E premte, 29.03.2024, 02:16 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Themelimi i Komitetit ''Shqipëria e Lirë''

E marte, 22.04.2014, 07:04 PM


NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

THEMELIMI I "KOMITETIT SHQIPËRIA E LIRË''

Nga Frank Shkreli

Ishte viti 1956.  Lufta e ftohët midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik po ashpërsohej çdo ditë.  Shqipëria e asaj kohe sundohej nga regjimi i Enver Hoxhës që po bëhej gjithnjë më i egër karshi kundërshtarëve të mbrendshëm, si dhe ndaj botës së jashtme.  Që atëherë shiheshin shënja ksenofobike të regjimit enverist ndaj botës, sa që një gazetar i gazetës zvicerane, Neue Zuercher Zeitung e datës 7 Prill, 1957, shkruante pas një vizite në Shqipëri se, “Asnjë nga shtetet komuniste satellite qyshë prej mbarimit të luftës nuk e ka izoluar veten nga bota e jashtme aq heremetikisht sa Shqipëria e vogël”.

Përballë një regjimi komunist shtypës mbrenda vendit dhe  tepër armiqësor karshi botës, sidomos asaj perëndimore në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti – komuniteti shqiptaro-amerikan ndjente nevojën për  themelimin e një organizate që nuk do të varej prej asnjë nga partitë politike shqiptare që vepronin në Perëndim në atë kohë. Njehej nevoja urgjente për një organizatë e cila do të shërbente jo vetëm si zëdhënse e komunitetit shqiptaro-amerikan, por e cila njëkohësisht do të shërbente gjatë viteve dhe dekadave të mëvonshme edhe si ndërlidhëse me autoritetet qeveritare të Shteteve të Bashkuara, sidomos Departmenti Amerikan i Shtetit, i cili më në fund filloi edhe të financonte Komitetin dhe veprimtarinë e  organizatës së re “Shqipëria e Lirë”. Themelimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” po plotësonte një boshllëk që ekzistonte në atë kohë,   zëri i të cilit nevojitej të dëgjohej, sidomos në Amerikë, por edhe në organizatat ndërkombëtare të kohës në SHBA dhe në Europë, ku ishin mësuar që versioni i ngjarjeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të paraqitej vetëm nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Kjo situatë ndryshoi kur në Nëntor të vitit 1956, pas këshillimesh me autoritetet amerikane dhe midis një numri shqiptarësh të dalluar, themelohet Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili, në një mënyrë ose një tjetër, do vazhdonte veprimtarinë e vet deri në fund të 90-ave, madje edhe me botimin e organit të saj “Shqiptari i Lirë”.   Kështuqë atë vit u vendos të krijohej, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, e që i kishte venë vetes detyrën madhore për të punuar për, “Çlirimin e Shqipërisë, për sigurimin e integritetit tokësor të saj dhe për vendosjen e një demokracie të vërtetë në Atdhe, me anë zgjedhjesh të lira dhe të fshehta.”

Me atë rast u vendos që Komiteti “Shqipëria e Lirë” të vendosej në New York, pasi aty jetonte shumica e shqiptarëve.  Si anëtarë të parë të Komitetit “Shqipëria e Lirë” -- sipas organit të parë të Komitetit, “Albanian News Bulletin”, që ishte para-ardhësi i gazetës “Shqiptari i Lirë” – u zgjodhën Zotërnjtë Sotir Avrami, Vasil Gërmenji, Ndue Gjomarkaj, Dr. Rexhep Krasniqi dhe Nexhat Peshkëpia. Duke vendosur që antarësia dhe udhëheqja të ishin sa më demokratike, kishin vendosur që udhëheqja e Komitetit të ndërrohej çdo muaj dhe  sipas emërit në përputhje me rendin alfabetik, por më vonë u vendos që kryetari të zgjidhej me shumicë votash,  për një mandat prej një viti.

Duke marrë parasyshë situatën kombëtare dhe ndërkombëtare të kohës, u vendos që njeërzit që duheshin ngarkuar me këtë veprimtari me përgjegjësira kombëtare, të kishin aftësitë dhe zotësitë si dhe edukatën e lartë akademike dhe politike për të përfaqësuar shqiptarët me një organizatë të denjë edhe në bashkrendim dhe në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare europiane nga shtetet komuniste, që bënin pjesë në “Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Europës”.  Qe marrë gjithashtu vendimi shumë i mençur, që anëtarët edhe udhëheqja e Komitetit, “Shqipëria e Lirë”, të mos i përkisnin asnjë partie politike, që siç duket ishte edhe një kërkesë dhe kusht i autoriteteve amerikane – ashtuqë të evitoheshin grindjet politike në radhët e anëtarve të Komitetit të ri, “Shqipëria e Lirë”.  Ishte pra kjo një organizatë e pavarur, e cila kërkonte  përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe  zotohej se do të bashkpunonte me të gjithë – por  e kishte përcaktuar veten si “një organizatë që qëndron mbi çdo çështje partiake dhe që sheh qëllimet kombëtare si të  vetmen detyrë”, ndërsa ka theksuar gatishmërinë dhe bashkpunimin me të gjithë ata të cilëve u “dhimbset Shqipëria.”

Për më tepër, themeluesit e Komitetit “Shqipëria e Lirë” patën deklaruar se ndonëse do të punonin me të gjitha mundësitë e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, ata nuk po e bënin këtë me qëllim interesash personale që të drejtojnë punët në një Shqipëri eventualisht të liruar na komunizmi ndërkombëtar. Qeverisja e Shqipërisë, “Do të jetë” --  kanë thanë ata me rastin e themelimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, -- e drejta dhe privilegji i atyre që vuajnë dhe punojnë në Atdhe dhe jashtë.”  Ndërkohë që ata u angazhuan se do të bënin çdo gjë që të jetë e mundur  kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për të çliruar Shqipërinë,  ata kishin shpallur me atë rast edhe mbarimin e misionit të punës së tyre dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, duke deklaraur se, “Detyra e Komitetit “Shqipëria e Lirë” do të mbarojë posa që Kombi Shqiptar të ketë rifituar lirinë që t’a shprehë vullnetin e vet me anë zgjedhjesh të lira.”

Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është shtuar në numër dhe përfaqësohet nga shumë organizata. Kohërat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe situata në trojet tona në Ballkan, natyrisht për më mirë, në krahasim me vitet 1950-ave të shekullit të kaluar. Tani u takon këtyre organizatave të reja e të vjetëra që të vazhdojnë punën dhe veprimtarinë e filluar nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, në mbështetje të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në mbështetje të përhershme të interesave kombëtare të shqiptarëve kudo, sidomos para autoriteteve amerikane, ne vendet ku jetojmë në këtë shtet të madh, por edhe në  rajon dhe në arenën më të gjërë ndërkombëtare.  Organizimi i sotëm dhe veprimtaria e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan megjithë të metat që ka,   nuk kanë lindur nga ndonjë boshllëk ose mos veprimtari e gjeneratave të kaluara, por e kanë bazën në rrënjët e një historie të gjatë, burrash e grashë shqiptare, të dedikuar ndaj mbështetjes së interesave të kombit shqiptar, burra e gra, pjesëtarë të një komuniteti të hershëm shqiptaro-amerikan dhe të organizatave të krijuara prej tij, siç ishte Komiteti, “Shqipëria e Lirë”.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora