E premte, 29.03.2024, 07:51 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Faruk Sejdini: “Si më internuan në Gurin e Kuq për një femër”

E shtune, 14.06.2008, 12:55 PM


Nga Aimona Vogli

Dinamo apo profesioni i trajnerit, ndoshta nuk do të kishin asnjë kuptim pa emrin e tij. Faruk Sejdini është sot 58 vjeç, por mbetet gjithnjë një djalosh nga natyra, ashtu si atëherë, në komunizëm, kur nuk i pëlqente të jetonte sipas rregullave. Ka qenë një nga ata që quheshin "djalë i prapë", vinte nga një familje tepër e pasur e kryeqytetit dhe për më tepër, një futbollist tepër i njohur. "OK, komunizmi kishte rregulla, por nuk është se pyesja shumë për to dhe të jetoja me frikë. Nëse më pihej një fërnet, e pija në mes të Tiranës", - thotë "Xhaxhi", në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare". Ai ishte nga djemtë e Rrugës së Dibrës, që atëherë njihej si "Broduej shqiptar", pasi vetëm aty mund të shpreheshin të gjithë lirshëm. Në karrierë ka luajtur me Dinamon dhe me ekipin kombëtar, "ndonëse që i vogël isha një tifoz i Partizanit". 

Profesor, ta nisim me fillimet tuaja në futboll?

Të them të drejtën, që i vogël kam qene një tifoz i çmendur i Partizanit. Dhe e gjithë familja luste Zotin që të fitonte Partizani, pavarësisht se asnjë nga ata nuk ishte tifoz, që të mos sëmuresha unë. Kam pasur shok një ish-lojtar të Partizanit, Agim Janku, vëllai i Mikel Jankut. Nga natyra në atë kohë, ndoshta nga mosha, ndoshta nga gjendja familjare, isha shumë i përkëdhelur dhe nuk më pëlqente sakrifica. Dhe Partizani e bënte stërvitjen tek fusha e aviacionit, kështu që nuk doja të shkoja duke parë se ishte larg. Dinamo ndërkohë e bënte stërvitjen pranë shtëpisë time, mu duk si më e thjeshtë. U ingranova me fëmijët e Dinamos në moshën 14-15 vjeç. Kam pasur një trajner shumë të mirë që ishte mirë sidomos nga ana psikologjike për atë moshë, Esat Deliu, i cili me atë ngrohtësi që më dha më të qenit aty, më ndihmoi të ndihesha pjesë e ekipit. Për një kohë të shkurtër pata një rritje me hapa të shpjeta, nga mosha 16 vjeç kam luajtur me ekipin përfaqësues të të rinjve.

Gjithsesi, e nisët me Dinamon...?

Po, në 1966 erdhi Dinamo, isha 16 vjeç dhe ajo merrte pjesë në një kupë të Evropës, me Interaksin. Por ashtu siç ishte koha atëherë nuk u lejua nga partia, sepse kombëtarja kishte pësuar humbje më 4 gola ndaj Gjermanisë dhe ishte kohë kur ne nuk luanim në arenën ndërkombëtare. Në këtë moment për habinë time, Skënder Jareci, një ndër trajnerët më të mirë të Shqipërisë, më afroi. Isha një fëmijë rreth 16 vjeç, 63 kg dhe i dobët nga natyra. Atë natë kur më tha që do të luaja me Dinamon me ekipin e parë, nuk fjeta. Ai ishte shumë largpamës, që i mbështeste shumë të rinjtë, si unë Ilir Përnaska etj. Hipa në autobusin e Dinamos dhe unë u ndjeva i emocionuar, sepse isha së bashku me lojtarë që i shikoja si idhuj. Unë e kisha ëndërr të luaja më ta. Në një ndeshje përgatitore në Shkodër, disa nga "kapot" e ekipit nuk erdhën në grumbullim, sepse ishin në një dasmë. Mbaj mend që do të luante Namik Jareci, por dhe ai nuk ndihej mirë dhe kështu në vend të tij luajta unë. Madje, mendoja se në pushim do të ndërrohesha dhe kur dola nisa të zgjidh këpucët, por trajneri më pa dhe më tha të qëndroja. Në fakt, kisha luajtur mirë. Që atëherë nuk e kam provuar më stolin, ndoshta ky është dhe një defekt që e kam pasur dhe kur kam qenë trajner, sepse nuk e kam kuptuar asnjëherë ndjesinë e lojtarit që provon stolin. Sepse njeriu duhet t'i provojë të gjitha që të kuptojë.

Si kanë qenë fillimet në ekipin kombëtar?

Natyrisht që fillimet ishin me ekipin Shpresa, që 18 vjeç. Aty kam qenë dhe kapiten skuadre. Në moshën 20-vjeçare kam kaluar me kombëtaren, me trajner Loro Boriçin. Por në atë kohë kishte shumë pak ndeshje ndërkombëtare dhe nga kampionati na kishin përjashtuar. Kam luajtur kundër Gjermanisë Perëndimore, me futbollistë si Bekenbauer, Netzer, Majer, Myler apo Overat.

Dhe keni pasur një histori me këtë të fundit apo jo?

Po, ka qenë një histori e lezetshme në vitet '70, kur luanim me ekipin kombëtar të Gjermanisë Perëndimore. Unë kam qenë si pozicion mbrojtës dhe nuk kam pasur ndonjë teknikë të jashtëzakonshme, por ndoshta ngaqë kam pasur nje peshë të lehtë dhe një natyrë prej inatçiu, që vrapoja shumë, trajnerët më kanë lëvizur në pozicion. Në atë ndeshje do të luaja në rolin e mesfushorit dhe do të mbaja kapitenin e skuadrës gjermane, që në atë kohë ishte Overati. Unë isha një lojtar që atë që më thoshe e bëja, isha si i fiksuar. Por kam qenë vetëm 63 kg. Vazhdoi loja dhe unë qëndroja gjithmonë pas Overatit, kudo që shkonte ai, unë i qëndroja nga pas. Ai u habit duke menduar, që "çfarë është ky i shëmtuar që me rri gjithë kohës pas?". Erdhi një moment që ai doli për t'u mjekuar jashtë fushe, e ndërsa loja vazhdonte, unë nuk luaja, por qëndroja, prisja derisa në fushë të hynte Overati. Ai i gjori u habit dhe nuk e kuptonte çfarë bëja unë aty. Më pas kërkoi ndërrim, ndoshta e kuptoi se s'mund të bënte gjë në atë ndeshje. Çudia tjetër ishte se mu desh të mbroja Netzerin, që ishte gati 2 metra. Dhe ai më shënoi gol gjatë një goditje këndi. Në fund humbëm 2-0.

Natyrisht që kur shkonit jashtë vendit, ju shikonin paksa ndryshe juve që vinit nga një shtet komunist?

Në fakt, në fakt, ata as që e dinin se ne ekzistonim si komb apo jo. Nuk po them në Gjermani, por dhe në një shtet socialist siç ishte Rumania dhe që ishte pranë nesh. Ishin vajzat e reja që na afroheshin ne sportistëve, por unë i thosha që jam libanez, sepse pak ezmer isha dhe pak gjuhën nuk e kuptonin fare. E bëja këtë, sepse kishim frikë se mos ishte dikush që na provokonte. Në na dukej sikur e gjithë bota rrotullohej rreth farit të quajtur Shqipëri, por nuk ishte aspak ashtu.

Por, a ndodhte që një trajner i huaj pëlqente një lojtar shqiptar?

Në atë kohë mundësitë vinin tek ne në mënyrë indirekte, por ne ruheshim shumë, sepse kishim frikë se mund të ishin të futur nga sigurimi dhe na provokonin. Por unë mund të them që një pjesë shumë e mirë e lojtarëve në atë kohë kishin kapacitet për të luajtur me çfarëdo klubi jashtë. Për shembull, Panojot Pano ishte unikal dhe mund të luante në çdo kombëtare.

Sot megjithatë, lojtarët janë më të privilegjuar, pasi mund të luajnë jashtë edhe pa pasur cilësi të shkëlqyera?

Unë mendoj që gjithçka është me kohë. Në atë kohë nuk mendoj se kishte njeri që njihej më shumë se një sportist. Ishim njerëzit më të privilegjuar, kur kaloja unë në rrugë nuk mendoj se kishte ndonjë anëtar i Byrosë që njihej më shumë se unë. Kështu që nuk ishte shumë e nevojshme të shkonim jashtë shtetit, pasi komod ishim edhe këtu.

Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të arratiseni?

Për ne kjo ishte shumë e thjeshtë, ai i sigurimit nuk mbante njeri me zor. Sepse, mund të të qëllonte në mes të një shteti të huaj t'i thoshe që do ikje, shkoje në policinë e vendit dhe kjo ishte gjithçka. Por kishte një gjë, që sistem kishte i tillë, që ai njeri që atë kohë ikte, për mendimin tim ishte një monstër, sepse ishte njësoj si të merrte pistoletën dhe të qëllonte njerëzit e tij më të afërt, sepse ishin ata që e pësonin kur ai largohej. Pra, i vriste indirekt. Kështu që kur mendoje dëmin e madh që shkaktoje duke ikur vetëm nga dëshira për të parë botën, duhet të ishe një individ jashtëzakonisht shumë egoist.

Dinamo ka qenë një skuadër e Ministrisë së Brendshme dhe përflitej për lidhje me sigurimin?

Flitet shumë që në Dinamo në atë kohë ishin "spiunët e Sigurimit". Në të vërtetë, Dinamo ishte një ekip që mbrohej nga Ministria e Brendshme, ashtu siç ishte Partizani nën mbrojtjen e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Tirana nga Komiteti i Partisë. Një dinamovit ishte me ligj punonjës i Ministrisë së Brendshme dhe nuk ishte spiun, ai thjesht bënte punën. I rrezikshëm ishte ai që nuk ishte punonjës dhe ti i flisje. Damka e dinamovitëve bënte të mos vinin të na pyesnin ne, se çfarë tha filani për filanin, kishte të tjerë.

Por ndërhyrje ka pasur nëse nuk luanit mirë apo jo?

Me tepër ka pasur për ekipin kombëtar sesa për Dinamon, se dhe nëse humbisje me Gjirokastrën p.sh, ishte ideja që dhe ajo e Partisë është. Shumë rrallë në momente acarimi ndodhte që merrnin masa nga dy zv/ ministrat që merreshin direkt me këtë, sepse ata që luanin ishin të gjithë nënoficerë, d.m.th polica. Ka pasur një rast që J.Ramin e dërguan si polic trafiku në mes të Vlorës, sepse hëngri 3 gola në Vlorë.

Po Kadri Hazbiun e keni takuar ndonjëherë?

Po, e kam takuar rreth 8-10 herë dhe mund të them që ishte një ndër njerëzit më pak të frikshëm të Ministrisë së Brendshme, që në atë kohë ishte "koka" e saj. Ndoshta unë isha një ndër ata sportistët popullorë, që si duket më kishin për zemër. Mbaj mend që kur e kam takuar një herë më ka thënë: "Kujdes me atë rakinë, sepse të gjitha ushqimet shkojnë nga lart-poshtë, ndërsa ajo shkon nga poshtë-lart dhe të merr trutë"

Por kur ktheheshit, ose kur ishit jashtë, e ndjenit që ju kontrollonin sigurimsat?

Mbaj mend një histori. Ishim në Gjermaninë Lindore, rreth vitit 1973. Ishim në një hotel, kishin ardhur disa algjerian, dhe midis te tjerëve një vajzë që dukej si vajzë sheiku. Ishim në holl, unë, Iliri Përnaska, Denis Xhafa. Unë po pija dhe cigare dhe kur hyri trajneri e fika. Vura re qe pranë nesh ishte dhe një burrë me mjekër që na shikonte. Por nuk menduam gjë, vazhdonim të shikonim dhe të bënim komente për vajzën dhe algjerianët. Kur afrohet personi dhe pasi na pyeti në flisnim gjermanisht, ose anglisht. Unë dija pak anglisht. Ai na pyeti çfarë ishim, për kë luanim në Shqipëri, sesi na dukej Gjermania, dhe për vajzat gjermane, etj., dhe unë i tregova, pa më vajtur mendja për keq. "Gjermania është e bukur, por jo më e bukur se Shqipëria"... "Vajzat gjermane janë të bukura, por jo më të bukura se ato shqiptare". S'mund të flisja ndryshe. Ai kishte qenë një gazetar i "Deutche Zeitung" dhe kishte bërë një shkrim për ne. Por atëherë të gjithë shkrimet që bëheshin për Shqipërinë ose shqiptarët, vinin në formë buletini që i përgatiste ATSH, për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Mehmet Shehun. Babai punonte në ATSH dhe ishte i detyruar ta çonte si buletin, por edhe shefin e kishte mik dhe arritën ta fshihnin. Babai më ka zgjuar në 12 të natës dhe më pyeste dhe kritikonte përse kisha folur, dhe unë që mbrohesha, se ai e dinte që anglishtja ime ishte e dobët. Por kishte raste që kur ishim në avion, na qëllonte të qëndronim pranë me njerëz të ndryshëm, dhe meqë na shikonim të rinj, sportistë, bëheshin kurioz dhe na pyesin. Një herë, një burrë më pyet dhe unë po i tregoja, afrohet ai i Sigurimit dhe më pyet: "Çfarë është ky? Po për çfarë të pyet? Mos është i infiltruar? Merri adresën e shtëpisë." Unë u habita: "Si ore ta pyes? Të ma japi adresën?" Nga këto histori kishte vërtet shumë. Ne që kemi vajtur jashtë ruheshim nga të gjitha anët. Kështu, unë i tregoja familjes, por dikujt tjetër duhet t'i tregoja një realitet tjetër. Dhe çfarë thosha? Që Gjermania nuk kishte bukë për të ngrënë.

Si ka qenë raporti juaj me pijen?

Shiko, është e vërtetë që unë kam ndenjur nëpër klube, por ka pasur njerëz që kanë konsumuar më shumë alkool se unë. Për shembull, disa e hidhnin fërnetin në kafe për të mos u dukur.. Ndërsa unë kam pasur ndryshe nga të tjerët, më pak frikë. E porosisja dopion e fërnetit edhe në sy të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.

Na tregoni diçka për familjen tuaj?

Unë, dhe kjo ishte fatkeqësi në atë kohë, rrjedh nga një familje bejlerësh nga mamaja. Ajo ishte nga familje latifondiste, 7 latifondistët që thoshte Enveri. Babai rrjedh nga një familje e mesme, por shumë intelektuale. Ai ka mbaruar për Jurisprudencë në Francë, ndërsa gjyshi ka qenë mjek. Ende ruaj aparate të tij të tensionit të 1900 në shtëpi, si dhe kam ruajtur dhe shumë relike, si mobiliet 80-vjeçare të bëra me porosi në Milano, llambadarin të porositur në Venecia, etj. Nga ana familjare kemi qenë shumë më mirë se të tjerët ekonomikisht. Babai punoi për një farë kohe në zyrën e Avokatisë dhe më pas në ATSH si përkthyes i anglisht-frëngjishtes.

Cili ka qenë raporti me vajzat, sidomos me ato të Bllokut? Ju sportistëve ju "gjuanin" shumë apo jo?

Shiko, unë kam pasur dy gjëra që më jepnin përparësi: sportin dhe shkollën. Por dhe për ketë duhet të ishe shumë i kujdesshëm. Sepse mund të bëje ndonjë "zarar" dhe të përjashtonin. Ndërsa për vajzat e Bllokut, nuk i kam parë kurrë me atë sy, sepse kam qenë dhe pak i trembur nga familja. Gjithmonë kam menduar mirë nëse thotë po, por nëse thotë jo? Ajo do të ishte shkatërrimi për mua, do me hiqnin nga sporti, etj. Dhe kush e di ku mund të kisha përfunduar. Kështu për natyrën time ishin jashtë kontureve. Mua më ka rastisur që më kanë përjashtuar dhe rimarrë përsëri, për çështje vajzash. Madje dhe më kanë dënuar për një çështje të tillë dhe më kanë nisur në aksionin për të ndërtuar hekurudhën e Gurit të Kuq. Kjo ka ndodhur sepse në atë kohë, qoftë një vajzë 20 vjeç qoftë një 60 vjeç shkonte dhe ankohej për mua, e merrte vesh i ati, që shkonte tek ndonjë i ministrisë. Dhe e dini çfarë? Nëse unë do ta merrja, atëherë të gjithë do të thoshin e mori ajo dhe jo ai. Sepse, kështu ishin gjërat. Dhe unë nuk e pëlqeja këtë mënyrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora