Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Ti harxhove pasurinë për Shqipërinë, sot këta harxhojnë pasurinë e shtetit për vete”

| E shtune, 14.06.2008, 11:04 AM |


Memoriali i Abdyl Frashërit ne Tiranë
Nga Dr.Përparim Kabo

I nderuar burri i shtetit,
Abdyl Bej Frashëri,
Më ndje që po të prish qetësinë qiellore! Ndodh kështu, sepse oshtima historike vjen sot në një jehonë dhe thotë: "U mbushën plot 130 vjet nga viti i ngjarjes së madhe 1878, që në historinë tonë kombëtare njihet si viti i Lidhjes së Prizrenit! Emri dhe vepra jote "O bir i shquar i Frashëllënjive", është e lidhur me ato ngjarje dhe me atë bashkim të gjerë të shqiptarëve në gegëri dhe toskëri. Sot jemi Republikë Demokratike Abdyl Bej, por kalvari ynë historik ka qenë i vështirë dhe me kosto të lartë. Më 1912-ën e fituam pavarësinë, por dheu i të parëve, i pellazgëve, me Ilirinë dhe Epirin dhe jo thjesht gegërinë dhe toskërinë, u katandis një grusht vetëm 28.000 km katrorë. Më 1928-ën, u bëmë mbretëri dhe prapë lamë jashtë vetes Shën Naunin. Më 1944-ën, pas Luftës së Dytë Botërore, përfundimisht Kosova dhe Metohia mbetën nga ana e shtetit të serbëve, të cilët që prej 1918-ës, me ndihmën e Fuqive të Mëdha kishin krijuar shtetin e sllavëve të Jugut. Sistemi komunist jo ai i Babëfit, por i prodhuar nga Rusia, pllakosi edhe tek ne dhe nuk qëndroi pak, por gjysmë shekulli! Më fal Abdyl Bej për këto që të them, por është më mirë t'i dish, sesa të mos kesh dijeni për to. Shurdhëria për fatin e atdheut është më shumë se mosdëgjim! Ajo vete tek humbja e sojit dhe racës, detyrës dhe përgjegjësisë, tek e fundit është si të fërkosh duart, kur tymi i del çatisë së shtëpisë tënde. Ndaj jush kemi detyrimin e përgjegjësisë, sepse historia nuk fillon sot apo dje, por është mijëravjeçare. Kemi parlament Abdyl Bej dhe ju e dini se sa i rëndësishëm është ky institucion. Kemi edhe Kushtet apo "Ligjin Kushtetues", si e quanit Ju në kohën tuaj, atëherë në motin 1876 kur më 23 dhjetor Perandoria Osmane shpalli për herë të parë "Ligjin Konstitucional" dhe në fillim të vitit 1877 u mblodh parlamenti i parë. Nga Vilajeti i Janinës si deputetë shqiptar ishit Ju, Abdyl Bej Frashëri, ishte Mehmet Ali Bej Vrioni dhe Ilia Harito. Po sot në Parlamentin Shqiptar Abdyl Frashëri, nuk ka pinjoll të Frashërllinjëve. Por as nga Topiat, nga Mirditasit, nga Muzakajt, nga Komnenët, as nga Arianitasit, as nga Vrionasit, as nga Dodajt, Terezinjtë dhe Tabakët etj etj. Familjet e mëdha që shkrinë të gjithë pasurinë për të bërë Shqipërinë, ua kanë lënë vendin atyre që sot shkrijnë pasuritë e atdheut për të bërë para për veten dhe familjen e tyre. Pinjollët e tyre kanë mbetur ashtu oriental që si thotë një bir kosove për këtë takëm, Kris Maloku: "orientalët e kanë mendjen tek llokmat dhe tek pushteti". Antropologjia institucionale e dyerve të mëdha historike dhe me kontribut është ndërprerë Abdyl Bej. Kemi në parlamentin e sotëm, 130 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, përfaqësues nga llagape të tjera; nga bufa dhe zogj, nga hoxhallarë dhe priftërinj,nga fushëfurtunët dhe nga çalamanët, nga leshprerës dhe kaposha, por nuk ka një frashëlli Abdyl Bej Frashëri. Ky rrap i madh bëri degë të trasha si Medi e Mid'hat Frashëri, por pas tyre trungu nuk çeli më dhe do zoti nuk është tharë; pasi nëse nuk kemi ahe e pisha, ullinj dhe mollë, do të kemi driza e shkurre që bëjnë hije të shkurtër dhe lumturohen me të gjithë jetën. Pas luftës së Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit që ju krijuat Abdyl Bej, në të cilën më shumë se drejtues ju i ishit një ndërmjetës mes gegërisë dhe toskërisë për të ruajtur në një Vilajet të vetëm të gjitha trevat historike të shqiptarëve është ngjarja më kulmore. Ju tribunët e asaj kohe të parët e kuptuat se "populli shqiptar prej Evropës së qytetëruar konsiderohej si i thëthitur prej popullit turk dhe si një anëtar i familjes madhe Myslimane, që nuk pranonte kombësi të veçantë. Si përfundim i këtij mendimi Shqipëria konsiderohej si një kuptim gjeografik dhe populli shqiptar i destinuar për të pësuar fatin e Turqve të Ballkanit, d.m.th. për tu zhdukur nga kjo tokë e për të mërguar, shpejt ose vonë, në Azinë e vogël". Fal jush shqiptarëve të asaj periudhe, prijës dhe popullit i thjeshtë, politikanë e diplomatë, udhëheqës ushtarakë dhe luftëtarë, nuk humbi kombësia shqiptare, nuk humbi atdheu i të parëve pellazg e ilir, nuk u shpërngulëm në Azinë e Vogël! Fal Jush u rrëzua përfundimisht kuptimi i gabuar i Botës Perëndimore ndaj shqiptarëve dhe ne mbetëm në kontinentin evropian. Ju e keni meritën për këtë arritje Abdyl Bej, sepse kishit inteligjencën e duhur prej intelektuali, kthjelltësinë e mendjes prej mendimtari vizionar, karakterin e lartë prej një frashëlliu e shqiptari të pa ndryshuar në çdo moment dhe situatë, dhe gjithashtu se ju kishit kulturë perëndimore dhe e shihnit të ardhmen e popullit shqiptar dhe shtetit shqiptar nga oksidenti, por të respektuar dhe jo të masakruar e theroruar! Të jemi mirënjohës Abdyl bej Frashëri, sepse Ju krijuat Qendrën në Frashër, hartuat programin e Lidhjes së Prizrenit, i dhatë lidhjes frymë nacionale dhe mbi të gjitha kuptim evropian. Personalisht më vjen keq o burrë i kombit që kujtimet e tua për atë ngjarje të shkruar në gjuhën turke që mbetën të depozituar në shtëpinë e Kahreman bej Vrionit në Fier, humbën në kohën e luftërave mes Italianëve dhe Austriakëve, vite më vonë Abdyl Bej. Kemi rreth 30 vjet që kemi edhe Akademi të Shkencave si edhe dëshironte dhe uronte për ngritjen e një kombi të emancipuar vëllai yt Samiu, por akademikët dhe gjërmonjësit e arkivave nuk gjetën kohë të merreshin me këtë punë dhe ndaj edhe pas 130 viteve, një pjesë e kujtesës historike na mungon. Lidhja e Prizrenit dhe aktiviteti i saj vijoi tre vjet 1878-1881, por nga prurjet, aktivitetet, ngjarjet, betejat politike diplomatike dhe ushtarake, ajo nuk respektohet thjesht për kontribute, por për përballimin me sukses të një goditje që mund të rezultonte fundi i një race, eliminimi i një etnie, përçudnimi i një kombësie, mbyllje e një historie, zhdukja e një gjuhe e kulture,gllabërimi i një territori. Nuk do ishim më në këtë botë Abdyl Bej me emrin e bukur shqiptar! Historia në të gjithë kohërat ka plot raste të popujve dhe kulturave, gjuhëve dhe identiteteve të zhdukura. Ndaj Lidhja e Prizrenit për herë të parë në mënyrë të organizuar në marrëdhënie si me lindjen (Portën e lartë) dhe me perëndimin (Fuqitë e mëdha) formulojë institucionalisht kuptimin mbi atë që ne quajmë "Rilindja Shqiptare". Ju Abdyl Bej Frashëri më mirë se kushdo kuptuat se përball ngjarjeve ndërkombëtare që lidheshin me Orientin, me raportin mes fuqive të mëdha dhe në veçanti me Rusinë, si dhe rolit të saj në Ballkan, ishin krijuar kushtet që fqinjët të "shqyenin një gojë të madhe" për të kafshuar. Ndërsa diabolizmi turk zvarriste problemet për të mos shkuar gjëkundi! E gjithë përpjekja juaj atdhetare përfundoi me arrestimin tënd dhe organizmin e gjyqit ushtarak të drejtuar nga gjenerali turk Dervish Pasha; por ama ajo kishte vetëm një pikërëndesë, një shpëtim, një udhë faqebardhë në histori: "Ju Krijuat idenë e kombësisë për të kapërcyer vonesat historike tek shqiptarët dhe për ta sjellë edhe mes tyre dritën e Revolucionit Frëng të 1789-s, që kishte në programin e vet edhe parimin e nacionalitetit". Mirënjohje nga zemra o njeri që e doje atdheun mbi çdo gjë! Edhe mbi jetën tënde!
Pas periudhës së Skënderbeut dhe qëndresës së tij e tërë energjia jonë antropologjike kishte shkuar jashtë nesh. Kishte ardhur koha ti shërbenim vetes si kombësi, si atdhe, si shtet, si institucione. Ato 27 vjet reshtë të luftës heroike nën udhëheqjen e Skënderbeut, qëndresa e tyre dhe energjia luftarake, u dha të kuptonin Osmanllinjëve, se shqiptarët ishin një "popull ushtar i shkallës së parë". Ata e nuhatën se për të kontrolluar Ballkanin lypsej ta bënin për vete këtë popull luftëtarësh. Ndaj pas pushtimit sulltanët e Stambollit mbajtën një politikë të veçantë për Shqipërinë. Më bukur se kushdo këtë përçudnim të shqiptarëve e ka shprehur në 60 vjetorin e Lidhjes, një tjetër Frashëlli i ndritur dhe me kontribut për shtetin Shqiptar, Mehdi Frashëri, i cili në ditët e Lidhjes ishte një fëmijë. Ja si shprehet ai:
"Shqiptari si malësor, pushkatar, energjik, ambicioz, nga feja i dobët, madhështidashës dhe fort pak punëtor, gjithnjë prirej për të rrojtur me aventurë, i bindi turqit, që për të bërë shqiptarët me vete lipsesh t'i merrnin në qarkun e besës së tyre, domethënë t'i bënin myslimanë; jo me forcë, por duke i treguar një fushë të madhe të përfitimit e të ambicionit".
Në 450 vjet 27 Vezir të mëdhenj (kryeministra) ishin të racës shqiptare, por në fillim të Luftës Ballkanike, nga 1 milion e 800 mijë shqiptarë, 4/5 kishin pranuar fenë e pushtuesit, e cila ishte shndërruar në fe të mbijetesës, të suksesit, të karrierës dhe e pasurimit. Por dëmi ishte i pallogaritshëm, koston e të cilit e paguajmë edhe në ditët tona, qoftë brenda vetes qoftë edhe jashtë në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar. Ende na quajnë më lehtësisht mysliman që po demokratizohemi se sa të na quajnë shqiptar që duam atdheun fillimisht, dhe që si shtet e shoqëri jemi laik, e jo fetar. Besimi mysliman në principet e veta, "fenë me kombësinë e quan një". Në fjalorët arabisht dhe turqisht fjala "din" ka kuptimin "milet"; por kjo fjalë gjendet edhe si besim, pra mileti-kombësia rezultuan të njëjta me besimin. Ja përse në 5 shekuj pjesa më e madhe e shqiptarëve e kishin bashkëshoqëruar fatin e tyre me Perandorinë Turke dhe kombësinë turke. Ja përse ideja e kombësisë tek ne pati vonesa dhe një rrugëtim disi të veçantë mes kombësive të Ballkanit. Ideali i kombësisë lind nga "tirania e të huajit" dhe nga "zhvillimi ekonomik financiar". Këto i mungonin pothuaj krejt shqiptarit. Shqiptarët morën pjesë të konsiderueshme në atë që quhej zotërimi i të huajit. Mori kulturën e tij aziatike fetare e cila ishte shumë larg civilizimit evropian, që në themel ka ndjenjat politike dhe idealin kombëtar. Pranimi i myslimanizmit më shumë si një kërkesë e ardhur nga tregu dhe jo nga liturgjia, nuk kishte lënë shkas fillimisht të kuptohej, se "kultura turko-muhamedane nuk pranonte kombësi veç Islamizmit". Ndjenja kombëtare në Shqipërinë e fundshekullit 19 lidhet drejtpërsëdrejti me rruajtjen e territorit të atdheut që ngrihet mbi dallimet jug-veri, apo mbi dasitë fetare mysliman-krishter, sepse atdheu ishte në rrezik. Pikërisht kur perandorisë Turke po i vinte fundi,Fuqitë Evropiane, fqinjët sllavë dhe ortodoksë, nga veriu dhe jugu, projektuan për ne një fat tragjik që filloi me Shën Stefanin dhe u vulos me Kongresin e Berlinit 18 qershor- 18 korrik 1878 dhe më vonë për kufirin e jugut me Greqinë me Konferencën e Berlinit. Lidhja kuptoi djallëzitë e Rusisë dhe fatkeqësinë që projektoi Traktati i Shën Stefanit i 8 marsit 1878, si një kafshim që jo thjesht e cungonte trupin e atdheut por e asgjësonte atë tërësisht. Paragrafi i dytë i nenit të parë të këtij traktati, trajton kufirin e Malit të Zi me Shqipërinë. Malit të Zi i jepej nga viset shqiptare; Rugova, Gucija e Plava, gjithë Vermoshi me Klementin (Kelment është një devijim fonetik që ndodh shpesh kur kërcen një germë para tjetrës) Tuzin, Triepshin, Hot e Grudë, Tivar e Ulqin, dhe vija e kufirit vinte te ura e Bunës duke përfshirë gjithë malin e Taraboshit dhe po thuaj tërë bregun e sipërm të Bunës. Serbia merrte sanxhakun e Prishtinës ndërsa Bullgaria vinte deri në Pishkash, duke marrë Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Rjekë, Dibër, Ohër, gjithë kazanë e Pogradecit, Bilishtin dhe tërë kazanë e Korçës, Oparin dhe Voskopojën, gjer në majë të Qarit. Mbetej jashtë vetëm kaza e Kolonjës. Ju e mbrojtët atdheun edhe pse nën Turqi Abdyl Frashëri edhe kur u përdorën dredhitë me prapavijë fetare. Si edhe ishte rasti që me që shqiptarët nuk dorëzuan tek malazezët territoret me popullsi myslimane, ti jepeshin Malit të Zi ato me popullsi katolike, si edhe propozoi përfaqësuesi italian. Për shqiptarët ajo ishte tokë e të parëve, qe atdheu, ndaj dhe ata luftuan njësoj. Lidhja e Prizrenit i mbrojti territoret pa dallim feje, derisa e gjitha ajo maskaradë antishqiptare u mbyll me marrjen e Ulqinit nën praninë e flotës ushtarake. Shqiptarët i qëndruan ushtrisë turke të drejtuar nga Dervish Pasha deri më 24 nëntor 1880, por më 26 nëntor ushtria turke dhe jo ulqinakasit ja dorëzuan qytetin Malazezëve. Po kështu në Jug të vendit, për kufirin me Greqinë, gjithçka ishte një përpjekje për të shkulur nga trungu shqiptar Janinën dhe Çamërinë dhe për ta sjellë kufirin deri në Vjosë. Porse 30 mijë shqiptar të Toskërisë seriozisht mund ti bënin ballë ushtrisë greke të asaj kohe. Grekët ngulnin këmbë për protokollin 13, nyjën 24 të Traktatit të Berlinit, por Turqia nuk e pranonte këtë, sepse e dinte se çdo të thoshte kjo për shqiptarët dhe Ballkanin. Veçse ka një dallim mes këtij qëndrimi dhe atij të Lidhjes së Prizrenit. Porta e Lartë e shihte si territor të saj, ndërsa Lidhja e Prizrenit e shihte brenda autonomisë. Në zhvillimin e kësaj çështje Ju i nderuar Abdyl Frashëri dhe Lidhja keni meritën historike sepse në kufirin jugor nuk e lejuat copëtimin dhe ndarjen e Janinës dhe Çamërisë. Por më ndje o atdhetar, këto toka në prag të pavarësisë në luftën ballkanike 1912-1913 ranë në dorë të Greqisë. Sot ka nga ata që këtë grykësi antishqiptare duan ta shpien edhe më tej deri në Himarë Abdyl Bej! Ka prej tyre që edhe marrin rrogën e shtetit tonë që mbahet nga taksat e popullit.
E krijove atë lidhje shqiptare Abdyl bej në Frashër, por në të morri pjesë Dangëllia, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Skrapari, Dishnica, Korça dhe gjithë baballarët bektashinjtë të Toskërisë. Kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve u formulua për herë të parë në Teqe të Frashërit. Të jemi mirënjohës Abdyl Bej se ti more përsipër që këtë veprimtari ta kryeje në gegëri dhe në takimin e Stambollit u more vesh me parinë e Kosovës. Në veri në Shkodër ishte Prenk Bibdoda dhe Hodo Pasha, e në Guci Ali Pasha. Vizita e dytë në gegëri Abdyl Bej, në fillim të motit 1881 dhe thirrja jote drejtuar Lidhjes së Prizrenit që me fuqinë e armëve të pushtonte grykën e Kaçanikut dhe të deklaronte zyrtarisht Autonominë e Shqipërisë, e tronditi vetë Abdyl Hamitin në Bosfor. Ndaj ca ta pritën me tradhti e të pa besë, dhe ca me spiunllëk dhe pusi Abdyl Bej. Por ti nuk u trembe dhe as nuk u tërhoqe nga udha! Tek kaloje Shkumbini në atë marshim për të shpëtuar vatanin atje mes Paprës dhe Elbasanit ai faqeziu i paguar për pesë grosh Jakup Çaushi të shtiu në dorë! Për gjyqin tënd dhe trimërinë e treguar është shkrojtur shumë. U shkua edhe një dramë nga një pendë dhe mëndje shqiptari të Kosovës, që bash në këtë 130 vjetor e kemi të pavarur nga Shkjau e shtet më vete Abdyl Bej. "Epoka para gjyqit" quhej drama. Por fatkeqësisht as edhe në këtë 130- vjetor të bekuar nuk e rivunë në skenë. Nuk e di përse, por historitë e botës iu pëlqejnë më shumë, dhe kjo më ligështon pa masë Abdyl Bej Frashëri!
Po e mbyll letrën për TY, me një fjalë zemre!
Të faleminderit o shqiptar me besë!

Merr: Abdyl bej Frashëri! Dërgon: Përparim Kabo
Panteoni i Martirëve të Kombit! Bir Përmeti nga gjaku i nënës!

GSh