E marte, 16.04.2024, 10:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

Akademik Eqrem Çabej-gjeniu i shqipes moderne

E shtune, 14.06.2008, 04:53 PM


(Atë që Skënderbeu bëri me shpatë, prof. Eqrem Çabej e bëri me penë)

Akademik Eqrem Çabej është përfaqësuesi më i shquar i gjuhësisë së re shqiptare. Ai ishte dhe u bë, me një punë krijuese shkencore mbi gjysmë shekulli, ikonë e shqipes moderne. Eqrem Çabej lindi më 7 gusht 1908 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Aty kaloi fëmijërinë dhe mbaroi shkollën qytetëse me nota shumë të mira. Pas mbarimit të shkollës qytetëse ai fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura e atëhershme e Gjirokastrës, që të vazhdonte studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit. Eqrem Çabej përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme dhe universitetin në Vjenë. Diplomanti E. Çabej zgjodhi si temë doktorati: studime italo-shqiptare. Për këtë disertacion punoi me zell të madh dhe shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë në vitin 1932. Disertacioni u mbrojt më 7 tetor të vitit 1933 para prof. dr. Paul Kreçmerit, prof. dr. Norbert Joklit dhe prof. dr. Karlo Paçit dhe për këtë iu dha diploma për gradën doktor nga Universiteti i Vjenës. Diploma është nënshkruar nga të tre profesorët e lartpërmendur përkrah vlerësimit "shkëlqyeshëm" (Ausgezeichnet). Edhe pse iu ofrua posti i ndihmësprofesorit në Universitetin e famshëm të Vjenës, ai ngulmoi për t‘u kthyer në atdhe që t‘i shërbente shkencës dhe kulturës shqiptare.

Prof. Eqrem Çabej mbeti shpirtërisht i lidhur me qytetin e vendlindjes. Edhe në moshë të thyer i kujtonte me mall njerëzit dhe qytetin e vendlindjes. "Kishte shumë mall për Gjirokastrën - kujton nipi i tij Dagush Çabej. Shkonte me shumë dëshirë kur gjente kohë. Në prill të 1967 e prita sa erdhi. Zbriti te Sheshi i Çerçizit. Ishte vonë kur mbërriti. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij. Pastaj, si brodhi me sy gjithë qytetin, u kthye nga unë e më tha: "Dua të rri pak vetëm, se kështu më duket sikur bisedoj me Gjirokastrën dhe çmallem me të. Ika këndej fëmijë fare, njëmbëdhjetë vjeç pa bërë… Pas një copë here morëm Qafën e Pazarit. Ai, i heshtur gjithmonë, duke kaluar nëpër kalldrëme, zuri të fliste e të fliste për bukuritë e Gjirokastrës. Qëndroi para shtëpisë së tij: "Këtu u vra Bimbashi turk. Këtu përballë ka qenë furra e Kolës… Bahçeja jonë… Shtatë Kronjet… Këtu nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrangës, Samiut, Naimit, letërsi klasike franceze. Doja t‘i thosha ndonjë fjalë, por e kuptova se ai ishte futur në "mbretërinë e vet", në atë të shkencës..." (Sh. Demiraj: Eqrem Çabej, f.10). Ai mbajti edhe një fjalë në ceremoninë e varrimit të Bajo Topullit, atdhetarit të njohur gjirokastrit të Rilindjes. Çabej e përfundoi ligjëratën e tij me këto fjalë: "Ne djalëria e kemi për nder që të quhemi djemtë e idesë sate. Ti, o i rrëzuari lis, si ata lisa që ngrihen nëpër malet tona! Ti, mësues e edukator i kaq brezave shqiptare!"

Kam pasur fatin e bardhë ta njoh nga afër dhe të punoj me dijetarin e shquar. Ishte i thjeshtë, fjalëpak, por gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga statusi i tij qytetar. Pyeste dhe interesohej për çdo material gjuhësor, folklorik, etnografik që sillnin punonjësit e rinj nga ekspeditat kërkimore në terren. Merrte mendim, si i barabartë, për çdo pyetje që bënte. Nuk harronte kurrë që edhe për informacionin më të thjeshtë që i komunikoje, të shënonte në referenca shënimin: "Kumtuar me gojë nga…". Ruaj si një kujtim me vlerë të veçantë një nga separatët (përmbledhje e një studimi të botuar) dhuruar nga prof. Çabej dhe e shoqëruar me këto fjalë: "Shokut prof. A.Fico, me urimet më të mira për detyrën e re. E.Çabej, 9.I.62". Fjala është për caktimin tim si profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Kinë.

Në personalitetin e tij akademik ndriste kërkesa e lartë dhe metoda rreptësisht shkencore bashkëkohore. Më kujtohet një mbledhje e redaksisë së revistës së njohur "Studime Filologjike", një diskutimi i prof. Eqrem Çabej. Ai foli fare shkurt e tha: "Kam dy vërejtje parimore". Ndërsa unë mendova se profesori i nderuar do ta "përmbyste" studimin. Jo. Ai shprehimisht tha: "Në paragrafin e dytë të faqes së parë mungon një pikë, ndërsa në fjalinë përmbyllëse të faqes 5 duhen shënuar dy pika te fjala "stinë". Sado paradoksale t‘i duket lexuesit të zakonshëm, por kjo dëshmonte kërkesat e larta të një shkencëtari të madh. Kanë kaluar dekada e dekada dhe kjo kërkesë më është ngulitur thellë në vetëdijen time profesionale. Akademik Eqrem Çabej ishte një dijetar poliedrik. Arritjet e tij shkencore ishin madhore dhe të pamasa. Në çdo lëmë që punoi ai vuri gurë themeli. Gjithë jeta e tij shkencore iu kushtua monumentit më të rëndësishëm të kombit, gjuhës shqipe. Këtu ai u bë jo vetëm studiuesi i palodhur, por edhe arkitekti i saj. Në lëmin e gjuhësisë ai trajtoi probleme kyçe dhe dha përfundime tronditëse, duke u siguruar studimeve shqiptare një vend nderi në gjuhësinë indoeuropiane.

Çështja e lashtësisë së gjuhës shqipe, e origjinës së saj, prejardhjes së gjuhës shqipe. Diskutimet që ishin ngjallur lidhur me çështjen e burimit të gjuhës shqipe, sidomos gjatë shekullit XX, e vunë profesorin Eqrem Çabej para detyrës së vështirë për të përballuar shkencërisht këtë sfidë komplekse. Mendimi që zotëronte në brezat e mëparshëm të dijetarëve si J. Tunmann, G.Hahn, G.Majer, H.Pedersen, N. Jokli etj., ishte se prejardhja e gjuhës shqipe nga ilirishtja, apo më saktë nga një a disa dialekte të ilirishtes jugore, siç shprehej G. Majeri, ishte një gjë e vetëkuptueshme dhe për këtë ata kishin sjellë argumente të ndryshme. (E.Ç., vep. cit. f.55).
Por qysh nga fundi i shekullit XIX e këtej disa gjuhëtarë, si indoeuropianisti i njohur H.Hirt, G.Vajgandi, V.Georgievi etj., e kanë vënë në dyshim dhe e kanë kundërshtuar tezën e prejardhjes ilire të shqipes dhe janë përpjekur të vërtetojnë, me argumente gjuhësore, që shqipja e ka burimin te gjuha e trakasve të vjetër.


Dijetari i talentuar e ka studiuar këtë problem madhor në disa rrafshe dhe në disa aspekte. Ai ka vërtetuar si evolucioni i mjaft toponimeve të lashta ilire në shqipen e sotme është bërë në përputhje me ligjësitë fonetike gjithëpërfshirëse. P.sh. Dyrrhachion/Dyrrhachium sot Durrës; Isammus sot Ishëm; Polatium sot Pult, etj; stërgjyshit e shqiptarëve i kanë theksuar mbi rrokjen e parë në përputhje me rregullsinë e njohur të theksimit të rrokjes nistore të ilirishtes.

Lidhur me problemin e origjinës së shqipes, Çabej trajtoi në një varg studimesh edhe marrëdhëniet e shqipes dhe të nënës së saj me të gjitha ato gjuhë që kanë lënë gjurmë të dukshme në të, siç janë greqishtja e vjetër, e mesme dhe e re; latinishtja dhe gjuhët romane, gjuhët sllave dhe turqishtja. Vëmendje të veçantë u ka kushtuar ai marrëdhënieve të shqipes me rumanishten, sepse sqarimi i tyre ka të bëjë jo vetëm me problemin e prejardhjes së shqipes, por edhe me shpjegimin etimologjik të një numri të konsiderueshëm fjalësh të përbashkëta që gjenden në këto gjuhë. (Po aty, f. 60). Akademik Eqrem Çabej, me studime të thelluara dhe argumente gjuhësore, historiko-gjeografike etj., e ka kundërshtuar tezën për origjinën trakase të shqipes dhe ka mbrojtur origjinën ilirishte të gjuhës shqipe. Kur shtrohet pyetja se ç‘vend zë shqipja në rrethin e gjuhëve indoeuropiane simotra, prof. Çabej në përgjithësi pajtohej me mendimin e shprehur nga F. Bopi (F.Boppi) qysh më 1854 se, kjo gjuhë "me elementet e saj themelore me asnjërën nga gjuhët motra sanskrite (=indoeuropiane) të kontinentit tonë nuk ka ndonjë lidhje të ngushtë ose, aq më pak, ndonjë lidhje derivacioni, burimi" (Vep. cit. f.73). Ky është një kontribut me vlerë tepër të rëndësishme jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për kulturën dhe historinë tonë kombëtare.

2. Profesor Çabej, si njohës i thellë i historisë së gjuhës shqipe, u mor gjerësisht me shkrimtarët e vjetër si Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, si dhe me të folmet e arbëreshëve të Greqisë e të Italisë. Ai, veçanërisht, i kushtoi disa studime autorit të parë të shqipes së shkruar, Buzukut. Madje dijetari ynë i talentuar botoi të traskriptuar edhe transkribuar//////////////////// "Mesharin" (1555) e Buzukut. Analiza e gjithanshme e gjuhës së veprës së Buzukut e shpuri Çabejin në mendimin se "gjuha e tij, megjithëse e ngritur me vetëdije në një shkallë mbidialektore, përmban elemente që i përkasin… Shqipërisë veriore (vep. cit.118). Por përfundimi më i rëndësishëm është fakti se gjuha e Buzukut dhe autorëve të tjerë të vjetër dëshmon për një traditë më të vjetër shkrimi të shqipes, që ata e zhvilluan më tej.

Me dijen e një shkencëtari të talentuar, Çabej, duke studiuar thellë autorët e vjetër të shqipes, ka arritur në një përfundim madhor se shkrimtarët e vjetër të Veriut janë përpjekur të shkruajnë në "një farë koineje" domethënë mbi një gjuhë mbidialektore.

Në një vështrim tërësor duhet të themi se prof. Çabej i vlerësonte dhe i nderonte shkrimtarët katolikë të Veriut, madje kur u njoh me veprën e poetit dhe dijetarit të shquar At Gjergj Fishtës, u entuziazmua. Ai ishte gati të bëhej edhe katolik.

3. Dijetari i madh, në universin e vet shkencor, edhe pse iu përkushtua më fort problemeve të studimit diakronik të shqipes, këto nuk i ka konceptuar të shkëputura nga problemet e studimit sinkronik të kësaj gjuhe, pra me vëmendje trajtoi edhe problemet e shqipes bashkëkohore.

Ai dha ndihmesa me vlerë edhe për kryerjen e disa punimeve në bashkëpunim me gjuhëtarë të tjerë. Bashkë me profesor Aleksandër Xhuvanin hartuan dy monografi: "Parashtesat e gjuhës shqipe" (1956) dhe "Prapashtesat e gjuhës shqipe"(1962); ka ndihmuar në botimin e Fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 1954, në hartimin e 13 terminologjive për shkencat e ndryshme. Merrte pjesë aktive në komisione, redaksi dhe diskutime shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, si dhe në Komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Në këtë kongres ai mbajti kumtesën mbi çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes. "Synimi i tij kryesor, në këtë rast, shkruan prof. Shaban Demiraj, ishte që brenda caqeve të një kumtese të vinte në dukje se zgjidhjet e vendosura për drejtshkrimin e njësuar të shqipes letrare ishin në përputhje me traditën e hershme të shkrimit dhe drejtshkrimit të kësaj gjuhe" (Vep. cit. f.131). Në këtë kumtesë ai shtroi me forcë edhe pasurimin e gjuhës shqipe letrare me fjalë të gurrës popullore, si dhe mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme.

Kjo kërkesë, domethënë pastrimi i gjuhës nga ndërtimet gramatikore e sintaksore, shprehjet dhe fjalët e huaja, në ditët tona merr një rëndësi të veçantë. Siç është vënë në dukje edhe në mjaft shkrime, vihet re një qëndrim tepër shpërfillës ndaj vërshimit të fjalëve të huaja. Në gazeta, revista, programe televizive, radio etj., madje edhe në mjaft libra, fjalët e huaja janë të shumta.

Kuptohet se zëvendësimi i fjalëve të huaja të panevojshme duhet të mbështetet në disa parime dhe për këtë, domethënë pastrimin e fjalëve të huaja, "duhet t‘i përvishemi një pune tërësore, sistematike dhe të organizuar mirë", këshillonte Çabej.

4. Studimet etimologjike përbëjnë një lëmë të veçantë e parësore të korpusit shkencor të Çabejt. Kjo detyrë sa e vështirë dhe komplekse u përballua me dinjitet shkencor cilësor nga prof. Eqrem Çabej.

Duhet thënë se pak ishin ata që ishin marrë në mënyrë të mirëfilltë me etimologjinë e gjuhës shqipe, po të përjashtojmë G.Majerin, Pedersenin dhe Joklin, që u kanë kushtuar vëmendje të veçantë problemeve etimologjike të shqipes. Çabej i hyri kësaj pune me një metodë shkencore perëndimore dhe me një përgatitje të lartë profesionale. Etimologjia nuk ishte thjesht e hetimit e gurrës së një fjale, ajo përfshinte diçka më tërësore, atë që mund të quhet jeta e fjalëve në kuptimin e përgjithshëm. Çabej mbajti qëndrim kritik ndaj shkencëtarit me origjinë gjermane G.Majerit për mbivlerësimin e elementit të huaj në gjuhën shqipe. Vetë dijetari i talentuar, me një punë të pasionuar dhe këmbëngulëse, saktësoi mjaft fjalë me burim iliro-shqiptar. Çabej, me studime të thella shkencore, ka zbuluar mekanizmin e brendshëm dhe evolucionin e fjalëve shqipe në një hark kohor shekullor. Kjo është arsyeja që etimologu ynë i shquar gjatë jetës së tij u ka kushtuar vëmendje të posaçme problemeve të fonetikës historike dhe, krahas këtyre, edhe atyre të gramatikës historike të gjuhës shqipe. Korpusi i studimeve etimologjike të Çabejt është disa vëllimesh dhe përbën një monument shkencor dhe kulturor të pamasë.

5. Çabej është etnolog, historian, gjeograf, etimolog, është hartues tekstesh për shkollat, është mësues, planifikues gjuhësor. Interesi dhe studimet e tij për folklorin janë një fushë tjetër e universit së tij shkencor, që do të bëhet fjalë në një trajtesë të veçantë.

Kudo që shkonte, në tubime shkencore europiane, ose për të mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës, ai, me mendimin e tij të thellë shkencor dhe sjelljen fisnike, linte përshtypje të pamasë.

Më kujtohet se kur u kthye nga Prishtina, ku mbajti disa leksione për gramatikën dhe fonetikën historike, e takova dhe e pyeta për përshtypjet për studentët shqiptarë të Kosovës. Prof. Eqrem Çabej më tha: "Gjeta një rini të etur për dije dhe kulturë, të interesuar për gjuhën shqipe. Në fjalët, diskutimet e tyre dhe bisedat e lira me ta, ndjeva se sa thellë ishte në mendjen e zemrën e tyre prushi i ndezur atdhetar".

Në Prishtinë studentët, intelektualët dhe kolegët e pritën profesorin e ndritur Eqrem Çabej me nderime të veçanta. Në auditorët ku ia lexoi kumtesat dallohej parulla -"Atë që Skënderbeu bëri me shpatë, prof. Eqrem Çabej e bëri me penë". Vepra dhe puna akademike e prof. Eqrem Çabej ka gjetur e gjen një nderim dhe vlerësim të madh në Shqipëri dhe mbarë hapësirën shqiptare. Atij i është dhënë tri herë Çmimi i Republikës së Klasit të parë, titulli i lartë "Mësues i Popullit" dhe dekorata të larta dhe urdhra nderi të posaçme. Një vlerësim i lartë i punës së madhe të këtij dijetari të shquar është nderimi i Universitetit të Gjirokastrës me emrin "Eqrem Çabej" (1989). Çabej për gjysmë shekulli ka punuar me një përkushtim si rrallëkush dhe ka arritur përfundime të mëdha në fushat e albanologjisë dhe ballkanologjisë. Ai është një dijetar i përmasave europiane. Studimet, artikujt shkencorë dhe kumtesat e tij janë botuar në mjaft vende të Europës: Austri, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, Rumani, Poloni, ish-Jugosllavi, Turqi etj. Studimet e shumta dhe në lëmenjtë më të ndryshëm të gjuhësisë, e veçanërisht në fushën e studimit diakronik të gjuhës shqipe, horizontet e reja që ai hapi në fushën e studimeve albanologjike, që sollën krijimin e shkollës gjuhësore shqiptare, janë kontribute të pamasa të këtij dijetari të talentuar.

Emri dhe vepra e këtij gjeniu të shqipes moderne do të rrojnë ndër shekuj. Ka ardhur koha që përmendorja e këtij gjeniu të vendoset para ndërtesës së Akademisë së Shkencave në Tiranë, si mishërimi dhe simboli më i lartë i shkencës shqiptare.


Bibliografi

1. Eqrem Çabej: "Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes", Tiranë 1994

2. Shaban Demiraj: "Eqrem Çabej", Tiranë 1990

3. Shaban Demiraj: "Gramatika historike e gjuhës shqipe", Tiranë 1985

4. Ismail Kadare: "Autobiografia e popullit në vargje", Tiranë, 1980 f. 106-14

5. Instituti i Folklorit: "Folklor Shqiptar, II Epika legjendare", (Cikli i kreshnikëve), vëllimi i parë, Tiranë 1966

6. Instituti i Shkencave: "Këngë popullore legjendare", Tiranë 1955

7. Agron Fico: "Etnokultura në universin shkencor të prof. Eqrem Çabej"; "Gazeta shqiptare", 6 qershor 2008, f. 20

8. Stavro Skëndi: "Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut", Tiranë

9. Agron F. Fico: "Eposi heroik shqiptar dhe shkencëtari amerikan Abert B. Lord", revista "Dituria", organ i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të shkencave dhe Arteve, Nju Jork, USA, nr. 7, f.53-63

10 Fatos Arapi: "Ancient Albanian Songs", Tiranë, 1996


Nju Jork, 8 prill 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora