E enjte, 28.03.2024, 10:44 AM (GMT)

Kulturë

Rudi Berisha: Të Gjithë Një Fole Shqipëri!

E premte, 25.04.2014, 05:58 PM


Të Gjithë  Një  Fole  Shqipëri  !

Klubi Letrar “ Zahir Pajaziti “, Prishtinë. Më 15 mars 2014, nxori nga shtypi librin poetik me poezi të pagëzuar :

Të Gjithë Një Fole Shqipëri / Grup Autorësh / Rudi Berisha

Fjala e Redaktorit

Kombi ende edhe sot i ndarë

Nga Rudi Berisha

Ky libër me poezi botohet për nderë të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët kudo në botë ndjehemi krenar se Shqipëria po feston këtë festë të madhe. Po e festojmë 100 Vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar, përkatësisht të Shqipërisë Londineze, por jo edhe të tokave të tjera të copëtuara shqiptare. Po festojmë, por nuk jemi sa duhet të gëzuar, sepse trojet shqiptare janë të ndara e të coptuara edhe sot e kësaj dite. Po festojmë të gjithë së bashku 100 Vjetorin e lirisë së tokës shqiptare. Kombi shqiptar ende edhe sot është i ndarë në gjashtë shtete.

Andaj, sot populli shqiptar nuk mund t’i gëzohet edhe aq shumë kësaj  feste.

Populli shqiptar sot nuk mund t’i gëzohet edhe aq shumë kësaj pavarësie jo të plotë, sepse kombin e tokën tonë e kanë ndarë në disa pjesë. Tokën tonë e kanë grabitur kriminelët dhe zullumqarët e përbetuar të kombit tonë shqiptar.  Populli ynë duhet tash të jetë i bashkuar, sepse ka ardhur koha që shqiptarët ta gëzojnë të drejtën e tyre që të jetojnë në një shtet.

Ne duhet të jemi më afër me kulturën tonë dhe të kemi lëvizje më të shpeshta në familjet tona, kudo që jetojnë shqiptarët.  Sot me qindra e mijëra shqiptarë jetojnë në Anadoll, Çamëri, Arbëri, Iliridë, Bujanoc,  Medvegjë, Preshevë. Edhe Mitrovica dhe pjesa veriore e vendit është ndarë me lumin Ibër, me urën e “famshme” dhe e dirigjuar përbrenda nga qarqet serbo-çetnike e militare.  Atëherë shtrohet pyetja: Si mund t’i gëzohemi Pavarësisë, kur një pjesë e madhe e tokës shqiptare është nën thundrën e hasmëve më të mëdhenj të shqipeve tona. Sido që të jetë, edhe kështu jemi krenar. Më mirë pak se hiq, më mirë diçka se asgjë. Thonë se shpresa gjithmonë vdes e fundit. Është koha të mendojmë dhe të frymojmë drejt dhe shqip. Kombi ka nevojë më shumë së kurrë për një unitet dhe një bashkim kombëtar. Toka ka nevojë për rrënimin e mureve të ashpra të ndarjes. Andaj, ne duhet të angazhohemi për bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Atdheu ynë po qanë nga mjerimi dhe nga dhembja po rënkon gjak. Kjo plagë duhet të shërohet. Mirëpo, kjo plagë shërohet vetëm me ribashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Në këtë vëllim poetik ka poezi nga disa autorë. Mirëpo, kemi dashur që poezitë e tyre t’i zgjedhin vetë autorët.

Kjo dëshmon se kemi dashur të jemi të lirë në përzgjedhjen e temave, siç kërkojnë tokat tona të jenë të lira. Liria e poetit është si zogu që fluturon i lirë. Poezia i afron dhe i bashkon njerëzit. Poezia rrënon mure dhe ndërton ura bashkimi e jo ndarjeje. Poezia është një mike e madhe, andaj ajo i miqëson njerëzit. Poezia ka shpirt, andaj ajo e qetëson shpirtin e njeriut.

Ne poetët duhet të jemi më të sinqertë dhe më të afërt,  dhe duhet të bashkëpunojmë në mes veti, t’i rrënojmë klanet që po mundohen të na e ndalojnë edhe sot fjalën e lirë, që po na e izolojnë shoqërinë dhe po na e pushkatojnë të drejtën tonë për prezantim. Ekziston një gjë, e cila edhe sot na e ndalon fjalën tonë të lirë, e ajo është menaxhimi i gabuar në rrugën dhe dritën e kulturës. Nuk është kulturë vetëm të marrim projekte sa më shumë (lekë sa më shumë), por kulturë është kur punohet për kulturën, duke i dhënë shpirt asaj dhe duke e pasuruar atë. Shoqëria jonë ka nevojë për kulturë, që përmes saj të edukohet e pasurohet. Institucionet tona duhet të kenë më tepër mirëkuptim dhe t’i ndihmojnë materialisht asociacionet e kulturës. T’i ndihmojnë festivalet dhe konkurset. Në kulturë nuk duhet të mundohemi të përfitojmë lekë, por të sjellim vlera të larta kulturore e letrare. Ata që e ndjekin rrugën e pengesave i quaj tradhtarë kombëtar.

Kombi shqiptar ka nevojë për një fjalë të mirë, për një histori të drejtë. Kombit shqiptar nuk i munguan kurrë atdhetarët, patriotët nga të gjitha anët, në të gjitha trojet, por na vrau gjithmonë dora tradhtare dhe dora ndihmëse që ju dhurua nga shqipfolësit armiqve tanë shekullor. Shqiptarët vuajtën shumë gjatë historisë. Historia për shqiptarët ka qenë njerkë dhe jo nënë. Fuqitë e mëdha të kohës na i copëtonin tokat tona. Shpeshherë disa na vinin si miq dhe na vrisnin, disa vinin të na mbronin dhe na mbronin, kurse disa vinin dhe na e rrënonin kulturën  tonë.

Nuk na lejonin të bashkonim kombin, t’i bashkonim trojet tona dhe të na valonte një flamur, flamuri kuq e zi, flamuri kombëtar shqiptar në të gjitha trojet.

Disa “shkrimtarë” u bën servil dhe iu bashkuan çdo diktatori e vrastari. Ndërkaq, disa shkrimtarë ishin patriotë të vërtetë dhe shkruan kombëtarisht, por vuajtën nëpër burgje dhe kazamate të rënda. Disa ishin dëshmitarë në gjykimin e atyre që kërkonin një komb, një atdhe dhe një flamur. Është koha që edhe ne shkrimtarët të jemi unik dhe të bashkuar dhe ta përkrahim  e ndihmojmë njëri tjetrin. Të shkruajmë për kombin, atdheun, lirinë, flamurin... dhe kurrë mos të jemi armë e vrasjes së ardhmërisë sonë, e rinisë sonë. Të mos jemi bashkëpunëtorë të disa grupeve klanore që sot janë në të gjitha trojet shqiptare, që thirren në emër të kulturës e në realitet po e shkatërrojnë kulturën, po e shkelin dinjitetin tonë kombëtar dhe shqiptar, duke kërkuar çmime të larta letrare dhe famë më të lartë. Kjo nuk quhet drejtësi, por një turpësi e madhe për ata që i thonë vetes intelektual dhe mbajnë fjalime patriotike dhe shkelin përmes shkrimeve të tyre atdheun, flamurin, gjakun dhe njollosin gjithë kombin.

Atdheu im i dashur dhe i çmuar sa jeta ime, më vjen keq që shkruaj kështu për bashkëkombësit e mi, por është koha të zgjohemi nga gjumi dhe të shikojmë kush është i drejtë, kush punon për kombin dhe kush është duke mbrojtur gjakun e dëshmorëve. Në këtë tokë të bardhë ka njerëz të dijes dhe të vlerave dhe njerëz që dhanë gjakun e tyre për këtë Atdhe, për këtë tokë. Gjaku i tyre e lau flamurin, të cilin një pjesë e popullit tonë nuk guxojnë ta qesin mbi shtëpitë e tyre. Mjerisht, dikush edhe sot, si më parë, është kundër bashkimit kombëtar. Ende edhe sot armiqtë tanë punojnë për copëtimin e tokave tona. Sot është koha që t’i premtojmë këtij dheu të larë me gjak të shumë brezave se do të vdesim ose do t’i bashkojmë trojet tona gjithëkombëtare shqiptare. Unë e dua bashkimin kombëtar, andaj duaje dhe ti!

Urime Shqipëri festën e madhe.

Urime moj toka jonë e bekuar.

- Të Gjithë pjesëmarrësit ne vëllimin poetik i përshëndes nga zemra, falimnderit . Shëndet / i juaji Rudi Berisha



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora