E enjte, 25.04.2024, 08:00 AM (GMT+1)

Mendime

Meri Lalaj: Nxënësi im i mirë Dhimitër Pojanaku

E marte, 22.04.2014, 08:05 PM


Nxënësi im i mirë Dhimitër Pojanaku

Nga Meri Lalaj

Le të duartrokasim dhe të brohorasim pasi drejtësia në Shqipëri u vu në vend. Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh me shumë ngut për të dënuar veprimin e gjyqtarit Dhimitër Pojanaku. Larg Tiranës, në Pogradec, gjyqtar province ku ka më lehtë për ta dënuar. Dhe njerëzit qeshën nën buzë duke pëshpëritur: “E kapën gurneckën se peshqit e mëdhenj e çajnë rrjetën!” Kështu pra, siç ka shkruar Majakovski: “U mblodhën në Golgotha të gjithë shenjtorët duke ulëritur “Kryqëzojeni, kryqëzojeni Bardin!” Ditë e përditë dëgjojmë për korrupsion të gjyqtarëve, të cilëve nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Duhej të përgatitej një skenar i posaçëm me një grua rome (sinqerisht nuk kam asgjë kundër romëve, kam pasur nxënës të mirë nga kjo shtresë e shoqërisë dhe admiroj vajzat e djemtë që vazhdojnë arsimin e lartë, por gruaja rome, që u përdor për Dhimitrin është thjesht një analfabete e paguar.) Vaj medet, për drejtësinë tonë! Komedia vazhdoi duke u rënë daulleve me bujë, nuk mbeti gazetë dhe nuk mbeti kanal televiziv tek ne pa përmendur Dhimitër Pojanakun. Ata, gjyqtarët e korruptuar, ata të vërtetit, që jetojnë duke zhvatur nga klientët miliona euro, shtëpi në det apo në mal, truall e të tjera, fërkuan duart të kënaqur:”O ç’mirë ia bënë!” Unë nuk kuptoj nga ligjet juridike, por mendoj se nuk mund të flasim pa u bërë gjyqi dhe pa u vërtetuar faji. Pojanaku është Qytetar Nderi i Pogradecit dhe duke ia vënë prangat gjyqtar Dhimitrit nuk është njollosur vetëm ai si person, por mendoj se i është vënë dhe një njollë qytetit tim, vendlindjes sime.

Në të gjithë këtë histori të bujshme, ajo që më ka prekur më fort ishin fjalët: ”…gjyqtari është edhe poet!” Të krijohej përshtypja se duke i mëshuar këtij epiteti gjyqtari dënohej edhe më fort për fajin se ishte poet.

Në vend që të shkruaj në ndonjë organ letrar për poezinë e Pojanakut detyrohem të shkruaj për këtë që ndodhi. Dhimitrin e kam pasur nxënës që nga klasa e pestë, ka qenë i shkëlqyer në mësime. Edhe Fakultetitn Juridik e ka mbaruar me nota shumë të mira. Kam ndjekur krijimtarinë e tij nëpër vite. Në fillimet e tij letrare, kur më sillte vargjet e shkruara jemi grindur ia kam hedhur përtokë poezitë, vargjet kur nuk tingëllonin bukur në gjuhën tonë shqipe. Mendoj se kam dhënë një lloj ndihmese duke i përkthyer disa poezi të tijat në anglisht me të cilat Dhimitri ka fituar çmime ndërkombëtare. Dhe unë si mësuesja e tij jam ndier krenare sepse detyra e mësuesit është njësoj si e prindit: nxënësi duhet t’ia kalojë. Dhimitrin e futën në burg ia vranë poezinë, por kur të lirohet këto ditë, ai me siguri do të shkruajë në prozë për gjithë këtë përvojë të hidhur, do të shkruajë për fyerjet e policëve, për sjelljet e gjyqtarëve, për njerëzit e ngeshëm që merren me thashetheme e të tjera.

Po kujtoj disa vargje nga Bertold Breht të përkthyera nga i madhi Robert Shvarc: “Nga tigrat munda të shpëtoj / me gjakun tim ushqeva çimkat / po për të më ngrënë / më hëngër mediokrit.”

Po shkruaj për Dhimitër Pojanakun “si anëtare e poezisë” dhe mendoj se mbi të duhet të hedhin baltë sipas Biblës, të papërlyerit në mitmarrje. Së pari, duhet të mendojmë për njeriun, për gjyqtarin, për poetin. Një shoku im ka shkruar një poezi për Dhimitrin me titull: “Lirojeni poetin!”

Tani kam para syve një kartolinë në të cilën lartohet monumenti i Fridrih Shilerit në qytetin Kaliningrad, që gjatë luftrave një herë e merrnin gjermanët një herë tjetër rusët. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore tek mbështetësja e monumentit një ushtar shkroi: “Mos qëlloni, është poet!” Europa e kulturuar mbron edhe monumentet e poetëve, ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë poetët e gjallë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora