E enjte, 25.04.2024, 12:28 PM (GMT+1)

Mendime

Ali Cenaj: Pejgamberi Klinton

E marte, 22.04.2014, 07:35 PM


Pejgamberi Klinton

Nga Ali Cenaj

“Bill Klinton asht Pejgamber...i dërguar i Allahut të Madhërishëm” - me këto fjalë axha im tashmë i ndjerë, një nga imamët më të respektuar, e ka cilësuar mikun e madh të shqiptarëve – ish presidentin amerikan Bill Klinton, 15vjet më parë. Me madhështinë morale që kishte, e ka quajtur të dërguar të Zotit, ish presidentin që u solli shpëtimin afro dy milionë shqiptarëve të Kosovës të gjendur buzë greminës së zhbërjes.

Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë gjërat po ndryshuar.

Të premten e madhe – ditën e Pashkëve, një nga festat më të mëdha të krishtera, Byroja për Siguri Diplomatike e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), e lëshoi një mesazh kujdesi kushtuar shtetasve amerikanë që planifikojnë që Pashkët t’i kalojnë në Kosovë, që të kenë kujdes të shtuar sepse ka informacione se objektet fetare të krishtera mund të bëhen cak sulmesh. Nga kush nuk e tha, por as që pati nevojë ta thoshte.

Kanë kaluar 15 vjet dhe me kohë, gjërat, normalisht, kanë ndryshuar. Por, se ndryshojnë kaq keq dhe kaq mbrapshtë, sa DASH-i t’i paralajmërojë shtetasit amerikanë që mund të bëhen cak sulmesh në Kosovë, vështirë se dikush ka mundur ta paramendojë.

Së paku jo, ato ditë të prillit 1999 kur çdo muzg, përcillnim me ngazëllim ushtimën e avionëve nga Aviano që kalonin mbi kokat tona në Ulqin gjatë rrugëtimit shpëtimtar për të ndalur gjenocidin e nisur mbi popullatën shqiptare. Ato ditë kur ndodhi mrekullia. Kur hipnim në katet e larta apo në tarraca mbi shtëpi për të qenë pak më afër aeroplanëve dhe pilotëve të cilëve, si të ishin të afërmit më të dashur, u uronim rrugë të mbarë dhe të kthehen shëndosh në familjet e veta.

Ashtu ishte atëherë, aeroplanët, Amerika, Klintoni, Bleri,,,ishin çdo gjë. Ishin shpëtimi, e vetmja shpresë se do të kthehemi në shtëpitë tona.

Në një nga ato mbrëmjet kur avionët tashmë i kishin përcjellë dhe deri në orët e vona mbeteshim të mbërthyer para ekraneve, tek shihnim xhirimet “live” të shpërthimet mbi bazat e caqet serbe, në pritje të lajmit më të ri, më kujtohet, axhës, mund t‘ia kam bërë pyetjen ndoshta më të çmendur. Çka ta merr mendja, a mund të jetë Bill Klintoni Pejgamber?, ishte pyetja ime që çuditërisht nuk duket se e befasoi aq shumë. Përkundrazi, pas një pauze të vogël, më befasoi me përgjigjën hiç më pak të çmendur se vetë pyetja ime.

Po, mirë e ke. Klintoni është Pejgamber. I dërguari i Perëndisë, ai që zbaton vullnetin e Zotit. Se po të mos ishte vullneti i Perëndisë, nuk do ta kishte gjithë këtë fuqi. Gjithë këtë autoritet, gjithë këtë pushtet që urdhërojë aviacionin e botës për të shpëtuar një popull.

Në atë stepjen pas një përgjigje të tillë befasuese, aq më shumë e një hoxhe, ai vazhdoi me elaborimin e asaj që thoshte.

Se Pejgamberi, i dërguari i Perëndisë, nuk do të thotë se është mysliman. Mund të jetë edhe i krishterë, budist...I të gjitha feve dhe i të gjitha racave.

Veç qafirët mendojnë se çdo gjë është dhe duhet të jetë vetëm myslimane, thoshte axha, hoxha me shpirt e mendje liberale. Nga ata që gjithnjë e më rrallë mund t’ua dëgjosh zërin në këtë klimë të totalitarizmit ekstrem që po instalohet e imponohet nga do rryma të gjoja islamizmit origjinal, para të cilave heshtin si mumie gati të gjithë ata që tinëzisht janë pajtuar që të bashkëjetojnë me të keqën.

Që nga paria e Bashkësisë Islame e deri te ministri i MPB-së që do të na qetësojë me masat që paska ndërmarrë ashtu që, së paku Pashkët e sotme të mos na përsëriten në Prishtinë pamjet e rrugëve të përgjakura të Kandaharit, Falluxhës, Bagradit...

I tillë çfarë ishte, po të ishte në mesin tonë, jam i bindur, axha im nuk do të heshte. Përkundrazi, bashkë me xhematin do të shkonte para kishës. Aq më pak të ndryshonte bindjen për presidentin amerikan Bill Klinton.

Kanë kaluar 15 vjet dhe me kohë, gjërat, normalisht, kanë ndryshuar. Por, se ndryshojnë kaq keq dhe kaq mbrapshtë, sa DASH-i t’i paralajmërojë shtetasit amerikanë që mund të bëhen cak sulmesh në Kosovë, vështirë se dikush ka mundur ta paramendojë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora