E marte, 23.04.2024, 05:52 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Mallkuar qoftë politika

E merkure, 23.04.2014, 07:21 PM


REKUJEM PËR SKËNDER SKËNDERIN, XHAXHAIN TIM TË MIRË – MALLKUAR QOFTË POLITIKA

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Dje më mori në telefon vajza e hallës nga Italia dhe më tha se daja i saj dhe xhaxhai im është shumë keq. Kisha folur me të ndofta një muaj apo diçka më parë. Më mori ai. Lidoçka si je, më tha. Mirë jam xhaxhi, ia ktheva. Më fal, që nuk të kam marrë në telefon, por do ta ndreq gabimin. Të dua shumë, i thashë prapë. E di më tha, dhe qeshi. Kështu e mbaj mend gjithë jetën, me fytyrë të qeshur, energjik dhe gjithë shpresa.

Duke mos dashur që ta besoja vajzën time të hallës, i rashë menjëherë telefonit te xhaxhi. Më doli vajza e tij. E pyeta për xhaxhin tim. Më tha është keq. Po si është keq e pyeta, si është e mundur. Po më tha, rënkon natë e ditë. Nisa të dënes në telefon. Brenda një çasti m’u kujtua gjithë jeta.

Xhaxhai im, i treti nga katër djemtë e Kryeimamit Demir Skënderi, kishte studjuar për mbrojtje kundërajrore në Odesë. Aty ishte lidhur me një vajzë hebreje dhe patën një djalë, Aleksandrin. Por prishja e marrëdhënieve e ktheu xhaxhin në Shqipëri vetëm. Ai filloi punën në Durrës, në repartet ushtarake kundraajrore. Kur isha e vogël më merrte ndonjëherë me vete në repart. Ishte punëtor i madh dhe njeri shumë i ndershëm.

Në vitin 1976 na vdiq gjyshja. Tim atë e kishin përjashtuar nga partia më 1974. Pasi e pushuan nga puna,ne na internuan në një fshat të humbur rrëzë Dajtit, ku shpëtuam rastësisht, por nuk na u ndalën kurrë torturat, të detyruar të jetonim në një shoqëri që ushqehej me dramat e bashkëkombësve. Mezi prisnin që të shpallej ndonjë armik i popullit dhe të ngopeshin, tamam si një shoqëri vampire, që jetonte me gjakun e familjeve shqiptare që vuanin. Ky ishte gjyqi i dytë që i bëhej tim eti, pas atij të 1966 kur e përfshinë në grupin antiparti të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë dhe e dërguan pesë vjet për riedukim në Hidrocentralin e Vaut të Dejës si punëtor, duke ia hequr të drejtën e shkrimit dhe botimit. Përveç të tjerave, babin e akuzuan edhe si "nacionalist", sepse kur e pyetën për Kosovën, u tha se "Kosovën e mban gjithnjë në zemër".Por kalvari i 1974 ishte larja e fundit e hesapeve që shteti diktatorial ndërmerrte kundër tij dhe familjes, të përbërë nga tre veta, ai, im më dhe unë.

Siç ju thashë, më 1976 na vdiq gjyshja dhe im atë e xhaxhai u takuan gjatë ceremonisë të varrimit nën praninë e kolegëve ushtarakë të xhaxhait tim. Ky takim midis dy vëllezërve në mortin e nënës të tyre u konsiderua krim dhe xhaxhain tim e përjashtuan menjëherë nga partia e pak më vonë do ta lironin nga ushtria si i padenjë.

Por ai nuk u dorëzua dhe bëri gjithçka të mbijetonte bashkë me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua kurrë. Me babin ishin vëllezër dhe miq të ngushtë. Duheshin shumë. Kur e liruan nga ushtria ai filloi të mblidhte bime mjekësore. Kur u përmbys diktatura punoi si shitës ambulant afër plazhit të Durrësit. Shiste çadra dielli, banane dhe gjithçka.

Gjithmonë buzëqeshur me shpresë se demokracia do t’i buzëqeshte atij dhe gjithë shqiptarëve. Ishte njeri i kulturuar dhe një nga mbështetësit vullnetarë të PD-së, që trokiste derë më derë, pa u lodhur kurrë. Asnjëherë nuk përfitoi gjë. Edhe pensionin si ushtarak, në mos gaboj, e ka marrë vetëm përpara një viti, por nuk jam e sigurt. E bija e vetme pa punë ishte dhe papunë ka mbetur.

Sa herë që ndonjë shkrimi i Skënderit dhe imi botohej në Tiranë, ai na merrte në telefon dhe na shprehte kënaqësinë e tij. Na thoshte shkruani më shpesh. I thoshim se ne shkruajmë por atje nuk na botojmë. Dhe përgjigja e tij ishte ajo qeshja, nën ata sytë e bukur të kaltër ku fshihej drama e një njeriu të ndershëm dhe e miliona shqiptarëve.

Tek ne ndoshta kishte patur shpresë se do ta ndryshonim botën, por asnjëherë nuk u ankua dhe nuk na tha se kishte mbetur i zhgënjyer prej nesh. Vetëm më thoshte se e kishte zënë malli. Lidoçka mos na harro, më thosh. Po si të të harroj Xhaxhi, po unë të dua si Babin, ia ktheja, me gjithë shpirt.

Dhe kjo bisedë zgjati 18 vjet që ne jemi larg Shqipërisë, një largësi fizike që nuk na ka lejuar të përqafojmë njerëzit tanë, që me kalimin e kohës shuhen një e nga një. E mallkoj politikën me gjithë shpirt, që u shkaktoi njerëzve drama të tjera sikur të mos kishte mjaftuar diktatura. Por mallkimet e mia nuk e shërojnë dot Xhaxhain tim të shtrenjtë. Mallkimet e mia nuk e kthejnë pas kohën – 18 vite nuk i kthejnë pas – që ne të nisnim bashkë bisedën aty ku e kishim lënë.

Tani xhaxhi im ndodhet në shtratin e vdekjes. Ndofta Zoti bën mrekulli dhe e kthen mbrapsht nga rruga ku do të shkojmë të gjithë. Ndërsa unë do të desha që të kisha fuqi të tillë aq sa ai të më dëgjonte, kur t’i thosha, xhaxhi Skënder të kam dashur shumë, sa babin. Dhe e di se ai do të ma kthente me buzëqeshjen e tij të mrekullushme. E di Lidoçka, e di!



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora