Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Veneta Çallpani: Lufta teknologjike!

| E merkure, 23.04.2014, 07:05 PM |


Lufta teknologjike!

Nga Veneta Çallpani (shkrimtare)

Dikur njerëzit ishin skllevër të paditurisë. Skllevër të ideve të pakta të rrënjosura thellë në mendjen e tyre. Ata nuk mund të kundërshtonin. Jo se nuk donin, por nuk dinin. Mundësitë për të njohur, për të marrë informacione,  ide të reja, ishin të pakta. Ata “të mëdhenjt” kujdeseshin mirë për këtë gjë. Kështu, liria vetvetiu kufizohej në burgun e mungesës së informacioneve. Por sot, gjërat kanë ndryshuar. Bota përqafoi teknologjine, internetin,  dhe informacionet janë të pafundme. Tashmë njerëzit janë të lirë të lexojnë e të shohin cfarë të duan, të komentojnë, të shkruajnë, të kundërshtojnë, të ofendojnë,  të duan e të urrejnë me apo pa arsye.

Media dhe teknologjia janë kthyer në një armë të fortë. Të fortë dhe të rrezishme.

Të fortë e bën ndikimi që ka tek njerëzit, ndërsa të rrezikshme e bën përdorimi I saj nga “gjithkush”

Kjo më bën të mendoj se do të kemi edhe një luftë të tretë botërore, por kësaj radhe do të përdoret vetëm një armë: Teknologjia. Lufta sapo ka filluar. Të gjithë janë të pajisur me armatim (kompjuter, internet) I cili ua ushqen më shumë egon dhe dëshirën për pushtet. Secili lufton në mënyrën e tij duke u përpjekur në të gjitha format për të qënë në qendër të vëmendjes.

Shoh shkrime dhe botime, autorësia e të cilave nuk dihet më. Fotografi apo vidio të modifikuara duke u përdorur për qëllime të ndryshme. Njerëz pa nivel që flasin me fjalët e të tjerëve e që mbushin podiume apo kanale televizive. Gazetarë e analistë që shajnë dhe përdorin si “karrem” pikërisht ata njerëz të njohur për publikun, vetëm që të fitojnë vëmendje. U mohojnë vlerat atyre që vërtet I kanë. E vërteta nuk ka më rëndësi. Ai që përpiqet ta thotë, sulmohet,  dhe njerëzit e vlerësojnë sulmuesin për guximin që merr të ofendojë tjetrin, pak rëndësi kanë argumentat. Në momentin kur dikush bëhet I famshëm,  edhe budalliqett e tij, janë të bukura për fansat. Dhe njerëzit nuk duan t’ia dinë më për asgjë. Kanë kuptuar që të bëhesh I famshëm dhe të kesh vëmendjen e të tjerëve duhet të sillesh ndryshe,  të sfidosh konkurencën e fortë, edhe me gjëra apo veprime të cmendura. Përcudnohen, dalin nga vetja, bëjnë cdo gjë vetëm për të pasur vëmendje e famë. Ky është pushteti për të cilin njerëzit po luftojnë. Një luftë e ashpër e cila po vret shpirtin dhe vlerat njerëzore. Fituesi mund të jetë kushdo.

Në këtë luftë botërore, ku edhe fëmija mund të fitojë “pushtet”,  të humbur mbetin vetëm ata që përpiqen ta mbrojnë shpirtin nga kjo armë vrasëse.