E merkure, 24.04.2024, 01:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: "Vetëtimat" që lëshon Xhevua...

E shtune, 26.04.2014, 12:54 PM


"Vetëtimat" që lëshon Xhevua...

Libri me poezi "Vetëtimë" i Xhevahir Spahiut

(esse)

Nga Përparim Hysi

Nuk ka përkim më të bukur: si emri ashtu dhe vepra. E kam fjalën për Poetin e bukur Xhevahir Spahiu. Poezia  e tij është e tillë që jo vetëm e rreshton autorin në shkallë të epërme të Poezisë Shqipe ,por dhe më tej si një poet që pëlqehet në të gjitha ato gjuhë ku është përkthyer.

Unë e kam dashur poezinë e Xhevos që nga fillimet  e tij dhe, kur u vu në   kryq nga vet Enver Hoxha, jo vetëm më erdhi keq, por u ula dhe shkrova duke e marrë në mbrojtje poetin, Xhevahir Spahiu. Shkrova... po  nga e thëna në të bërë, shkon e vjen një det i tërë. Shkrova dhe, sado kjo qe vetëm protestë imja vetiake, autocensura e frikës më ktheu nga rruga, pasi i kisha bërë nja dy km për në shkollë. Se nuk ishte shaka e vogël për atë kohë. Se qeveria,- thotë Xha Myrtja, një personazh i tregimit tim,- as turp  dhe as frikë nuk të ka. Enver Hoxha e akuzonte Xhevon se po shkonte në gjurmët  e Zhan Pol Sartrit me atë poezi ekzistencialiste dhe kaq mjaftonte që ta përzinin nga gazeta ku punonte. Se pas Enver Hoxhës ia hoqi korën e plagës edhe Mehmet Shehu, atëkohë kryeminisër i Shqipërisë. Kështu që, për të qenë idrejtpërdrejtë me lexuesit, u ktheva dhe grisa ç'kisha shkruar. Nuk qeshë aq trim dhe nuk mund të rrah gjoksin. Këtë lloj "grisjeje"  e kam bërë dhe për një shkrim, të aty  të përatyshëm, për artistin  e madh, Kujtim Spahivogli, kur e ndesha tek vuante "golgotën" e gulagëve të kohës. Sado që në vitet e demokracisë, ju ktheva asaj rrëfenjës për Kujtim Spahivoglin me titullin e atëhershëm "Hamleti në Mbrostar-Ura", po jam i ndërgjegjshëm, se shkrimi i dytë nuk kish atë"vlagën" e atëhershme. Unë jam fshatar dhe e di mirë: përsheshi i parë nuk është si i dyti. Nga ana tjetër, kur merr të rishkruash diçka që ke shkruar dikur, të  jesh i sigurt: diçka ka "rrjedhur" në  vrimat e shoshës së kujtesës. Artilierët janë më të saktë se krijuesit. Ata porosisin:- Kurrë një predhë artilerie nuk bie në gropën ku ra njëherë. Dhe për të marrë "dekoratën e vërtetë të trimërisë sime" ja tek pohoj: jo vetëm kam djegur letra dhe krijime, por kam djegur  dhe libra. Nga letrat që grisa kam ndjerë dhimbje të veçantë për letërkëbmimin që kam  patur me poetin Genc Leka. Më kujtohet mirë që ka ndodhur pas atij botimi  të poezisë  së bukur të tij "Nxënësve të mi", botuar,veç tjerash, dhe tek gazeta "Mësuesi".

E sa për Xhevon - se ky është objekti i shkrimit tim- e kam "qarë" tri herë. Së pari, për "prerjen e veshit" nga Enver Hoxha e  kryeministri që, mandej, vazhdoi deri tek kryetari i frontit të lagjes siç tregon poeti. Qe kohë e vështirë që një poet trim si Xhevoja diti t'i bëjë ballë.

 

*     *    *

Së dyti, kam qarë (tani dhe unë isha bërë trim,se kish ardhur demokracia) në vitin e mbrapshtë 1997. Qe koha e revoltave dhe ndërsa Vlora po digjte barotin e revoltave kundër qeverisë (epo kush tjetër dinte ta digjte barotin më mirë se sa Vlora?), poeti Xhevahir Spahiu nuk mund të fuste kokën në rërë si struci,siç bënë plot shkarrashkrues, "se ç'po ndodhte atje, nuk kish të bënte me ta", por shkoi atje dhe "kapuçinët e zinj" desh i morën jetën. Poetin e bukur e shpëtoi Vlora. Unë atëherë shkrova poezinë kushtuar poetit me titull: "Xhevahir Spahiu". Tani kisha dalë nga "vrima e frikës" dhe jo vetëm  e shkrova, por dhe e botova në gazetën e asaj kohe dhe e përfshiva në librin tim  me poezi " Rektimat e dashurisë". Poezinë po e sjell për lexuesit se, dhe në nuk ka vlera letrare, por e jep si në  pëllëmbë të dorës rrezikun real të jetës së autorit.

 

Xhevahir   Spahiut

XHevahir Spahiu! Xhevahir Skrapari!

Në një anë Poeti, në tjetrën:luftëtari!

Në një anë Poeti,në tjetrën Njeriu

Me gërmë të madhe: XHEVAHIR SPAHIU!

 

I përbuzje dredhat, mbroje veç të drejtën

Në rrugën e sheshtë,kërkoje përpjetën

Ndaj u "rrebelove",shkove në Vlorë

Nuk të trëmbi ndjekja s'pyete për terror.

 

Kupol e Mesjetës dërgoi kapuçinjtë

Të rrahën me grushte, varda ranë  shkopinjtë

Të goditën, Xhevo,me grushta barbarisht

Ty që ishe ëngjëll; qe Budë apo Krisht!

 

Krisht për  fjalë të lirë,pa shtypje e dhunë

Që të rrojmë të lirë,si ti edhe unë

Farën e urrjetjes mbolle për pushtetin

Dhe  e le rehatin,se zgjodhe Poetin!

 

Pa gatove vargje në magje revolte

Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke

 

pranverë 1997.

 

*    *    *

Në vitin 2000 kur mora rrugën për tek im bir, në Amerikë, një valixhe tepër të madhe me mbi 250 libra (atëherë s'kish kufizim për bagazh) kisha dhe dy libra të Xhevos "Kohë e krisur" dhe "Nesër jam aty". Kjo e dyta ( e sillja dhe e risillja sa herë nëpër duar) sikur më bënte apel për t'u nisur dhe për të qenë aty: aty, në mëmëdhe. Mjerisht këtij apeli iu përgjigja  pas 12-vjetësh, ama iu përgjigja me mëndje të kthiellët. Vërtet që jetova larg SHqipërisë për afro 12-vjet, po asnjë ditë nuk kam qenë larg saj. Interneti - shpikja më e bukur në botë,- ta jepë Atdheun me vete. Dhe unë "me vete" e pata. Pse e kisha me vete "Atdheun", e ndiqja në gjithë dinamikën e vet dhe, ja tek marrë vesh një lajm që më sëmboi keqas. Erdhi ministrja e kulturës dhe tek gjen kshilltar të kësaj ministrie, Xhevon, e pushon. Ou!- vura alarmin unë. Po nuk qeshë i vetmi. Nga Kanadaja shpërthente një poet e prozator me vlerë si Faruk Myrto dhe thotë pak a shumë: ministrja të shkojë kshilltare dhe Xhevoja-ministër. Dhe kish të drejtë. Unë gati shkrimin në mbështetje të Xhevos, por ma dogji shkrimin Xhevoja që tha tek e intervistonin: - Po vure kuzhiniere bythën, prit që t'i hashë mutin !!! E,sa para do bënte një shkrim imi? Ikën socialistët dhe sa m'u bë qejfi: sado që pushtetin e kish marrë e djathta, Xhevahirin e zgjodhën Akademik. E meritonte dhe u mbusha me frymë, se jam një nga  ata mijëra që e duan Xhevon. Por nuk shkoi shumë dhe ja lajmi tronditës: Xhevoja goditet nga një ishemi cerebrale. Ka ndodhur në  prill të vitit 2009 dhe unë e "qava" prapë Xhevon me një poezi"Lutje Zotit". Poezinë e kam shkruar më 27 prill  të vitit 2009 dhe e kam përfshirë atë në librin tim "Njerëz që dua". Për të mos i mërzitur lexuesit, nuk po e risjellë edhe këtë poezi këtu, por, në vija të trasha, i lutesha Zotit që ta kthente Poetin e bukur në jetë. T'i kthente fjalën,se fjala është "oksigjeni" për çdo poet apo krijues dhe, fjalën le "t'ua heqë politikanëve që e thinjën këtë popull".

Pas të vrëjturit, dihet që kthiellet. Zoti, siç duket, më dëgjoi mua dhe mijëra dashamirës të Xhevos që ta kthejë Xhevon në jetë dhe gëzimi im është më buçitës për t'ju thënë: çdo ditë në ora 11.00 Xhevon e gjeni tek kafe "Evropa" ku ka 23 vjet pa e ndrruar vëndin. Unë, pothuaj, një herë në muaj pi kafe me të.

 

*    *    *

Xhevahir Spahiu jo vetëm ka poezi me vlerë, por është dhe prodhimtar. Shumë poezi të tij, për arsye subjektive dhe objektive, kanë mbetur sirtarëve. Se Xhevoja vërtet e  ka   kapërcyer atë "atak" kundër shëndetit, por ende nuk  ka arritur riaftësimin  për të shkruar siç shkruante. Lexoj,- më pohoi,- por ende nuk shkruaj. Vërtet që ky është një "handikap" i përkohshëm që Xhevoja do ta kapërcejë, po pikërisht, në këtë kohë relativisht të vështirë, tak dhe del një dorë kujdestare: dora aq e ngrohtë e një poeti të bukur që quhet Arian Leka. Arian Leka duke nxjerrë në dritë lbrin me poezi të Xhevos "Vetëtimë" sjell një prurje "vetëtimë", veç është një vetëtimë e bukur. Arian Leka për Xhevon ka bërë atë që dikur ka bërë Mitrush Kuteli që solli "Lasgush Poradecin" apo ca më vonë edhe "Ligjëron Fan Noli". Po në fund të fundit, kush më bukur se Arian Leka do redaktonte dhe do bëhej alter egua i Xhevahir Spahiut? E dëgjova Arian Lekën tek fliste për Xhevahirin me superlativa. Shkëmbej edhe ndonjë kafe me çiftin Leka aty pas klinikës 9 të Tiranës dhe, tek po e falnderoja për atë që kish bërë për Xhevon, ai më sfidoi duke më dhënë librin "Vetëtimë".  Natyrisht, gëzimi im qe i madh.

Duke lexuar, më dukej sikur dhe Xhevon e kisha përballë dhe gëzimi mbrrinte në apogjenë e tij.

*    *   *

Arian Leka librin e ka titulluar "Vetëtimë", kurse unë duke ia marrë "tapitë nga dora", them: "Vetëtimat " e Xhevos. Ka poezi sa të shkrutëra,aq dhe të bukura. Ngjajnë me shkrepjen e një vetëtime, por që lënë gjurmë. Natyrisht, që unë nuk do merrem  me gjithë poezitë e vëllimit, por për disa që më kanë lënë mbresa të veçanta, edhe do ndaloj. Të shumtat nuk kanë titull, por Poeti (po këtu qëndron dhe madhështia e tij) grish lexuesin për ta bërë pjesëmarrës aktiv të krijimit të tij. Më ndiqni:

 

Natë pa yll

Humbellë pa skaj

Zot, si rri fill?

Qaj...

A ka se si flitet më shkurt? A ka se si  mund të grishet më bukur lexuesi?

Ose...

A ka gjëkundi ndonjë shitore

A ndonjë tezgë kot më kot

të ble me ca qindarka qorre

jo bukë, po pak durim, o Zot?

Shkurt, po rreh gjatë. Mesazhi i madh. I lexueshëm. Të blesh durim? Po pse me të vërtetë durim?

Ja dhe një "vetëtimë" tjetër:

Edhe... Edhe...

Kur më shumë besoja e më pak dyshoja,- e  p ë  s o j a;

Kur më pak besoja e më shumë dyshoja,- përsëri e pësoja.

 

Shumë mbresëlënëse janë dy poezitë e poetit kur qan për ndarjen me prindërit. Babanë e ka përejtsuar me poezinë "Loti".

Një fjalë.

Vetëm një:

-A erdhi?

 

Dhe koka iu var..

 

Fjeti përgjithmonë

babai.

Në cep të syrit

Një pikë loti

Dhëmbje pa gjumë.

 

Loti i tij i fundit

isha unë.

S'ka poezi më prekëse. Dhe në vargje ka një detmalli në raport të barabartë: prind e bir. Për t'u vënë në kornizë apo si një leksion  psikologjie për adoleshentët në ciklin "Etër e bij". Amplituda e mallit bymehet  e zgjerohet kur këndon për nënën: "Dy fjalë, një dhimbje/ nëna ime!... deri "... fjalët më dalin si një psherëtimë/nëna ime!, poeti sikur e ka shtrydhur mallin që del nga shpirti. Psherëtimat rrënjët   i kanë në thellësi të shpirtit.

Dhe mund të vazhdoja me "Hajket" e tij aq të bukur, (nuk dallohen nga ato japoneze) dhe ca më shumë me "shkurtinat" që flasin aq bukur dhe aq "gjatë".

Por jo të gjitha mund të përfshihe në një shkrim.

 

*    *   *

Xhevahir Spahiu është Akademik. Është Mjeshtër i madh. Është "Nderi i Skraparit", por, mbi të gjitha, ky Poet i bukur është nga më njerëzorët.  Në një intervistë e pyetën Xhevon:- Si është e mundur që të duan kaq njerëzit? Dhe ai u përgjigj:- Mos vallë ndodh që unë  i dua shumë njerëzit?

Dhe unë, tek e mbyll, uroj  që Xhevoja sa më parë të kthehet në "Botën e  Poezisë" për të lëshuar të tjera vetëtima!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora