E premte, 29.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Kulturë

Murat Gecaj: Intervistë me shkrimtaren Kozeta Zavalani

E diele, 06.04.2014, 03:09 PM


KOZETA ZAVALANI: ME VEPRIMTARI  E BOTIME, SI NJË FUSHË ME LULE SHUMËNGJYRËSHE…

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.Jemi njohur bashkë mjaft vite më parë dhe asnjëherë nuk kam shkruar për ty. Ndoshta, kur e ke një person afër, sikur nuk  e “sheh“ atë, pra vëmendjen e drejton diku më larg. E them këtë gjë, pasi kam shkruar për disa kolege e mike të përbashkëta, ndërsa për ty jo?! Pra, me këtë rast, po kërkoj edhe njëfarë ndjese…Që mos të zgjatem, a ma jep fjalën që, deri  sa ta përfundojmë këtë bisedë, nuk do të udhëtosh përsëri diku larg, deri në Azi ose Afrikë, siç po ndodh shpesh me ty, në vitet e fundit? (ha,ha) Duke i lënë shakatë, a mund të më flasësh, sigurisht shumë shkurt, për vizitat tua jashtë Shqipërisë dhe me çfarë qëllimi janë bërë ato?

-Fillimisht, ju falënderoj për bisedën së bashku, me një koleg e mik të hershëm, siç  jeni ju. Pa iu ndarë bashkudhëtareve të mia, leximit e krijimit, që më kanë ushqyen shpirtin, duke bërë njëkohësisht që jeta ime sociale të  zgjerojë hapësirat e mia, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin t’i shoh, t’i prek e t’i ndjej. Qëllimi në këto udhëtime ka qenë gjithmonë marrja pjesë në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar letërsisë, gruas e paqes globale, në vende të tillë, si në Holandë, Itali, Amerikë, Poloni, Marrok, Norvegji, USA, Korenë e Jugut, Gjermani etj. Gjithashtu, kam kryer një sërë kualifikimesh pasuniversitare “Mbi menaxhimin e kohës”, nga Vrije University, në Amsterdam të Holandës. Doktoraturë e kam mbrojtur për “Burimet njerëzore dhe lidershipin”, në Institutin ISIDA, në Palermo të Italisë, ku jam laureuar me gradën shkencore “Doktore”.

2.Si kolegët e miqtë tu të shumtë, ndiej kanaqësi për arritjet tua në lëmin e publicistikës dhe të krijimtarisë letrare. Nga Interneti, kam një montazh kopertinash të disa librave tu, si një fushë me lule shumëngjyrëshe. Por ato nuk thonë gjithçka dhe kuptohet se mungon përmbajtja. Pra, cila është tematika kryesore e tyre?

-Krijimtarinë time e kam filluar qysh herët, me botimet e poezive në revistën e fëmijëve “Pionieri” dhe në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Bashkimi”, ku jemi njohur së bashku  etj. Më tej,  kam vazhduar  bashkautore në librin me poezi, "Këngë të para"(Tiranë, 1976) dhe në vëllimet me tregime,  “Heronj të heshtur", nr.2-4-6, (Tiranë, 1978). Ndërmjet  viteve 1997-2002, kam drejtuar botimin e gazetave periodike "Edhe Menaxhere" e "Zëri i Arbërit". Në vitin 2000 e 2002, kam botuar librin "Gra që më kane frymëzuar"(nr.1 e 2), në gjuhën shqipe dhe në anglisht, “Vomen vho have inspired me”. Në vitin 2005, botova vëllimin "Halfvorld", në anglisht dhe, në vitin 2007, vëllimin "Gjysmëbota", në gjuhën shqipe. Këto botime janë me mbresa e intervista, marrw nga gra të suksesshme, tw vendit e botws. Përveç këtyre, kam redaktuar disa libra, si dhe buletinin "Të drejtat e Njeriut", botuar nga QSHDNJ. Në vitin 2010, botova vëllimin poetik "Shtegtare-Migratory", shqip e anglisht. Gjithashtu, jam bashkautore në antologjinë poetike "Nëna", nga forumi "Pan Albanian Women Netvork", si dhe në përmbledhjen "Tregime", publikuar nga Shtëpia Botuese "ADA", Tiranë. Në vitin 2012, botova vëllimin poetik "Porta e Shpirtit", në disa gjuhë: shqip, anglisht, italisht, maqedonisht, turqisht, rumanisht e disa në gjuhën koreane. Më 8 mars 2014, ku keni qenë edhe ju, pra dhe në ditëlindjen time, në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Kulturës, përurova  romanin "Ankthi” dhe librin publicistik “Frymëmarrje femërore”, si edhe vllimin poetik “Women” në www.amazon.com. Kudo mbizotëron tema e gruas, vështirësitë e rritjes së saj, drejt përparimit e  suksesit.

Kozeta, me lexuesen e vogël korçare, Dorela Agolli…

3.Meqenëse edhe unë kam qenë në disa redaksi gazetash dhe përsëri vazhdoj të shkuaj artikuj publicistikë, mendoj se edhe lexuesit duan të dinë më shumë për revistën, që ti drejton, “Stina për ndyshim”…

-Ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve dhe kërkesave të mia ndaj jetës. Vendosa të punoj për “Familja dhe Media – Fuqia për Ndryshim”, shoqatë e themeluar vitet e fundit, për të ndikuar në forcimin e pozicionit të familjes, nën parullën “Një familje e shëndetshme, për një shoqëri të shëndetshme”. Nën siglën e saj, drejtoj botimin e revistës "Stina për Ndryshim". Ajo ka për kryefjalë të saj shembuj nga gra të forta e të emancipura, ato modele shpresëdhënëse, për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare. Kështu, duke ecur me vlerat thelbësore njerëzore, si etika dhe forca e karakterit, të rrënjosura fort ndërgjegjen time nga prindërit e mi, u rrita jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Jam anëtare e Shoqatës së Gazetarëve Ndërkombëtarë Profesionistë dhe Rrjetit Botëror të Grave dhe aty përvojën time e kam ndarë me bashkëpuntoret e mia, në shoqatat: “FIDAPA”në Itali, “Women and Peace”, UNESCO në Greqi, “Dirigenteas” në Paris, WIN - Zvicër, “Women Abroad” Angli, Globevomen, CIPE, TIAV dhe VIPP në Uashington D.C. etj. Nga konferencat ndërkombëtare, kryesisht kushtuar grave, kam marrë frymëzim, për të propoganduar arritjet e individëve të suksesshëm, nga vendi e bota dhe për t’i bërë shembuj për shoqërinë shqiptare.

4.Më lart folëm për krijimtarinë letrare. Po planet e afërta dhe të largëta tua, për botimet, cilat janë?

-Meqenëse "Connect Us Communications Canada" me ka shpallur një ndër gratë e shquara në botë, “Women of the Vorld - 2007”, me titullin "Editore dhe nënë, rol model për gratë", do ta vazhdoj punën time, jo vetëm për ta përligjur këtë titull, por edhe sepse e quaj veten me një mision të veçantë, pra e lindur në 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndaj, do të vazhdoj të shkruaj e të botoj…Me plot iluzione, vizione, koncepte barazie dhe demokracie, do të vrapoj në realitetin “e çmendur” shqiptar. Përpiqem që të ngre diçka dhe disi, ia kam arrijtur. Nuk e di sa do t’i qëndrojë, kjo që po krijoj e ndërtoj, kohës së egër të pseudo-demokracisë. Gjithësesi,  shpresoj dhe jam gati t’i pranoj sfidat e realitetit “të egër” shqiptar.

5.Një pyetje e radhës, e cila mund të ishte e para: Cili është jetëshkrimi yt, i përmbledhur ose CV-ja, me termat e reja?

-Kam lindur në Korçën e bukur, qytetin e serenatave, ku edhe jam rritur me flladin e Moravës, duke lexuar shumë mes aromës së blirëve e jargavanëve. Leximi ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, duke ma pasuruar shpirtin. Ndonëse më 1982 u diplomova në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, në vitin 1985 jam specializuar për gazetari dhe qysh atëhere puna ime u përqendrua në këtë fushë e në krijimtari. I përkas atij brezi që, për të vazhduar studimet e larta, duhet të deklaroje, “do të shërbej, ku të ketë nevojë Atdheu”. Kështu, siç duket, ai kishte nevojë që të bëhesha ekonomiste, por fatkeqsisht ose fatmirësisht, krijimtaria letrare-artistike më nxiti që ta shihja ekonomisten si një qënie “të infektuar”, brenda meje. Ndaj, të ardhmen e kam parë të lidhur me botën krijuese, artistike e shoqërore.

Pas punës në Televizionin Shqiptar dhe Radio-Tirana, periudhë e cila më rriti profesionalisht në fushën mediatike, kam dhënë ndihmesën time në disa televizione private dhe, së fundi, në një universitet privat. Njëkohësisht, mundohem t’u qendroj pranë, t’i ndihmoj dhe t’u fal sa më shumë dashuri, bashkëshortit tim mjek dhe djemve, Mendit, që u diplomua për arkitekturë dhe Mikelit, që studion për inxhinieri kompjuteri. Ndërkohë, vazhdoj të punoj intensivisht me organizatat ndërkombëtare të grave, duke e bërë sa më të njohur shoqërinë femërore shqiptare, kudo në botë.

“Fushë e lulëzuar”, me libra të K.Zavalanit…

6.Si kolegë të shtypit, a mos harruam ndonjë pyetje të rëndësishme? Nëqoftese jo, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër, në fund të bisedës sonë?

-Po, dëshiroj të shtoj faktin që jeta, në njëfarë mënyre, ma ka shpërblyer mundin tim.  Jam zgjedhur "Ambasadore për Paqen", nga Federata e Familjes për Paqen Universale, ku jam kryetare e Këshillit të Paqes për Tiranën, që nga viti 2011 e në vazhdim. Jam nderuar me Çmimin e dytë në “Takimin e Poeteshave Shqiptare”, në Vushtrri të Kosovës dhe me Çmimin e parë për cikël me poezi, nga Redaksia NOSITI. Kam marrë Çmimin Special, në “Mbrëmjet e Poezisë së Ballkanit”, mbajtur në Korçë, në vitin 2010 e 2012. Në detyrën shoqërore, kryetare për Tiranën e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve "Pegasi", jam vlerësuar me titullin e lartë, “Krijuese e Vitit” dhe  "Veprimtare e shquar e Shoqërisë Civile". Në Kongresin e 22-të Botëror të Poetëve, në Larisa të Greqisë, kam marrë Çmimin "Demeter", të Poezisë Olimp, shoqëruar me "Diplomë Nderi", nga Festivali i Parë Mesdhetar i Poezisë dhe "Çertifikatën e Meritës", në vitin 2011. Jam një prej poetëve pjesëmarrës në “Mbrëmjet e 50-ta të Poezisë”, në Strugë dhe poezitë e mia janë botuar në librin "Vho is Vho", si dhe në "Poezi nga pesë kontinentet" - "Poetry from five continents" dhe në Antologjinë Botërore të Poezisë, për Kongresin e 22-të, në Larissa-Greqi, për Festivalin e 2-të Ndërkombëtar të Letërsisë, në Ordu të Turqisë dhe, më 2013, në Akaka të Turqisë. Në tetor 2013, jam nderuar me “Mirënjohje” në Manifestimin Tradicional Letrar, “Ora e Maleve”, në Rozhajë të Malit te Zi dhe tani, në mars 2014, në “Takimet Poetike të Karadakut”, në Kumanovë të Maqedonisë.  Po kështu, jap ndihmesën time me leksione të ndryshme, duke qenë antare e “World Poets Society” (V.P.S.), “Union of Poets” & “Writers e Poets of Human Rights” dhe “International Poets and Writers for Human Rights” (OIPWHR) etj.

Kërkoj ndjesë se, ndoshta, u zgjata me këto informacione vetjake!...

-Jo, përkundrazi, ishte kanaqësi dhe të falënderojmë përzemërsisht, Kozeta dhe të urojmë  gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare, me krijimtari të bollshme e cilësore, por  dhe në veprimtari shoqërore të pandërprera! Jemi të sigurtë që, si deri tani, përherë do të jesh e pranishme dhe aktive, si në pëurimin e librave tu dhe të kolegëve e miqëve tanë, si në poezi e prozë, në arte figurative etj. Pra, në takime dhe veprimtari të tjera, të bukura dhe sa më mbresëlënëse!

- Edhe unë, ju falënderoj përsëri dhe ju uroj shëndet e suksese, në krijimtarinë tuaj e kudo, në jetë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora