Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Hoxha i Sanxhakut kërkon rrënjët ilire

| E merkure, 09.04.2014, 07:59 PM |


Hoxha i Sanxhakut kërkon rrënjët  ilire

Hoxha i Pazarit të Ri të Sanxhakut, krahinë shqiptare të cilin ngadalë po e mbulon muzgu i shkombëtarizimit me emocionoi, gati me nxiti të qajë, sepse e ndjeja dhimbjen e thirrjen e tij, e ndjeja vetminë gërryese e braktisjen që i kishte kapluar.

Nga Gani MEHMETAJ

“Nuk jemi boshnjakë, nuk jemi as sllavë, jemi ilirë’, u drejtohet hoxha nga Pazari i Ri në Sanxhak besimtarëve të vet. “ I keni parë rrënojat e kështjellës ilire në afërsi të Pazarit të Ri, ajo është e jona, e ilirëve’, vazhdon ai i emocionuar. “Pse pushteti i Serbisë nuk na lejon t’i afrohemi qytetit të vjetër ilir? Sepse nuk do që ta kujtojmë të kaluarën tonë!”, pyet e përgjigjet hoxha, duke iu drejtuar besimtarëve të shushatur të cilët e dëgjonin pa lëvizur nga vendi. Hoxha duhet të ketë folur edhe më për fatkeqësinë e tyre të asimilimit të ngadalshëm e të pandalshëm, për zgjimin po aq të rëndë nga gjumi gati një shekullor, për frikën e tashmë se ata mund të zhduken në tërësi.

Ligjërata e tij, drejtuar bashkëkombësve, nuk ishte vetëm ftesë të këndelleshin për të gjetur vetën, por njëkohësisht ishte grishje shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë t’u ndihmonin e t’i shpëtonin nga asimilimi. Hoxha sa donte t’ua hapte sytë bashkëkombësve të vet, aq përpiqej të dërgonte mesazhin se nuk janë të mbaruar.

Kaluan disa muaj nga kushtrimi i tij i trishtë, vajtues e i dhembshëm, kaloi edhe më  shumë kohë kur qindra të tjerë që e kërkuan mbështetjen tonë, ndërsa dy shtetet shqiptare me probleme të brendshme, që nuk ua gjejnë zgjidhjen, nuk bënë asgjë për ta. Me ndonjë reportazh televizive a shkrim, i japim fund “detyrës patriotike” për hallet e popullatës shqiptare në Sanxhak e Peshterë. Reagim tjetër nga intelektualë, artistë, shkencëtar, apo akademikë ekscentrik që dinë të bëjnë zhurmë në kupë të qiellit për hiçgjë, apo pse nuk po vlerësohen si ua thotë mendja atyre, nuk pati. Sikur të ishte fjala për problemet e fiseve të Amerikës latine!

Hoxha i Pazarit të Ri të Sanxhakut, krahinë shqiptare të cilin ngadalë po e mbulon muzgu i shkombëtarizimit me emocionoi, gati me nxiti të qajë, sepse e ndjeja dhimbjen e thirrjen e tij, e ndjeja vetminë gërryese e braktisjen që i kishte kapluar. Por i pafuqishëm ta ndihmoja e ndiqja pa bëzajtur filmimin në FB (Facebook), ndërsa nga pafuqia e zemërimi sytë mu mbushën më lot, grykën ma ngushtoi një ngashërim që as me vinte lartë e të shpërthente as nuk zhdukej. Ai duhet të ketë folur edhe herë të tjerë, duhet të ketë qarë edhe halle të tjera (pushteti mizor i Serbisë, viktimat e shumta që ranë në luftën e Bosnjës, që nuk ishte lufta e tyre, viktimat tjera që i përpiu terri i natës jo vetëm në kohën e Milosheviqit, por edhe më vonë). Por unë nuk i dëgjova, megjithëse edhe po t’i dëgjoja me çka mund t’i ndihmoja?

Ata kanë vuajtur edhe më parë, por kurrë nuk jemi marr me ta. Atyre terrori nuk iu nda që kur i pushtuan, ndërsa ne nuk i shpëtuam. U vranë rugovasit e dukagjinasit e mi në kufi të Pazarit të Ri e gjithandej nëpër Peshterë, por heroizmi i tyre nuk mjaftoi, lipseshin më shumë rugovas e dukagjinas, më shumë shqiptarë të tjerë që të mbronin kufinjt e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Hoxha i Pazarit të Ri me bashkëkombësit e vet i kërkonte rrënjët nën rrënojat e kështjellës ilire afër qytetit të tij, kurse bashkëkombësit dhe besimtarët që e kishin rrethuar si zogjtë e klloçkës, sikur kërkonin t’i mbronte, sepse askush tjetër nuk merrej me ta, as nuk ua qante hallin. Ai megjithatë ua hapte sytë që t’u ktheheshin rrënjëve. Kohë të gjatë i kishin mashtruar, kur përpiqeshin t’i bindin më të gjitha mjetet se ata nuk janë shqiptarë, por myslimanë, herë serbë të islamizuar, herë boshnjakë. Dhe ishin të hutuar, meqë shteti i tyre kombëtar ende nuk ishte formuar, por edhe atëherë kur u themelua qe aq i dobët sa nuk i mbronte dot.

Askush deri me sot nuk i ktheu asnjë përgjigje hoxhës së Pazarit të Ri. Askush nuk u mor me te dhe problemin që ai nxori në Facebook. Sikur të kishte hedhur gur e dru mbi ilirët, sikur të kishte fyer heronjtë kombëtar, sikur të kishte thënë se është mysliman e jo ilir, sigurisht të gjitha mediet në Kosovë e në Shqipëri, me Diasporën e afërt e të largët do ta nxirrnin në faqe të parë, do t’i jepnin hapësirë për kolumne, ku do t’ia qante hallin Erdoganit e satrapëve të tjerë oriental që e terrorizojnë popullatën e vet, do t’ia dhuronin xhaminë më të mirë të kryeqytetit të rekrutonte të rinjtë për luftën absurde në Siri e gjetiu nëpër shkretëtirat arabe. Nuk do të mungonin as intervistat dhe rekordet në youtuve, do ta lavdëronin shumica e medieve, do ta falënderonin, do ta bënin yll, madje ndonjë akademikë i frustruar e paranojak do ta priste e promovonte si shpëtimtar.

Por hoxha i Pazarit të Ri, fatkeq tha se nuk është sllav, nuk është as turk, as i kombit mysliman, por rrënjët i ka thellë në Iliri.

Ai nuk tha se shqiptarët do t’i shpërngulin përtej detit si në kohën e pas Skënderbeut, sikurse thanë një grushtë mjeranesh të shoqatave të shpifura të ‘komunitetit arabë e myslimanë”, të cilët madje e kërcënojnë deputeten puro shqiptare duke e quajtur  refugjate në atdheun e vet!

Sërish e dëgjova në FB ligjëratën pikëlluese të hoxhës së Pazarit të Ri. Mu duk më pikëlluese se sa rrafshnaltat e trishta të Peshterit, ku era ta thanë fytyrën, në pikun e verës, ndërsa të ftohtit të bënë koçanë. Por ata me gjithë këtë klimë të akullt nuk e braktisen vendlindjen, paçka se atdheu po i braktisë mizorisht, me heshtjen e shpërfilljen e pafalshme.

Me kujtohet marsi i ftohtë në Sanxhak në fund të viteve të tetëdhjetë, era që të depërtonte në eshtra, ndërsa vendësit me shikonin më frikë. Ata druanin më shumë për mua se sa për vetën, megjithëse kishin mbetur në një çark të mbyllur, përderisa Serbia po i shkelte pa mëshirë. Bosnja nuk i pranonte për të vetët, shqiptarët i shikonin më dyshim për shkak të gjuhës së tyre të bjerr, turqit i përbuznin duke i quajtur arnaut, ndërsa serbët u thoshin me nënçmim “shqiptari”. E kujtoja edhe dokumentarin e xhiruar me 1908 në qytetin e hoxhës së pikëlluar, ku banorët shqiptar shumicë atëbotë lëvizin para kamerës, ndërsa veshje të kombeve tjera nuk kishte. Disa vjet më vonë një dorë e zezë këtij dokumentari- margaritarë i vuri sipëri muzikë të rëndë turke, duke e mbytur sharmin e pastërtisë e të vërtetësisë filmike, sepse ndërsa filmi ishte pa zë. Por pati edhe një hile në këtë kurdisje, muzika turke synonte të falsifikonte përkatësinë shqiptare të banorëve të Pazarit të Ri.

Derisa bluaja në mendje fatin e bashkëkombësve të hoxhës, kujtoja rugovasit e mi të cilët më këngë maje krahu ftonin kushërinjtë e tyre në Peshterë apo edhe më larg në Sanxhak bjeshkë pas bjeshke: “Ooo Bardhosh Lisi! Zhuja i Ndrecës po e marton djalin. Mos e leni pa ardh!”, jehonte ftesa për dasmë. Sot ka teknologji shumë të avancuar komunikimi, por komunikimet në mes të rugovasve e kushërinjve të tyre në Peshterë e Sanxhak janë shkëputur, nuk hyjnë as nuk dalin në mes veti.

I kujtoja edhe fjalët e babait tim për luftën e rreptë të vullnetarëve nga Dukagjini e Rugova për të mbrojtur territoret etnike në Luftë e Dytë Botërore. Sepse atëbotë ata e flisnin shqipen më pastër se ne, me thoshte babai. Por erdhën partizanët e na dëbuan sërish, ishin më të shumtë dhe më të armatosur, vazhdonte i dëshpëruar babai ish ushtar vullnetar i territoreve etnike .

Ndërkaq, hoxha i Pazarit të Ri vazhdonte të kërkonte rrënjët ilire në qytetin e vjetër shqiptar. Kërkonte edhe fijet e shkëputura me fisin e vet të Kelmendit. Këtë ua thoshte besimtarëve të vet më pikëllim sikur te që një lloj amaneti, ndërsa një lukuni hoxhallarësh tonë mercenarë të tërbuar nga lirat turke e dinari serb, kanë marr kazmat e përpiqen të shkulin çdo rrënjë ilire e shqiptare, duke ulëritur si të çmendur kundër kombit të tyre, duke ua shpërlarë trurin besimtarëve për t’i bërë mish për top, për t’i degdisur prapa diellit.