E premte, 19.04.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Jasiqi: Vepër poetike me strukturë tjetër

E marte, 08.04.2014, 07:54 PM


VEPËR POETIKE ME STRUKTURË DHE QASJE TJETËR

Halil Haxhosaj: “Ekspozitë në stinën e re”, poezi, botoi NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2014.

NGA ALI D. JASIQI

Halil Haxhosaj është emër i njohur në letërsi, sidomos në poezi. Është autor i 22 veprave pothuajse i të gjitha formave dhe gjinive letrare. Shkruan poezi për fëmijë e për të rritur, poezi haiku, tregime, romane, drama, kritikë e studime letrare, recensione, shkrime për teatër, monografi, publicistikë, e të tjera. Deri tash ka botuar 7 vepra me poezi, 2 me poezi haiku, dy me tregime, një roman, dy drama, tri vepra me kritika letrare, studime e recensione, një monografi për Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, e tjerë.

Vepra që e kemi në dorë është përmbledhje me poezi ku autori, Halil Haxhosaj, shpreh dhe pasqyron ngjyrime të kohës, jetës e katrahurave të saj që burojnë ëmbël e artistikisht nga frymëzimet e poetit. Vepra “Ekspozitë në stinën e re” hapet me poezinë “Në kafenenë e jetës”, që njëherit është prolog dhe çelës, ndër të tjera shkruhet

 

Në kafenenë e jetës

Në tavolinën përballë dritës

Rri e shikoj kah hyrja

 

Para meje mbi tavolinë

Veprat me vargje frymojnë

Vaje të shiut rënkojnë

 

për ta përfunduar me këto vargje:

 

Vajet e shiut dënesin e vajtojnë

Në kafenenë e jetës

Bashkë me mua e mysafirët

 

Kjo vepër është e ndarë në gjashtë njësi qerthullore (cikle poetike) që emërtohen: 1. Ofshamat e telefonit, 2. Buzëqeshja e lajmit, 3. Lot e shi, 4. Jehonë kënge, 5. Ndjenjë malli dhe 6. Ankand publik.

Për qerthullin e parë mund të konstatojmë se poeti ka shkruar vargje kushtuar mikut të tij dhe poetit tonë të madh Din Mehmeti, me rastin e shkuarjes në amshim, në të dytin janë vargjet që kanë shprehje deridiku autobiografike, sepse nën të shënohet data dhe vendi i krijimit që është Stambolli. Në qerthullin e tretë janë të shtrira poezi me vargje përkushtuese për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Sulejman Vokshin, Azem Shkrelin, Ali Podrimejn, Zahir Pajazitin, Tahir Deskun, Teki Dervishin, Milianov Kallupin, Vaçe Zelën e të tjerë. Derisa në qerthujt “Jehonë kënge” dhe “Ndjenjë malli” shfaqen situata të tjera, madje edhe lirikë intime me tone paksa më të ndjeshme, qerthulli “Ankand publik” mund të quhet edhe prolog i veprës, ngase në vargjet poetike të poezive të tij, poeti Halil Haxhosaj, në mënyrë moderne, e pse jo edhe post moderne e pasqyron jetën bashkëkohore me të gjitha nuancat e saj. Në këto vargje hapet një dritare prej nga lexuesi do të gjejë edhe ndonjë dromcë të jetës së tij me të gjitha ngjyrat, nuancat, përjetimet dhe shtresimet, sepse:

 

Teshtima kollitje gërhitje

Në mëngjes në drekë në darkë

 

Ushqimit i ka rënë epidemia

Nuk gëlltitet as nuk përtypet

 

Ilaçet gjenden me zor

Dhe kushtojnë shtrenjtë

 

Çudi edhe në barnatore

Shiten në të zezën

 

Atëherë pse mos të bëjë kërdi

Kjo epidemi në këtë zallahi

 

“Ekspozitë në stinën e re”, që është vepra e dhjetë me poezi e këtij krijuesi dhe e 23-ta e opusit të tij letrar, e cila shpreh një përvojë të poetikës në veçanti dhe të krijimtarisë së tij letrare në përgjithësi. Andaj, këtu shihet paksa tjetër qasje, tjetër frymëzim, tjetër figuracion e pse jo edhe një formë e strukturim më i avancuar i poetikës së Halil Haxhosajt si poet.

Siç duket ky është qëllimi i krijuesit Haxhosaj, këtij shkrimtari të njohur e të dalluar, gjë që e bën këtë vepër me të arrirë, me të ngritur dhe në përgjithësi më interesante për kritikën letrare, e sidomos për lexuesin.

Poetika e kësaj vepre është e mbarsur me gjuhë të këndshme poetike në njërën anë, por edhe të pasur e të shtrirë në normat e gjuhës së sotme shqipe, çka e pasuron edhe më shumë atë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora