E enjte, 25.04.2024, 09:27 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Luftë e ashpër politike

E enjte, 10.04.2014, 08:04 PM


LUFTË E ASHPËR POLITIKE

PËR PUSHTET ARGATI

NGA KALOSH ÇELIKU

Burrat e Kombit i janë lutur Zotit ashtu siç u ka pasur hije: edhe në kishë, edhe në xhami. Rilindasët tanë jo të gjithë, edhe kur e kanë arritur kulminacionin e zemërimit me Perëndinë, nuk i kanë besuar Zotit (Allahut): Filip Shiroka, shahet me Adamin e Evën, shkaku tradhtorëve: njerz kanë le ma vonë/ Prej Kainit t’patynzonë,/ Qi ka mbytun vllan e vet… Çajupi, nuk i beson Zotit kur ia rrëmben Evgjeninë dhe djalin ia lë jetim pa nënë. Ose, hidhërohet pse e lindi Sulltanin, egërsirën me fytyrë njeriu. Vetëmse, qesharak është homazhi i Menduh Thaçit në Ditën e sotshme në mesin e varreve për Arben Xhaferin. Vetë Arben Xhaferi, nuk i besonte gjithaq Zotit. Përçudi, ky “mysliman” i madh (Menduh Thaçi), sot te këmbët e varrit të Arben Xhaferit bënë homazhe, i lutet Zotit për mëkate politike, apo për “presidentin mysliman”?! Haptas i thirrë në ndihmë myslimanët jo në xhami, por në vendvotime si në zgjedhjet e kaluara në Bit – Pazar me “Allahu Ekber”, kur i humbi zgjedhjet parlamentare. Besimtarët mysliman, i duken si dhentë e Ali Ahmetit dhe mendon t’i ndjellë me një homazh para varrit të Arben Xhaferit.

Arben Xhaferi për së gjalli, vërtetë ka bërë disa shkrime profetike politike e fetare. Dorën në zemër, meriton edhe duartrokitje për parashikimet e tia në politikën shqiptare. PDSH –ja si parti politike, për sa qe gjallë Arben Xhaferi edhe ishte faktor i rëndësishëm politik në IRJ të Maqedonisë. Kohë e rrezikshme, kur edhe nuk ishte aq lehtë të merret shqiptari me politikë. E sidomos, kur në mesin e partive politike shqiptare i ke me shumicë e pakicë të filtruar rrufjanët. Vendimet sekrete partiake janë përcjellë para kohe në polici: Rasti i Ladorishtit, “Ilirida” si projekt i dështuar shqiptar, Afera e armëve, listat me emra e mbiemra për ndihmë popullit të Kosovës. Provokimet e Bit-Pazarit, Flamuri Kombëtar në Gostivar, “Republika e Tanushës”, “Rasti i Brodecit”, Protestat politike me petk fetar, në Shkup dhe vrasjet e pazbuluara politike.

Shqiptari në çdo hap ka qenë i provokuar dhe spiunuar nga vetvetja, mashat shqiptare që i ka pasur dhe i ka me bollëk në mesin e partive politike shqiptare. Kurrë, deri më sot nuk ka bërë politikë madhore për Shtet shqiptar. Shkaku se, çdo gjë është përcjellur me besnikëri te “vëllezërit”, kundërshtari politik historik. I mençuri, edhe kur i ka ndihmuar aksionet e partive politike dhe individëve, i ka ndihmuar duke i ikur rrezikut, nuk ka dashur t’i përmendet as emri në mjetet e informacionit, nuk është nënshkruar në listë, e cila që të nesërmen ka përfunduar në polici. Gjithë veprimet politike, aktivitetet kultuore e “humanitare” dhe rruga për zgjidhjen e Çështjes shqiptare, nuk ka qenë e panjohur nga UDBA  Jugosllave. Policia i ka ditur demonstratat e studentëve të ’81 –shit, në Prishtinë. E kanë ditur përgaditjen e Luftës së fundit të Kosovës (1998) dhe atë të fundit në IRJ të Maqedonisë (2001), që në vitin 1993. Akuzë me të cilën në një “bisedë informative” më fajsonin si “kryesori” me njëzetë nënshkrime se, jam i dërguar nga Kosva që të veproj në Shkup. Dhe, çështjen e shqiptarëve dua të zgjidhë me luftë?!

Arben Xhaferi, vërtetë ishte koka e Partisë Demokratike Shqiptare. E. mbi të gjitha edhe politikan i mençur. Mu si sot më kujtohet një takim i “intelektualëve” (partizanë të PDSH –ës) në Teatrin e Kombësive, në të cilin më kishin ftuar edhe mua si Kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë. Shumica, dje bashkëthemeluesë të PPD –ës, sot aktivistë të PDSH –ës, drejtorë gjysmainstitucionesh kulturore e redaktorë nëpr Redaksi të “vëllazërim - bashkimit”. Nesër, një Zot e di në cilën parti politike?! Në atë takim “artistik”, kërkohej dorëheqja e Arben Xhaferit nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, gjoja se ishte i sëmurë duke dalë në opinion me një komunikatë në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë, në Shkup. E pash qëllimin e këtyre partizanëve të shitur politik, në Prizren pritej së shpejti të realizohet takimi i krahut  të Luftës me atë politik: Ali Ahmetit me Arben Xhaferin dhe Imer Imerin. “Intelektualët” e atëhershëm dhe të sotshëm si masha shqiptare ishin të ndërsyara nga qarqe të errta antishqiptare që mos të realizohet ai takim historik. Përinatë, nuk u pajtova me një propozim të këtillë dhe dështoi qëllimi i “intelektualëve” shqiptar. Qëllimisht, nuk i përmendi emrat dhe mbiemrat, i di unë si pjesmarrës i atij takimi “patriotik”, e dinë edhe ato vetë në atë takim vendimtar për popullin shqiptar. Nëse, atyre “patriotëve kuqezi” u mbetet hatri që nuk ua përmendi emrat, nuk ka problem, mund t’ua plotësojmë në të ardhmrn dëshirën në ndonjë shkrim tjetër me skenime faktografike. Me siguri, edhe kur do ta lexojnë këtë shkrim, do t’u kujtohet ajo kohë qorre që përpak po të ishte tërhequr nga skena politike e asaj kohe lufte Arben Xhaferi, do të na merrnin në qafë si popull. Interesant, po ato “intelaktualë” të zëshëm kokë më kokë nëpër çajtore me shkrime “ekskluzive” në mjetet e informacionit, sot janë strehuar krah për krahu nëpër partitë tona politike dhe nderohen me çmime të Shtetit “pëbashkët” për “flijime artistike”.

Arben Xhaferi në një emision televiziv ka thënë edhe një të vërtetë politike dedikuar Ali Ahmetit:  Unë do të përfundoj në politikë si Mithat Emini, ndërsa ti si Nevzat Halili. Politikani, që në vitet e para të ndryshimeve demokratike e kapi mashën e nxehtë, i cili për aq vite sa qe kryetar i PPD – ës, nuk fitoi asgjë nga politika. Përderisa, politikanët e tjerë shqiptarë në emër të popullit fituan shuma marramendëse të parave, banesa konforne e ndërtuan vila disakatëshe. Përmëtepër, gjatë asaj kohe të kryetarllëkut në parti, Nevzat Halili e shiti edhe një arë të babait. Në fund, shokët e ngushtë “ballistë” të partisë e shpallën të çmendur dhe ia rrëmbyen postin e kryetarit të partisë (Lëvizjes) së parë demokratike, në Tetovë. Asaj kohe e thirrën një shkrimtar anonim Oborri për të arnuar nje tekst drame për ta vanë në skenë në Teatrin e Kombësive në Shkup me një regjisor të klanit të tyre partizan të punësuar në teatër, që ende e mbanin gjallë në jetën kulturore - artistike pa diplomë regjisori me kryepersonazhin e “komedisë” (Harusha e malit), se gjoja shahet me fotografitë e Rilindasëve tanë në mur dhe lufton në skenë me Skënderbeun. “Komedi” e cila më shtyri në atë kohë ta shkruaj antikomedinë Zorra qorre (1994). Tekst i cili dy herë u përpoq të vihet në skenë, një herë në Kumanovë e herën tjetër në Strugë, por i ranë në gjurmë kulturofagët si personazhe të gjallë të asaj kohe në antikomedi dhe i ndrprenë provat duke e hequr nga skena.

Nuk shkoi shumë kohë, dhe vërtetë Arben Xhaferi, papritmas iku i sëmurë nga mesi ynë mu si Mithat Emini (sekretari i PPD –ës). Ali Ahmeti ende lundron në skenën politike, kutadish ndodhë edhe të përfundojë një ditë si Nevazt Halili. Koha do ta dëshmojë së shpejti edhe këtë profetizëm të Arben Xhaferit. Vetëm se, kurrë nuk i ka shkuar mendja për së gjalli ta parashoh Thaçin në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare (2014) duke iu lutur “Allahut” në mesin e varreve. Përbaltë për marketing politik një fytyrë të ndritur patriotike shqiptare siç ishte Arben Xhaferi, që nëse vazhdon edhe në të ardhmen me këtë demagogji politike – fetare duke e politizuar edhe Fenë Islame, ndodhë t’i çohet mga varri “myslimanit” me shpulla.

Realiteti historik, PDSH –ën Vetë i treti në një aktivitet politik prej 15 ditësh nëpër disa qytete të Zvicrës (1994) e sollëm në pushtet me vagonin e fundit të trenit ekspres Zhenevë – Shkup asaj kohe për ndryshime në politikën shqiptare: Themelimin e Universitetit të Tetovës me në krye profesorin e nderuar Fadil Sulejmanin. Institucion arsimi për të cilin një politikan teknefes i asaj kohe, dhëndërr i shqiptarëve tha, se: “ka lindur foshnjë e vdekur”. Megjithatë, pas ngjarjeve të ngritjes të Flamurit Shqiptar në Gostivar dhe Tetovë dhe burgosjen e kryetarëve të komunave shqiptare: Rufi Osmani me Alajdin Demirin dhe për shkak të përçarjeve të shkrimtarëve shqiptar me shkas gjoja “Ditët e Naimit”, nuk e kam dashur Arben Xhaferin si politikan. E sidomos, kur si Parti Politike me partnerin “strategjik” (VMRO – DPMNE) në pushtet, kur nuk pritej si “patriotë kuqezi”, hoqën dorë nga Universiteti i Tetovës. Papritmas, u pajtuan me themelimin e një Universiteti tjetër privat të Europës Juglindore (Shtulit) po në të njëjtin qytet (Tetovë) me qëllim që ta mbyllin këtë Universitet, themelet e të cilit i shtiu populli shqiptar me gjak. Veprime të njëjta politike si Nëna e tyre PPD –ja, që e polli kopilin dhe na e la natën pas dere me Fkultetin Pedagogjik, në Shkup. Histori tjetër më vete është ajo se: unë jam nënshkruar me emër e mbiemër në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar, e jo PDSH –ja duke përdhosur me vite simbolin e flamurit kombëtar shqiptar, shqiponjën dykrenare si simbol në flamurin partiak, vendi i së cilës në atë listë historike edhe sot e kësaj dite ka mbetur i zbrazët si dëshmi e asaj politike qorre shqiptare. Pasojat e atij nënshkrimi të asaj kohe të rrezikshme, unë i barti mbi shpinë edhe sot si shkrimtar, e jo PDSH –ja që ende bën luftë qorre për pushtet argati. Fajtori kryesor i atyre përçarjeve intelektuale dihet, ishte “vojvoda” Menduh Thaçi duke m’i ndërsyer pas shpine këlyshët e tij me zgjebe, por mos harrojmë: Arben Xaferi ishte kryetar i PDSH -ës. Arsye kjo, që në atë takim të “intelektualëve” (2001), reagova ashpër me një mospajtim historik. Thashë: Tashti, kur ju puthadorët “besnik” politik nuk e doni Arben Xhaferin si kryetar partie, unë e dua marrëzisht si politikan shqiptar dhe nuk e nënshkruaj komunikatën politike për dorëheqjen e tij nga kreu politik i PDSH -ës.

Qëllimi shkurtpamës i “intelektualëve” partiak trusakatë, dështoi keq atë ditë. Nuk shkoi as një javë  dhe Ali Ahmeti u takua me Arben Xhaferin dhe Imer Imerin, në Prizren. Marrëveshja e Ohrit u nëshkrua mes palëve në konflikt: asaj maqedonase dhe shqiptare. Marrëveshje historike të cilën e nëshkruan në prezencën e Shefave të NATO -S, Unionit Europian dhe OSBE -së, kryetarët e partive më të mëdha politike: Lupço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski nga ana maqedonase dhe Arben Xhaferi me Imer Imerin nga ana shqiptare, në Shkup (2001).

Punë tjetër është se, ajo Marrëveshje historike në “liri” eci me këmbë të breshkës. Shqiptarët i ndjek i njëjti fat historik: Luftën e fitojnë maleve, por e humbin në tavolinë, paqe. Marrëveshja e Ohrit, edhe pas trembëdhjetë viteve në skenën politike të “bashkëvetëqeverisjes” me partitë politike maqedonase në Shtetin e “përbashkët”, nuk është realizuar plotësisht edhe sot e kësaj dite.

Shkaku: shqiptarët edhe sot si dje me palën maqedonase i ndajnë lugët e enët. Shtëpinë dhe arat ia kanë lënë “Vëllait” të madh (palës maqedonase). Turren me të katra pas posteve politike dhe interesave personale në kurriz të popullit shqiptar. Pakgjë ka ndryshuar nga politika e djeshme shqiptare e “vëllazërim-bashkimit”. Partitë Politike Shqiptare ulen gju më gju me popullin shqiptar, vetëm kur u duhet vota e tyre e lirë “demokratike”. Vite me radhë e blejnë dhe e shesin lirë popullin shqiptar si zarzavate kopshti për pak pare, në Bit – Pazar.

Luftë e ashpër bëhet me të gjitha “armët më moderne” luftarake mes partive politike shqiptare për të ardhë si argatë në pushtet, e jo për t’ia rrëmbyer pushtetin palës kundështare politike maqedonase. Jetën e argatit vazhdojnë në Qeveri, herë njëra parti politike shqiptare e herë tjetra si “çlirimtare” me selitë e tyre nëpër katunde.

Fatkeqësisht, siç duket shqiptarët bëjnë luftë për të qenë argatë të përjetshëm e jo pronarë të Shtëpisë. Ende, edhe pse natë e ditë i luten Zotit në xhami, nuk e kanë kuptuar thënien profetike të Muhamedit a. s. se: “pa Vatan, nuk ka Iman”. Vite e vite vazhdon ky dyluftim i ashpër politik mes partive politike shqiptare, kur do t’u dalë gjumi shekullor, një Zot e di deri kur do të na përsëritet historia ne shqiptarëve?! Gjithë jetën e lume mbetëm argatë besnik të pushtuesve shekullor.

Dhe, duke iu lutur  Zotit mes varreve: politikanin e vdekur ta zgjojnë nga varri, që edhe këtë luftë të ashpër politike mes shqiptarëve ta “fitojnë” për jetë argati edhe nesër në Shtetin e “përbashkët” multietnik. Padashtas, ta përkujtojnë Skënderbeun, të cilit me shekuj i luten shqiptarët të zgjohet nga varri dhe t’i çlirojë nga Robëria…



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora