E enjte, 25.04.2024, 09:05 PM (GMT+1)

Editorial

Komiteti i pajtimit mbarkombëtar dërgon këtë Kërkesë pranë Institucioneve të shtetit Shqiptar dhe atyre ndërkombëtare

E marte, 17.06.2008, 10:08 PM


Komiteti i pajtimit mbarkombëtar dërgon këtë Kërkesë pranë Institucioneve të shtetit Shqiptar dhe atyre ndërkombëtare

KOMITETI I PAJTIMIT MBARKOMBËTAR
Adresa: Rr. "M. Muça" Pall. 46 Ap. 23 Tiranë- Shqipëri , Fax 00355 4 2 263 126. / 2 238 033
Tel 00355 4 2 259 124 Mobil: 00 355 68 27 37 989
E-mail: gjin_marku@yahoo.com
Web: ww.pajtimi.com
Nr 3/4 prot
Tiranë më 30 prill 2008

K Ë R K E S Ë

Mbi hetimin e krimeve ndaj popullsisë nëpërmjet krijimit të terreneve për vrasje masive dhe projekteve të rrezikshme për jetën dhe mjedisin si dhe ndalimin e lidhjeve të mafies ndërkombëtare me lidershipin politik dhe përfaqësues të trupit
diplomatik në Shqipëri


Drejtuar: Kuvendit të Shqipërisë
- Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
- Prokurorit të Përgjithshem të Republikës së Shqipërisë.
- Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
- Komisionit Europian.
- Përfaqësuesve të trupit dipllomatik dhe organizatave ndërkombëtare.

Për dosjen me nr. ref: OTP-CR-134/07 –në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve – Zyra e Prokurorit HAGË.


I nderuar z. President i Republikës dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Te nderuar Znj. Z. Deputete

Shkëlqesia Juaj.

Në një kohë kur Komuniteti Ndërkombëtar është i interesuar për të përshpejtuar anëtarsimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior e Bashkimin Europian, operatorë të mafies ndërkombëtare e kanë kthyer territorin e këtij vendi në terrene private të veprimtarisë së errët e kriminale, jashtëzakonisht të rrezikshme për popullsinë shqiptare. Ngjarja e dt.15 mars 2008 në afërsi të kryeqytetit shqiptar, ku mbetën të vrarë 26 vetë (mes të cilëve gra e fëmijë), mbi 300 të plagosur dhe mijëra shtëpi të rrënuara nga shpërthimi i municioneve të grumbulluara për tregëti të fshehtë, përbën vetëm njërin prej rasteve tragjike të veprimtarisë së kësaj mafie dhe të rreziqeve që i kanosen jetës së shqiptarëve.

Nisur nga këto shqetësime, një vit më parë, më dt. 14 prill 2007, Komiteti i Pajtimit Mbarkombëtar iu drejtua Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë. Në këtë dokument theksonim se operatorët e kësaj mafie të lidhur me lobet antishqiptare vazhdojnë të kryejnë veprimtari të dukshme kriminale kundër popullsisë e integritetit kombëtar të këtij vendi siç inskenuan edhe trazirat e vitit 1997 për rrëmbimin e parave të popullit e nxitjen e qytetarëve në luftë civile ku mbetën të vrarë rreth 1500 vetë: shih - “Memo, Nr.001/4 prot; - Tiranë më 14 prill 2007: - Mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe veprimet kundër integritetit kombëtar të shqiptarëve, nevojën e gjykimit të krimeve ndaj popullsisë në ngjarjet e vitit 1997 e domosdoshmërinë e masave për parandalimin e krimit të vrasjeve. –Ref: OTP-CR-134/07 –International Criminal Court –The office of the Presecutor – HAGUE. Ky dokument, i mbështetur në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Elementare si dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, iu bë prezent të gjitha organizmave ndërkombëtare, përfaqësuesve të trupit dipllomatik në Tiranë, parlamentit dhe institucioneve kryesore të shtetit shqiptar të cilat, fatkeqësisht, nuk reaguan. Ndërsa Gjykata Europiane po u jep të drejtë të gjithë qytetarëve shqiptarë në lidhje me çështjet që kemi trajtuar dhe Prokuroria e Hagës i është përgjigjur kërkesës sonë, institucionet e shtetit Shqiptar dhe lidershipi i partive politike e kanë thelluar bashkëpunimin me operatorët e kësaj mafie çnjerëzore, jo vetëm të tregëtisë së fshehtë të armëve, por edhe bizneseve të tjera të rrezikshme për jetën e mjedisin. Pasojë e këtij mosreagimi dhe bashkëpunimi me mafien është edhe ngjarja tragjike e datës 15 Mars.

Për mënyrën se si po trajtohet ky krim nga qeveria dhe udhëheqësit kryesor të politkës, duke u përpjekur për ta minimizuar atë dhe ushtruar presion mbi organin e akuzës, e shohim të domosdoshme t’ju drejtohemi përsëri për të dënuar këto krime, për të parandaluar vrasje të tjera masive në terrenet e përgatitura përgjatë këtyre viteve dhe frenuar rrënimin e mëtejshëm të jetës së shqiptarëve. Qeveria shqiptare në këtë rast është përfshirë direkt në një aferë të fshehtë armësh me pasojë vrasjen masive dhe, si në shume raste të tjera, ka bashkrenduar veprimtarinë e saj me mafien ndërkombëtare në afera biznesesh që kanë shkaktuar e do shkaktojnë krime shumë të rënda kundër jetës së popullit e mjedisit. Dëshmitë tregojnë se prej vitesh vendime të Këshillit të Ministrave si dhe ligje e amendime ligjesh të kaluara me urgjencë me votat e shumicës në parlament kanë favorizuar aktivitetet dhe strategjinë kriminale të kësaj mafie.

Edhe pas ngjarjes qeveria nuk u deklarua mbi rrezikun që i kanoset popullsisë mbas këtij shpërthimi. Instituti i Shëndetit Publik ka paralajmëruar se zona do jetë e infektuar për 20 vitet e ardhëshme e përbën rrezik për jetën e qytetarëve. Vite më parë, mediat kanë paralajmëruar se porti i Durrësit, pranë të cilit ishin grumbulluar këto municione, është pikë kalimi e lëndëve radioaktive për tegun ndërkombëtar. Shërbimet informative janë sinjalizuar prej kohësh se në hapësirën shqiptare të detit Adriatik qëndrojnë anije të dyshimta që merren me tregëti armësh dhe shkarkojnë në det mbeturina lëndësh me rrezikshmëri të lartë radioaktiviteti. Po kështu, në brigjet shqiptare të detit Adriatik e Jon gjenden mina nënujore ose predha të kalibreve të ndryshme që shpesh herë nxirren nga polumbarët në sipërfaqe, një pjesë e të cilave dëshmohet se janë hedhur mbas ngjarjeve të vitit 1997.

Meqenëse vendet e Bashkimit Europian kanë kërkuar ndalimin e bizneseve që kanë rrezikshmëri të lartë për jetën e mjedisin, kjo mafie ka ndërmjetësuar që ato të transferohen në territorin shqiptar dhe të vendosen kryesisht në bregdet për lehtësi e përfitime. Qeveria shqiptare në marrëveshje dhe me opozitën po inicojnë ligje e vendime qeverie që i mbështesin këto biznese çnjerëzore. Ndërsa qeveria ushtron dhunë dhe burgos operatorët e shoqërisë civile që shprehen kundër, opozita hesht dhe i bojkoton protestat. Edhe pse prej vitesh në zonat e ndotjes së lartë është shfaqur fenomeni i lindjes së kafshëve dhe fëmijëve të deformuar biologjikisht, qeveria shqiptare dhe organizatat ndërkombëtare në Tiranë kanë heshtur. I vetmi organizëm që ka ngritur shqetësimin mbi përhapjen masive të sëmundjeve kanceroze tek shqiptarët është OKB-ja.

Projektet e transferimit të dhjetra mijë ton plehrave në ditë nga Italia për në Shqipëri, apo të ngritjes së TEC-eve të të gjitha llojeve të ndotjes në brigjet e Vlorës e zona të tjera bregdetare, janë akte flagrante të lidhjeve të kësaj mafie me lidershipin e të dy krahëve të politikës shqiptare. Edhe projekti AMBO (i cili trumbetohet si projekt i interesave amerikane) është përgatitur për të shkarkuar 40 milion ton naftë në vit në gjirin e Vlorës me një investim rreth 1 miliard dollarë, në një kohë kur, vetëm për mbrojtjen e sistemit ekologjik, përfituesit duhet të paguajnë jo më pak se 20 miliard dollarë, shumë të cilën ata e fitojnë brenda 3-4 vitesh nga ky aktivitet. Po kështu, marrëveshjet për ngritjen e gjigandëve të prodhimit të çimentos në territoret shqiptare si në Elbasan, Fushë Krujë, Balldre etj, përbëjnë një rrezik tjetër shumë të madh për jetën e qytetarëve dhe mjedisin. Qeveria i propagandon si sukses këto investime të huaja duke marrë pjesë në inagurimin e tyre vetë kryeministri. Ndikimi i ndotjes mbi mjedisin do jetë katastrofik nga Balldreni deri në kodrat e Durrësit, ndërsa si investim llogaritet vetëm kostoja e fabrikave.

Kompromisi midis dy partive kryesore po shkon edhe drejt ngritjes së termocentraleve bërthamore të ndaluara në vendet e tjera. Propozimet nga vendet mike mbi përdorimin e burimeve ujore dhe erës për prodhimin e energjisë elektrike vazhdojnë të shmangen pikërisht nga influenca e operatorëve të kësaj mafie mbi politikën. Gjatë gjithë këtyre viteve kjo mafie ka kërkuar shmangien e rehabilitimit të hidrocentraleve e mosplanifikimin e veprave të reja hidroenergjitike që do ishin një investim shumë i madh edhe për turizmin e ekologjinë. Digat e amortizuara të hidrocentraleve të Komanit e Vaut të Dejës në çdo periudhë reshjesh të mëdha rrezikojnë shpërthimin dhe zhdukjen e rreth 200 mijë qytetarëve të zonës së nën-Shkodrës, Zadrimës e qytetit të Lezhës.

Përveç rreziqeve të mësipërme ka shumë terrene të tjera që rrezikojnë në çdo çast vrasjen masive të qytetarëve. Për lehtësi veprimi e përfitimi maksimal, janë vendosur në qytetet bregdetare depozita mijra tonëshe me naftë e lëndë të tjera të rrezikshme për popullsinë, pa asnjë masë mbrojtëse për jetën e qytetarëve. Po kështu qindra pika furnizimi me karburante gjenden rrëzë pallateve të banimit në shumë qytete të vendit. 70 000 familje në qytete rrezikohen nga prekja e themeleve dhe prishja e strukturës bazë të pallateve për hapje dyqanesh. Në hapësirat informale vihet në rrezik jeta e shumicës së familjeve për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes së zjarrfikseve. Edhe pallatet e ndërtuara me miratimin e bashkive nuk kanë të projektuar asnjë element sigurie për daljen e qytetarëve në raste zjarri.

Përfshirja e politikanëve të partive kryesore në veprimtarinë e kësaj mafie ndërkombëtare ka planifikuar vazhdimisht zgjatjen e krizës e moslejimin e zhvillimit të ekonomisë vendase me qëllim që operatorët e kësaj mafie të marrin sa më lirë tokën dhe burimet e pasurive. Burimet nëntokësore shqiptare, që përbëjnë një pasuri të jashtzakonshme mineralesh, u janë dorëzuar thuajse falas kompanive të huaja anonime. Mania e tyre për përfitime maksimale po shfrytëzon në mënyrë ç’njerëzore punëtorët e galerive pa asnjë masë sigurie për jetën. Edhe pse qeveria është përballur çdo vit me tragjeditë në miniera, nuk ka marrë asnjë masë për ndalimin e vrasjeve të punëtorëve të nëntokës, apo rehabilitimin e familjeve të viktimave.

Nën interesin e lobeve antishqiptare e operatorëve të kësaj mafie për të zhvilluar kaosin është penguar për gjatë 20 vjetëve miratimi i planimetrisë urbane. Po kështu po veprohet me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje që pengon jo vetëm të ardhmen e zhvillimit urban por edhe jetën normale të qytetarëve e i mashtron si pronarët edhe pëfituesit për interesa elektorale. Me qëllim moskthimin e pronave e uzurpimin e tyre u krijua që në fillim të pluralizmit, me konsensusin e dy partive të mëdha, ligji 7501 mbi tokën që ka sjellë aq shumë hasmëri e vrasje dhe ka lënë djerr gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, deputetët nuk e kuptojnë se shumica e vendimeve të qeverive dhe ligjeve të parlamentit shqiptar, që ata i kanë votuar me duart e tyre, janë mbështetja kryesore e strategjisë së kësaj mafie që kërkon ta tjetërsojë territorin shqiptar sipas interesave të saj afatgjata.

Partitë kryesore vazhdojnë ta manipulojnë opinionin publik dhe mbulojnë gjendjen katastrofike të vendit me demagogji, duke e mbajtur popullin të varfër e të lidhur me propagandën mediatike për të marrë sipas radhës qeverisjen e vendit. Rreth 60 % e popullit shqiptar nuk merr pjesë në votime sepse ka humbur besimin tek shteti dhe nuk e mbështet lojen e dy partive kryesore politike, te cilat konfrontohen dhe bashkohen në konsensuse jo për interesat e popullit e të demokracisë por për zotërimin e fushës së lojës. Pjesa e popullsisë qe voton është e lidhur me administratën dhe kjo u intereson dy partive të mëdha. Në këto kushte, popullit shqiptar do i shërbente një ligj për pjesmarrjen e të gjithë qytetarëve në votime si në shumë vende të demokracisë perëndimore, Nëse do kishim një ligj të tillë zgjedhor atëher do kishim edhe faktorë të tjerë politikë. Ky manipulim vazhdon të bëhet edhe me suksesin e marrëveshjeve me NATO-n e BE-në, në një kohë kur populli shqiptar është më i varfëri dhe më i rrezikuari në Europë. Shqiptarët nuk mund të jenë kurrë të fituar në NATO e as në BE nëse territori i tyre i lakmuar mesdhetar dhe pasuritë natyrore nuk do zhvillohen në dobi të ekonomisë e jetës së tyre. Lidershipi i dy partive kryesore mund të kontribojë realisht për pranimin në NATO e BE, nëse do shkëpusë çdo lidhje me mafien dhe do ndryshojë kahun e politikës në dobi të qytetarëve shqiptarë, nëse do ndërmarrë hapat e nevojshme me reformat e ligjet dhe jo sipas veprimeve që po bën gjatë këtyre ditëve me kushtetutën. Nëse ka nevojë për ndryshime në kushtetutë ato duhet të jenë me të vërtetë demokratike, progresive e të dobishme dhe të insistojnë në:

1-garantimin e barazisë për të gjithë para ligjit dhe heqjen e imunitetit për politikanët e përfaqësuesit e shtetit; 2-garantimin e votës së lirë; 3-garantimin e drejtësisë dhe të pavarsisë së pushtetit gjyqësor, 4-krijimin e institucionit të pavarur të akuzës; 5-garantimin e lirisë dhe të pavarësisë së mediave; 6-forcimin e institucioneve të sigurisë në vend dhe krijimin e kompetencave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare; 7-vendosjen si parim kushtetues të barazisë gjinore etj.

Prekja në mënyrë të përshpejtuar e kushtetutës për interes të udhëheqësve të partive kryesore dhe ngushtimi i debatit parlamentar vetëm me dy parti nuk është vlerë e demokracisë as e traditës parlamentare perëndimore. Në kushtet aktuale, vendimi i fundit i parlamentit është një atentat ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesave të qytetarëve. Fatkeqsisht, në aferat e qeverisë shqiptare me mafien janë përfshirë edhe diplomatë e përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, disa prej të cilëve po i drejtojnë këto biznese të rrezikshme. Rreth 1,5 miliard dollarë të taksapaguesve perëndimore që janë lëvruar në këto 17 vjet i kanë shërbyer më shumë korrupsionit se sa grupeve në nevojë. Akoma më e papranueshme bëhet sjellja e këtyre diplomatëve kur mbështesin akte të tilla si ai i dt 21 prill për ndryshimin e kushtetutës. Kushtetuta dhe ndryshimet e saj janë e drejtë e qytetarëve dhe diplomacia perëndimore duhet ta mbrojë këtë të drejtë të mohuar nga lidershipi i partive kryesore. Qytetarët i janë drejtuar vetgjyqësisë sepse çdo ditë e më tepër po perceptojnë se ligji është pronë e mafies në politikë. Nga vetgjyqësia kanë humbur deri më sot jetën mbi 5000 qytetarë dhe janë privuar nga liria me mijra familje të cilat nuk kanë gjetur shpëtim në asnjë vend tjetër përveçse tek tradita zakonore e pajtimit dhe emigrimi. Lidershipit politik shqiptar, si të mazhorancës dhe të opozitës, nuk i bën përshtypje tragjedia e dt.15 mars, as vrasjet e qytetarëve të pafajshëm, as gjendja e mjeruar në të cilën është katandisur popullsia shqiptare, as varfëria ekstreme e shfrytëzimi barbar i fëmijëve, as ngujimi e gjakmarrja, as vetvrasjet e pashembullta e emigrimi i pafund sepse janë të përfshirë në interesat ekonomike e financiare të mafies së pamëshirshme globale.

Për sa më sipër Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar:

I drejtohet Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkon

Të marrë në konsideratë çështjet e parashtruara në këtë dokument duke vënë mbi gjithçka interesat e popullit shqiptar.

I drejtohet Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe kërkon:

1 – Të ushtrojë autoritetin institucional për të marrë në shqyrtim problemet e mësipërme dhe të gjitha çështjet e trajtuara në Memon e dt 14 prill 2007 (drejtuar këtij institucioni) e t’i trajtojë ato në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në respekt të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë
2 – Të ushtrojë autoritetin e Presidentit për të marrë informacion zyrtar e ndërprerë lidhjet e operatorëve të mafies me qeveritarët dhe lidershipin e Partive Politike Parlamentare.
3 - Të ushtrojë autoritetin e Presidentit për krijimin e një tryeze të përhershme bashkbisedimi midis partive politike mbi reformën, ligjet dhe strategjitë e zhvillimit në dobi të përparimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

I drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës dhe kërkon:

1 - Të shqyrtojë denoncimet e ngritura në këtë dokument dhe në Memon e dt 14 prill 2007 dhe të marrë në procedim penal të gjithë ministrat e kryeministrat që me veprimet e mosveprimete e tyre i kane sjellë në vite pasojat e përshkruara në këto dokumente:
2 – Të hetojë mbi pasuritë e fshehta të anëtarëve të kabineteve qeveritare, të lidershipit të partive politike, të kryeministrave, të perfaqësuesve të parlamentit dhe mbi burimet e financimit të Partive politike parlamentare e mbi lidhjet e tyre me mafien.
3 – Të hetojë të gjitha vendimet e qeverive, ligjet dhe vendimet e parlamentit shqiptar që janë miratuar në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar dhe i kanë sjellë pasoja të rënda jetës së qytetarëve dhe mjedisit, që kanë favorizuar, krimin, korrupsionin, monopolet dhe interesat e mafies. Të marrë në procedim penal inicuesit e këtyre ligjeve dhe vendimeve qeveritare dhe të kthejë besimin e shqiptarëve tek shteti dhe drejtësia.

I drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe kërkon:

1- Të marrë në shqyrtim çështjet e parashtruara në këtë kërkesë dhe në Memon e dt 14 prill 2007 për të bërë shfuqizimin e të gjitha vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të ligjeve që bien në kundërshtim me interesat e shoqërisë shqiptare, me Kushtetutën e Shqipërisë, me kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kanë sjellë pasojat e përshkruara në këto dokumente.
2 - Të marrë në shqyrtim dhe të shfuqizojë vendimin e Parlamentit të dt 21 prill 2008 mbi disa ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

I drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë dhe kërkon:

1 - Të asistojë në Republikën e Shqipërisë sipas kompetencave dhe statusit të saj për hetimin e krimeve ndaj popullsisë shqiptare të parashtruara në këtë dokument dhe të koordinojë punën me institucionet kombëtare në gjykimin e drejtë të këtyre çështjeve sipas ligjit, kushtetutës së Shqipërisë dhe akteve ndërkombëtare të nënshkruara.

Për Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
Gjin Marku
Kryetar

Shenim:
Simbas njoftimeve qe na vine nga Tirana, kjo Kerkese e Komitetit te pajtimit mbarekombetar, nuk eshte bere publike nga gazetat e Tiranes, ato te cilat i sherbejne me servilizem politikes, me shume se sa realitetit te zhvillimeve te ngjarjeve ne Shqipri!
Per arsye te neglizhences se gazetave te Tiranes per ta botuar kete Kerkese te Komitetit te pajtimit mbarekombetare, ne e botojme ne faqet tona, duke u dhene njekohesisht mundesine edhe faqeve te tjera elektronike ne gjuhen Shqipe qe ta ripublikojne sa me gjere kete Kerkese duke e marre nga faqet tona!

U kujdesua për publikimin në "Zëri i largët"
Llemadeo



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora