E enjte, 25.04.2024, 05:56 AM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: ''Kënga ime'' dhe këngëtari serb

E marte, 22.04.2014, 07:59 PM


„KËNGA IME“ DHE KËNGËTARI SERB

Nga Dibran Demaku

Thuhet se muzika nuk njeh kufinj.Nuk njeh kufinj administrativ, shtetëror.Nuk njeh as kufinj etnik.Por, kur bëhet fjalë për Ballkanin,për shkaqe historike që dihen, nëse muzika kalon kufinj administrativ, shtetëror e etnik, janë krijuar ca kufinj shpirtëror  të cilët nuk kalohen aq lehtë.Dhe këta kufinj shpirtëror janë të pakalueshëm në mes të kombit shqiptar dhe atij serb.Dhe kjo pikërisht për fajin e këtij të dytit.Themi kështu sepse historia ka shënuar, se ky komb, pra kombi serb,vizavi kombit shqiptar, që nga fillimi e deri më sot, është sjell si armik i përbetuar.Ai,pra kombi serb, në raport me kombin shqiptar,gjatë tërë historisë,përveq si armik i përbetuar i tij,është sjellur si përçmues ndaj vlerava historiko-kultrurore të kombit shqiptar:Duke e paraqitur kombin shqiptar si primitiv, të pakulturë dhe të padinjitetshëm dhe i cili komb nuk duhet të ekzistojë?!

Duke i pasur parasyshë të gjitha këto që u thanë më lartë,atëherë refuzimi shpirtëror i kombit shqiptar ndaj atij serb është më se i arsyeshëm.Dhe kufinjt shpirtëror të kombit shqiptar  përballë kombit serb do të vazhdojnë të ekzistojnë deri në atë moment kur kombi serb të vetëdijësohet dhe të zbres nga retë dhe ëndrrat e tij qiellore dhe ta pranojë kombin shqiptar si të barabartë dhe fqinj me të cilin duhet të jetojë në paqe!Së paku këta kufinj shpirtëror në mes të gjysmës së kombit shqiptar, atij në Kosovë dhe trojet e tjera etnike shqiptare , nuk do të shemben edhe për një kohë të gjatë!

Një gjë e tillë, mbase nuk mund të thuhet edhe për gjysmën tjetër të kombit shqiptar që jeton në kufinjët administrativ të shtetit shqiptar.Themi, mbase,duke pasur parasyshë se siç duket kufiri shpirtëror në mes të kombit serb dhe gjysmës së kombit shqiptar, atij të Shqipërisë administrative, nuk ka ekzistuar ndonjëherë e nuk ekziston as tash?!

Ditë më parë kanali i ashtuquajtur kombëtar „Klan“ nga Shqipëria,para shikuesit shqiptar e servoi një befasi jo të këndshme!Në ekranin e tij u pa dhe këndoi një këngëtar serb?!Dhe që befasia jo e këndshme të jetë edhe më e madhe,në përmasa të urrejtjes,ishin pamjet televizive ku gra plaka e të reja shqiptare nxitonin se cila do të arrinte e para që të përqafohej dhe të bënte edhe foto me këngëtarin serb?!Ato pamje të shëmtuara televizive,domosdo që ty si shqiptar nuk të lenin indiferent,përkundrazi të nxisnin ndjenjën e krupës?!

Se shqiptarët e Shqipërisë(shpresojmë jo të gjithë) ishin të etur për muzikën sllave në përgjithësi dhe atë serbe në veçanti,u kuptua pas shembjes së komunizmit në Shqipëri.Pas asaj shembjeje në Shqipëri,shumë shqiptar ua mësyen shteteve të ndryshme europiane.Ndërkaq shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera në ish Jugosllavi,po në ato vite do të lenin vatrat e tyre dhe do të mësyenin drejt vendeve të ndryshme europiane,duke ikur nga shtypja dhe dhuna serbe.

Shqiptarët e pafat të dy anëve të kufirit,do të takoheshin e do të shiheshin pas shumë vitesh në rrethana jo të zakonshme.Dhe në vend që të gjenin gjuhë të përbashkët si pjesëtarë të të njejtit komb, por të ndarë pa fajin e tyre,ata do të konfrontoheshin deri në refuzim për shkaqe të ndryshme parimore.E njëra nga shkaqet do të ishte edhe muzika sllave në përgjithësi dhe ajo serbe në veçanti!Për muzikën në fjalë shqiptarët e ikur nga Shqipëria do të flisnin me simpati dhe do ta dëgjonin me etje të pashuar,ndërkaq shqiptarët e ikur nga Kosova dhe viset e tjera etnike nën ish Jugisllavi,për atë muzikë do të flisnin me gjuhën e urrejtjes!Shqiptarët e shkretë do të konfrontoheshun në mes vete deri në refuzim për diçka që nuk ishte e as nuk u përkiste atyre?!Kjo të kujtonte thënien e një plaku të urtë shqiptar nga Kosova i cili kishte thënë:“Ç`ne me ne shqiptarët?!Ne në Kosovë thërrasim e brohorasim me sa zë kemi:Rrohtë Lenini!,ndërkaq ata në Shqipëri:Rroftë Stalini?! E ata të dy nuk janë asgjë tjetër vetëm ish udhëheqës të shtetit Rus?!"...

Por, të kthehemi tek këngëtari serb dhe adhuruesit e tij të sotëm shqiptar?!Mbase adhuruesit e sotëm shqiptar të këngëtarit serb,as nuk e dijnë se cili është ai dhe as që duan ta dijnë?!Përveq kësaj ata nuk duan të dijnë se këngëtari serb,Zdravko Çoliq ,i takon një kombi dhe shteti që jo shumë larg në histori e dhunoi, e sakatosi, e vrau dhe e shpërnguli gjysmën e kombit shqiptar nga toka e vetë që emrin e ka Kosovë?!Vetëm kjo e dhënë do të ishte e mjaftuar që zotërinjtë e kanalit të ashtuquajtur kombëtar „Klan“ mos ta ftonin dhe ta filmonin këngëtarin serb?!Sepse me ftesën dhe filmimin e tij nga kamerat e kanalit në fjalë ata e kanë fituar urrejtjen dhe refuzimin e pothuajse gjysmës së kombit?!...

Këngëtari serb,Zdravko Çoliq, e filloi karierën e tij diku në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.Ai u bë i „famshëm“ vetëm pse ishte me origjinë serbe dhe si i tillë mori pjesë edhe në shumë evenimente muzikore edhe në europë,duke përfaqësuar ish Jugosllavinë,edhepse thënë të drejtën atëherë në ish Jugosllavi kishte këngëtar të themi kushtimisht më të mirë dhe më të njohur se ai,siç ishin këngëtarja kroate Tereza Kesovija dhe këngëtarja shqiptare Nexhmije Pagarusha! Kështu këngëtari në fjalë  në ato vite e përfaqësoi ish Jugosllavinë edhe në „Këngën e Eurovizionit“,por nuk arriti ndonjë sukses të dalluar.

Sa i përket këngëtarit në fjalë ,autorit të këtij shkrimi i kanë mbetur në kujtesë dy momente:Si nxënës i shkollës së mesme në Prishtinë,autori i ardhur nga një fshat i Drenicës,as që kishte dëgjuar ndonjëherë për të! Për të nuk kishin dëgjuar pothuajse e tërë klasa , që përbëhej nga ne katundarët e ardhur  në Prishtinë nga të gjitha anët e Kosovës.Ishte koha kur në shumë anë të Kosovës nuk kishte as drita elektrike e as televizor.Në ato ditë këngëtari në fjalë kishte pasur një aksident komunikacioni dhe njëra nga shoqet tona të klasës,qytetare,kishte dëgjuar për atë aksident.Dhe ashtu siç ishte e mërzitur do të tregonte në mes të klasës dhe do të shkrepej në vaj!Njëri nga shokët e klasës do ta pyeste:-„Mos e ke pasur dajë apo djalë të dajës fatkeqin e aksidentit?,ndërkaq ajo e revoltuar do të ia kthente:-Çfarë thua more injorant?! Ai është këngëtari më i mirë në Jugosllavi!-dhe kishte vazhduar të qante.Tash pas kaq vitesh nuk më kujtohet nëse ne të tjerët kishim shfaqur ndjenjën e dhimbjes apo kishim qeshur me ndjenjt e shoqes sonë të klasës!

Këngëtari,Zdravko Çoliq, do të vazhdonte karierën e tij të bujshme,falë prejardhjes së tij! Ai do të mbante koncerte pothuajse nëpër të gjitha qytetet e ish Jugosllavisë.Ai do të mbante koncerte edhe nëpër qytete të Kosovës.Diku në vitin 1977,ai do të mbante koncert edhe në pallatin e sporteve“25 Maji“(tash pallati i sportit Një tetori“ ngjitur me Qendrën e studentëve.Thuhej atëherë se interesimi i shikuesëve kishte qenë aq i madh, saqë shikuesit që nuk kishin arritur të hynin brenda i kishin thyer dyertë e hymjes së pallatit sportiv.Në mesin e shikuesëve kishte pasur edhe shumë të rinjë e të reja e edhe studentë shqiptarë?!Nuk kishim shkuar vetëm ne studentët e ardhur nga katundet e Kosovës! Ishte koha kur thuhej se Kosova gëzonte një lloj autonomie politike,ndërkaq sa i përkiste asaj kulturore thuajse nuk kishte autonomi fare.Vinin këngëtar serb e këndonin nëpër Kosovë sikur të këndonin në mes të Shumadisë?!Ishte koha kur proklamohej me të madhe vëllazërimi e bashkimi i kombeve e kombësive të Jugosllavisë! Për fat të mirë ndodhën Demonstratat studentore të Pranverës së madhe të tetëdhjetë e njëshit në Prishtinë dhe këngëtarët serb nuk u panë më në Kosovë….

Në fund të viteve të tetëdhjata këngëtari Zdravko Çoliq,më shumë se këngëtar në qarqet jugosllave do të bëhej i famshëm si shpërndarës dhe konsumues droge! Ai ishte zënë në flagrancë si shpërndarës droge së bashku me një këngëtar shqiptar nga Maqedonia.Emrin e këngëtarit shqiptar,për shkaqe etike, nuk dua ta përmend.

Ardhja  dhe këndimi i këngëtarit serb në kanalin televiziv të ashtuquajtur komëtar“Klan“,ka zgjuar debate të ndryshme tek shqiptarët.Në këto debate ka zëra refuzues e që vijnë nga shqiptarët e Kosovës si dhe zëra aprovues që vijnë nga shqiptarët e Shqipërisë!Këngëtari serb është shndërruar në mollë përqarjeje në mes të shqiptarëve.Dhe për këtë përqarje në mes të shqiptarëve kontribuoi kanali televiziv i ashtuquajtur  kombëtar “Klan“.Pas kësaj të bëmeje a mund të quhet vallë ky kanal televiziv kombëtar?! Mbase pas kësaj bëmeje të tij më shumë do t`i përshtatej cilësori përcaktues si kanali televiziv kombpërqarës“Klan“!...

Edhe më kombpërqarëse vijnë të dhënat e ndryshme që flasin për takimet e këngëtarit serb me shqiptarët gjatë qëndrimit të tij në Tiranë.Sipas njoftimeve që vijnë nga Tirana,këngëtari serb paska pasur takime jo vetëm me autoritete kulturore shqiptare,por edhe me autoritete politike?! Thuhet se këngëtarin serb e paska pranuar në një takim edhe vetë ish kreu i shtetit shqiptar?!...Nëse kjo është e vërtetë,atëherë një takim i tillë nuk mund të quhet si takim thjeshtë kurtoazije?! Domosdoshmërisht lind pyetja se çfarë ju desht ish kreut të shtetit që ta pres në takim këngëtarin serb,përveq se nëse nuk e ka gjetur dhe takuar njeriun e llojit të vet?!...



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora