E merkure, 18.09.2019, 01:09 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Bashkëkombësit e mi të vonuar

E enjte, 24.04.2014, 08:03 PM


Bashkëkombësit e mi të vonuar

Që serbët mund të ulën këmbëkryq në Tiranë apo në Durrës, punë e madhe, Shqipëria është vend i hapur e demokratik, mund t’i bie kush të do trup e tërthore, s’ më bënë asnjë përshtypje. Por që serbët janë ulur këmbëkryq në trurin e bashkëkombësve të mi e s’u shqiten, as pas dyzetë e pesë vjetësh diktaturë e njëzetë vjet demokraci, kjo është brengosëse.

Nga Gani MEHMETAJ

Kohë më parë u bë rrëmujë në medie, kur bashkëkombësit e mi përtej Alpeve ftuan këngëtarin serb në Tiranë. Nuk është hera e parë që serbët e pushtojnë kryeqytetin e Shqipërisë. Por kësaj here nuk ia dhuruan çelësin e kryeqytetit mysafirit nga Beogradi, nuk e kishte kthyer ende serbi i mëparshëm që e mori para disa vjetësh nga Edi Rama.

Nuk me brengos paraqitja e një këngëtari serb në Tiranë, nuk më brengos as përgjërimi i bashkëkombësve të mi ndaj këtij këngëtari e serbëve në përgjithësi, sa më brengos vonesa e tyre dyzetvjeçare dhe mos gatishmëria të ecin para. Vendnumërimi është gjë e frikshme.

Ata nuk e duan Çoliqin, Bregoviçin e viçet e tjerë, vetëm sepse janë serbë, ata i duan sepse ua kujtojnë kohën e egër të izolimit total, kohën kur të vetmin model e kishin televizionin jugosllav dhe ndonjë këngëtar serb. Ata as që donin të mendonin se ka parajsë tjetër pos Jugosllavisë e kryeqytet pos Beogradit! Kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e pati edhe diktatori Enver Hoxha. Këtë qëndrim prej skllavi të robëruar në mendje ua barti edhe një pjese të shtetasve të vet, madje edhe atyre që e urrenin diktatorin.

“Ata na adhurojnë, nuk janë sikurse ju shqiptarët e Kosovës, që na urreni”, me thoshte një producent filmi nga Beogradi në Paris gjatë një takimi profesional. Ai ishte i entuziazmuar nga pritja që iu bë Bregoviçit në Tiranë, madje entuziazmi i tij kalonte në habi. “Si  është e mundur të mos na urrejnë, nuk e kuptoj” ma shtroi jo një herë mëdyshjen e pasqaruar. Nuk i ktheva përgjigje, qesha thartë, sepse nuk kisha përgjigje.

Nga ky kompleks kukuvajke shtresa të caktuara të bashkëkombësve të mi nuk po lirohen as sot e kësaj dite, megjithëse serbët e Serbia asnjëherë nuk mund të merreshin model i jetesës së mirë as demokracisë shembullore. Përkundrazi.

Izolimi shqiptar i takon së kaluarës, por bashkëkombësit e bashkëmoshatarët e mi në Tiranë (shpresoj të rinjtë nuk e kanë këtë adhurim patologjik ndaj serbëve) edhe më tutje nuk duan të ecin përtej viteve të shtatëdhjetë, nuk duan të mësojnë se pos këngëtarëve “jugosllavë” në botën e madhe ka edhe këngëtarë të tjerë: italianë, francezë, gjermanë, besa amerikanë e anglezë që e kanë pushtuar botën me muzikën e tyre të rrjedhave bashkëkohore.

Në Prishtinë ka kohë që i kemi zëvendësuar këngëtarët serbë me këngëtarë amerikanë e anglezë. Fushat e futbollit në kryeqytet gjatë mbajtjes së koncerteve  të tilla mbushën përplot të rinj që vallëzojnë nën tinguj e muzikës perëndimore. Por për këtë zëvendësim fatlum u derdh shumë gjak në Kosovë e kaluam nëpër Kalvarin biblik.

Prandaj nuk me shqetësoi as reagimi i një grupi lexuesish nëpër portalet shqiptare (mund të jenë të porositur nga dreqi e i biri), të cilët flisnin me përgjërim prej skllavi për këngëtarin “jugosllav”, sikurse e quajnë Çoliqin ( a e dinë ata se Jugosllavia ka vdekur para më shumë se dy dhjetëvjetësheve), ndërsa në të njëjtën kohë, në të njëjtin portal shkruanin me tërbim e me urrejtje ndaj bashkëkombësve të tyre ‘kosovarë”, sepse po ua prishin idilin me serbin e dashur.

Nga Pandi Laço kërkoja njerëzi e jo patriotizëm

Me shqetësoi Pandi Laço, paraqitjen e të cilit në ekran e kam çmuar- në shije, në informacionin për muzikën dhe për dhuntitë e tjera me të cilat  rrezatonte. Ai me zhgënjeu, sepse nisa të dyshoj në shijen time, pra edhe në shijen e tij muzikore. Ku e zgjodhi pikërisht atë këngëtar e jo një tjetër, meqë paskan vendosur ta kenë patjetër një serb në televizion. Serbi i tij i preferuar asnjëherë nuk është çmuar nga elita muzikore në ish-Jugosllavi, shpesh herë është vënë në dyshim origjinaliteti i tij muzikor e vokal, sidomos i kanë shpërvjelur buzët elita intelektuale e muzikore serbe. Këngëtari i preferuar i Pandi Laços i takon vulgut, pra lumpen proletariatit, njerëzve të shijes bastarde. Athua edhe shija e Laços, është shije e vulgut, bastarde? Apo pati një zor tjetër?

Asnjëherë nuk e pata të çartë pse bashkëkombësit e mi në Tiranë ftojnë serbë e nuk ftojnë kroatë, bie fjala, ndërsa profesionalisht këngëtarët kroatë janë më të çmuar në rajon, po edhe në Evropën Perëndimore. Këngëtarët kroatë ishin solidarë me luftën në Kosovë dhe më pavarësinë tonë, këngëtarët serbë ishin solidarë më vrasësit e “kosovarëve”, madje Bregoviçi i dashur i kryeqytetasve shqiptar, i këndoi himn kallashit serb që vriste fëmijë shqiptarë. Sikur të kishte gjyq të Nynbergut, Bregoviqi i Edi Ramës do të gjykohej për krime lufte e nxitje të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Haga ishte vendi i tij e jo të këndonte në Tiranë.

Patriotizëm nga Pandi Laço e bashkëkombësit e mi përtej Alpeve nuk kam kërkuar asnjëherë, nuk kërkoj as tash. Patriotizmin në Shqipëri e luftoi mizorisht diktatura e Hoxhës, e luftoi mizorisht edhe demokracia nën kinse luftën kundër nacionalizmit, i zhveshi nga dinjiteti kombëtar shtresa të tëra, duke u dhënë hapësirë çakejve që t’ua fyejnë heronjtë kombëtar për t’u çel rrugë serbëve e beduinëve. Ndryshe ata do ta kuptonin se Serbia nuk qe mizore vetëm ndaj “kosovarëve’, por ndaj të gjithë shqiptarëve, nëse funksionojmë si komb. Në mungesë të patriotizmit, nga Pandi Laço me shokë kërkoja njerëzi, mbase edhe pak përpjekje të bashkëjetojnë me dhimbjen tonë të madhe. Mbi njëzetë mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, mbi 15 mijë gra të përdhunuara, shpërngulje në përmasa biblike. Të vrarët, të zhdukurit e të përdhunuarat nuk janë numra, të gjithë ata e ato kishin nënë e baba, apo ishin vet nënë e babë, motra e vëllezër, ishin pjesë e qenies sonë, pjesë e qenies së bashkëkombësve përtej Alpeve shqiptare, mbase edhe pjesë e qenies së Pandi Laços. Të vrarët ishin pjesë e qenies së njerëzimit. Të vrarët nuk i ngjallim dot, por pse duhet të na i lëndojnë plagët këngëtarët serb në Tiranë? Që të na largojmë më shumë nga njëri-tjetri? Që të dëshmoj dikush se jemi dy kombe e jo një? Që të thonë serbët se shqiptarët e Shqipërisë janë më të mirë se sa shqiptarët e Kosovës?

Ne ende po i mëkojmë plagët tona, po e kapërdijmë dhembjen tonë, Pandi Laço e te tjerët shkrihen nga kënaqësia me këngët e mysafirit nga Beogradi!

Kur shqiptarët harrojnë si peshku!

Kam pritur më shumë dinjitet njerëzor e integritet kombëtar nga bashkëkombësit e mi, pra edhe nga Pandi me shokë, sepse nuk ma merr mendja që e ftuan “jugosllavin’ e tyre, vetëm sepse janë të zhveshur nga shija e mirë, apo nga kultura muzikore, sa kam përshtypje të pakëndshme që me ka ndjekur tash njëzetë vjet: një hije e frikshme e lobit serb e errëson qiellin shqiptar. Asnjëherë nuk jam pajtuar botërisht me kolegun tim nga Prishtina, ithtar i teorive të konspiracionit se, serbët janë të fuqishëm në kryeqytetin shqiptar. Por asnjëherë nuk kisha argumente t’ia dëshmoja të kundërtën.

Që serbët mund të ulën këmbëkryq në Tiranë apo në Durrës, punë e madhe, Shqipëria është vend i hapur e demokratik, mund t’i bie kush të do trup e tërthore, s’ më bënë asnjë përshtypje. Por që serbët janë ulur këmbëkryq në trurin e bashkëkombësve të mi e s’u shqiten, as pas dyzetë e pesë vjetësh diktature e njëzetë vjet demokraci, kjo është brengosëse. Dhe kur “kosovarët” në situata të këtilla reagojnë me emocione, dalin ca internacionalistë proletar përtej Alpeve shqiptare, duke u hakërryer: ç’keni ju turkoshakë, erdoganistë, talibanistë, islamistë? Pse na e prishni idilin me serbë? Muzika e tyre është më e mira në botë. Plasni! Dhe gazeta e mikut tim në Tiranë i botoi këto reagime dhe ca hakërrime në stilin: rrofshin serbët, poshtë kosovarët! Këtë frymë komunikimi e kultivon edhe një televizion nga Tirana me filialin e Prishtinës, kur nxjerrë një opinionist “të gjithëdijshëm”, që mua më duket sharlatan i çmendur, kur thotë: “pse shqiptarët e Maqedonisë nuk i nënshtrohen pushtetit sllavë, por na nxjerrin andralla e s’mund të takohemi qetas me kolegët tonë në Shkup e në Beograd?”

Prandaj kanë nis sërish të na pushtojnë dervishët e beduinët këmbëzbathur dhe serbët e Shumadisë me gjysmë opinge, të prodhuar në ish qytetin bullgar, Pirot.

Së fundi, nuk dua të merrem as me psikologjinë e “kosovarëve” të mi, të cilët gjithë jetën kanë menduar e vepruar si krahinë shqiptare, pra pjesë përbërëse e Shqipërisë, kurse qendra e tyre e gjakuar, Tirana vepron si satelitë i fqinjëve. Por do ta them shembullin e këngëtarit, i cili bie ndesh me shembullin e Pandi Laços me shokë. Kur këngëtarin e famshëm kroat, Oliver Dragojeviq e ftuan të këndonte në Beograd, ai tha në mënyrë të prerë: ”Këmba ime kurrë nuk do të shkel në Serbi”. Ai tha edhe se nuk mund t’i harronte krimet serbe ndaj popullit të tij kroatë. Pandi Laço as që i shkoi nëpër mend krimet serbe ndaj popullit shqiptarë.

Ndërkaq, shqiptarët pësuan dhjetëfish më shumë nga Serbia që nga viti 1912, kur ky shtet mujshar depërtoi deri në Elbasan e Durrës, duke vrarë e masakruar mijëra shqiptarë edhe përtej Alpeve. Por një pjesë e shqiptarëve harrojnë si ta kishin në kokë trurin e peshkut në vend të trurit të njeriut.

P.S. Porosi lexuesve: ju lutëm mos me mbështetni duke fyer bashkëkombësit. Grupet e fuqishme pro serbe dhe individët me ndikim nuk përbëjnë kombin. Nuk duhet të bëjmë garë kush e hedh pështymën më larg.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT