E premte, 19.04.2024, 01:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: Simfonia e yjeve

E merkure, 09.04.2014, 08:02 PM


DRITA LUSHI

Simfonia e yjeve

Cikël poetik

 

 

Ta dish…

 

Mbrëmjeve,

se ç’më përshpërit ca fjalë magjike,

e me yjet, shpesh bën edhe ujdi,

qetsisht më bën që të besoj,

se mi këndojnë ata ninullat , dhe jo ti.

 

Mëngjeseve,

kur endé gjumi si pushtues mbi sy më rri,

Vjen më lë mbi supe, ca puthje prilli

e ikën, bën si i paditur,

hutueshëm më thua: “ti paska lënë dielli”

 

Ta dish,

po të betohem, që ndonjë natë,

s’do flé nga fjalë, as nga ninulla,

tërë natën zgjuar do të rrija,

veç sytë si shejtankë, kot do ti mbyllja.

 

Hah…

E qepallat, rrufeshëm një çast do t’i hap,

Kur  lehtë të më qasesh ti me hapa fryme.

e s’ke ku shkon pastaj, s’ka lojra më,

rob do të ngelesh brenda tyre.

2014

 

 

Adresa ime

 

Adresa ime këmbësore janë hapat e mij të përditshëm!

Adresa e tyre është: punë, shtëpi dhe anasjelltas;

ndonjë çaj kamomili (pa sheqer) pasditeve në qytet,

ose taksitë dhe rrugët, që bëj me to në kryeqytet

atje, ku vizatohet jeta ime e thjeshtë.

 

Adresat e mia janë te pakta, gjenden lehtë

aq sa, dhe symbyllur të vish drejt meje, mund të më gjesh;

ndonjë poezi “çast” e shkruar shpejt e shpejt,

një takim me mësuesen e vajzës në orën pesë;

ndonjë blerje në supermarket,

dhe darka në shtëpinë e ngrohtë, me një gotë verë.

 

Jeta ime është e thjeshtë,

adresa: i vogli dhe i madhi im qytet

2013

 

 

Simfonia e yjeve.

 

Se dija që edhe nata, me qetësinë e saj

Prodhonte këta tinguj kaq të rrallë.

Pa mbani vesh…

Mbani vesh si unë;

Veç bulktheve ketë natë pranvere,

Dëgjohet një muzikë, e rrjedh edhe një lumë.

Një harmonikë në buzët e natës,

Më kujton që dhe yjet bëkan zhumë.

Shohin njëri tjetrin, përballen, shtyhen,

Pastaj, hënën shohin ballazi, e rrethojnë,

dhe duan t’i tërheqin vëmendjen.

Si djelmosha luajnë vallen e qiellit ,

Kercasin me ritme të ndritshme këmbët,

Krejt si valltarë t’ kahershëm,

Që lindën nga barku i bing-bengut.

 

Se dija që nata ishte kaq e zhurmëshme, se dija…

Sonte, pashë e dëgjova simfoninë e yjeve….

E hëna,  dirigjonte me fytyrë gruaje.

2014

 

 

Marsi, unë dhe Deti

 

Unë ecja në fustanin e brishtë të pranverës,

E shihja, si zogjtë qeshnin,

Kur marsi dhe deti

ziheshin e grindeshin;

 

Deti kërkonte të më vishte me blu dallgësh

Marsi të më zbukuronte me frymë lulesh e fjalësh;

Ata, me dallgë e lule më donin e më shihnin në sy;

Ndërsa unë qeshja dhe i doja të dy.

2014

 

 

Sot

 

Nesër, s’ka të sotme.

Ajo lind dhe mbaron,

çel dhe vyshket në 24 (trëndafil’)orë,

që veç një ditë të dhuron

 

Nesër, s’ka më sot.

 

Më kot përpiqesh të gjesh ,

minutin, puthjen, buzëgazin

që sot, s’e dhe, s’tu dha.

 

Sot, s’ka më nesër.

 

Ka vetëm ditë, që vrapojnë tutje

e na marrin me vete,

pa pyetje…me ngutje…

2014

 

 

Meditim

 

Kurrë, nuk thashë - ”kurrë”;

As krahët s’i ktheva, si gunë

ndaj erërave gjithëngjyrëshe,

që frynë e frynë - furtunë.

Shpinën rrallë, ma panë miqtë,

por dhe ”armiqtë”, veç ballin më panë.

S’vij nga ndonjë tjetër planet,

veç Tokës, i qëndroj stoike në jetë.

S’u fsheha skutave,

as nga sytë- këmbët, kurrë nuk ika

përballë inateve, intrigave

mërive dhe zilive.

 

Jam Njeri, po po, Njeri!

Dhe zemrën, s’e kam gur,

por dua të vërtetën para dyshimit;

dashuroj guximin, para frikësimit

e zilisë, s’i trembem

as iki, me frikë.

 

Kush

ziliqar bëri hajër

pa thyer turinjtë?

Dashurinë s’e pashë

kurrë me dyshim,

as lotë s’derdha për të.

Kush dashuron,

gëzim duhet  t’i burojë nga sytë

e jo lot.

 

Nuk vij nga tjetër planet,

stoike jam e do të jem në këtë Tokë

e vdekjen time,

Ajo do ta ketë pronë...

2013

 

 

As Ne…

 

As ditë, as natë.

Mu(z)g.

As orët, s’u bënë minuta

As minutat, s’u puthën në orë.

(Mos)Kohë…

As dielli lindi yje,

As yjet s’u ngjizën në diell.

(Tis) Gri

Veriu qëndroi aty.

E jugu ( s) lëvizi qerpik.

 

Dhe ne…

Shpinëkthyer …

Ngujuar në pole…

2014



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora