E shtune, 20.04.2024, 09:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Arti i Diktaturës

E diele, 15.06.2008, 03:08 PM


AUTORI: SPIRO KRISTO - TITULLI: Fëmijët - TEKNIKA: Vaj mbi kanavacë - PËRMASAT: 193 x 205 cm - VITI: 1966 - PRONËSIA: Galeria Kombëtare e Arteve - BLERJA: 2200 lek të vitit 1967 - FOTO: “Piktura Figurative Shqiptare”, 1979, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë.
Nga Suzana Varvarica Kuka

Në historinë sh qiptare do t‘duam apo nuk do t‘duam do t‘ zërë vend realizmi socialist shqiptar, si një krijimtari artistike e realizuar gjatë periudhës kohore të viteve ‘40 -‘90 dhe me cilësitë e veta, që shpesh herë janë të përcaktuara nga fuqia e talentit të artistit shqiptar, për ta figuratizuar këtë metodë ideologjike. Realizmi socialist është cilësuar si art totalitar apo dhe si art i diktaturës. Në ditët që po jetojmë studjues të botës lindore e kanë pranuar si një sistem vleresh figurative dhe e kanë marrë në konsideratë, duke e gjurmuar vazhdimisht me studimet e tyre. Ndërsa kritikë dhe historianë të botës perëndimore, të cilët për një kohë e mohuan plotësisht, po arrijnë ta pranojnë me ngadalësi, por qartazi. Ata në mbështetje të përpjekjeve kërkuese dhe studimore mbi të gjitha situatat që arritën të formonin një sistem të tillë të mirëorganizuar dhe të centralizuar në duart e një shteti monopartiak, pohuan ekzistencën e këtij drejtimi artistik në krah të drejtimeve të tjera pasmoderniste. Që nga çastet (1932), kur ky organizën u monopolizua si një megamakinë politike dhe ideologjike dhe që nga shpërndarja e teorive të saj estetike për një art të masave dhe për masat, të drejtuar nga ideologjia e partive komuniste lindi termi estetik metoda e realizmit socialist. Detyra e saj, e buruar nga ideologjia e partive të tilla, ishte të kontribuonte në formimin dhe edukimin e shoqërisë socialiste nëpërmjet figurës pamore, letërsisë, tingujve dhe aktit dramatik. Subjektet kryesorë që do ta materializonin atë do të ishin artistët e angazhuar dhe besnik të zbatimit të parimeve të metodës. Këto parime mësoheshin në shkollat e larta të arteve dhe zbatimi i tyre ndiqej nga organizatat politiko-artistike të Lidhjeve të Artistëve dhe Shkrimtarëve. Fatkeqësisht shkolla e lartë e arteve në Shqipëri u hap për herë të parë në 3 janar 1960. Programet e saj ishin në mbështetje të plotë të shkollës sovjetike të artit dhe nëse hedhim një vështrim në historinë e shkollës akademike shqiptare nuk kemi asnjë fakt që do të na dëshmonte ekzistencën e një shkolle të lartë të arit (të tipit akademik) në Shqipëri dhe ky fakt historik, i padashur për ne, tregon se arti shqiptar nuk kishte një traditë të mirëorientuar dhe të vijuar ndërvite për të edukuar artistë, me figurën dhe platformat e drejtimeve të ndryshme artistike dhe që rrjedhnin me kohën. Fatkeqësia tjetër ishte se: në periudhën kur Bashkimi Sovjetik pësoi rishikimin e politikave dhe ideologjive, mohoi disa dhe revizionoi disa të tjera, gjë që ndodhi dhe me artin, edukimin dhe kulturën e vet, në Shqipëri sapo nisi të shfaqej i plotë njohja, ushtrimi dhe zbatimi i teorive të realizmit socialist. Kjo solli formimin e një grup artistësh, të cilët donin apo nuk donin do të krijonin sipas kërkesave të kësaj shkolle. Duke sjellë dy mënyra të ndryshme mendimi për realizmin socialist nga dy studjues lindor dhe duke i referuar mbi tabllonë “Fëmijët” mund të arrijmë ta njohim këtë vepër nga një këndvështrim qendror. Studiuesi shqiptar Jakup Mato thekson se: “…Me zhvillimin e arteve dhe të letërsisë së realizmit socialist u grumbullua një përvojë e re artistike, e cila, e studiuar nga pozitat e botkuptimit marksist-leninist, përbën një faktor të rëndësishëm objektiv për të nxjerrë përfundime shkencore për kuptimin e novatorizmit dhe të traditës...” nga kjo shprehje zbulojmë se realizmi socialist ishte bazë burimore e novatorizmit apo shkak i lindjes së një imazhi të ri artistik të ideologjizuar? Historiani i artit, bashkëkohës bullgar Jordan Avramov thekson se “…Është i lexueshëm primitiviteti dhe anakronizmi i plotë i formës dhe i paraqitjes së artteve figurative, të cilat janë të huazuara nga repertori i akademizmit, por të një akademizmi të vjetëruar, shpesh herë i kufizuar…Rregullat zbatohen rreptësisht gjatë skicimit të ngathët në kopjimin e modeleve të natyrës…shkohej drejt ndjekjes së re dhe të nënshtruar ndaj piktorëve sovjetik të realizmit socialist, …drejt një klasicizmi pompoz dhe falsiteti…” nga ky kontekst kuptojmë të kundërtën, madje dhe të vërtetën, kur shohin artin e pllakatit, artin butaforik të ideve të mëdha, artin e egër revolucionar. Po të vëzhgojmë me interes kërkues në tabllonë e radhës dhe po ta ndajmë në dy pjesë gjeometrike drejtëkëndore, duke e vijuar ndarjen me një linjë horizontale paksa më lart se mesi i saj do të shikojmë se në drejtëkëndorin e parë lart brendashkruhet një pejzazh godinash në ndërtim dhe parrullat “PPSH” dhe “Lavdi Marksizëm Leninizmit” dhe që sinjifikon një gjini të pejzazhit industrialndërtimor brenda sipërfaqes së një dydimensionali, që duket sikur nuk ka lidhje aspak me pjesën e poshtme, por që referon atë çka kjo e fundit do të na tregojë. Në drejtëkëndorin poshtë do të zbulojmë disa fëmijë dhe objektin qendror të tabllosë, pushkën. Në tabllo janë pikturuar tri pushkë, por ajo që të tërheq vëmendjen është ajo e vizatuara në tokë dhe vështrimet e fëmijëve në qendër të saj. Duket sikur fëmijët po luajnë, por janë kaq të ngurta pozicionet e tyre saqë ta shmangin këtë ide dhe të lind pyetja se: “Pushka është simboli i ëndrrës së lodrës më të përzgjedhur të fëmijëve shqiptar në komunizëm apo janë përdorur dhe fëmijët për të dhënë “idenë e madhe” të komunizmit se i gjithë populli është ushtar në mbrojtje të komunizmit?” Në një mendim të shpejtë ky fakt të trondit tej mase. Është një subjekt shumë i rëndë, i pikturuar ashpër, për të cilin mendoj se kam disa arsye në formë pyetje. Personazhet e pikturuar janë fëmijë apo “kukullat” e fantazuara sipas novatores së realizmit socialist, që edhe fëmijët ishin ushtarë të bindur të socializmit? Në se atyre iu zhveshim petkun narativ, tregimtar dhe të stisur si vajzës me revistën e politizuar “Fatosi” a do t`ju dukej portreti i saj i një vajze të mitur? Po, parakrahët e djalit partizan, që ëndërron pushkën, ku e kanë ndjesinë e ngrohtë dhe të butë të një djali 5 po 6 vjeçar? Dhe më problematikja, vajza që mban pushkën supit dhe ka hedhur një vështrim përçmues, mendoni se ka psiko-fizikun delikat, foshnjor, të butë, prekës dhe të qumësht të një fëmije lozonjar? Le të vështrojmë më thellë. Në tabllo kemi dhe disa objekte të tjerë revistën, kovën dhe lopatë si dhe kamionin. Objektet bashkë dhe fëmijët e veshur si punëtor, si partizan dhe ushtar, natyrisht që nuk janë fëmijë që luajnë, por janë “kukulla butaforike” të fantazuara, që përmbledhin shprehjen e parrullës që stis ideologjia e metodës së realizmit socialist dhe që ekzekuton artisti tek pjesa e poshtme e tabllosë “Punë, Edukim, Mbrojtje”. Kjo e bën veprën narrative e përshkruese edhe pse impakti i saj i përgjithëshëm të tërheq, hedhja e dritës të ngazëllen, tregimi figurativ i sfondit të imponohet, por nuk i jep shkas as formës realiste të bulëzojë, pasi ideologjia në vepër është shumë e fortë dhe ballanca rëndon kah subjekti socialist. Kjo e bën mëse të vërtetë idenë e Avramovit mbi realizmin socialist, kur flet bindshëm për një akademizëm të vjetëruar, për një skicim të ngathët në kopjimin e modeleve të natyrës dhe për një falsitet...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora