E premte, 18.10.2019, 10:35 PM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: A po e privatizon Serbia ''Trepçën''

E diele, 06.04.2014, 05:31 PM


A PO E PRIVATIZON SERBIA “TREPÇËN”?!

NGA ADIL FETAHU

Edhe pas gjashtë vjetëve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e përcaktuan statusin juridik, organizativ e pronësor të Kombinatit “Trepça”. Në këtë hapësirë të pambuluar nga autoritetet e Kosovës, Serbia përmes strukturave paralele të saj, po krijon realitete të reja në terren, në një proces të privatizimit të gjigantit të dikurshëm të ekonomisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë. Deri sa Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk po mund të merren vesh, ose nuk po dinë se si ta përcaktojnë statusin e “Trepçës”, me një amendament në ligjin ekzistues mbi ndërmarrjet publike, apo me një ligj të veçantë për “Trepçën”, Serbia arrin marrëveshje e lidhë kontrata me firma të jashtme, për eksploatimin e resurseve, zgjerimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të “Trepçës”. Kështu, më 17 maj 2013, në Qeverinë e Serbisë, në Beograd, u nënshkrua kontrata midis udhëheqjes serbe të “Trepçës” dhe Konzorciumit amerikan NGP (New Generation Pover) nga Ilinoisi (ShBA), për bashkëpunim afarist-tekniko-teknologjik. Mediat  serbe i dhanë publicitet të madh asaj marrëveshje, që hapë dyert  për investime, zgjerim të kapaciteteve, shtim të prodhimit dhe punësim të serbëve. Ministri serb për resurse natyre e xehtari (Millan Baçeviq), që mori pjesë në nënshkrimin e kontratës, deklaroi se “kjo kontratë rritë investimet, shton prodhimin dhe punësimin, forcon pozitën e serbëve në veri të Mitrovicës dhe pozicionin e Serbisë në bisedimet me Prishtinën që po zhvillohen në Bruksel”. Ndërkaq, kryetari i Konzorciumit NGP, indusi Çirivaxhi Koturia, premtoi se Konzorciumi do të sjell teknologji të reja dhe do t’i shfrytëzojë maksimalisht kapacitetet e “Trepçës”, dhe shtoi se sëbashku me Departamentin e Shtetit do të bisedojnë (edhe) me Kosovën për investime edhe në pjesën jugore të “Trepçës”. Kjo është e kuptueshme, pasi në pjesën jugore gjenden shumica e kapaciteteve të “Trepçës”. Sipas Koturia-s,  ideja e NGP-së është që në “Trepçë” të krijojë partneritet publiko-privat, në të cilin qeveritë (e Serbisë  dhe e Kosovës!) do të jenë pronare të shumicës (51% ) të aksioneve. Qëllimi ynë është që “Trepça” të bëhet një nga kapacitetet më të mëdha të xehetarisë në botë, deklaroi Koturia. Sipas tij, hapi i parë është nënshkrimi i kontratës me Serbinë dhe “Trepçën”, ndërsa hapi tjetër do të jetë puna paralele me Departamentin e Shtetit dhe me Kosovën. Në pyetjen e gazetarëve , se si do të reagojë Kosova ndaj asaj kontrate, ministri serb, Baçeviq, theksoi se “tërë xehja që eksploatohet në “Trepçë”, nxirret në pjesën veriore, jashtë kufirit administrativ të Kosovës e Metohisë, dhe se Kosova nuk mund ta pengojë realizimin e kontratës”.

Po përgatitet marrëveshje e re strategjike midis Serbisë dhe NGP-së

Drejtuesit serbë të “Trepçës” më 27 mars k.v, ishin te kryetari i Serbisë (Tomisllav Nikoliq) për të kërkuar ndihmën e shtetit për arritjen dhe nënshkrimin e marrëveshjes së re strategjike me Konsorciumin NGP, për partneritet publiko-privat mbi Kombinatin “Trepça”, sipas së cilës NGP do bëhej pronare e 49%, ndërsa Serbia 51% të aksioneve të “Trepçës”. Natyrisht, se Nikoliqi u premtoi atyre ndihmën e gjithanshme të shtetit të tij, për realizimin e këtij synimi strategjik, por i porositi që ta realizojnë me përpikmëri  kontratën e nënshkruar vitin e kaluar, në mënyrë që ta fitojnë besimni e partnerit amerikan për të lidhur marrëveshjen e re.

Derisa Serbia realizon planet e veta strategjike dhe krijon realitete të reja në terren, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës dhe Agjensia e Privatizimit, nuk dinë si “t’ia lidhin kryet” statusit të “Trepçës”, ftojnë “kreditorët” e saj për t’i paraqitur kërkesat dhe zotohen se të gjitha borxhet që do të verifikohen, do t’iu paguhen! Po, a janë në vete këta, ore, cilëve kreditorë iu paska borxh Kosova?! Atyre “kreditorëve”, të cilët  duke lidhur kontrata me organet e dhunshme e thyen embargon e caktuar nga OKB-ja kundër Serbisë, dhe i ndihmuan Serbisë të mbledh valutë për ta financuar luftën shkatërruese në Bosnje, Kroaci e Kosovë!

Për t’ua hapur sytë e veshët qeveritarëve tanë për “borxhet ndaj kreditorëve të Trepçës” (që Kosova nuk ua ka),  këtu po e reprodukoj një shkrim timin analitik, të botuar në gazetën  “Koha ditore” të datës  3 dhjetor 1999, me mbititull: “Në Trepçë u ngatërruan shumë kompani”, prej të cilit këta të painformuar mund mësojnë shumë gjëra se si qëndron puna me “kreditorët” dhe kërkesat e tyre ndaj “Trepçës”. Ja teksti i plotë i shkrimit tim të botuar atëherë:

“Pos grekëve, këtu janë edhe amerikanët, suedezët, rusët...

Pas miratimit të Rezolutës 1244 të OKB-së, Rozan bleu 51% të aksioneve të “Jugobankës” së Mitrovicës dhe bëri kontrata me udhëheqësit e dhunshëm të “Trepçës”

Pushtimi gati njëqindaveçar i Kosovës nga Serbia, krahas apetiteve ekspansioniste për zgjerimin e shtetit serb në dëm të vendeve fqinje, për motiv kryesor ka pasur lakminë për eksploatimin e pasurive natyre të Kosovës, gjë që u vërtetua në praktikë.

“Importi” i dështuar i minatorëve

Një ndër synimet e miteve serbe për “Kosovën tokë e shenjtë serbe”, konsiston mu në pasuritë dhe fitimet e mëdha që i ka nxjerrë prej “Trepçës”. Ky është edhe qëllimi dhe këmbëngulja që rreth “Trepçës” të krijohet enklava e madhe serbe. Parulla e njohur qëmoti “Trepça punon, Beogradi ndërton”, ishte pasqyrim i realitetit të shfrytëzimit të resurseve të “Trepçës” dhe të resurseve tjera të Kosovës nga okupatori.

Se çfarë rëndësie ekonomike ka “Trepça” për Kosovën (apo për eksploatuesit), mund të ilustrohet me faktin se ajo gjithnjë ishte në krye të listës së dhjetë ekspertuesve më të mëdhenjë nga firmat jugosllave të ish-Jugosllavisë. Në vitin 1988, i cili merret si kulmi i zhvillimit ekonomik të Kosovës, eksporti i Kosovës ishte 220 milionë dollarë, ndërsa një vit më vonë vetëm “Trepça” realizoi 111,7 miionë dollarë nga eksporti.

Në kohën e sanksioneve ekonomike ndaj federatës serbo-malazeze, disa firma të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, thyen embargon, duke e ndihmuar regjimin e Beogradit përmes kontratave të lidhura për blerjen e prodhimeve të “Trepçës”. Me qenë se prodhimi i saj kishte stagnuar për shkak të përjashtimit prej pune të ekspertëve dhe punëtorëve shqiptarë, regjimi serb “bleu” ekspertë e punëtorë nga shtetet e jashtme. Kështu, në korrik të vitit 1996 erdhën 20 minatorë nga Kompania minerare “Kopex” nga Katovica (Poloni), me të gjitha pajimet e tyre për eksploatimin e xehes, për të cilët thuhej se në minierën Lece nxirrnin nga 5000 tonë xehe në muaj. Në prill të vitit 1997 erdhën në Hajvali 25 minatorë nga Çekia, në Staritërg 30 minatorë nga Polonia, kurse në maj të atij viti erdhën edhe 35 minatorë tjerë nga “Minstroj” e Sofjes, të cilët punonin në Cërnac të Leposaviqit. Organet e dhunshme serbe kishin planifikuar që nga 14 minierat e “Trepçës”, në vitin 1997 të nxirrnin 2.350.000 tonë xehe, për të përmbushur nevojat e industrisë përpunuese të Serbisë dhe kontratat e lidhura me firmat e hueja (me të cilat ishte thyer embargoja!).

Shtetet të cilat përmes “Trepçës” thyen embargon

Një pjesë e opinionit kosovar është e njohur vetëm me një aranzhuan midis organeve të dhunshme  serbe të “Trepçës” dhe firmës greke “Mytilineos”, por nuk është e njohur me aranzhmanet e tjera, të cilat e ngatërrojnë lëmshin e “Trepçës” me interesa e tendenca për ndarjen e Mitrovicës me rrethinë.

Më 20 prill 1996, në Beograd është lidhur kontratë pesëvjeçare midis RFJ dhe Rusisë. Vlera e kontratës kapë shumën 60 milionë dollarë amerikanë. Nga ana jugosllave si palë kontraktuese ishin: “Trepça”, “Genex” dhe “Braça Kariq”, ndërsa nga pala ruse ishte firma “Krasnodarglabsnab”. Parashihej eksporti i 2 milionë akumulatorëve, por edhe i prodhimeve të tjera të “Trepçës” etj, si: ngjyra, llaçe, stoli ari dhe argjendi, poliester, etj.

Kompania amerikane “Tragiduri”, më 1 tetor 1996, në lokalet e “Trepçës”, ka lidhur kontratë trevjeçare, me një vlerë 76,3 milionë dollarë. Parashihej eksporti i 50.000 tonë koncentrat plumbi, poaq koncentrat zinku, 20.000 tonë plumb të rafinuar dhe 20.000 tonë elektrolit zinku. Kompania “Tragiduri” obligohej që deri më 20 tetor të paguante 10 milionë dollarë, ndërsa pjesën tjetër, nga 10 milionë dollarë për çdo tre muaj. Lidhjen e asaj kontrate e kishte ndërmjetësuar ministri serb i financave, Jovan Zebiq.

Më 5 maj 1997, në Athinë u nënshkrua një kontratë pesëvjeçare midis “Trepçës” dhe Kompanisë greke “Mytilineos”. Nënshkrimin e vet e vunë drejtori i kompanisë greke, Evangellos Mitilineos dhe drejtori i dhunshëm i “Trepçës” Novak Bjelliq, ndërkaq me këtë rast aty merrnin pjesë autoritetet e larta shtetërore jugosllave dhe greke. Kjo dëshmonte se nuk ishte fjala për aranzhmane të firmave private, porse shteti grek e kishte thyer embargon. Garantues dhe përcjellës të kontratës nga pala jugosllave ishte “Jugobanka” dhe “Genexi” nga Beogradi. Vlera e kontratës ka qenë 519 milionë dollarë amerikanë. Sipas asaj kontrate, “Trepça” obligohej t’i dërgonte kompanisë greke plumb e zink,në një vlerë prej 350 milionë dollarë, kurse firma greke t’i dërgojë “Trepçës” koncentrat plumbi e zinku, në vlerë prej 150 milionë dollarë, si dhe pajime për xehetari dhe pjesë rezervë, në vlerë prej 19 milionë dollarë.

Në muajin gusht të vitit 1997, “Trepça” kishte lidhur kontratë gjashtëvjeçare me Kompaninë suedeze prodhuese e pajimeve xehtare “Atlas-Copk”, e cila obligohej të dërgojë pajime në vlerë prej 20 milion dollarësh. Kurse, më 16 tetor 1997, në Zveçan u lidh kontrata midis Kompanisë suedeze “Volvo” dhe Kombantit “Trepça”, në vlerë prej 2,5 milionë dollarësh, ashtu që “Volvo” gjatë nëntorit të atij viti të dërgonte pajimet më bashkëkohore për mihje sipërfaqësore dhe transport të brendshëm (sigurisht të thëngjillit?), kurse “Trepça” si kundërvlerë jepte aparate ftohëse dhe akumulatorë.

Flitet, jo pa bazë, se afaristi francez Jean-Pierre Rozan, gjatë tri vjetëve të fundit ishte eksportuesi (tregtari) kryesor me argjendin e “Trepçës”, nga 4 tonë në muaj. Ai më 14 korrik 1999 ishte në Kosovë, me ç’rast i paska blerë 51% të aksioneve të “Jugobankës” së Mitrovicës. Ndërkaq, gjatë shtatorit 1999 paska nënshkruar kontratë me udhëheqësit e dhunshëm të “Trepçës”. Poashtu, ka shkrime që vërtetojnë se Banka Komerciale Ndërkombëtare është “pronare” e 8% të aksioneve të “Trepçës”?

UNMIK-u ka droje të hyjë në lojë

Të gjitha këto që dihen, e ndoshta shumë të tjera që nuk dihen, mund të jenë shpjegimi më i mirë se, përse ushtarët francezë në përbërjen e KFOR-it e kanë zhvendosur kufirin e Kosovës me Serbinë dhe e kanë ndarë Mitrovicën, përse i ruajnë serbët e armatosur, ndërsa i rrahin shqiptarët duarthatë, kurse UNMIK-u nuk ndërmerr asgjë për kthimin e punëtorëve shqiptarë në punishtet e “Trepçës”, me arsyetime të  paqëndrueshme,  duke marrë parasysh se me aktet ndërkombëtare, pasuritë natyrore që janë në territorin e Kosovës i takojnë Kosovës, popullit të Kosovës, e jo Serbisë apo dikujt tjetër. Kontratat e lidhura me organet e dhunshme të okupatorit serb nuk janë valide. Për obligimet nga ato kontrata, le të përgjigjen e zhvillojnë konteste ata që i kanë nënshkruar e garantuar.

Prandaj, as Kosova dhe as regjimi i tashëm i Administratës Ndërkombëtare (civil as ushtarak) në Kosovë, nuk kanë asnjë obligim ndaj asnjë firme, apo subjekti të jashtëm, të cilat i kanë krijuar organet e dhunshme të regjimit të Serbisë...

* * *

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmes kanaleve të sindikatave evropiane dhe botërore, apelonte te firmat e hueja që të mos lidhin kontrata me organet e dhunshme serbe ne Kosovë, sepse ashtu rrezikojnë të humbin mjetet e tyre, pasi që ato kontrata do të konsiderohen të pavlefshme. Edhe Qeveria e Kosovës, që asokohe ishte në ekzil, mori dhe publikoi një vendim, me të cilin kishte vendosur se: (1) Të gjitha kontratat dhe aktet e tjera që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pasurisë së patundshme të ndërmarrjeve shoqërore në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat i kanë ndërmarrë organet e dhunshme të pushtetit të Serbisë nga data 5 korrik 1990, konsiderohen joligjore dhe të pavlefshme; (2) Qeveria i konsideron të pavlefshme edhe të gjitha aktet e tjera që janë ndërmarrë apo do të ndërmerren në ristrukturimin e pronës së ndërmarrjeve shoqërore, në dhënien e koncesioneve firmave të hueja në territorin dhe pasuritë natyrore e materiale të Kosovës; (3) Tjetërsimi i pronës shoqërore, respektivisht shtetërore, u ndalohet edhe ndërmarrjeve dhe përfaqësive të ndërmarrjeve të Kosovës që veprojnë në botën e jashtme; (4) Ristrukturimi dhe tjetërsimi i pasurisë shoqërore mund të bëhet vetëm në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës; (5) Obligohen ministrisë republikane që, secila nga kompetenca e vet të përcjell dukuritë eventuale të tjetërsimit të pronës shoqërore e shtetërore dhe lidhur me këtë të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe të informojnë Qeverinë; (6) Obligohen udhëheqësit legalë të ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës që ta përcjellin gjendjen e pasurisë së ndërmarrjeve të tyre, rrjedhat ekonomike, situatën e kuadrove, derdhjen e mjeteve financiare dhe ecuritë e tjera dhe për këtë çdo muaj ta informojnë Ministrinë Republikane të Ekonomisë dhe të Financave në Prishtinë; (7) Udhëheqësit legalë të ndërmarrjeve ekonomike në Republikën e Kosovës në çdo rast duhet t’ua tërheqin vërejtjen organeve të dhunshme të Serbisë lidhur me pasojat që u shkaktojnë kolektiveve, si dhe për këtë t’i njoftojnë partnerët afaristë dhe institucionet bankare e financiare në botën e jashtme (ky vendim i Qeverisë u publikua në gazetën “Bujku”, të datës 19 mars 1992).

Siç shihet, në kushtet e okupimit të egër serb, individët, sindikata dhe Qeveria kanë qenë shumë më vigjilentë, të përkushtuar e më të kujdesshme në përcjelljen e gjendjes dhe mbrojtjën e pronës shoqërore të ndërmarrjeve të Kosovës, se sa janë sot organet e Kosovës së pavarur, të cilat na “sigurojnë” sovranitet të plotë, derisa Serbia përmes strukturave të saj paralele në Kosovë dhe qeverisë së vet në Beograd,  e shkelë dhe përdhosë këtë “sovranitet”.  Organet tona kompetente duhet ta dinë, se Kosova nuk duhet të merr obligim për pagesën e asnjë borxhi të krijuar nga organet e dhunshme të Serbisë ndaj ndërmarrjeve të Kosovës në kohën e okupimit (prej 5 korrikut 1990 deri më 12 qershor 1999), dhe as ndonjë borxhi që tash krijojnë strukturat paralele serbe ose Qeveria e Serbisë në llogari të ndërmarrjeve dhe resurseve të Kosovës. Ato borxhe le t’i paguajnë ata që i kanë kontraktuar e garantuar, por jo Kosova.

 

Ky shkrim u publikua  në Portalin e Radios “Kosova e lirë” (më 28 mars 2014) dhe u transmetua në valët e kësaj Radioje ...,  kurse une e vura ne Facebook botimin e RKL. Poashtu u botua në Portalin “Standardi.info”, më 29 mars, dhe prej atij portali e vendosa dhe shpërndava ne facebook. Ndërkaq, gazeta “Kosova sot” e botoi ne dy vazhdime (më 31 mars dhe 1 prill 2014).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT