E premte, 19.04.2024, 02:24 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: “Urgjenca” e turpit

E premte, 18.04.2014, 08:05 PM


“Urgjenca” e turpit

ose

“Urgjenca” lyp ndërhyrje urgjente

Nga Vangjush Saro

Nuk kisha qenë ndonjëherë në Urgjencën e QSUT-së; kam dëgjuar se shumë kohë më parë, ka qenë edhe më e mjerë, por ajo në mjerim notonte sërish. M’u desh të shoqëroja një të afërm dhe le ta themi pa doreza, ato dy orë atje mezi i kam shtyrë; madje jo vetëm kaq. Lus Zotin të mos kthehem më për asnjë arsye, për të tjerë apo për vete. Do të dëshiroja gjithashtu që edhe qytetarëve të tjerë t’iu binte rruga sa më pak andej pari…Nuk di nga t’ia nis këtij rrëfimi të vështirë. E para, qëlluan këto dreq Ditë të Plakave dhe aty, në sallonin e pritjes - ai vetëm i tillë nuk mund të quhet - ishte ftohtë. Me sinqeritet, nuk e di ç’bëhet atje në dimër e në vjeshtë (!)

E ashtuquajtura Zyrë e Pritjes apo e Këshillimit, nuk ekzistonte. Njerëzit e gjenin vetë ç’duhej të bënin. Dhe as që prisnin ndonjë radhë. (Ashtu siç e kemi parë gjetiu apo siç na e tregon në kinokomedinë e tij komiku i famshëm mister Bin). Njerëzit hynin e dilnin, shkonin e vinin kuturu; sa vetë, sa duke mbajtur për krahësh të afërmit; e gjithë kjo nëpër një si labirinth me kthina e kthesa e korridore, që edhe infrastrukturën e informacionit e kishte tejet të “kursyer”, të prapambetur dhe qesharake. Kjo urgjencë, sot për sot, mund të quhet thjesht “Urgjenca e Turpit”. Atje, edhe nëse je i shëndoshë, mund të sëmuresh. Kaq, besoj, e përmbyll këtë episod të parë.

Dikush mund të më bëjë thirrje të mos e teproj. Nuk e kam zakon, por veç të ulërish; atje kishte vetëm një banjo (WC) për burra e gra. Një portë (haleje) për burrat dhe një tjetër për gratë. Dhe ato (banjot) ishin dhe rrinin tërë kohës të ndyra. Mjerë kujt i binte rruga andej! Dhe vërtet; me lejë, o zotëri, por kush mund të shkojë më parë në një banjo të tillë të vockël e groteske: të sëmurët që sapo kanë bërë një gjilpërë për nxitjen e urinimit, të sëmurët që presin radhën te stolat e metaltë e për faqe të zezë, ata që i shoqërojnë të sëmurët, roja, ndonjë i rastësishëm…Nuk ka maskarallëk më të madh që në një repart urgjence të ketë vetëm një të tillë banjo. Turp për ata që e kanë projektuar, turp për ata që pallën sa mundën se do ta nxirrnin shëndetësinë nga mjerimi, turp edhe për vetë institucionet dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Mund të sjell edhe të tjera episode, mbase edhe më konkrete e të prekshme nga ajo natë; dhe kjo duhet bërë për të treguar se nuk jam i ngeshëm të merrem me përshkrime sentimentaliste dhe as i prirur të pasqyroj një tablo të përkeqësuar. Pra nuk i shkruaj këto fjalë pse kam pasur rastin të shoh, në vende të tjera, mjedise të përngjashme për nga qëllimi, por krejt ndryshe për nga mobilimi dhe funksioni. Nuk e zura goje një gjë të tillë, për të mos bërë asfare snobin. Në bindjen time, ne shkruajmë që njerëzit përgjegjës të kuptojnë ç’po ndodh, sa ndryshim po vërehet dhe si mund të shkojmë më tej. Me sa ofron ajo urgjencë, me kushtet dhe shërbimin që pashë unë, nuk bëhet fjalë për progres. Ambicja, por në fakt detyrimi për përmirësimin rrënjësor të këtij shërbimi, përballja reale me nevojat e njerëzve, më në fund rikonceptimi teknikisht e profesionalisht i Urgjencës, këto gjëra pothuaj elementare duhet të jenë përparësi për instancat dhe vetë personelin. Po vazhdoj duke ofruar për lexuesin e nderuar, si thashë më lart, edhe disa episode konkrete.

Kështu pra, pashë atje një djalë të ri, të cilit ia bënë gjilpërën përmbi një tavolinë, ndërsa gjindja përqark shikonte mollaqet e tij dhe ndërkohë, doemos, u skuq i tëri i shkreti njeri. Pashë një grua që rrinte në karrige; atje i përgjigjej mjekes, atje ia bënë gjilpërën, atje ia matën dhe ia rimatën tensionin…Dhe aparaturat në ato kthinat e mjera, të zëna të gjitha, dukeshin shumë të varfëra. Dhe tek-tuk, ndonjë i afërm shkonte të blinte ndonjë gjë që i mungonte Urgjencës së Turpit. Ndërkaq, që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, mund të them se nuk kërkoi njeri bakshish dhe nuk më dukej se personeli përpiqej “të shikonte nga duart” pacientët dhe të afërmit e tyre, që i shoqëronin. Po ashtu, nuk e kam tagrin të flas se sa të aftë ishin ata që shërbenin. Por pajisjet, kushtet, teknika, vetë kompozimi i asaj ngrehine, ishte pa karakter, jashtë funksionit të cituar dhe në një anarshi totale.

Besoj, drejtuesit politikë dhe ata profesionalë të shëndetësisë dhe të asaj qendre, kanë mirësinë të kuptojnë se janë shumë larg shërbimeve të ngjashme në vende të tjera. E përsëris edhe në mbyllje të këtyre radhëve. Nuk shkruajmë për bujë e për të përplasur diku inate e pakënaqësi. Por ata që drejtojnë, i dinë më mirë se kushdo ato për të cilat nuk fola, ngase mjaftoi tabloja jonë vajtimtare, mbi të cilën duhet vënë dorë sa më parë dhe me seriozitet.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora