E enjte, 25.04.2024, 10:34 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Kush po i frikësohet Tribunalit?

E marte, 22.04.2014, 07:24 PM


Kush po i frikësohet Tribunalit?

Nga Arbana Xharra

Themelimi i Tribunalit për krimet që supozohet të jenë kryer nga pala kosovare gjatë dhe menjëherë pas luftës është i pashmangshëm. Kaloi apo jo në Kuvendin e Kosovës, tashmë bashkësia ndërkombëtare ka vendosur: kthim prapa s’ka.

Nuk është duke na pyetur kush më për këtë punë. Dhe kjo ka ndodhur për shkak të udhëheqjes së papërgjegjshme politike që kemi, e cila me lehtësi të padurueshme i ka injoruar akuzat serioze që janë ngritur në raportin e Këshillit të Evropës. Përtej popullzimit politiko-medial po vërehen gjithnjë e më shumë krerë shteti që ia kanë frikën drejtësisë.

E pse, në fund të fundit, duhet frikësuar themelimit të kësaj Gjykate Speciale? Pse duhet t’i kundërvihemi nëse nuk ka ndodhur asnjë krim, siç thonë orë e çast “çlirimtarët” e Kosovës? Të apostrofuarit që askush nuk ka guxuar t’i luftojë me mjete ligjore, që nga mbarimi i luftës e kanë mundësinë tash të mbrohen nëse janë të pastër. Kurse ata “patriotë” që sot ankohen se “Tribunali do ta dëmtojë imazhin e Kosovës” e dinë shumë mirë se imazhin e Kosovës tashmë e kanë fundosur një grusht matrapazësh që edhe ashtu janë thirrur që nga paslufta në emër të UÇK-së, duke përvetësuar çfarëdo që u ka rënë dorë e në thonj.

Sot, 15 vjet pas luftës, janë bërë milionerë dhe abuzojnë me shtetin si të duan, sepse kanë në dorë gjithçka. E gjithë këtë pushtet e kanë arritur duke u thirrur në emër të luftës derisa janë pasuruar kryesisht jashtëligjshëm. Faturën e izolimit e denigrimit po e paguajnë qytetarët për shkak të veprimeve që ka bërë një grup kriminelësh.

Është anomali të pretendohet se Kosova ka mundur të merret me krimet e luftës kur dihet se çfarë sistemi gjyqësor është instaluar këtu, edhe me fajin e të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare. Cili prokuror apo gjykatës vendor e ka guximin të merret me këta individë që e kanë shtrirë fuqinë në secilin sektor, të cilët mbajnë peng njerëz me shantazhe e përgjime?

Është e natyrshme që këta nuk e mbështesin themelimin e Tribunalit, sepse e duan Kosovën të tillë siç është, pa drejtësi dhe ligje që ndëshkojnë. Ky është ambienti më i përshtatshëm për të ushtruar terror jo vetëm verbal.

Barrën më të rendë për këtë situatë e bartin ata që luftuan përnjëmend, ata që filluan luftën për ta bërë Kosovën të pavarur e demokratike, me tërësinë e saj territoriale, por edhe për ta ruajtur pasurinë e kërcënuar nga gllabërimi serb. Ata ushtarë që disa vjet më parë qenë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për të mos e duruar padrejtësinë, e që shumë prej tyre sot nuk mund ta mbushin barkun me bukë, janë edhe vetë dëshmitarë se si abuzuan me pushtetin “patriotët” kapadainj.

Çfarë gjendje shpirtërore ngjallet kur ish-luftëtari i sinqertë i UÇK-së futet në një thes me matrapazët, që sot po shkelin mbi çdo interes kombëtar për interesa personale. Gjykata Speciale duhet të bëjë këtë ndarje që s’e kemi bërë ne: në njërën anë matrapazët e luftës, në anën tjetër luftëtarët e devotshëm. Në skemat e pasurimit në kurriz të popullit nuk gjenden të gjithë luftëtarët e UÇK-së.

Pjesa e tyre më e madhe që luftuan për këtë vend nuk u pasuruan, por u harruan. Ata nuk u përkrahën. Sot, nëse kujtojmë fundin e luftës dhe vitet e para pas saj, atëherë kur shumëçka është bërë në emër të luftës, duket si e pamundshme. Sot, Kosovës i ka ardhur koha të pastrohet nga njollat, sepse barrën për krimet e luftës nuk kanë pse ta bartin dy milionë banorë të saj. Le ta bartin kumbarët e krimit.

Ata që nuk kanë kryer krime s’kanë pse ta kundërshtojnë Tribunalin, kurse ata që kanë vrarë, kanë zhdukur e kanë keqtrajtuar civilë për qëllime të caktuara gjatë dhe pas luftës duhet të përballën me drejtësinë. Tribunali nuk e prish imazhin e Kosovës, por vetëm i nxjerr nga xhipat e i çon në qeli ata që keqpërdorën luftën çlirimtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora