Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Një shëndetësi siç do ta donim...

| E marte, 08.04.2014, 08:05 PM |


Një shëndetësi siç do ta donim...

Nga Entela Binjaku

Në lëndën e sociologjisë që zhvillohet  në fakultetin e mjekësisë  së përgjithshme ka një shtesë në program që lidhet me tematika që vijnë nga sociologjia e  mjekësisë.

Sot më tepër se kurrë po vihet theksi mbi rëndësinë që ka përgatitja shkencore e mjekëve edhe mbi raportet dhe sjelljet me pacientët, dhe terapia në përgjithësi përmban edhe një pjesë të rëndësishme të raportit human.

Kjo degë e sociologjisë që daton nga dhjetëvjeçari i pestë i shekullit XX  lindi  si  rezultat i përparimit që  njohu shkenca e mjekësisë nga pikëpamja teknike dhe e organizimit.

Trajtimi i patologjive si pasojë e ndërveprimit të faktorëve biologjikë me ato shoqërorë, si dhe trajtimi i raportit mjek-pacient si një marrëdhëniet institucionale, janë disa nga elementët që trajtohen në këtë fushë dhe që janë të përfshira në këtë shtesë.

Për t’i vlerësuar edhe praktikisht këto elementë në leksionin e fundit kisha ftuar një zonjë e cila kishte jetuar dy përvoja të ndryshme: një të shkëlqyer që fliste për  fitoren mbi kancerin dhe një tjetër të diskutueshme dhe më komplekse që lidhej me përvojën e saj në kontakt me mjekët dhe shërbimin shëndetësor. Përvoja e dytë ishte “e pasuruar” në dy përvoja të tjera: brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ftesës për  ta ndarë historinë e saj me studentët të cilët sapo kanë nisur rrugën e profesionit të mjekut ajo ju përgjigj pa hezitim, edhe pse nuk e kishte të thjeshtë emocionalisht.  Duke e dëgjuar paraprakisht  historinë e saj, mendova se ishte kaq e vlerë sa nuk mund të mbetej pronë e vetëm një individi.  Kështu që ditën e leksionit vendosa të gërshetoj nëpërmjet historisë së saj: intervistën si metodë kërkimi, vëzhgimiin me pjesëmarrje, rëndësinë e historisë së jetës dhe përvojën e gjallë dhe të prekshme të punës me pacientin.

Rrëfimi nisi natyrshëm, plot ndjenjë,  që nga zbulimi i problemit shëndetësor, tek kryerja e analizave dhe kontrollit rutinë, tek trajtimi intensiv per tre muaj rresht me kimioterapi dhe radioterapi, rezultatet e reja të analizave, rikthimi në vendin e punës dhe riaktivizimi në jetën e përditshme.

Që në fjalët e para të prezantimit mbërtheu një heshtje vibruese. Studentët e mij e dëgjuan fillimisht me keqardhje. Biseda ishte aq prekëse sa që diku- diku m’u desh të ndalesha për të zëvendësuar mëshirën me ndjenja më të forta dhe më njerëzore: dashurinë për jetën, dashurinë që falte mjeku i huaj dhe humanizmin e tij të lartë, rëndësinë e trajtimit të pacienit si pjesë e terapisë së përgjithshme etj. Në momentin kur e ftuara tregoi arsyen e fortë që e kishte motivuar për të luftuar sëmundjen – moshën e saj të re dhe dashurinë që kishte për familjen dhe prindërit – të gjithë filluan ta dëgjonin me admirim. Ajo që mbeti në mendje ishte neglizhenca e aktit mjekësor në vend, trajtimi me shpërfillje i një patologjie të vlerësuar “nga më të mirët” nga njëra anë dhe nga ana tjetër vlerësimi i aspektit psikologjik të pacientit, i raportit të një komunikimi njerëzor me të, vlera e bashkëpunimit dhe e respektit për jetën e përjetuar jashtë vendit, aq sa u detyrova të mos pranoja përgjithësimin e këtij fakti por dhe mjaft shërbimeve humane e të specializuara nga mjekët tanë që njëkohësisht janë dhe, pedagogët e tyre.

Në mbarim të tregimit të saj ata filluan të duartrokisnin dhe respekti e dashuria lexohej në sytë e tyre. Kisha arritur atë që dëshiroja: të ndjenin kontaktin e domosdoshëm me njeriun, jetën, ndjenjat dhe zemrën e pacientit dhe kështu t’a dashuronin atë. Kishte mbetur më e vështira. Pyetjet. Ato mund të ishin të paparashikuara dhe që mund të ulnin nivelin e pritmënisë së bisedës. Por, jo; ato rrodhën natyrshëm nga mendjet dhe zemrat e ndritura të studentëve më të zgjedhur të vendit që studiojnë për mjekësi, nga ata që në masë kanë qenë sa nxënës  të dhjetave po aq edhe artistë në shpirt. Pyetjet ishin të ndjera, të mençura dhe njerëzore. Secila  niste me një falënderim për rrëfimin e historisë dhe më tej me interesimin për të ditur shkaqet e kësaj situate, mënyrën sesi e kishte përballuar këtë vështirësi, këndvështrimin për jetën, motivin për të luftuar, raportin me besimin tek mjekët tanë. Imagjinata e tyre ishte tashmë në funksion të plotë e orientuar nga kërshëria profesionale dhe nga ndjeshmëria  njerëzore për të cilën ata ishin të ndërgjegjshëm se kishte kaq shumë nevojë. Ata e kishin kuptuar kontrapunktin. Studentët e mij nuk do të mund të trajtonin me neglizhencë pacientët e tyre, apo të paktën këtë shikoja unë. Endrra e tyre nuk mund të përdhosej nga shembujt negativë të realitetit të sotëm edhe pasi ata i përkasin së ardhmes.

Në përfundim të takimit unë ju kërkova studentëve disa nga opinionet e tyre lidhur me leksionin dhe në mënyrë të përmbledhur komentet flisnin për nevojën e zhvillimit të temave të tilla të cilat i cilësuan: “ashtu siç e kemi ëndërruar dhe siç kemi dëgjuar edhe nga fakultete jashtë vendit”.

Kur nisa ta shkruaj këtë histori në mendje kisha një tjetër: një kolege që prej vitesh vazhdon betejën me kancerin. Si rezultat i kesaj beteje ajo i ka humbur të dy gjinjtë, dhe kur kanceri po e sulmonte përsëri, ajo sërish ndjeu nevojën për një ndërhyrje tjetër. Kësaj radhe ndërsa priste e zhveshur në sallën e operacionit, në spitalin shtetëror dëgjonte mjekët sesi ziheshin : “pse ke marrë pacienten time?”.  Nuk ishte paciente... ishte kliente.