E shtune, 20.04.2024, 09:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Takimet e ndjeshmërisë lirike

E merkure, 09.04.2014, 07:55 PM


TAKIMET E NDJESHMËRISË LIRIKE

(Halil Haxhosaj, Ekspozitë në stinën e re, JETA E RE, Prishtinë 2014)

Nga Baki Ymeri

Vëllimi më i ri i poetit Halil Haxhosaj propozon një kontribut të ri për lexuesit e ri në fushën magjike të poezisë. Autor i një varg veprash letrare, sidomos në fushë të krijimtarisë lirike dhe eseistikës letrare, autori na shpie në botën magjike të historisë, të poezisë dhe teknikës së rrugëtimit të fjalëve drejt një universi kombëtar me vlera universale. Libri hapet Në kafenenë e jtës me vargje që frymojnë vaje të shiut që rënkojnë, në kohën kur Jashtë fryn erë e rreptë/ Qielli derdh lot rrëke/ Natyra qulloset/ Deri në palcë. Në kafenenë e jetës, Vajet e shiut dënesin e vajtojnë/ Bashkë me mua e mysafirët.

Nuk është as vëllimi i parë dhe as i fundit i këtij poeti që ka krijuar një bibliografi impresionuese. Në kuadrin e këtij libri, autori tubon një gamë rezesh të arta të poezisë sonë, disa nga frymëzimet e tij duke u bërë pronë e të gjitha kohërave, të denja për të depërtuar edhe në libra shkollare. Në këtë mënyrë, lexuesit mund të afrohen edhe një herë me bukuritë e gjuhës sonë, me ndjeshmërinë e poezisë shqipe, me ofshamat e telefonit që cingëron rreptësisht kur Vdiq poeti, vdiq/ Dëgjova një zë të përvajtuar// Nuk besova derisa dëgjova dënesat/ Nuk besova derisa ia vërejta lotët, kur Terri u bë më i terruar/ Edhe mëngjesi veshi/ Rroba të zeza si futa/ Dielli e fshehu fytyrën/ Pas Bjeshkëve të Nemuna.

Halil Haxhosaj posedon një imagjinatë të bujshme krijuese, duke na e përkujtuar Din Mehmetin kur Atje lartë mbi Gjocaj/ Bora vuri shirit të zi, kur Toka rrëshqiti në heshtje/ Gjëmat ia shtuan klithmat/ Për krismën e emrit tënd/ Për përjetësinë Tënde. Vlen të potencojmë faktin se cikli "Ofshamat e telefonit" i kushtohet krejtësisht poetit Din Mehmeti. Gjocaj është fshati i lindjes së tij që gjendet mbi Junik rrëzë Bjeshkëve të Nemuna. Cikli “Buzëqeshja e lajmit" ka në esencë kohën e operacionit të poetit, kurse në ciklin "Lot e shi" kemi një spektër poezishë përkushtuese për fytyrat e njohura të historisë, letërsisë, muzikës dhe të përditshmërisë sonë. Ciklet e tjera kanë poezi me tematikë bashkëkohore, ndërsa në ciklin "Ndjenjë malli" ka edhe poezi intime me një dozë erotizmi që preket fare pak në letrat shqipe si pasojë e traumave që ka përjetuar kombi ynë gjatë pushtimit osman, komunist dhe serbijan.

Si një mal i fshehur na duket lirika e këtij bardi gjakovar. Nuk ka nevojë të japim vlerësime kritike ngase ato dëshmohen përmes vargjeve inspiruese si: Sa herë të shikoja në sy/ Diçka të trazuar shihja/ Diçka të fshehur në thellësi// Brenda kësaj hapësire/ Drita kacafytej me terrin/ Duke lundruar në mendje// Diku në gropën e thellë/ Tonelata malli zbrazeshin/ Mbi shikimet e mia/ Jetime të mbetura. Dhe ja vargjet e fundit që dëshmojënë se poeti din të fluturojë nga realiteti në qiell: Atje në varrezat e qytetit/ Edhe qielli pikonte mall/ Mbi miqësinë tonë poetike.

Poeti Haxhosaj shkruan për rrezet e diellit të zbehura në mjegullat e kohës, për gurgullimat e ujit e krrokamat që ndihen në rrjedhë vitesh, për gurgullimat e ujërave të Kosovës, për diçka që i degsis kur ajri lëkundet duke fishkëlluar nëpër gryka e vërri, Deri në Gjocaj/ Deri në Gropë të/ Erenikut/ E Gjeravicë. Vjeshta e vonë vjen me poetikën e jetës, dhe sa i rëndë na duket malli, kur Diçka ndihet nëpër këtë shi/ Ngjyrat dridhen në sfond/ Përzihen lëkunden pëlcasin// Në karrigen përballë meje/ Kotësisë i ngrihen flokët/ I kërcasin nyjat gishtat eshtrat. Dhe më tej: Mbi të lëngon zbrazëtia/ Frymëmarrja vështirësohet/ Gjithkah shtrihet pa pyetur. Pason Gjakova me dhimbjet e rënda zë zemrës së operuar në Junik: Sa madhështor kujtime për Ty/ Sa i rëndë malli.

Vargjet e këtilla meritojnë të recitohen nëpër shkolla e gjimnaze, si dhe në mbëmjet letrare të vatrave kulturore. Trazimi i gjumit është një nga poezitë më të pjekura të këtij kosovari të bekuar: Nuk po mund të bëj gjumë sonte/ Erë e fortë përplaset mbi dritare/ Gjelin mekanik e përkund keq// Fërfëllimë e egër fishkëllimë/ Agut ia çakordon kohën e lindjes// Sonte e kam gjumin e trazuar/ Ëndrra tmerri po e kafshojnë/ Tym e tufan e kaplon dhomën. Dhe më tej: Dikur librat mbi tavolinë/ Vargje poetike të ëmbla recitojnë/ Plot figura metafora e ngrohtësi/ Emri i yt  i veshur me poetikë/ Qetësinë ma sjellë në dhomë.

Me poezinë takohemi që në djep, që në ninullat e nënës në sytë e së cilës na vegon gjumi. E ndjejmë të nxehtë kur hapat tanë e prekin për herë të parë truallin e stërgjyshërve tanë. apo rërën e bregdetit, kullosën e lëndinave apo prozhmat e malit. Ion Barbu thekson se ekziston një ritm i jetës në çdo gjë dhe frymëmarrja e tij na avullon shpirtin. Halil Haxhosaj ec me kohën, Edhe koha ecën me emrin tënd në gojë/ Nuk ndalet për të dëgjuar a shikuar// Ajo nuk rri në një vend asnjëherë/ As mua nuk më pret edhe pse më ka mik// Ikën përpjetëzave e teposhtëzave/ Kurrë nuk e ndalë vrapin as turrin. Pse? Sepse Pjesë e saj e pagëzuar me emrin tënd/ Është duke marshuar ende pa u vërejtur// Edhe pse koha ecën pa ty nëpër rrathë/ Emri yt nuk mbetët pa u bërë jehonë.

Frymëzime të bardha na duken vargjet e autorit. Ato shëmbëllejnë me fjolla dëbore që zbrazën bardhësinë: Mbi pullazin e botës/ Pa u penduar fare/ Pa u mëdyshur// Sa afër ëndrra/ Sa larg gjumi. Dhe gjumi e bën të veten duke të shpjerrë në qepallat e hapura që shohin bardhësi, gëlltisin bukuri, në kohën kur Fjolla bore/ Sot zbrazën/ Bardhësi mbi mua// I bukur frymëzimi i bardhë. Ndoshta kësisoj stërvitemi të shtegtojmë, të shprehim fjalët e t’i lidhim në fraza që na kapin për dore e na shpiejnë në botën magjike të kuptimeve. Dorëshkrimi Doli nga sirtari/ U shtri mbi tavolinë// Flokë të thinjur i binin mbi ballë/ Të përlyera nga Moti i Hadit/ Të terrtuar nga errësirat. Më pastro nga harresa më tha, thekson poeti: Hiqma pluhurin e vesën e saj/ Aromë e freskët buronte/ Nga shkronjat e tëholluara. Dhe më në fund: Gjumi u shporr nga qepallat/ Dollapët me libra buzëqeshën.

Poezia e botës gërshetohet me lirikën e librave të botuar, kurse në vend të miqve për vallëzim paraqiten poetët që admirojnë fjalën e shkruar dhe vlerat e vargut të frymëzuar, sidomos në orën letrare kur s’e di se ç’ndodhi, vargjet ikën nga unë, ato morën arratinë: U kishin dalë thinjat/ Andaj u turpëruan/ Dhe ikën me vrap// Në orën letrare/ Publiku ngadalë u thinj/ E u zbardh. Halil Haxhosaj shkruan me dhimbje e me shqetsime dhe përmallime: Në fjongo vargjesh varur/ Rri shpresa gatitur/ Për t’u nisur në udhëtim të ri/ Dhimbja më pushtoi atëherë/ Këmbë e krye më kaploi/ Fuqi e saj e padurueshme. Pason krahasimi mes thellësisë së detit dhe thellësisë së shpirtit me buzëqeshjet e mikut kur Krushqit u vonuan rrugës/ Kafetë në odën e mikut/ U ftohën duke pritur, kur Viti ndërroi stinët/ Vjeshta u nusërua/ Me rroba pranvere.

Përmes fjalës së poetit, poezia bëhet mbretëreshë e zemrave tona, e vetëdijeve tona. Me dritën e saj, ajo na shpie në vatrat e atdheut, me një magji të veçantë që na ndërlidh me historinë, sidomos atëherë kur Shekulli mbylli hermetikisht/ Dritaren e epokës së vet/ U struk thellë i frikësuar/ Në librin e historisë// Në horizont diçka lëviz/ Mileniumi i tretë po lind// Miku im i dashur/ Të lutem eja/ Mos u vono në kremte! Mund të thuash se këtu nuk ka lajme të gëzuara që dëshmojnë se pa poezi mund të plakemi para kohe? Pa poezi as atdheu nuk na pranon në gjirin e tij, dhe as nëna jonë nuk na shtrëngon në krahërorin e saj. Si mund ta shprehim emrin e atdheut apo mamasë, nëse në buzët tona nuk lulëzon malli dhe dashuria ndaj tyre! Me këtë përmallim hapet dhe përmbyllet libri më i ri i poetit Halil Haxhosaj, liobrat e të cilit na shpiejnë nga shpati në shpat, nga kodra në kodër, nga fjala në fjalë dhe nga zemra në zemër. Ta gëzojmë edhe këtë vepër të re, kua autori na shpie deri te Gryka e Bosforit, me shikime të tretura nëpëpr valët e Detit Marmara, me përgëzimin për ta parë Detin Egje dhe Detin e Zi, pa e harruar Dardaninë tonë të dashur, një ishull i Shqipërisë që din të përqafojë universin dhe kontinentet e tij.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora