E marte, 23.04.2024, 09:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Me frymëzim poeti

E marte, 08.04.2014, 06:46 PM


ME FRYMËZIM POETI, PËR PASURITË SHPIRTËRORE NË MALËSINË E GJAKOVËS

(Veprimtari përuruese, për librat e studuesit Avdyl Sulaj)

Nga:  Prof. MURAT GECAJ

1.

Siç është e njohur, njerëzit e shprehin në mënyra të ndryshme dashurinë për vendlindjen. Ndër format e njohura janë ato, që përdorin poetët e shkrimtarët, artistët e studiuesit e fushave të ndyshme. Dikush thurë poezi dhe, me ndjenjat e pastra të shpirtit të tij, i drejtohet asaj me fjalët më të zgjedhura. Një tjetër shkruan tregime, novela ose romane, me subjekt historinë ose traditat e çmuara të vendlindjes. Por ka edhe nga ata që, të frymëzar nga bukuritë e natyrës dhe pasuritë e shpirtit të popullit të vendlindjes, këndojnë ose luajnë valle karakteristike, vizatojnë ose pikturojnë etj.

Ndoshta, nuk do t’i kisha shprehur këto mendime këtu, po të mos kisha parasysh një koleg e mik të caktuar, bashkëkrahinës nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Ai është pikërisht mësuesi, bibliotekisti, poeti e studiuesi i njohur i atyre trevave, me tradita të shumta atdhetare, shpirtërore, kulturore e gjuhësore, Avdyl Sulaj. I frymëzuar nga këto tradita e të tjera dhe bukuritë e rralla të vendlindjes, ndjenjat e tij për të, ai i shprehu edhe në vargje të bukura. Kështu, poezitë e krijuara i mblodhi në vëllimin me titullin “Kristale alpine”(Tiranë, 2006). Nuk do të bëj ndonjë koment rreth tyre edhe sepse nuk jam i kësaj fushe. Por po përmendi vetëm vargjet e një poezie të tij: “Sot e dashur, për Shën Valentin,/ dhuratat do t’i bëj nga peizazhi alpin./Një fustan do ta end në vegjë të erës,/prej fluturzash bore, te Kroni i Verës./ Një ylber do ta mbërrij lart në bjeshkë,/me stofin e tij do të bëj një xhaketë./ Majë Shkëlzenit do të kap një vetëtimë,/ ta bëj fjongo flokësh të artë, vizëllimë./Gjerdan do ta bëj Valbonën shtatkristal,/ mbushur në muzg, yje dhe hënëza argjend e ar… (Nga poezia, “Dhuratë së dashurës, për Shën Valentinin”).                 

Më herët, duke jetuar e punuar mësues në fshatrat e krahinës së vet dhe bibliotekist e drejtues biblioteke në qytetin “Bajram Curri”, Avdyli nisi të qëmtojë si bleta dhe të mbledhë thesare të çmuara nga pasuria gjuhësore e kulturore e bashkëkrahinësve. Sigurisht, ai që është marrë me një veprimtari të tillë, e di se sa mund e djersë, por dhe aftësi profesionale duhen, që t’ia arrish mirë e plotësisht qëllimit të caktuar. Më në  fund, ai arriti që ta përpunonte e sistemonte lëndën e mbledhur dhe ta dërgonte për botim, në një libër të veçantë. Por, para se ta bënte këtë gjë, u këshillua edhe me specialistë të aftë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, ndër të cilët ishin dhe prof. dr. Hajri Shehu e Pavli Haxhillazi. Librin ai e titulloi “Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”. Vëllimi i parë i tij, me fjalë të rralla e një studim dialektologjik për të folmen e kësaj krahine,  u vu në qarkullim në vitin 2000. Në vazhdim të atij libri, e botoi  tre vjet më vonë vëllimin e dytë të tij me shprehje frazeologjike.

Populli e ka shprehur bukur me  fjalët: “Oreksi vjen, duke ngrënë…”. Kështu edhe ky studiues i pasionuar nuk i ndërpreu kërkimet as punën studimore, sidomos në fushën e njohjes, studimit dhe botimit të pasurive gjuhësore të krahinës. Ndër të tjerët, kishte shembull për ta ndjekur, të ndjerin prof. dr. Xheladin Gosturanin, tashmë i njohur për kërkimet, studimet e botimet dialektologjike të së folmes së Malësisë së Gjakovës(Tropojës). Të mbledhura nga goja e gjallë e popullit, por dhe duke qëmtuar më herët, Avdyli arriti të publikojë 15 mijë fjalë e kuptime të reja fjalësh, tabu, eufemizma etj., në “Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore” (Tiranë, 2009). Botimi tjetër i këtij studiuesi tropojan e ka titullin “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”(Tiranë, 2012), me redaktor prof. dr.  Qemal Muratin. Në këtë libër ai  trajton çështje të gjuhës letrare standarde, të pastërtisë së shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme, të leksikografisë sonë të sotme, për onomastikën e Tropojës etj.

Emrin e A. Sulës e gjejmë shpesh edhe në gazeta e revista dhe në shtypin elektronik, me  shkrime rreth çështjeve të ndryshme, aktuale ose të së shkuarës. Kështu, p. sh, po përmendim atikujt me firmën e tij, “Gjuha letrare, proces i hapur në zhvillim”(revista “Perla”, Tiranë, nr. 4, 2004) dhe “Aspekte të origjinalitetit të Eposit Legjendar Shqiptar”(në VOAL, “Zëri i Shqiptarëve, shkurt 2012) etj. Shërbim të çmuar i bën ai vendlindjes edhe përmes drejtimit e botimit të gazetës periodike me emrin domethënës, “Rrezja e Shkëlzenit”.

2.

Libri më i ri i autorit Avdyl Sulaj  është “Larushia e fjalës në gojën e popullit” (Tiranë, 2013). Në të, janë përfshirë fjalë të urta, urime e mallkime, betime e lutje, ngushëllime,  fjalë të rralla e frazeologjizma. Kryesisht, ky libër ishte shkaku i tubimit, që u organizua këto ditë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, bashkëkrahinës të autorit, mësues e studiues të fushave albanologjike, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Me tema të përgatitura posaçërisht për punën e përkushtuar dhe, në përgjithësi, për udhën 35-vjeçare kërkimore, studimore e botuese të tij, folën: prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-Akademik ass.; prof. dr. Hajri Shehu e prof. dr. Seit Mansaku, dr. Skënder Demaliaj e poeti Hamit Aliaj. Gjithashtu, e përshëndetën dhe e përgëzuan atë, për punën e bërë dhe botimet e deritanishme me tematikë nga vendlindja e vet: dr. Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, studiuesi Sali Onuzi e publicisti Petrit Çeliku etj. Me këtë rast, u recituan poezi për bukuritë alpine dhe mësuesi veteran e botuesi, Nuredin Lushaj lexoi një poezi të tij, shkruar posaçërisht për mësuesin, poetin e studiuesin Avdyl Sulaj. Ndërsa vetë ky, në mbyllje të veprimtarisë, i përshëndeti e i falëndëroi nga zemra, si folësit e pjesëmarrësit në këtë tubim dhe të gjithë kolegët e miqtë, të cilët e kanë ndihmuar e kanë bashkëpunuar me të, gjatë kërkimeve, studimeve dhe botimit të librave të tij.

Tiranë, 31 mars 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora