojë një triumf të plotë përballë rivalëve.

Nëlloj edhe VMRO-ja e kryeministrit të shumëpushtetshëm Gruevski, nuk mendohet të hasë në ndonjë vështirësi të theksuar përballë LSDM-së së majtë, megjithë zërat e shumtë antiqeveritarë në kampin sllav.

“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”?

Nuk është e thënë sidoqoftë!

Mënjanë sinjaleve që tregojnë se mund të ndodhin të papritura edhe gjatë ditës së votimeve, si pasojë e tentativave qeveritare për të favorizuar dhe shtuar votat për VMRO-në, gjë që hamendësohet se mund të shpjerë edhe në ndonjë kundërlëvizje nga LSDM-ja, siç po konfirmonte dyshueshëm para mbështetësve të vet edhe në mitingun e fundit në Veles kryeministri Gruevski, gjithësesi loja e vërtetë do të nisë pas zgjedhjeve.

Ka kohë që lideri i PDSH-së Thaçi, rreket të tregojë vend e pavend bindjen e tij personale, se do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të IRJM-së, pa theksuar kurrë ndërkohë, nëse pret të fitojë së pari brenda kampit shqiptar, apo jo?

S’do mend që PDSH-ja është një parti e etur për pushtet, kërkesë legjitime kjo për një forcë politike me njëfarë historie, që qënien në qeveri e ka provuar edhe më parë, ashtu si edhe përfitimet marramendëse që vijnë si rrjedhojë e “ngrohjes” së kolltukëve nga ana e ministrave të kësaj partie në qeveritë e 98-01 dhe 2006-2008-ës.

Aq e vërtetë është kjo sa edhe fakti që në realitet, PDSH-ja asnjëherë të vetme, për të folur drejtën, nuk ka fituar një palë zgjedhje në kampin e vet, pra atë shqiptar!

Në vitin 1998, ishte Partia për Prosperitet Demokratik, një krijesë vasale e pushtetit sllav të presidentit antishqiptar Kiro Gligorov, ajo që siguroi më tepër vota mes shqiptarëve, por PDSH-ja “ia mori në kthesë” dhe falë “marrëveshjeve historike” me VMRO-në e ish kryeministrit Georgievski (një filo-bullgari të cilit së voni i kanë ardhur mendtë...dhe që tashmë është kthyer në një kritik e analist të mprehtë të këtij realiteti tragjikomik të ngecur mes së tashmes dhe lashtësisë së “shpikur-vjedhur” të IRJM-së së sotme, sipas shijes së Gruevskit) ...hyri në qeveri.

Teksa Maqedonia Perëndimore (e banuar në shumicë nga shqiptarët)...”digjej”, PDSH-ja në qeverinë e Shkupit, përgjithësisht “krihej” në verën e zjarrtë të vitit 2001 dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit që i dha fund konfliktit luftarak midis shqiptarëve dhe ushtrisë maqedonase, teoritë e pamungueshme të konspiracionit, mëtuan shpesh të sugjeronin, se ajo luftë ndër të tjera, përveçse për të mundësuar të drejtat e mohuara të shqiptarëve të këtij shteti, ishte nisur edhe me qëllim që të largohej nga pushteti, pikërisht kjo parti!

Pohime që iu lanë në gjykim kohës dhe historisë!

Sadoqë këto dyshime të dukeshin të pavlera apo të pabaza, ose qoftë edhe periferikë në rastin më të mirë për thurësit e tyre, gjithësesi do pranuar se konflikti i vitit 2001, u pasua nga lindja e BDI-së, një parti me rrënjë tek ish Ushtria Çlirimtare Kombëtare e cila prej vitit 2002 i ka fituar rregullisht me rradhë të gjitha zgjedhjet në kampin shqiptar papërjashtim.

Gjë që do të thotë se PDSH-ja pas 2008-ës, efektivisht në qeveri nuk u pa më!

Dilemën hamletiane që do të na vinte përballë një pikpyetjeje “therëse” nëse do të kishte qenë vallë më mirë që të kishim pritur “kohë më të mbrothëta” derisa shqiptarët falë “pjellorisë” së tyre të njohur, të qenë shtuar deri në atë masë sa t’i kishin kaluar numerikisht sllavët e FYROM-it, siç propagandonte kryesia e PDSH-së në vitet 90-të, duke u përçapur të ofronte ndonjë zgjidhje kundrejt shtypjes së gjithanshme me të cilën bashkëjetonin përditë shqiptarët e Maqedonisë, apo marrjes së armëve për të luftuar për të drejtat themelore të mohuara prej dekadash...tashmë e ka sqaruar vetë koha.

Përvoja e dytë qeverisëse e PDSH-së, ishte dyvjeçari jolegjitim nga 2006-a në 2008-ën, që përkoi sërish tejet “rastësisht” me rikthimin në pushtet të VMRO-së në krahun sllav.

Pas dy vjetësh kokëfortësie të vazhdueshme, kryeministri Gruevski, në 2008-ën, u detyrua të pranojë (se për të kuptuar, nuk e kuptoi...) faktin se nuk është në dorën e tij përzgjedhja e partisë shqiptare që do të duhet të përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë në qeverinë e Shkupit.

Kjo është një e drejtë e patjetërsueshme që mbetet në gjykimin dhe vlerësimin ekskluziv të votuesve shqiptarë e askujt tjetër!

Nga ana e saj, BDI-ja, si një parti që tashmë ka qeverisur për tre mandate (2002-2006; 2008-2011; 2011-2014), ka pësuar një konsumim të pashmangshëm si pasojë e flirtimit të zakonshëm me veset e pushtetit të gjatë dhe të parivalizuar.

Për shqiptarët e Maqedonisë dhe mirëqënien e tyre, do të kishte qenë sigurisht më e udhës, që në këto vite të kishte lindur një alternativë e denjë e BDI-së, gjë që vështirë se mund të jetësohet tek PDSH-ja.

Parti të tjera minore pa ndonjë peshë specifike kanë mbirë dhe janë zhdukur me shumicë brenda krahut shqiptar, por thelbi ka mbetur tek përballja BDI-PDSH.

Kandidatura “misterioze” e një ish ministri shqiptar të PDSH-së, i cili për të thënë të drejtën, mblodhi mjaft vota (edhe sllave) në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, kur i krahasoi shqiptarët autoktonë të Maqedonisë me qytetarët afro-amerikanë të SHBA, të importuar përdhunshëm në Botën e Re nga tregtarët e skllevërve europianë, duke u rrekur së koti jashtë çdo konteksti që t’a krahasojë veten me presidentin amerikan Obama, ra në ujë ashtu si edhe partia e tij e vockël.

Vuajtjet, zinxhirët e skllavërisë dhe lufta e stoike paqësore për të drejta civile e qytetarëve afro-amerikanë që mori shpagim me kurorëzimin e merituar presidencial të Barak Obamës, nuk kishte në të vërtetë asnjë përputhshmëri me situatën e shqiptarëve të Maqedonisë, një popull autokton në trojet e veta, i shtypur prej shekujsh nga ardhacakët sllavë.

Por ishte e qartë se po t’i “mikloje” sllavët me idenë fort dashur për ta, që i paraqiste shqiptarët si të ishin skllevër jovendas të ardhur në Maqedoni, që tani kërkonin ca të drejta, atëherë ndonjë votë prej tyre edhe mund të pritej, siç dhe ndodhi!

Partia e ish kryekomunarit të Gostivarit, Rufi Osmani, mbeti po ashtu një realitet rajonal, pa shanse për t’u transformuar në diçka më të madhe.

Është pikërisht kjo mungesë alternativash, që ka bërë të mundur qeverisjen e pashqetësuar të BDI-së për kaq kohë.

Një periudhë kur VMRO-ja dhe lideri i saj, i kanë provokuar shqiptarët jo vetëm në Maqedoni me shumëçka!

Me disa Enciklopedi fyese dhe përçmuese për shembull, për të cilët askush nuk ka kërkuar asnjë lloj falje!

Shqiptarët janë sulmuar dhe rrahur shpeshherë nëpër lagjet e Shkupit dhe kryeqyteti është rindërtuar sipas vizionit megalloman-delirant të Gruevskit dhe shpurës së tij, nga ana sllave e lumit Vardar, ndërsa në krahun shqiptar, vetëmjaftohen në përjetësi me një statujë të Gjergj Kastriotit, të cilit si ngahera, i ka rënë barra, që “i vetëm trim në luftë” të përballet me tërë “baticën” e monumenteve sllave të bregut përballë.

Kaq vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, përqindja e shqiptarëve në administratën shtetërore, askund nuk ka arritur as afërsisht në shifrat 25 %, duke iu referuar së paku numrit të shqiptarëve në këtë republikë, sipas censusit të fundit të zhvilluar në vitin 2002.

Ka shpresa që ndoshta andej nga vitet 2025-2030-ë, në qeverinë e 12-ë rradhazi të Gruevskit, pasi të jenë bërë edhe zgjedhjet e tridhjeta të parakohëshme, kjo përqindje të jetë arritur tashmë, por deri atëherë, të presim me durim që BDI-ja të rregullojë njëherë ministrat dhe fiset e tyre, pastaj ndonjë drejtor, ndërsa sipas traditës së mirëvendosur, organika e ministrive apo enteve të tjera publike, do të mbetet dërrmueshëm sllave.

Po ashtu, me ëndje e kërshëri jemi në pritje të “Godosë” dhe reagimit të mirëqenë të BDI-së, jo vetëm ndaj Car Dushanit sfidues në mes të Shkupit mbi ujërat e Vardarit të bukur, por edhe kundrejt provokimeve të rradhës në lidhje me figurën e Nënë Terezës ose ndonjë shqiptari e shqiptareje tjetër të njohur botërisht, që do u hapë oreksin Gruevskit dhe ndjekësve të filozofisë së tij.

Duke u kthyer tek faktet, zgjedhjet presidenciale, do t’i fitojë “,mumja” politike, zëdhënës-mëkëmbësi i Gruevskit, Gjorge Ivanovi, megjithëse më tepër vota e vlerësim do të kishte merituar i riu modern, plot me ide dhe elokuencë, Stevo Pendarovski, rivali i tij.

A do të tentojë realisht Gruevski që të marrë në qeveri “qoftë edhe me një deputet të fituar” siç kumton vetë prej disa kohësh Menduh Thaçi, PDSH-në në vend të BDI-së domosdo fituese ndër shqiptarët?

Mbetet për t’u parë!

Gruevski këtë herë luan një “all or nothing”, për shkak se rrethana të tilla të favorshme zgjedhore nuk do t’i gjejë më, si pasojë e fërkimeve në rritje me BDI-në dhe prej pakënaqësisë së shtuar ndaj sjelljes së tij autoritare, në krahun sllav.

Në këtë lojë me zjarrin, ai mund të fitojë përkohësisht, por në një këndvështrim afatgjatë, Maqedonia, qytetarët e saj dhe ata shqiptarë që do t’i bëhen “rrotë rezervë”kryeministrit, do të jenë të humburit e mëdhenj.



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora