E enjte, 18.04.2024, 09:09 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Mendime për teatrin kombëtar

E hene, 21.04.2014, 07:45 PM


Mendime për teatrin kombëtar shqiptar

Nga Reshat Kripa

Me termin “Teatër Kombëtar Shqiptar” nuk duhet të nënkuptojmë vetëm teatrin që ndodhet në Tiranë, por të gjitha ato teatro kombëtare që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në trevat ku banojnë shqiptarë, në Shkodër apo Prishtinë, në Vlorë apo Gjakovë, në Korçë apo Shkup, në Durrës apo Ulqin. Mendoj se fizionominë e tij teatri kombëtar shqiptar duhet ta mbështesë, në rradhë të parë, në krijimtarinë kombëtare. Duhet të ketë një barazpeshë midis pjesëve kombëtare me ato të huaja, në mënyrë që peshorja të anojë nga ajo kombëtare. Ka një diferencë ndërmjet teatrit kombëtar dhe teatrove private ku këta të fundit, për interesat e tyre komerciale, mund t’i kushtojnë epërsi pjesëve të huaja. Një shembull i tillë nuk duhet të ndiqet nga teatrot kombëtare.

Një vëmendje e veçantë mendoj se duhet t’i kushtohet dramaturgjisë së traditës. Me termin dramaturgji e traditës nuk duhen mohuar edhe disa drama ose komedi dinjitoze të krijuara gjatë periudhës totalitare. Natyrisht, ne duhet të mbështetemi më tepër në dramat e krijuara para asaj periudhe të errët, drama të lënë në harresë nga politika që buronte nga lufta vrastare e klasave. Më lejoni t’ju sjell një shembull:

Në vitin 1920, kur u vu në skenë, për herë të parë, në sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian në Shkodër, melodrama “Ora e Shqypnisë” e njërës prej figurave më të shquara të intelektualve të ekzekutuar nga diktatura, qysh ne ditët e para të regjimit, Dom Ndre Zadesë, kur protagonisti i shfaqjes këndonte:

Adrijes, m’thuej krenare,

Vlona asht tokë shqyptare.

Spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme  dhe,  në këmbë, thërrisnin:

Rrnoftë Vlona shqyptare! Rrnoftë Vlona Jonë!

Më thoni, të nderuara zonja dhe zotërinj, a nuk do ta nderonte skenën shqiptare sot shfaqja e një melodrame të tillë, sidomos për të rinjtë e nxënësit? Pra, dalim te një ide, te vënia në skenë e pjesëve për kategori të caktuara spektatorësh, nga teatrot kombëtare Po tragjedia e kollosit të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, “Juda Makabe, drama “Prej robnijet në liri” e Vinçenc Prenushit, tragjeditë e Etem Haxhiademit apo drama e Ernest Koliqit “Rajët lëvizin”, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Shkodër në vitet 70-të dhe që është një parashikim i shkëlqyer i rënies së perandorisë komuniste, ku rrëfen triumfin e ardhshëm të një shoqërie  në të cilën nuk ka hakmarrje, por fisnikëri sipërane, a nuk mund të vihen në skenë?. Unë mendoj se ndonjëra prej tyre mund të mos i përgjigjet kritereve të dramaturgjisë së sotme, por jam, gjithashtu, i mendimit se një regjizor i mirë mund të nxjerrë prej tyre një shfaqje dinjitoze

Me të drejtë lind pyetja: A ka dramaturgji të vërtetë shqiptare? Unë jam i të njëjtit opinion me ata që mendojnë se ka, por nuk vlerësohen si duhet. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por  kryesorja është se regjizorët, aktorët dhe punonjësit e tjerë të teatrove kombëtare ndoshta ngurojnë për shkak të koncepteve të krijuara si rezultat i  presionit të politikës.

Disa kohë më parë, Gabriel Partosh, në një intervistë dhënë televizionit “Top Channel” deklaronte:

Në Gjermani dhe në Francë dënohe po deklarove se nuk është zhvilluar gjenocid  gjatë

Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston një opinion i tillë. Po    vëresh  me  vëmendje realitetin e Shqipërisë së sotme do të arrish në përfundimin se opinionin publik po mundohen ta orientojnë drejt tendencës së harrimit të periudhës totalitare. Nuk mund të ndërtohet e ardhshmja pa kujtuar të kaluarën, qoftë ajo e ndritur apo e errët. Një gjë e tillë është mjaft e gabuar. Ka 70 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe veprat me subjekt nga holokausti nazist kundër hebrejve janë ende mjaft të kërkuara. Mjafton të sillja si shembull filmin e mrekullueshëm “La  vita e bella” me Roberto Beninjin  i  cili    vitin  1997  fitoi  tre çmime  Oskar.  Mendoj  se  dramaturgjia  shqiptare  i  ka  mbetur  mjaft  borxh  pasqyrimit  të holokaustit komunist kundër vetë shqiptarëve.

Kjo përsa i  përket  dramaturgjisë së  traditës. Ndërsa  për dramaturgjinë e  ditëve tona, ku autorët janë vetë gjallë, mendoj se bashkëpunimi i tyre me regjizorin ose edhe protagonistin do të jetë çelësi i suksesit të pjesës çka, për fat të keq, ka munguar pothuajse fare. Më lejoni ta ilustrojë këtë me një shembull personal.

Në vitin 2008 botova romanin “Shkallët e Ferrit”, kushtuar depersonalizimit të intelektualit në sistemin totalitar. Këtë roman në vitin 2012 mendova ta shndërroj në një monodramë por, me të vetmin ndryshim nga romani,  që ngjarjet e tij vazhdojnë deri në ditët tona, duke goditur një plagë të shoqërisë së sotme siç është ajo e riciklimit të disa prej figurave të përlyera gjatë periudhës totalitare në krye të organeve drejtuese të shtetit shqiptar, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera të ish perandorisë socialiste. Mjafton t’ju sjell vetëm një shembull, në Hungari në muajin mars 2014 filloi gjyqi i ish ministrit të brendshëm të viteve 1957-1961, 92 vjeçarit Bela Biszku, i akuzuar si urdhërues për masakrat e kryera kundër pjesëmarrësve në revoltën e vitit 1956

Këtë monodramë ua dhashë për të më dhënë opinionin e tyre dy  regjizorëve të dëgjuar, emrat e të cilëve nuk dëshëroj t’i përmend. por njeri prej regjizorëve nuk denjoi të më kthente përgjigje.  Përse? Nuk vlente monodrama apo druheshin se mos i dogëndiste dikujt me detyrë të lartë? Mua nuk do të më vinte fare keq po të më kishin thënë se monodrama nuk vlente.  Megjithatë përgjigja nuk erdhi.

Regjizori tjetër, që aktualisht banon jashtë shtetit, midis të tjerave më dërgoi përgjigjen e mëposhtme:

Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M'u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona.

Regjizori më premtoi se do të vinte në tetor dhe do të më takonte. Në fakt u kthye, por me mua nuk mori asnjë takim. Përse? Mos përmbajtja e monodramës cënonte dikë?

Atëherë ia dërgova ish-Drejtorit të Teatrit Kombëtar i cili, për të thënë të vërtetën, e dërgoi për konkurim në konkursin e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ia dhashë edhe sime motre, e cila më këshilloi për disa ndryshime që i kreva, madje i ndërrova edhe titullin. Motra bisedoi me një regjizor dhe një aktor që do të interpretonte. U treguan të gatshëm për ta venë në skenë,  por nevojiteshin fondet, në një kohë kur vetë teatri,  që është shtetëror, i disponon regjizorët, aktorët dhe fondet e tjera të nevojshme për shfaqjen. Mendoj se është korrekte që kujtdo autori t’i jepeshin argumentet pse pjesa teatrore nuk është e përshtatshme për t’u vënë në skenë, ose kur ka vërejtje të pjesshme, t’i bëhen ato. Këto do të ishin përgjigje dinjitoze.

Si përfundim, mendoj se teatri kombëtar shqiptar, në rast se kërkon të quhet i tillë, duhet të shkëputet me më shumë guxim nga influencat partiake që ndërohen çdo katër apo tetë vjet  dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Shembull për këtë mund të japim rastin e dramaturgut të mirënjohur amerikan,  Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mac Carti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot kombëtare shqiptare.

Mbajtur në takimin mbarëkombëtar për dramaturgjinë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora