Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: “Trutharje x 2”!

| E merkure, 09.04.2014, 07:05 PM |


“Trutharje x 2”!

Nga Elvi Sidheri

Në mungesë të ndonjë raporti tjetër tek i cili të vihet re çfarëdo qoftë lloj progresi lidhur me vendin tonë, eksporti si dhe prodhimi i vetëm shqiptar që duket se nuk po pyet më për kufi, postoblloqe, kontrolle policore, dogana dhe qen antidrogë nga ata më të mirëstërviturit, del të jetë përfundimisht “marijuana”.

Lëndë që siç dihet tashmë botërisht, pasiqë lajmi ka marrë dhenë nëpërmjet YouTube për shembull (turistë aventurierë të huaj që mësyjnë “trimërisht” për në fshatin e njohur ku prodhohet shumica e kësaj substance)...apo edhe shumë reportazheve nga media të ndryshme të shkruara apo vizive, kultivohet kryesisht në Lazarat.

Një fshat i madh me shumë banorë, me një të shkuar nën persekutim gjatë regjimit monist që prej kohësh i është përshtatur masivisht kultivimit të kësaj lënde narkotike, si përgjigje ndaj papunësisë, varfërisë, emigracionit e mjaft fenomeneve të tjera që rëndom godasin prej 23 vjetësh ambientin rural shqiptar.

...E në fund kush është zgjidhja për gjithë këtë katrahurë narkotike...”T’a legalizojmë”!

Në rregull.

Po si t’a legalizojmë se?

T’a lejojmë çdo fshat në Shqipëri që t’ua vari teneqen grurit, misrit (merret kush me mbjellje-korrje-shirje gruri e misri më?), patateve, patllixhanëve, domateve, shalqinëve, pjeprave, qepëve, hudhrave, mollëve, rrushit tonë të ëmbël, dardhave, fiqve e ftonjve...e t’i lemë të gjithë që t’ia marrin me nge marijuanës, pse jo?!

Punë më pak e fitimi maksimal!

Një Europë e tërë “mallistësh” (kështu thotë zhargoni popullor, jo unë) e gatshme për t’u kredhur me kokë dhe shumë dëshirë brenda detit të hashashit shqiptar, mezi pret që një dhuratë e tillë “zemërgjerë” t’i ofrohet nga vendi dhe populli jonë...

Kështu shqiptarët e shekullit të 21-të, Europës së moçme, pas dhjetëra perandorëve romakë e bizantinë, pas papëve romanë katolikë, pas luftërave të Skënderbeut që vonuan avancimin turk drejt zemrës së qytetëruar të kontinentit, pas Nënë Terezës...do t’i ofrojnë sot edhe pak çlirim, qetësim, çlodhje, mpirje trush...dhe gjithë kontinenti do të na mbetet mirënjohës për cilësinë e pakonkurrueshme të marijuanës tonë kombëtare, simbolit të ri që do të rivalizojë ethshëm për nga fama ndërkombëtare, me shqiponjën tonë krenare apo imazhe të tjera që deri vonë kanë shërbyer si sinonime të qënies shqiptare.

Atëherë nuk do të jetë më i nevojshëm asnjë tip promocioni privat apo qeveritar, që të përpiqet të joshë turistët, vizitorët apo investitorët e huaj drejt brigjeve tona të virgjëra, maleve ose trashëgimisë sonë të lashtë kulturore.

Kush do të jetë ai i huaj që do t’a vërë kot së koti trurin në punë, teksa përhumbet nën efektet haluçinante të marijuanës shqiptare, për plazhet e rivierës sonë Joniane, për kishat e Beratit, për Butrintin, kështjellën e Rozafës apo Voskopojën?

Rëndësi ka që të vijnë...do mendojë dikush, turistët e çdo lloji qofshin, na duhen si ujët e pakët!

E vërteta është që Hollanda për shembull mund të krenohet me Van Gogun, portin e Roterdamit, kanalet ujore të Amsterdamit, digat që kanë nënshtruar Detin e Veriut, mullinjtë e erës, nallanet tipike prej druri, universitetet cilësore, nivelin e lartë të jetesës etj, por treçereku i botës, këtë vend të bukur e njeh për shkak të Amsterdamit, lokaleve ku lejohet porositja e përdorimi i marijuanës dhe për prostitucionin e legalizuar në disa zona të qytetit.

Kurse në rastin tonë “fatlum”, paragjykimeve dhe sinonimeve të zakonshme që kanë të bëjnë me kombësinë dhe shtetin tonë, pra “mafias shqiptare”, “kallashëve”, “gomonove”, “emigrantëve”...pak nga pak është duke iu mbivendosur bindshëm edhe simboli i “marijuanë-prodhuesve”.

Një fije tejet e hollë na ndan nga krahasimi me Kolumbinë apo Meksikën në fakt!

Në sytë e një qytetari të thjeshtë jo edhe aq të informuar europian, zona kufitare Meksikë-SHBA e Rio Grandes, plot me vajtje-ardhje kontrabande droge dhe emigrantësh ilegalë, mund të përputhej me Kanalin e Otrantos, kurse Ciudad Juarez apo Tijuana, do të njehësoheshin me Lazaratin tonë të ngratë.

Në një mënyrë të tillë, prirjes tradicionale europiane (dhe më gjerë), për të na i ngjeshur neve si popull dhe zmadhuar skajshmërisht shumë, mjaft mëkate apo shfaqje kriminale që edhe i bëjmë, sadoqë kurrësesi jo në ato përmasa që përshkruhen botërisht, do i dilte në shteg një mundësi e artë për të na njollosur edhe më tepër...

Dihet që në realitet mafien e kanë krijuar italianët (me këtë emër që e njeh bota të paktën), që për mizoritë e tyre dallohen veçanërisht kriminelët rusë, që “triadat” kineze e “jakuzat” japoneze bëjnë ligjin në Azi e tjetërkund me dorë të hekurt dhe sundojnë krimin e organizuar duke trafikuar miliarda dollarë në mënyrë të paligjshme.

Në Ballkan sipas raporteve të specializuara, tregti drogë bëjnë më tepër serbët, por mafie të tyre kanë të gjithë popujt e rajonit, nga grekët tek rumunët e bullgarët, pa përjashtuar askënd.

Në Itali ka mafie nigerianësh që shpërndan narkotikë dhe kontrollon një rrjet tejet të gjerë dhe shumë fitimprurës prostitucioni, ka kriminelë serbë, ciganë, boshnjakë etj, që merren me trafiqe droge, që trukojnë deri në kategorinë e parë të futbollit profesionist italian (Serinë A), ka banda të specializuara rumune që vjedhin dhe vrasin nga të munden...por gjithmonë në fund, theksi bie domosdoshmërisht tek shqiptarët.

Të freskëta janë reportazhet e kanaleve kryesore italiane, që po shkelin sërish Shqipërinë, aspak për të përshkruar potencialet tona turistike, mikpritjen tradicionale shqiptare, alpet tona ose rrënojat e shumta dëshmitare të së kaluarës sonë historike.

Jo, ç’të lodhen kot dhe t’a rrokanisin kokën me mure antike, gatime tradicionale, det të kaltër e lugina të gjelbëra shqiptare...

Një xhiro të shpejtë deri në Lazarat, ca gomerë ngarkuar me marijuanë, pamjet e pamungueshme të policit shqiptar të rradhës me shotgan apo kallashnikov në dorë që siç theksohet me entuziazëm të gjallë nga reporteri i huaj: “Nuk hyn dot në këtë fshat”!-dhe misioni sensacional u krye me sukses!

Si pa u vënë re ndërkohë, në vëmendjen e të huajve, jemi kthyer së paku nja 14 vjet mbrapa, në kohët kur vendi jonë mbetej në fokusin e interesit të mediave europiane, vetëm për shkak të trafikut të pandalshëm të qënieve njerëzore (dhe narkotikëve) që zhvillohej pareshtur midis dy brigjeve të Kanalit të Otrantos me origjinë Shqipërinë.

Po qe se ky është promocioni që do i bëjmë potencialeve turistike të vendit tonë, t’a flemë mendjen njëherë e mirë, se turizëm të vërtetë nuk do të arrijmë të kemi ndonjëherë!

Plehërat anembanë, rrugët e pasigurta, ndërtimet e egra pa leje ose formë, dërrmimi shtazarak i vijës sonë bregdetare në një pjesë të madhe të gjatësisë së saj, shërbimi tejet i mangët dhe kultura praktikisht inekzistente në marrëdhëniet me klientin, të bashkuara me imazhin e “parajsës së marijuanës” vështirë të na shpien larg sa i përket zhvillimit të turizmit, këtij aseti jetësor të ekonomisë shqiptare.

“Antiligji” nuk përkthehet kurrë në turizëm të mirëfilltë!

Edhe po të jetë marrë sadopak parasysh legalizmi në ndonjëfarë mase i kësaj lënde narkotike në vendin tonë, është sërish e qartë që sistemi nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë sidoqoftë.

Disa lokale apo farmaci ku eventualisht do të mund të porositej ose blihej marijuana në mënyrë të ligjshme, nuk mund të mbështeteshin nga një “industri” e vërtetë kultivimi dhe tregtimi, shpërndarje dhe trafikimi ndërkombëtar i kësaj bime narkotike.

Për të mos kaluar më tej në pikëpyetje më të thella dhe djegëse, si për shembull fakti që marijuanën e bën “trendin” e momentit, në një botë ku haptazi (me të drejtë në përgjithësi, pa goditur asnjëherë lirinë individuale dhe vendimarrjen autonome të secilit për të shijuar këtë kënaqësi, me vetëdijën e dëmtimit të shëndetit personal)...luftohet ashpërsisht duhani.

E njëjta botë dhe shoqëri, që dikur pati ndaluar me ligj alkoolin (jo Europa) dhe promovuar fuqimisht duhanprijen (Hollivudi nga vitet 20-ë të shekullit të kaluar, deri në fundvitet 80-ë publicizonte masivisht duhanin, teksa heronjtë pozitivë, kaubojtë me puro varur në cep të gojës apo femrat më seksi, të gjithë papërjashtim dëndeshin në duhan, duke i lënë në bisht dhe bërë të skuqen nga turpi edhe vetë turqit, të famshëm për dashurinë dhe varësinë e tyre ndaj nikotinës).

Mesa duket, një ves njerëzimit i do lejuar gjithnjë...!

E thënë kjo duke mbajtur mirë në mendje efektet e njohura bllokuese dhe dëmtuese të arsyetimit të shëndetshëm, tek personat me prirje të forta përdoruese të marijuanës, sidomos në këndvështrimin afatgjatë.

Teoritë konspirative (gojët e liga, t’i quajmë si të duam)...rreken të na pohojnë faktin e dëshmuar se një shoqëri me aftësi të dobëta për arsyetim të shëndoshë, me intelekt të deformuar nga përdorimi masiv i këtyre substancave, shoqëri më e përqendruar tek mpirja e trurit sesa tek logjikimi i kthjellët me anë të tij, është natyralisht më e kontrollueshme dhe e formatueshme sipas qëllimeve e synimeve jo përherë të ndershme të atyre që e qeverisin...

Kaq për këtë temë.

Kisha në mend të shkruaja pak edhe për tentativën e dështuar (sa edhe komike) të komunistëve të vonuar (me 70 vjet vonesë fiks, nga 1944-a) për të hequr me kavo statujën e Mbretit Zogu I-rë.

Së pari, po qe se në Shqipëri, sikur një qytetari të thjeshtë t’i shkonte mendja për të rrëzuar një monument të çfarëdoshëm, atëherë ndaj tij do të merreshin masa penale për një veprim të tillë, ligji do të duhej zbatuar edhe për kryerësit në tentativë të këtij akti, paçin ata ndonjë partiçkë neo-moniste apo jo.

Sa kohë që në atdheun tonë të përbashkët, gjysma e popullit feston ende lirisht 29 nëntorin...edhe duke i ditur një më një përputhjet e stisura filo-jugosllave të ish udhëheqjes moniste lidhur me këtë datë, pa folur këtu fare për himnizimet e figurës së diktatorit sa herë kujtohet Lufta NacionalÇlirimtare apo ngjarje të tjera, atëherë më e pakta është që Ahmet Zogu të gëzojë një statujë modeste (pa shumë shije në punim), një bulevard apo familja e tij një mauzole.

Dritëhijet e mbretit Zog, sukseset apo gabimet e tij, mund të studiohen dhe vihen në pah nga shumëkush, largimi i tij i mistershëm përballë pushtimit fashist në 7 prill 1939 sidomos, por edhe eliminimet me urdhër të tij të disa atdhetarëve e patriotëve të shquar.

Fakte dhe zhvillime të ndodhura sido që të jetë në një ambient sa anadollak, aq edhe çifligaro-feudal të Shqipërisë post-osmane, mendësi të cilave mbreti Zog nuk mund t’i shmangej edhe vetë, por ku gjithësesi ai diti të ngrejë në këmbë një shtet modern me ligje dhe për aq sa mundi, edhe me prirje të pamohueshme modernizuese perëndimore.

Monumenti i tij nevojitet të rrijë aty ku është, si simbol i pajtimit tonë më të vërtetat e historisë sonë të përbashkët.