Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Charlie Chaplin, gjenialiteti i një komiku

| E merkure, 16.04.2014, 05:52 PM |


Charlie Chaplin, gjenialiteti i një komiku

Nga Albert Vataj

Sot 125 vjet më parë lindi Charlie Chaplin, një prej personazheve më të rëndësishme të filmit pa zë. Komiku më i spikatur dhe pantomima më therëse që kishte shpuar ndërgjegjen e një gjenerate. Loja, karakteret dhe personazhet që jetësoi ai ishin dhe mbeten emblematike në historinë e kremtimit të vlerës dhe shëmbëllimit të një botëkuptimi që guxonte të ngrihej kushtrueshëm kundër një sistem të kalbur.

Regjisori dhe aktori anglez Charlie Chaplin 16 prill 1889 - 25 dhjetor 1977 ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili i kushtoi gjithë jetën për t'i bërë njerëzit, jo vetëm të qeshin por edhe të mendojnë.

Kur bota vuante pasojat e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz gjetën shpresë në filmat e tij, edhe pse pas komikes së tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror të drejtuar nga kritikë të filmit, Çaplini votohet si aktori më i madh i historisë së kinemasë.

"Në çastin që bleni një biletë, ju papritur ndodheni në një botë tjetër" - shprehej Çaplini. Shfaqja tek ai, nga zbavitje e rëndomtë shndërrohet në art.

Ai i dha komedisë një frymë të re në një kohë kur paniku i pasluftës, fashizmi dhe depresioni ishin pjesë e jetës, në Evropë dhe Amerikë. Ndërsa jeta e tij pas ekranit ishte e tronditur, dhe ndoshta ky ka qenë shkaku i frymëzimit të thënies së famshme së "Jeta është një tragjedi kur e sheh me lupë dhe komedi në rrjedhën e saj."