E premte, 19.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Diskursi poetik i sprovës

E premte, 25.04.2014, 07:04 PM


Diskursi poetik i sprovës

(Hysen Këqiku “Në prehër të idilës”, “Kurora” - Gjilan, 2013

Nga Mehmetali Rexhepi

Nënvizime të jetëshkrimit

Hysen Këqiku “zejen” e shkrimit poetik e filloi që nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet dhe, vijoi e hyri në dekadën e dytë të këtij shekulli aktual. Jetës tij i buzëqeshi fati i vazhdimësisë.

Shkroi vjersha për të rritur e fëmijë.

Në prehër të idilës” është vëllimi i gjashtë i tij me poezi.

Këqiku, po ashtu, kultivoi shkrimin në të gjitha gjinitë letrare: në dramë, shtatë vëllime librash të llojit monografi, përmbledhje panoramash letrare, si autor dhe me bashkautor.

Njëri nga vëllimet me poezi “Melodia e pritjes”, iu përkthye në gjuhën rumune nga Baki Ymeri, në Bukuresht, më 2009.

Jashtë fushëveprimit letrar, Hysen Këqiku ishte arsimtar i devotshëm, veprimtar i përkushtuar për humanitet dhe kulturë.

Qëmtimi i angështisë

Në vëllimin poetik të tashmin “Në prehër të idilës”, lënda poetike shtrihet brenda katër ciklesh, prirë nga kryefjala angështirë për secilin cikël: Angështirë, Angështirë e molepsur, Angështirë e nakatosur dhe Angështirë e përdalë. Angështia, e shqiptuar aq dendur, ngërthen strumbullarin e të gjitha fijeve, reflekseve poetike, rreth së cilës mbështillet diskursi artistik e ideor; diskursi i depërtimit të sprovës, gamës së gjerë të motiveve, ndjeshmërisë së kapërcimit ndeshtrashave të intelektit të njeriut, përkatësisht të autorit.

Në këtë vargim intelekti i jep kahen ndjenjës.

Konstatimi, se vëllimi “Në prehër të idilës” ka një titullim prozaik, është i qëndrueshëm. Por të shohim: a përtrollitet ky konstatim nga brendia? Më tej brendia e shpërfillë konstatimin. Ngase mëtimi për gjetje, brenda përvojës asimiluese vetjake, përmbajtje figurash artistike, qëmtimesh të cilat shmangin stereotipat e klishetë, jo çdo herë pa druajtje për përsëritje të ndonjë shqiptimi ose trajte që shpie në diskursin eseistik.

Diskursin e vargimit në librin e Hysen Këqikut, e spikatin qëmtimet për një fjalor vetjak, me bashkë dyzime semantike, kur figurat shpalojnë e ndonjëherë nuk shpalojnë pamje, sepse teksti e nën teksti më tepër i mundësojnë hapësirë ose fushë-shtrirje diskursit kuptimor, trajtave të mendimit lakoreve të jetës, thellësive të mendjes, se sa shfrimit dhe vrullit të ndjenjës:

Nën hirin e zjarrit

flaka

kahmot është përgjumur

Mençuria poetike e Këqikut artikulohet mbi konceptin e depërtimit të angështisë. Vajtje-ardhjet e rrezeve, mandej dalja tej shtegut të angështisë, shqiptoi porosinë e ngadhënjimit të sprovës. Si shfaqet mëdyshja e ngadhënjimit ose e mos ngadhënjimit të një sprove? Sipas poetit e hidhura pasoi vetëm:

Atëherë kur fjala

mori tatëpjetën

Ndeshtrasha ekzistenciale, dilemat mes tragjikes dhe të së madhërishmes, reflektojnë këndvështrime tematike dhe motive poetike të gamës së gjerë. Gjithsesi poezia gjakon të bukurën e të madhërishmen. E bukura e trëndafilit nuk merret pa tagrin e gjembave të tij. Andaj, nuk ka bukuri pa dhimbje. Bukuria pa dhimbje, pa gjakime njerëzore, është iluzion. Logjikshëm rrjedh përkufizimi, se pos finokëria e talentit të poetit, bukurisë do t`ia hiqte velin e shëmtisë, të mos e linte pa fytyrë, pa vija tiparesh, pa shije, pa ngjyrë dhe pa magji.

Këtu vëmë re përqendrimin e poetit për t`i kapur fijet e pleksura të ndjenjës, të nervit e të mendimit poetik, përpjekjen për të sjellë ligjësi dialektike për mësymje, për shtruarje në shtjellim në mënyrën e urtisë ose si formulë jete: “Vetëm ai

që të kurajon

për ta kapur rrezen

është hap

 

Sublimë e sublimes së idesë

Këqiku tashmë diskursin e tij artistik e përqendroi në eksplorim, në kërkim qëmtimesh, të cilat kalojnë ose nuk kapërcejnë filtrimin në laboratorin e përvojës. Janë flakur shprehjet e shkrehjet patetike të vargut. Vargu është racional, i saktë, nuk shpjegon por reflekton: “Pohimi del fitues

se shumë u tërhoq

andej e këndej lumit të dhimbjes

Poezia ka veshje të atillë metaforike që t`i lërë hyrje-dalje kumtimit figurativ, t`i hapë derë dhe t`i ngre çati angështisë, përfytyrimeve figurative. Pra, më pak hapësirë pamjeve, dritare të vogla për tablotë, për ndjeshmërinë, më shumë dritë kumtit ideor, peshës së matur në sprova.

Togfjalëshat e pleksur metaforik dhe ironik, si “tufani i hyjnizuar” e të tjerë, në gamën e shpalimit të fjalorit të vëllimit “Në prehër të idilës”, e zgjerojnë shumësinë antonimike të kontrasteve, sjellin shtresime të tërthorta kumtimore të fjalëve.

Diskursin kritik, për poezinë e librit që e kemi në dorë, e përvijoi pohimi se poezia nuk fërgohet vetëm mbi zjarrminë e ndjenjave, sado fisnike qofshin ato, por ajo pikturon sublimen e sublimes së idesë.

Impulset, ritmet, dromcat, variantet e ndjeshmërisë së shpirtit, kësaj poezie ia formësojnë shtresimin nën të cilin është bërthama. Për ta zhveshur bërthamën lypet shkathtësia e intuitës poetike. Në bërthamën figurative rrumbullakohet maksima, urtia njerëzore, përkatësisht urtia poetike, trajtat filozofike të kësaj urtie, shkapërderdhja e tyre në tërësinë e tekstit, si reflekse meditative të gjendjeve, kontrasteve, antinomive... Poeti vjel copëzat e shpërthimit të së ndodhurës, çarjet e saj, për t`i sintetizuar në një  mbështjellës poetik, aq sa arrin tej shikimi i tij. Fisnikëria e denjësia e njeriut etik dhe etnik është provuar vetëm pas sprovës: “Nuk mund të jetë e denjë

fjala që nuk fërgohet me shpirt

Dendësia kumtimore e tre vargësit

Libri me poezi “Në prehër të idilës” i Hysen Këqikut, sjell risi në përvojën e tij të vargimit, risia spikatet qoftë për formën e renditjes së vargjeve, për lirinë e shprehjes, qoftë për këmbënguljen hulumtuese, për gjetje të shkurta ngërthimi, për stilin e thënies, qëmtimin dhe qërimin e fjalëve nga mbingarkesat e shterpësisë emocionale, për përsiatje dilemash, për pozën dhe çiltërinë e kumtit:

Si të shuhet etja

me lusprat e njelmëta të harrimit

Dy vargësi i cituar në fillim të librit, arrin efektin e ligjërimit përmes pyetjes retorike. Një retorikë e tillë poezisë i solli dendësi kumtimi, përbërës të tharmit poetik post modern, fjalor fjalëzash, fije kapjesh të holla, depërtime në shqisën e intuitës, prekje të nervit për pulsimin dhe jo pulsimin e një ndjeshmërie, por pa efektin e tingëllimës së rimës, as të ritmit të brendshëm, as të muzikalitetit të saj të jashtëm.

Njëra nga veçoritë e kësaj poezie është forma ose rendi i ndërthurjes së vargut. Tërësinë e barrës së kumtit poetik e bartë kryesisht tre vargësi ose tercina shtatë a tetë rrokjesh. Nuk është e lehtë të provosh shtrirjen dhe tkurrjen e figurës e të mendimit mbi tre ose dy vargësin tetërrokësh.

Diskurs përmbyllës

Prekja, shtrirja dhe përmbyllja e bredhjes poetike, brenda tre dhe dy vargësit është një aventurë, që të shpie te sintaksa e togfjalëshit. Përderisa dy vargësi merr rol përmbyllës, për motivet ose gjendjet jetësore të temave e të motiveve, në njërin ose tjetrin variant të shfaqjes...; përmbyllja sjell përkufizimin e një diskursi të mençurisë: ku zotëron mendimi ndjenja është inferiore.

Këtë poezi aty-këtu e lëndon ndonjë sforcim prozaik, disa bashkime të dhunshme   kompozitash.

Kjo poezi kërkon një lexim dhe lexues të thelluar. Leximi sipërfaqësor nuk i bën nder as poezisë, as autorit, as lexuesit.

Uroj që të shtohet pasioni i leximit te ne!

E përgëzoj autorin për këtë dhuratë të shpirtit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora