E merkure, 24.04.2024, 04:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Bota e pasur krijuese

E merkure, 23.04.2014, 07:59 PM


Bota e pasur krijuese e një poete gjilanase...

Nga Tefik Selimi

Shahe Rama është poete e njohur nga Gjilani. Ajo kryesisht shkruan poezi për fëmijë. Ajo ka një botë jo vetëm interesante krijuese, por edhe joshëse për të gjithë fëmijët. Poetja është e tëra “poezi”, e cila poezinë e vjershëron lehtë dhe bukur. Pse jo? Gati në të gjitha veprat letrare të saja vërehet se ajo po hapëron guximshëm në hartimin e vargjeve të bukura artistike. Kjo e bën ate të jetë një “krijesë” e zellshme e kësaj gjinie letrare poetike. Poetika e saj është më tepër e botës fëmijërore. Ndonëse ajo nuk është mësuese e jetës, përkundrazi, ajo i do fëmijët, i do prindërit, por e do edhe syrin e nënës, bukën në sofër, bareshën e maleve, tik-takun e orës, festën e nënës, ditën e mësuesës, balerinën, shtëpinë e pavarësisë, palaçon, djalin e mirë, Pin Pinokion etj. Pra, poezia e saj është një zë i ëmbël i jetës së përditshme, e cila poezi të magjeps dhe të bën për vete për ta adhuruar si krijim poetik. Por, kush e do këtë poezi? Dihet: të vegjëlit janë ata që i gëzohen poezisë së bukur, të cilët, mezi presin t’i mësojnë shkronjat e Abecesë, që të futen në ëndrrat e jetës shkollore. Dhe, s’ka si t’mos adhurohet poezia e saj, e cila është një “tufë”e bukur vargjesh që tingëllojnë e kanë elemente edukative, vargje këto që ia thonë “jehonës” së jetës së përditshme shkollore. Vepra e saj “Hëna me shtatë yje”, Shahe Rama, poete, e cila është botuar ditë më parë, është e ndarë në tri kaptina, si janë: “Dritare shpirti”, Ftesë për klasë të parë” dhe “Syri i pranverës”. Në pjesën e parë, autorja “këndon” me zërin e saj poetik, që janë poezi të “prekshme” të zemrës, të cilat kanë në vete dhembjen dhe dashurinë e njeriut tonë. Ndërsa, në pjesën e dytë, Sh. Rama, ndalet tek frymëzimet e saja për Abetaren, për ftesën e Abetares, shkollën, për ditën e mësuesit, muajin shtator, muajin e gëzimeve të papërshkruara atë fëmijëve etj. Ja disa poezi të bukura të kësaj vepre: “Jam në klasë të parë, 7 Marsi, Feston Kosova, Shoqe Nita, Dembeli, Kur vranë poetin etj. Edhe pjesa e tretë e kësaj vepre është mjaft joshëse me poezitë e saja të thella poetike, të cilat shprehin botën e krijueses të saj. Poetja, këto “sende” i sheh me syrin e pranverës apo me gazin e jetës. Nga kjo shohim se, poetja në mënyrë simbolike e ka shprehur dashurinë ndaj stinës më të bukur të vitit, pranverës, e cila stinë na sjell ngjyra të shumta jete, si hënën, detin, shiun, kohën e pjekjes së qershisë, pranverën si stinë, vjeshtën, shiun e vonë, dimërin, dordolecin, Vitin e Ri etj. Këto janë ato “mini” tema të botës së saj frymëzuese në veprën “Hëna me shtatë yje”, vepër kjo që ngërthen në vete botën e pasur me frymëzime artistike. E, poetja, Shahe Rama, këtë art të bukur e ka ushqim shpirti e në zemër. Ajo jeton me vargje, strofa, rima, tema, por jeton edhe me fantazinë krijuese artistike. Kjo është bota e saj artistike poetike. Arti, në çdo formë të shprehur,  nuk njeh kufi. Ky art i saj është i shkrirë për botën e fëmijëve. Ata ushqehen me artin e bukur, por edhe i gëzohen jetës. Pse jo? Arti i rrit dhe i madhëron fëmijët. Ja si ka shtuar Shahe Rama në poezinë e saj “Nënës sime”: “Ishe hënë me shtatë yje/ gjithmonë e plotë në zemër tona/ fjalët e tua – ngjyrë dashurie/ shkëndija të mëdha – mirësie” (f. 2). Apo në poezinë “Syri i nënës” poetja shton: “Syri i nënës rrallë gabon/ ky sy i bukur të shpëton/ kur të harrojnë e kush s’të njeh/ syri i nënës, pas vete e ke” (f.7). Në poezinë “Baresha”, poetja i këndon qingjit të vogël, e cila figurë shpreh urtësinë dhe “mikun” më të mirë të fëmijëve. Ajo shton: “Qengji i vogël të përcjell/ be- be bënë një mijë herë/ me këtë qengji shpreh dëshirë/ që të bëjë një gjumë të mirë”. Në veprën e Shahe Ramës, lexuesi i vogjël “takon” edhe Skënderbeun, heroin e madh shqiptar. Ardhja e Skënderbeut në shehin e Prishtinës, sikur poeteshën e ka frymëzuar të hartojë poezinë me titull “Gjatë të pritëm”, ku ajo “këndon” me këto vargje të bukura artistike: “Shumë gjatë të pritëm/ Gjergjin tonë lavdiplotë/ Edhe lotët e gëzimit/ atë ditë Kosova s’i ndalonte dot”(f.16). Këtu fëmija mëson historinë e të parëve tanë. Mëson për trimat dhe luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi. Sepse, aty, ku qëndron krenar shtatorja e Skënderbeut, trimi i Arbërit, aty është edhe zemra e gjithë Shqipërisë, ku afër tij, qëndron krenar Zahir Pajaziti, trimi me fletë, por edhe Nënë Terezën, zonja vetë. Kjo tingëllon bukur dhe s’ka si mos të adhurohet e të “këndohet” nga të gjithë artdashësit e artit të bukur letrar. Poetja, Shahe Rama, poezi i ka kushtuar edhe poetit të njohur kosovar, Ymer Elshanit, të cilin gjakatarët e vranë. Ja si shton autorja: “Ylberi, s’doli si për inat/ hëna, buzëvarur ndriçonte/ nuk vdes peti – tha vargu i tij/ vetëm pak gjumë, ka vënë në sy” (f. 42). Edhe shumë poezi të tjera janë “rrëfime” poetike, të cilat janë të dala nga thellësia e shpirtit të autorës në fjalë. Siç dihet, Shahe Rama është përkthyese e gjuhës angleze. Jo vetëm kjo. Ajo tashmë ka bërë emër jo vetëm me këtë vepër të fundit, por edhe me veprat tjera letrare të botuara më parë, si janë: “Ngjyra ylberi”, (2004), ‘Unë nuk dua vetëm lodra” (2005). Vepra e saj e tretë dhe e fundit është “Hëna me shtatë yje” (2014). Ditë më parë, këtë vepër e ka botuar Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan, 2014. Vepra ka 61 faqe. Kjo vepër shënon një ecje përpara të krijimtarisë së saj poetike. Vepra në fjalë ngërthen në vete botën e brendshme intime të autores, e cila është munduar ta shprehë me anë të vargjeve poetike dashurinë e madhe ndaj fëmijëve në jetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora