E enjte, 28.03.2024, 10:20 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Më falni! Kush jini ju ?!!!

E merkure, 09.04.2014, 03:42 PM


Më falni! Kush jini ju ?!!!

"Vij në fshat e nuk më njohin

Nga t' më njohin, kur s'më shohin?!!!"

Autori

Tregim i jetuar

Nga Përparim Hysi

Më duket se kam lindur plak. Mos po zmadhoj? Jo. Aspak. Kështu është. Nuk më pëlqen që të lëviz. Shkurt fjala: jam si ujë i ndënjur. E di që do më paragjykoni: në ujë të ndënjur, kurrë mos pi  ujë. Po. Ja i tillë kam qëlluar unë. Tek shkruaj,  më vijnë në mënd lutjet e kolegëve në Drejtorinë Arsimore në Fier. Sa na kish dalë një sponsor për në Maqedoni. Gëzimi i  madh. Askush prej nesh nuk e kish kaluar klonin dhe unë thashë nuk vij. - Po si është e mundur?  Ne mezi gjetëm një sponsor dhe ti vërvit shqelma? Po unë në timen: nuk vajta. Nuk vajta, po kot nuk thonë që dardha e ka bishtin prapa. Pa u kthyer mirë kolegët e mi (qenë gati  12 vetë), ja tek mbrrin nga im bir një garanci për në Amerikë. Tani po. Tani do kërcej si prifti nga belaja. Imbir kish vjete në Florida dhe  ish bërë me një vajzë. A nuk duhet të ishin gjyshërit pjesëmarrës në këtë gëzim? Sa u gëzova për timembesë,aq u hidhërova për këtë "prishje të statuquos" sime. E mora garancinë dhe,pasi përpilova kërkesën për vizë,e përcolla për në ambasadë. Kur e postova, shpreha dëshirën që kisha përbrënda:- Do Zoti dhe nuk na japin vizën! Mirëpo, brënda javës, erdhi përgjigja që , bashkë me timeshoqe, të paraqiteshim atje, tek rruga e Elbasanit. Herë e parë që qemë kundra njëri-tjetrit me timeshoqe. Ajo e gëzuar se do vinte tek djali që kishte tri vjet pa e parë dhe unë (asaj nuk ia shfaqja), i zymtë dhe sikur më kish ngrënë gomari bukën. Dhe ke parë: ambasada na e dha vizën tri muajore si vizitor. Qe nëntor i vitit 2000. Tërë natës sikur u përmbys dynjaja. Nuk  ra shi, po sikur binin kërcunj nga qielli. Zoti, siç duket, m'i kish lexuar "teskeretë e shpirtit" dhe " vuloste"  tapitë e mia të mërzitjes. Fshati ku banoja prej 50-vjetësh, është i gjithi rrëzë një kodre të mbushur me ullinj. I gjithi poshtë xhades Fier-Lushje dhe, ndërsa kodra është si një presidium i madh apo si një tribunë gjigande prej dhjetra hektarësh, fshati është si një plate e madhe. Në atë "presidium" apo tribunë, nën hijen e ullinjëve, kalonim mbasditet në vitet e pasdiktaturës. E theksoj këtë, se tani kodrat me ullinj janë mbushur me dhjetra vila që nuk u lënë gjë mangut. vilave në Evropë. Në theksoj këtë "fizionomi" të fshatit, dua të jem dhe më i përdrejtë. Kur dola nga fshati më 10 nëntor të vitit 2000, pashë që gjithë dherat e kodrës kishin vërshuar nga kodra dhe kish mbuluar xhadenë. Në sinkron me mërzitjen time. Nuk mbahej mënd, ndonjëherë tjetër, të kish ndodhur kështu. M'u kujtua Shekspiri dhe tragjedia "Makbetth". Atje ka një  skenë ku"Pylli i brinjës,i bie malit të Dysinjës". Dhe thuaj, po deshe, që nuk ka ndodhur. Dherat që kishin vërshuar mbi xhade, mbanin "ison" e dëshirës sime që fshihej në shpirt. Por, kur bien këmborët, as që dëgjohen zilet.

 

*     *    *

Vizën e kishim tre muajore, po, sapo shkelëm në New-Jork, na i shtuan edhe tre muaj të tjerë. Mbrritëm në Sant Petërsburg të Floridës dhe, veçanërisht, imeshoqe, mend këndonte nga shendi. Malli për djalin dhe, si thelë mbi bisht, gugitja aq qiellore e mbesës, Albës. Po, ndërsa unë nuk e kisha një ndjesi të tillë gazmore ( më ishin prishur ajo qetësia dhe ngrohtësia e Mbrostar-Urës nga isha), imeshoqe  duket se gjeti parajsën. Konditat  që gjeti në Amerikë, as në përrallë nuk i kish hasur. Kurse unë hundë e buzë. Mbeta mbyllur si miu në çarg dhe fol o gur, fol, o mur! Pas një jave, më doli dhe mua  të "pirët". I hapa vetes punë: Albën në karrocë dhe i bija gjithë rajonit ku banoja vërdallë. Klima: behar, përgjithësisht, dhe katandisa "burrë me pantollona të shkurtëra". Tri të katërtat e vitit, Florida, bën behar. Xhaketë dhe pantollona të gjata, brënda vitit, mund të vishje veç një muaj. Goxha mirë dhe nuk kishe seç i thoshe. Kur thonë: më mirë, prishej. Dhe, tek afrohej që po na skadonte viza, bëmë kërkesë për ta shtyrë vizën. E shtymë me disa muaj. Mandej, një avokat na mori në qafë:- Rrini se dokumentet për qëndrim të përhershëm, jua rregulloj unë. Kështu bëmë. Dhe e "pësuam". Ndodhi tragjedia e shtatorit 2001 dhe  gjërat shkuan së prapi. Për të mos mërzitur lexuesin as do flas për "maratonën" që bënë dokumentet tona për t'u pajisur me "greencart", por ju tregoj shkurt: ne e fituam këtë të drejtë pas 9-vjetësh. Vetëm e vetëm se shkelëm vizën. Natyrisht, malli për Atdhenë, për  të afërmit, për miqtë e shokët na ngriti avadan.  Na gjeti si punë e asaj që tregojnë: -vajti shyta për brina, la dhe veshtë atje". Pra,erdhëm për tre muaj dhe mbetëm me vjete. Por, kur u  mbushën plot dhjetë vjet, erdhëm në Shqipëri. Erdhëm dhe do qëndronim tri muaj e do ktheheshim sërish.

 

*    *   *

10-vjet nuk janë pak. Aq më tepër për moshën e  tretë si unë e imeshoqe. Mezi prisja që të gdhihej, mbasi sosëm në Shqipëri, se do dilja që të çmallesha me shokët.  Sa zbrita në Fier, hasa në një miken time të vjetër. Për etikë, ca emra që do lakoj, do i ndryshoj, se nuk është faji  i tyre. E,pra, takova miken time të vjetër, Marjanën. E dija që i kish vdekur burri dhe,sa e pashë, i hodha duarët në qafë, dhe i thashë:

- Marjana, më vjen keq për ç' të ka ndodhur. Të të rrojnë fëmijët e, pas kësaj fatkeqësie, vetëm gëzime të kesh! Ajo u skuq, sikur të kish bërë turp, ma priti:

- Më falni! Po kush jini Ju ?!!! Po t'më kish qëlluar njeri me pëllëmbë a t'më kish hedhur dikush një kovë me ujë të ftohtë, aty, mes qytetit, doa ta ndjeja veten më mirë  se sa me këtë "mosnjohje". Vallë, kaq ta kisha përtypur okallinë unë,sa mos më njihte dhe Marjana? Se, për t'i vënë pikat mbi i dhe për lexuesin, po ju them: me Marjanën kemi ngrënë bukë 4-vjet në shkollën e mesme (kemi qenë konviktorë dhe  në të njëjtët vite) dhe, veç këtij fakti kokëfortë, kur dola mësues, unë u emërova në fshatin e Marjanës dhe atje, me Marjanën, punova dhe tri vjet të tjera. Për 30-vjet të pas martesës së Marjanës ne shiheshim, pothuaj, për javë. Dhe, ja tani ajo nuk më  njohu.

U zhgënjeva nga kjo mosnjohje e saj dhe nuk i dhashë kënaqësinë e njohjes.

- Nuk më njohe,- i thashë,- më mirë të mos e dish kush jam. Ika si i fyer në mallin që kisha dhe, tek bëra ta harroja Marjanën, ja tek përballem me Miçon. U rrokëm përqafe dhe pyes mbarë e prapë. Epo dhjetë vjet. Nuk i thonë shaka. Ah, Marjana,- thashë,- a e sheh?  Ja Miçoja më njohu, kurse ti... Pas Miços, agronomi ( nuk dua që ta fyejë se është i pafjashëm). Unë , sigurisht, në qafë. Epo më ka grirë malli. Agronomit, për t'ia bërë më "prezente" njohjen,zë e pyes mbarë e prapë. Për t'i thënë jam unë, or mik, që mos qofsha! E shoh që  sikur nuk është ai që njoh dhe ia zbraz:

- Ore mik, më njeh apo nuk më njeh?

- Ti po më provokon,- bërtiti dhe iku si i llahtarisur.

 

*    *    *

Me një sëmbim në zëmër u ktheva në shtëpi. Ia tregova simeshoqe se ç'më kish gjetur. Aha,- tha ajo,- po si nuk të ka njohur Marjana?  Ka dashur vetë dhe ka bërë. S'të njohu ty, pse kaq ke ndryshuar? Më njohu,s'më njohu as që më prishej puna dhe doja ta harroja, por "mosnjohja" ime vazhdoi të nesërmen.  Ballë për ballën me atë Miçon e djeshëm. Sot  Miçua është me të shoqen, Valin. Vali,sa më pa, thirri:- Papi (kështu më thërresin të gjithë ata që më njohin), po kur paske ardhur nga Amerika?

Tek po përqafoheshim me  Valin, dëgjoj Miçon:- Po, shyqyr,se kam tërë natës që vras mëndjen kush qe ai që takova!!!  U bënë si shumë "msonjohjet" e mia dhe, ndaj i shkrova ato rreshtat e  asaj poezie. Por ndërsa miqtë e shokët që më"njohën" më bënin qejfin e më mbanin me kurajo,se " gjasme nuk kisha rënë e kot ankohesha", kur, befas,dha ballë Elmazi. Ky i pret drutë shkurt. As të njeh për Sulo-be dhe të prishet apo nuk të prishet ajka:- Papi,- thirri gazmor,- mos shko më në Amerikë,se ke hyrë si doku në ujë. Ky përcaktim i tij (qe më i saktë nga të gjithë), më vlejti si përgjigje për të gjithë ata që më pyesnin.   Ma ka thënë Elmazi dhe nuk e luan topi. Por nuk mbaroi me kaq. Tek po vija nga qyteti për në fshat, ballë për ballë me Hatixhenë. Hatixheja është nga Petova ku më ka rënur koka.  Sa më pa ( me mua qe dhe imeshoqe), tha:- Dëgjo unë lakra , presh e spinaq shes në Fier, por  ti ke humbur andej nga ke shkuar. Edhe bukën, edhe gjellën ta heqë Hatixheja dhe sakën se shkon më andej. Unë tani sikur qeshë bërë njeri tjetër: ca nga Miçoja, ca nga Elmazi dhe, ca më shumë, nga Hatixheja, vendosa:- Do shkoj në Amerikë sa të bëj dorëzimet e shtëpisë  (banoja me qera) dhe do kthehem. Dhe kështu bëra. Ka qenë marsi i vitit 2012 kur e lashë Amerikën dhe,pasi botova poezinë "Portën e emigrimit e mbylla" u ktheva. U ktheva dhe, pothuaj, kam rilindur. Me "bukë e gjellë" më mban Hatixheja dhe, kur prek tokën, bëhem dy herë më i fortë: si Anteu i Mitologjisë! E, ku ka si Atdheu yt? Këto daulle unë i tund për të gjithë ata që kanë veshë. Ca më shumë për moshën e tretë. Mos ikni se nuk do t'u "njohë Marjana" a do t'u marrë si "provokatorë" agronomi dhe,sa të gjeni Elmazin që i thotë gjërat copë, mund të jetë vonë.Po dhe një Hatixhe si ajo nga Petova zor se do gjeni. Tepër vonë do të jetë, por si të doni...

Tiranë, 1 prill 2014



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora