E shtune, 20.04.2024, 02:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Ismail Kadare: Si e njoha At Zef Pllumin

E hene, 07.04.2014, 08:04 PM


Si e njoha At Zef Pllumin

Intervistë me Ismail Kadare

Nga Shekulli

Shkrimtari Ismail Kadare rrëfen pengun e tij të madh mbi faktin se e pat njohur shumë vonë prelatin e fundit të françeskaneve At. Zef Pllumi. Kanë kaluar dy vjet nga vdekja e tij, një përvjetor që kaloi pa ndonjë jehonë ndër qarqe akademike dhe kulturore.

Në intervistë shkrimtari Ismail Kadare dëshmon se si pater Zefi i kishte tejkaluar kufijtë e të qenit vetëm prift por njëkohshëm ishte edhe dëshmitari më i denje i gjithë atij brezi martirësh që u flijuan për besim dhe për mendimin e lirë, nën regjimin e ashpër komunist. "Unë kam një peng mbi at Zef Pllumin se jam njohur shumë vonë me të, duhet ta kisha njohur më përpara...", rrëfen shkrimtari Ismail Kadare.

Jemi këtu në shtëpinë tuaj për të folur për një prej personaliteteve të kulturës shqiptare e pikërisht për At. Zef Pllumin. A mund të na tregoni se si ka qënë njohja me të dhe cilat ishin përshtypjet tuaja të para mbi At Zefin?

-Së pari, desha te them që unë kam një peng në lidhje me At Zef Pllumin se jam njohur shumë vonë me të. Tepër vonë, mund të them dhe duhet ta kisha njohur më përpara. Nuk dua të zgjatem për shkaqet sepse ndonjëherë në Shqipëri është shumë e lehte te gjenden shkaqet negative për një gjë, pse nuk ndodh një gjë.

Sepse shpesh këtu veprimet pozitive janë më të vështira të ndodhin midis njerëzve se sa veprimet negative, domethënë në ato që quhen vende të qytetëruara gjenden gjithmonë forca që i afrojnë njerëzit, intelektualët, njerëzit e njohur me njëri-tjetrin.

Për fat të keq me ne shpesh ndodh e kundërta. Se ka njerëz qe janë shumë të zellshëm për të larguar, për të mos të të lënë të afrohesh.

Besoj se kështu më ka ndodhur edhe mua me këtë njeri te shquar dhe nëse ne jemi njohur për fat të keq në kohën kur atë po e linte shëndeti, desha të them që është merita e tij se ndoshta unë duhet ta kisha patur atë nismën për ta njohur por kam qënë ...nuk e di në ç'rrethana, i pavëmendshëm për këtë gjë. Pra edhe këtë njohje të vonë ishte ai që ishte shumë më i vjetër se unë që e ndërmori dhe nuk kam qënë unë. Më vjen keq për këtë.

Njohja e parë ka ndodhur pikërisht në këtë dhomë, këtu ka ardhur dhe është ulur, ka kërkuar të njihet me mua dhe sigurisht kam qënë i gëzuar për këtë gjë dhe jam habitur edhe vetë që në moment se pse nuk jam njohur përpara, pse nuk kanë ardhur rrethanat. Siç ua shpjegova, kështu ndodh me ne për fat të keq.

Ai ka ardhur, është marrë vesh sigurisht me telefon me njerëzit dhe ai kishte gjithmonë njerëz që e donin, që e shoqëronin, ka ardhur e ka sjellë botuesi im më kujtohet dhe një kureshti prandaj e thashë këtë ... botuesi im më tha pastaj që më bekoi makinën që e solli, pasi qëndroi tek hyrja e gratacelit ku unë banoj.

Ka qënë dy -tre ditë para se të bëhej një aktivitet për Dante Aligherin. Në fakt ka qënë pikërisht Dante Aligheri që na afroi, një ese që kam shkruar per Danten. Më tha vetëm kaq: E pëlqeva shumë, dhe që donte te vinte në diskutimin për të. Diskutimi u bë në një sallë të madhe nuk më kujtohet ku..

Në Pallatin e Kongreseve...

Po, kishte shumë njerëz dhe kishte gjithashtu edhe mjaft italianë të ardhur nga shoqata "Dante Aligheri", natyrisht nga ambasada dhe At Zefi ka hyrë atje, do të thoshja në mënyrë të mrekullueshme, veshur me zhgunin e françeskanëve, I vetmi që e kishte, që është shumë e rrallë se njerëzit kanë dëgjuar shumë për to por pak kanë parë, sidomos rinia. Në Shkodër ndoshta mund t'i ndeshësh më lehtë por atje ai është një figurë gati mitike.

E mori fjalën në një mënyrë supreme si një njeri që ka përjetuar metaforën e madhe të Dantes, qëndrimin në Ferr, iu drejtua ambasadorit italian dhe tha: "Dante e ka shkruar Komedine, Ferrin e tij, për ne, jo për ju".... dhe ishte i saktë në këtë gjë që dukej tepër e çuditshme sepse në fund të fundit ne ishim të fundit që e përjetuam njëlloj siç e kishim përjetuar sipas përfytyrimit dantesk gjithë shekujt si të thuash.

La një përshtypje të mrekullueshme, natyrisht foli shumë bukur, fliste gjithmonë shumë bukur. Kështu pra jemi njohur, jemi takuar pastaj disa herë, unë kam qënë mysafir i tij në Shkodër dhe në rezidencën e tij këtu në Tiranë ku banonte. Te Françeskanët në Shkodër kemi qëndruar gjatë bashkë, kemi biseduar.

Ishte një njeri siç e kanë cilësuar, është e ditur tashmë e thonë të gjithë, jashtëzakonisht i rrallë. Kishte një tërheqje që sigurisht vinte nga intelekti dhe nga zemra, nga të dyja. Ishte i saktë, ishte i mprehtë, ishte emotiv, ishte racional, I kishte të gjitha.

- Ju përmendët Ferrin ose më saktë përcaktimin e At Zefit mbi Danten dhe Komedinë Hyjnore. Le të themi që libri i tij "Rrno për me tregue" është përshkrim i rrathëve te Ferrit Komunist që ai e ka treguar për publikun, ia ka dhënë lexuesit shqiptar. Cila është konsiderata juaj për këtë libër në letërsinë postkomuniste?

Pikërisht, lidhja e tij me Dante Aligerin nuk kishte një burim estetizant si një njeri i kulturës .

Lidhja e tij ishte organike, ishte e shumëfishtë dhe prandaj ai kur iu drejtua italianëve atje ishte në mënyrë sovrane, ishte dicka e dalë nga thellësia e tij. Libri i tij është një projektim i Ferrit të Dantes, ishte një projektim me atë mozaikun e personazheve të jashtëzakonshëm që ka, plus me atë Kalvar që ka përshkruar, me atë frymë njerëzore që ngrihet mbi vuajtjet njerëzore, mbi pesimizmin, mbi mërzinë që të shkakton kur dëgjon për një Ferr.

Karakteristikë e artit të madh, qoftë arti direkt ta zëmë dramat e mëdha që janë shkruar ne botë, karakteristikë e artit të madh është që ti shikon tmerre të mëdha në skenë por ti nuk mërzitesh, ti nuk depresionohesh, ti nuk lëshohesh, nuk ligështohesh shpirtërisht. Përkundrazi, ti shikon gjëma që të ngrenë leshtë e kokës përpjetë dhe del prej teatrit ose prej vendit ku recitohet diçka, del me një gjendje shpirtërore të ngritur.

Kjo është magjia e çuditshme, kundërthënëse, hyjnore e artit të madh. Dhe ky tipar i artit të madh nuk është e thënë të gjendet vetëm në veprat artistike, ai gjendet shpesh edhe në veprat dokumentare kur janë të mëdha siç është rasti i librit "Rrno, për me tregue" që është një nga dokumentet më të mëdhenj të gjysmës së shekullit mund të them.

Më të thellë e më të bukur, në kuptimin e bukurisë se ai nuk është i bukur... ai është i tmerrshëm, i trishtuar..por në atë kuptim dhe pikërisht shprehja tmerrësisht i bukur i shkon shumë. Tipar i këtij lloj arti, i kësaj ngritjeje te mendimit artistik dhe intelektual në nivelet me të epërme, më të larta.

At Zef Pllumi nuk ka qënë thjesht, një personalitet i kulturës, erudite, dhe mund të shtojmë këtu shumë cilësore, por ka qënë edhe një prift franceskan. Ju në shumë shkrime të ndryshmë keni shprehur një lloj simpatie nëse mund ta quaj kështu për Kishën e krishterë, për Kishën Katolike. Cili është përcaktimi apo konsiderata juaj ne lidhje me rolin e Kishës Katolike në Shqipëri gjatë shekujve por në veçanti gjatë shekullit të 20-të?

Qëndrimi im intelektual dhe emocional ndaj Kishës katolike Shqiptare ka një burim kulturor ne radhë të parë. Dhe kur them kulturor kemi thënë gjithçka. Ka një burim identitar, nuk është burim fetar, unë nuk jam katolik, nuk jam i krishterë, por qëndrimi im është normal, nuk është i pazakontë.

Është qëndrimi normal i njeriut shqiptar të kulturuar. Nuk po e them këtë si një mburrje apo si një epitet por është i një njeriu siç thuhej më përpara, të lexuar, të kënduar thoshte populli, të ndriçuar dhe kjo nuk është një gjë e rrallë. Janë me mijëra e me mijëra të tillë.

Pra, qëndrim im është qëndrimi i një shqiptari normal i cili shikon te kjo traditë fetare dhe kulturore katolike, identitetin e tij, të kombit dhe të popullit të tij dhe prandaj nuk është as për tu çuditur e aq më pak (sepse disa herë mua ma kanë keqkuptuar këtë gjë),për t'u keqinterpretuar. Kjo nuk më bën përshtypje sepse nuk ka pse të më bëjë përshtypje një gjë që nuk ka atë kuptim të ngushtë dhe meskin siç mund t'i japin të tjerët.

Ky është qytetërimi europian shqiptar i lidhur në mënyrë të ngushtë me krishterimin. Pavarësisht se Europa është një kontinent që i njeh të gjitha besimet, natyrisht dhe këtu e ka çuar fryma e saj e thelle demokratike, emancipimi i saj i thellë që është kontinenti më i përparuar nga ana e emancipimit njerëzor, kontinenti që ka njohur ashpërsinë e botës, egërsinë e saj, butësinë edhe dritën e saj. Europa i ka të gjitha, Europa nuk është një kompleks idilik siç mund ta quajmë ne, rozë.

Ajo është një kontinent i ashpër dhe qytetërimi i saj rozë ka lindur nëpërmjet ashpërsisë, e njeh atë, e ka përjetuar dhe ka funksionuar shpesh herë me të, prandaj është e fortë Europa dhe qytetërimi europian. Ai ka një element zotërues të krishterë, por edhe një element të tillë human që pranon besimet e tjera.

-Në këtë këndvështrim cili është roli i Kishës katolike gjatë shekullit të 20-të në Shqipëri. Unë do të veçoja këtu rolin e Françeskanëve duke qënë se dhe At Zefi vinte prej këtyre bashkëvëllezërve dhe nga një traditë për tu lëvduar e për tu evidentuar si Fishta, Vincenc Prendushi dhe shumë të tjerë?

Në përgjithësi mund të them me bindje se dega e françeskanëve ka qënë më e shquara nga pikëpamja kulturore, patriotike dhe kulturore në letrat shqipe.

Andej kanë dalë revistat më të mëdha, shkrimtarët më të mëdhenj, tradita më e madhe dhe më e qëndrueshme dhe ata u martirizuan të gjithë. E kur flasim për rol kulturor të klerit katolik shqiptar që është i padiskutueshëm, natyrisht në radhë të parë kemi parasysh françeskanët.

Kanë qënë në pararojë të këtij veprimi të pandalshëm kulturor që nuk ka reshtur asnjëherë. Natyrisht ata kanë marrë pjesën e tyre të lavdisë e për fat të keq kanë marrë edhe pjesën e tyre të martirit.

Ata janë martirizuar si rrallëkush në botën komuniste. Të gjitha besimet janë martirizuar në perandorinë komuniste por katolikët shqiptarë e në këtë rast françeskanët, janë vërtet dhe kanë një vend të shënjuar dhe për këta kanë të drejtën morale më fort se kushdo tjetër të dëshmojnë për këtë gjë, të flasin për këtë gjë.

Dhe ne kemi detyrën morale që ta dëgjojmë zërin e tyre dhe të nxjerrim mësime të mëdha prej këtij zëri, pavarësisht se çfarë zanafille fetare ose kulturore kemi. Atje ne bashkohemi të gjithë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora