E diele, 15.12.2019, 12:31 PM (GMT)

Kulturë » Kinema

Sejfulla Myftari

E hene, 30.01.2006, 06:41 PM


Cekja: Kam qenë një fëmijë shumë trazovaç

Cekja
Sejfulla Myftari, ose Cekja, siç quhet ndryshe, (përshkak të emrit të një roli që ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve), aktualisht është humoristi më aktiv dhe më i adhuruar nga shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nuk ka telekomedi dhe ambient artistik në këto 15-vitet e fundit, ku flitet për humor dhe të mos jetë i pranishëm gjigandi i humorit nga Berati. Në këtë intervistë, Cekja tregon, se ku do ta festojë Vitin e Ri, me çfarë do të paraqitet para publikut shqiptar, si u njoh me bashkëshorten, çastet më të vështira në jetën e tij dhe përse i’a mbath me vrap sa herë i afrohet ndonjë femër për t’i kërkuar autograf, apo për të bërë fotografi me të.

Ju shoh me të mëdhenjtë e skenës së humorit, Koço Devole, Muharrem Hoxha, Aleko Prodani dhe me disa humoristë të tjerë të shquar. Po përgatiteni për të dhënë së bashku një koncert për Vitin e Ri?
Po përgatitem për koncertin e madh të Vitit të Ri me Radio-Televizionin Publik Shqiptar, ku do të marrin pjesë aktorët më me zë të Shqipërisë, si Koço Devole, Nebi Malko, Muharrem Hoxha dhe disa humoristë të tjerë të shquar. Do të shfaqet në ekranin e TVSH-së në mbrëmjen e Vitit të Ri dhe me 1 janar 2006. Në këtë koncert të madh do të ketë këngëtarë dhe artistë shumë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare.
Ndërkohë, që unë të prisja për intervistë, një fanse e çmendur pas jush bëri një fotografi me ju. Kjo tregon që keni më shumë fanse femra?
(Qesh). Më pëlqen shumë pyetja që bëni, pasi fanset e mi më shumë janë femra, por, kohët e fundit i kam tmerr femrat. Sa shoh një femër që më afrohet i’a fus vrapit.
Mos kjo tregon që femrat ju kanë futur në sherr me gruan?
Inati im për femrat ka nisur disa kohë më parë. Ka lidhje me një ngjarje që më ka ndodhur në një lokal të bukur në Berat. Nuk po e them emrin e lokalit, por, në këtë lokal, po pija kafe bashkë me 5-6 aktorë të humorit. Në një tavolinë afër nesh ishte një femër me një person, punë e tyre, por, të nesërmen mua më thërrasin në Lushnje si dëshimitar. Policia, pasi kishte arrestuar djalin dhe femrën e lokalit ku isha unë, kishte pyetur për personat në lokal dhe ajo femra për të shpëtuar kishte përmendur emrin tim, me shpresë së meqë isha artist mund të shpëtonin edhe ata. Por, ndërkohë ju deklaroni se sa shihni një femër i’a fusni me vrap, nga ana tjetër, kur femrat ju kërkojnë fotografi, pranoni me gjithë dëshirë. Kjo tregon që Cekja nuk ka nxjerrë mësim nga pësimet? Nuk vazhdoj të vë mend, megjithatë vajza që kërkoi të bënte fotografi me mua është nga vendlindja ime, nga Berati, kështu që jam i mbrojtur dhe nuk mund të kem asnjë problem me policinë.
Fakti që shumë femra të kërkojnë fotografi dhe autografe tregon që keni gjakun e ëmbël?
Kjo, është mëse e vërtetë, por mendoj se krahas gjakut të ëmbël, jam dhe shumë i komunikueshëm dhe i besueshëm te njerëzit. Di të sillem me njerëzit. Ndonëse në ndonjë rast e kanë shfrytëzuar sinqeritetin tim. Një gjë ka rëndësi për mua, që njeriu të jetë i pastër në shpirt, të jetë me zemër të gjerë dhe të ketë familje të shenjtë.
Ku ishe fëmijë të rrihnin mësuesit për të qeshurat që shkaktonit në klasë?
Më rrihnin shumë. Kam qenë më trazovaçi dhe shakaxhiu i shkollës. Fëmijërinë e kam kaluar në Përmet dhe mbaj mend që mësuesi i biologjisë më kapte për veshi bashkë me fijen e flokut dhe derisa të kërciste fija e flokut nuk ma lëshonte veshin.
Si ka nisur rruga juaj drejt humorit?
Krejt rastësisht. Humorin e kisha pasion që fëmijë. Fillimisht jam aktivizuar në Shtëpinë e Pionierit, më pas në Shtëpinë Oficerave, pasi babain im ishte oficer. Kur mbarova klasën e 7-të, shkova në Poliçan, ku për 3-vjet në Uzinën e Poliçanit u aktivizova fuqishëm. Largohem nga Poliçani dhe për për 3-vjet punova me Estradën e Ushtarit, me Zef Dedën, me Koço Devolen dhe me një plejadë shumë të fuqishme aktorësh. Estrada e Ushtarit për mua ka qenë një universitet i madh. Pasi u largova nga Estrada e Ushtarit kalova në Berat, ku vazhdoj të jem edhe sot në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, qw e kam shumë për zemër, e dua shumë dhe nuk lëviz nga ky qytet. I kam premtuar një koncert shumë të madh në stadium në prani të 10-mijë vetave
Keni rënë shpejt në gracën e martesës?
Kam rënë shumë herët. U martova shumë shpejt, ime shoqe quhet Drita.
Gruaja, ju ka vënë ndonjë herë në siklet të madh?
Sikletin më të madh ma ka krijuar kur më ka xhiruar me kamerën e fshehtë, që sigurisht e keni parë. Kjo shaka e gruas sime, është shumë e rëndë, nuk e bën kushdo në familje filmime tw tilla, por duke ditur mentalitetin e gruas që është e mrekullueshme dhe aspak xheloze, ia kam bërë hallall gjithçka.
Keni interpretuar me femra të bukura, gruaja ju ka shfaqur xhelozi?
Ndonëse kam interpretuar me femra të bukura dhe kam bërë reklama me mise, në asnjë rrethanë, gruaja nuk ka ushqyer xhelozi për mua. Nuk është fare xheloze, ndaj jam shumë i kënaqur me familjen dhe me time shoqe.
Fëmijët tuaj merren me humor?
Goca e madhe ka pasur shenja humori, ka qenë edhe këngëtare, por martesa e shpejtë e ka larguar nga ky pasion. Kam dy goca, i kam të martuara, ndërsa çunin e vetëm e kam në gjimnaz.
Cili është momenti juaj më i keq?
Momenti im më i keq, është kur theva këmbën dhe kur më ndodhi aksidenti ku shtypa një person.
Cila është thënia më e rëndë që keni dëgjuar për Sejfulla Myftarin?
(Qesh). Kur kam dëgjuar të thonë: “Cekja dyshohet për trafikant”.
Keni realizuar shumë role dhe telekomedi, i mban mend të gjitha?
Nuk i mbaj mend rolet, por, telekomeditë kapin shifrën 24.
Të pëlqen kur të thërrasin me emrin tënd, apo me emrin e personazhit?
Kur më thërrasin me emrin tim, por edhe me emrin e personazhit, kjo tregon që personazhi im ka lënë gjurmë tek telespektatori. Zakonisht, më thërrasin më shumë me emrin e personazhit. Përshembull, “Hyp xhixhi”, Cekja, etj. Shumë njerëz më njohin si Cekja. Madje, dikur, isha i ftuar si humorist në Pallatin e Rinisë në Durrës. Në afishe ishte shkruarr: I ftuar Sejfulla Myftari, ndërkohë që shumë njerëz më njihnin si Cekja. Njëri nga këta pyet: -Cili është ky Sejfulla Myftari”, pasi nuk e kam parë ndonjëherë të bëjë humor”. Tjetri që ishte në krahë të tij i tha: -Është Cekja i Beratit. -Aaa, ulëriu ai. Cekën e njoh, por këtë Sejfulla Myftarin nuk e njoh.
Pothuajse në të gjitha telekomeditë tw shfaqura në 15-vitet e fundit spikat emri dhe interpretimi juaj i shkëlqyer, kjo peridhë e gjatë dhe këto role të mwdha të kanë lodhur shumë?
Më kanë lodhur shumë. Nëse të tjerët lodhen 50 përqind, unë lodhem 150 përqind. Në disa raste, dua të çlodhem, por nuk mundem, pasi marr oferta për role të reja. Nuk kam përse ta fsheh, por, humori im është shumë i kërkuar nga televizionet dhe studiot private.
Pra, mendoni që humori për ju, është si malli për tregtarin, është biznes?
Padyshim që edhe arti është biznes. Duhet t’i marrësh paratë një tregtari që të xhirosh.
Kam dëgjuar të thonë, që Cekja është humoristi më i paguar në Shqipëri dhe është bërë një bos i madh?
Përsa i përket pagesës, sinqerisht jam shumë mirë, jam i paguar dhe jam krenar për këtë. E thashë pak më parë, që askujt nuk i hapet barku për Cekën, apo për dikë tjetër që të japi para për të xhiruar. Këtë nuk e bën asnjë tregtar, apo biznesmen, nëse kaseta nuk ecën në treg. Kur kaseta ime ecën, atëherë tregtari, pa mbaruar kaseta e parë, më thotë: -“Aman Ceke, vrapo për kasetën e dytë”. Nëse kasetat me humor që bënë Cekja nuk ecën atëherë tregtari nuk të jep asnjë kacidhe, për xhirime të tjera. Unë jam shumë mirë, kam një shtëpi shumë të mirë në Berat, një në Pogradec, një në Sarandë dhe çdo gjë e kam me punën dhe me djersën time.
Sa kaseta xhironi në vit?
Xhiroj 3-4 katër kaseta në vit.
Kur njerëzit të shohin në ekran, thonë: -“Lum Cekja, u kënaq”, në fakt, më shumë kënaqeni, apo lodheni?
Një intelektual, apo një artist nuk e shikon në këtë mënyrë. Çdo punë ka vështirësitë e veta. Të bësh një telekomendi do shumë punë dhe mund. Do të djersitësh ditën e natën, në shi e në të ftohtë. Pra, është një punë e lodhshme dhe nuk është aq e lehtë, siç mund të kuptohet nga njerëzit. Ka raste që për një minutë xhirime rrimë 8-orë, ose 3-4 ditë dhe nuk mund të xhirojmë fare.

Sot

Gruaja është llotari

Humoristi rrëfen për njohjen me bashkëshorten, duke pohuar se ka qenë me shumë fat

I qethur zero dhe i veshur mjaft sportive, e shohim të ecë nëpër rrugët e kryeqytetit humoristin e njohur beratas Sejfulla Myftari, apo siç jemi mësuar ta thërrasim, Cekja. E shohim të shoqërohet nga bashkëshortja e tij dhe njëra prej vajzave. Nuk bën as një hap të ulet të pijë kafe, shqetësohet nga gazetarë që s’e lënë rehat për qejfin e tij, në një nga lokalet e metropolit, që ai e viziton shpesh, edhe pse nuk pranon të jetojë këtu. Pa shumë hezitime e lë kafenë përgjysmë për të dhënë intervistën dhe me modesti shprehet se nuk ka çfarë të thotë, ndërsa e di mirë që kur përmendet emri Cekja, të gjithë ngrenë veshët dhe presin padyshim diçka prej tij. Tregon se sot fluturon drejt Londrës, e më pas e pret një tjetër turne drejt Bostonit. Tregon se si është njohur me bashkëshorten e tij dhe se sa xheloz ka qenë në rini të vet.

Diçka për veprimtarinë tuaj artsitike me se po merreni aktualisht?

Sapo mbylla filmin “trapi i vjetër”, i cili do të vazhdojë serialin në shtator. Ishte një telekomedi me 7 seri, që u dha nga “Vizion Plus” “Nesër nisem për në Londër. Atje do të kemi katër koncerte në qytete të ndryshme të Britanisë. Është një ftesë, të cilën na e kanë bërë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Londër. Në muajin shtator, me këngëtaren e muzikës popullore Valbona Mema, do të jem në Boston të SHBA. Ndërsa pjesa tjetër më ngelet të pushoj në Shqipëri.

Cilët artistë do të marrin pjesë në këtë turne?


Janë të ftuar Valbona Mema, Mariza Ikonomi dhe Elida 5. Sapo kemi marrë dhe vizat dhe jemi gati për këtë koncert.

Me që jemi tek pajisja me viza turistike, a keni hasur ndonjëherë probleme apo pengesa në marrjen e vizave?

Unë personalisht nuk kam pasur probleme të tilla. Më janë dhënë dhe në mënyrë urgjente dhe pa i kontrolluar fare, sidomos në Ambasadën Amerikane, sa paraqita pasaportën mora dokumentet, po kështu edhe në ambasada të tjera.

Çfarë do të përmbajë koncerti nga repertori juaj i humorit?


Kryesisht do të jenë pjesë të humorit tim, që ne i kemi përzgjedhur.

Meqë jemi në kohë vere, ku keni menduar t’i kaloni pushimet verore?

Pushimet verore si gjithmonë i kaloj në qytetin e Pogradecit. Kam blerë një shtëpi timen atje dhe shkoj çdo vit. Më pëlqen shumë liqeni dhe ndjehem mirë. Më pëlqejnë vendet e qeta larg rrëmujës dhe zhurmës së përditshme.

Aktualisht jetoni në Berat, a synoni metropolin apo nuk doni të largoheni nga Berati?

Jo se nuk më pëlqen Tirana, por më pëlqen më tepër të jetoj në vendin tim, të rri me shokët me miqtë e mi, me vajzat që i kam të martuara aty, nipërit mbesat, kam edhe një rreth të madh miqsh dhe shokësh, që nuk do të mundja të rrija pa ta.

Si e kaloni kohën e lirë?

Kohën e lirë e kaloj si gjithë të tjerët. Më pëlqen të jetoj në vende pa zhurmë. Unë kam një vend të bukur atje që quhet Bogovë, që është midis Skraparit dhe Beratit. Aty shkoj shpesh për fundjavë me miqtë e mi dhe familjen. Është edhe liqeni që më pëlqen shumë.

Ju keni interpretuar shumë role, kë o të veçonit apo do të kishit nostalgji për të interpretuar përsëri?

Unë do të veçoja tragjikomedinë “Një baba tepër”, me skenar të Arjan Çuliqit. Një tragjikomedi, kur çdo ditë na lind një baba tepër. Këtu është dhe një fenomen, si braktisja e prindit, gjë që dihet se gjithnjë e më tepër vihet në dukje. Ky është një nga filmat më të bukur për mua, sepse është tragjikë dhe komike bashkë. Është një rol i mrekullueshëm, një shans që të jepet një herë dhe mua m’u dha. Ishte një realizim shumë i mirë, dhe që është pëlqyer nga publiku. Për mua ngelet filmi më i arrirë.

Ju udhëtoni shpesh në vende të ndryshme të botës, kë vend do të zgjidhnit për të jetuar?

Absolutisht jo. Nuk do ta ndërroja vendin tim me asnjë vend tjetër në botë. Në çdo vend që shkoj, unë në të qindtën e sekondës jam në vendin tim. Ne beratasit kemi një shprehje që thotë: “rosaku vete ku vete e ka kokën në pellgaçe”, dhe unë nuk e zëvendësoj qytetin tim me asnjë qytet të botës. Humori bëhet këtu, nuk bëhet atje.

Diçka për bashkëshorten tuaj…

Bashkëshortja ime është e thjeshtë, shtëpiake. Gjëja e parë e mirë që ka është se nuk është xheloze, gjëja më e madhe dhe fat për mua. Dihet që gruaja është llotari, mua më ka rënë numri dhjetë. Jam vërtet i kënaqur.

Po ju a jeni xheloz për të?

Jo absolutisht që jo. Fillimisht po, pasi ka qenë shumë e bukur, shumë e mirë, shumë simpatike, pra, kur ka qenë e re.

Mund të na tregoni si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?

Jemi njohur në Berat, sapo ka mbaruar klasën e shtatë. Kemi qenë komshinj tek shtëpia e nënës time. Vëllanë e saj e kam pasur shumë shok. Kur erdhi me pushimet e shkollës aty erdhi edhe ajo, unë fillimisht ia propozova nënës time dhe kështu nisi. Kuptohet nuk qe shumë e lehtë, pasi të vëllanë e kisha shumë shok. Por në atë kohë ne ishim mirë, përsa i përket gjendjes ekonomike, kishim televizor, frigorifer, makinë qepëse. Kështu ka qenë atëherë, po të kishe këto, ishe derë e parë.

Çfarë pëlqen tjetër Cekja?

Muzika e lehtë dhe muzika popullore më pëlqejnë shumë, po kështu më pëlqen shumë dhe kërcimi.

Në përgjithësi artistët nuk ngelen të kënaqur nga ana ekonomike, po Cekja si ndihet në këtë aspekt?

Jam i kënaqur me jetën time, nuk i shtrij dorën askujt, jetoj normalisht. I pasur nuk bëhem kurrë, se pasuria është trashëgimi, por jam shumë i kënqur dhe këtë arritje ia dedikoj vetëm punës time. Gjithë kjo karrierë më ka krijuar një gjendje ekonomike të mirë.

Mendoni se humorin e keni të trashëguar nga ndonjë i afërmi juaj, apo e keni thjesht pasion?

E kam të trashëguar nga nëna ime që quhet Razia, e cila mbahet për shumë humor dhe batuta.

Gazeta Dita 16 Tetor, 2005

 

Flet aktori i njohur i humorit, Sejfulla Myftari

“Politikanët, humoristët më të mirë të Shqipërisë”

Jonida Plaku

Eshtë mësuar tashmë me të qenin në qendër të vëmendjes, por akoma emocionohet përpara ndonjë interviste. Teksa flet i shpenguar në një lokal, diku në qytetin e Beratit, Sejfulla Myftari, apo siç e njohin të gjithë Cekja, megjithatë pranon të bisedojë. I pëlqen kur njerëzit i flasin rrugës, apo thonë ndonjë batutë të tijën. “Për një aktor humori, të dijë se sa vlerë ka në karrierën e tij, kjo duket që në përshëndetjet e njerëzve, batutat që hedhin”, thotë Cekja me një ndjenjë të natyrshme humori.
E di Cekja që është i famshëm?
Për një aktor humori, të dijë se sa vlerë ka në karrierën e tij, kjo duket që në përshëndetjet e njerëzve, batutat që hedhin në rrugë. Në Maqedoni, kur isha para disa viteve më bëri përshtypje fakti që atje më njihnin dhe më donin. Në Strugë pritja ishte e rrallë. Lajmi “Ka ardhur humoristi prej Shqipnie”, u përhap aq shpejt sa që tek klubi ku qëndroja më rrethoi një grumbull shumë i madh njerëzish që më detyroi që të dilja në një si shesh dhe të luaja diçka nga repertori im.
Dini ta krijoni shpejt skenën, përshtateni, improvizoni?
Natyrisht, aktori humorist është më praktik, më jetësor, më i pranueshëm, megjithëse humori është një gjini e vështirë. Dramën e bën gati çdo njeri, por humorin nuk e bën çdo person.
Sipas jush ka të dhëna për t’u bërë humorist gjithkush që bën shaka me njerëzit?
Njerëzit që bëjnë humor aty për aty komunikojnë vetëm me një rreth të ngushtë njerëzish, si miq e shokë, por nuk nxjerrin dot gjë në skenë. Është gjë tjetër që të bësh humor në skenë.
Po kokën pse e qethni zero? Hyn edhe kjo në rol apo për snobizëm?
Koka qethet për disa arsye: Për t’i rezistuar mungesës së ujit. Këta kanë nja pesë vite që po flasin për një projekt të KFV-s gjermane që Berati të ketë uji 24 orë, por nuk ka gjë, vetëm llafe. E dyta, kur qeth kokën time më duket sikur qeth partitë politike e ato do zoti si fara e hithrës apo si ajo ferra që kur i këput kokën çojnë nga dy a tri bijëza. E treta, ndihem më i lirshëm. E katërta për arsye roli. E nisa që tek roli i Xhixhit, tek roli i doktor Zeqo Pilafit dhe vura re që koka e qethur më shkonte me karakteret.
Sa të paguajnë për një rol, apo është sekret?
Jo, nuk është shumë sekret se ca gjëra dihen. Ja të marrësh 25 000 lekë për një telekomedi një orë e 20 minuta, ia vlen? Kjo punë ka kërkuar mbi një muaj punë në xhirime me shumë sakrifica.
Nuk gjeni sponsor për filmat që bëni?
Sponsorët nuk zihen kollaj. Ata në më të shumtën sponsorizojnë politikanët se atje e nxjerrin atë që japin me tendera. Cekja me shokë bëjnë humor e jo tendera. Por mos ta mohojmë se ka edhe dashamirës, por pak gjen sponsorë në këto punë.
Telekomedinë, ashtu si edhe Roland Trebicka i keni fort për zemër. Pse nuk luani bashkë?
Fakti që unë dhe Rolandi nuk luajmë bashkë nuk varet nga ne, por nga regjisorët. Zakonisht, unë luaj me realizimet e Arian Çuliqit që është edhe skenarist, ndërsa regjisori i Trebickës në rastin që thoni ju është Pali Kuke.
Ju jeni vetëm interpretues i rolit apo edhe krijues?
Krijimtaria ime nuk është edhe aq në letra sesa në skenë. P.sh vetëm shprehja “Yp Xhixhi”, që është kthyer në batutë nuk ka qenë në skenar.
Domethënë improvizoni në role?
Në qoftë se aktori humorist nuk improvizon bie në stampa, në klishe, ngurtësohet.
Sipas teje roli e dëmton pamjen, apo pamja rolin?
Humori është dhunti dhe nuk e dëmton pamja, por ajo i jep kripën e piperin. Aktori është elastik.
Beson aktori i humorit në rolin edukativ të humorit?
Ajo që nuk mund të thuhet seriozisht mund të thuhet me të qeshur. Qëllimi i humorit është që edhe të shpotisë edhe të sensibilizojë. Por ndjeshmëria varet nga natyra e njerëzve dhe e shtetit.
Cili është mendimi juaj për jetën artistike në Berat?
Berati është qytet me njerëz artdashës, por ka një fatkeqësi tjetër; ikjen masive të qytetarëve dhe artistëve. Kjo ka edhe arsyen e vet, se edhe jeta artistike është e vaktë.
Ju do ta linit skenën nga varfëria?
Baaah! Ç’ është ajo fjalë?! Po rri dot peshku pa ujë.
Çfarë domimon në varfërinë kulturore institucionale, mungesa e fondeve apo mungesa e dëshirës për të zhvilluar artin?
Që të dyja, po më shumë e dyta.
Krahasuar me fusha të tjera të jetës, mendoni se edhe humori kalon krizë, apo kriza e fushave të tjera shënon kulmin e humorit?
Arti në tërësi është në krizë. Për humorin lënda e parë është pa hesap, por duhet fabrika që ta përpunojë dhe ana financiare. Si puna e atyre domateve që ka prodhim, por nuk bëhet salcë se nuk ka fabrika, sepse edhe tregu mungon. Humori është si gjysmë të gatshmet që përgatitet në çast. Në një vend të varfër ka humor, sepse varfëria pjell çdo gjë e humori ekuilibron gjërat.
Mendoni se politika nuk u duhet artistëve?
Politika jo, por politikanët u duhen shumë se janë figura shumë të mira dhe shumë interesante për publikun, që kur i shikon në realitet i merr seriozisht dhe kur i shikon nëpërmjet artistëve gajaset me ta.
Po ju pse nuk keni luajtur role politikanësh?
Se do ta pësoja si Koço Devole...
Politikanët shqiptarë i gjejnë batutat më shpejt, po ju Ceke mund të mësoni nga ata si artist?
Po vazhduan kështu do të na falimentojnë. Mjafton që të shikosh një seancë parlamentare dhe bindesh se janë humoristët më të mirë, madje edhe skenaristë...
Ju keni bashkëpunuar shumë me Koço Devolen. Tashmë që Devole erdhi nga Amerika keni plane për të punuar së bashku?
Me Koçon kam bashkëpunuar që herët dhe ia vlen të punosh me të. Që erdhi e di dhe isha i bindur se do të vinte, për arsye se nuk rri dot rosaku pa pellgaçe.
Cila është partnerja juaj më e kombinuar në skenë?
Është interesante të punosh me aktore femra, madje është e domosdoshme që të jenë në skenarë. Pranvera Veizi ka qenë më e preferuara, Mariana Kondi po ashtu. Gjithashtu, në disa komedi kam punuar edhe me aktoren fierake, Hajrie Rondo.
A keni ndonjë idhull apo model nga artistët e huaj?
Ben Hill është një nga ata. Megjithatë, çdo artist ka bukurinë dhe veçantinë e vet. Është si puna e një panairi lulesh, ku secila ka aromën dhe bukurinë e vet.
E dini se ngjani me aktorin francez Lui de Fine dhe a keni provuar që të luani koprracin e Molierit?
E di se mund ta luaj shumë mirë koprracin, por nuk më është dhënë mundësia në këta teatrot tanë magazinë karrigesh.

“Në rol nuk hyj kurrë i dehur”

Për të thonë shpesh se nuk futet në rol pa pirë më parë një gotë raki, por vetë Cekja, thotë se nuk e ngatërron skenën me jetën. Megjithatë, pohon se pas ndonjë tekeje bëhet më i këndshëm në lojën e tij. “Vërtet që po të pi pak bëhem i këndshëm, por në rol nuk hyj kurrë i dehur. Njerëzit nuk mund të më shohin veçse me syrin e skenës dhe të ekranit. Presin nga unë që gjithçka që nxjerr nga goja t’i bëjë për të qeshur”, thotë Myftari, duke shtuar se njerëzit nuk duan të shohin tek ai një Ceke tjetër.
“Jo, se ju gazetarët jeni të çuditshëm. Kur bëra një aksident në Poshnjë, shtypa një person e qëndrova në vend. Kur erdhën gazetarët më parë se policia, unë nga mimika e fytyrës pas asaj që kishte ndodhur u isha dukur se po qeshja”, përforcon aktori mendimin e tij, teksa shton se artisti duhet të jetë i të gjithë roleve dhe i besueshëm. “Ai duhet të kapë tipiken dhe ta kthejë në groteske, se ndryshe nuk do të ketë jetëgjatësi. Meritë është që krijimtaria të jetë e qëndrueshme, të mos jetë limonadë”.

TO - Gusht 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT