E enjte, 25.04.2024, 11:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjyzepina Çoba Një Muzë e bukur për gjashtë artistë shqiptarë

E shtune, 14.06.2008, 11:24 AM


Gjyzepina Çoba
Nga Ferid HUDHRI

Antoneta Skanjeti ka qenë femra e parë shqiptare që pozoi përballë një piktori për portretin e saj. Antoneta, që shkurt thirrej Tone, ishte gruaja e Andrea Skanjetit. Piktori që i realizoi portretin ishte vëllai saj, artisti më i njohur i Rilindjes shqiptare, Kol Idromeno. Pra kjo grua shkodrane, pati fatin të ishte e para modele në historinë e artit shqiptar. Tashmë ky është një fakt i njohur.
Ndërsa objekti i këtij shkrimi, pra femra që u përjetësua në nëntë vepra arti, nga gjashtë artistë të njohur shqiptarë, është mbesa e motrës Tone, vajza e vajzës së saj, Gjyzepina Çoba. Dhe ky fakt është ende i panjohur sa duhet, po ashtu si edhe pikturat dhe fotot kushtuar asaj. Ajo ishte e para dhe, deri tani, e vetmja femër shqiptare, ndoshta nga rastet më të rralla edhe në historinë e artit botëror, kur një grua të përjetësohet në shumë vepra arti, të krijuara nga autorët më shquar të vendit të saj. Por më parë se të njohim imazhet artistike të mësojmë se...

Kush ishte kjo Muzë e bukur?

Gjyzepina Çoba lindi në vitin 1922. Në familjen e motrës së Idromenos (Antoneta me Andrea Skanjetin) që përbëhej nga pesë vajza dhe një djalë, Orsolina ishte vajza më e vogël e familjes. Nga martesa me tregtarin e njohur Luigj Çoba, Orsolina lindi Gjyzepinën. Pra Gjyzepina është mbesa e Tones, gruas së pikturuar te tabloja Motra Tone, si dhe stërmbesë e autorit të tablosë, piktorit Kol Idromeno.
Familjet Çoba, Idromeno dhe Skanjeti kanë qenë ambientet ku lindi dhe u rrit Gjyzepina. Gjatë viteve që studionte në kolegjin e murgeshave në Shkodër ajo mësoi të luante piano dhe të pikturonte. U aktivizua edhe në grupet teatrale. Siç është shkruar në librin “100 vjet teatër në Shkodër”, Gj. Çoba ka interpretuar në melodramën “Shqiptarja e qytetnueme” dhe në komedinë “Luftimi i veseve” në vitet 1931 dhe 1936. Aty botohen edhe foto të saj gjatë shfaqjes.
Në moshën 17 vjeç, në vitin 1939, u martua me Ndoc Vasinë, një nga intelektualët e njohur të kohës, regjisor, dramaturg dhe përkthyes. Gjyzepina, që në fillim u dallua midis të gjitha vajzave në kolegj dhe në shfaqjet teatrale në Shkodër, veç talentit edhe për hijeshinë e fytyrës, ndërsa kur erdhi në Tiranë ndjeu reagim të menjëhershëm për bukurinë e saj, një bukuri e rrallë që u shfaq edhe më e plotë me veshjet e reja të nuses. Thuhet se në ballot mbretërore dhe në ceremonitë e kohës, pushteti i bukurisë së Gjyzepinës ishte i fuqishëm mbi të gjithë burrat e pranishëm. Në një nga fotot e fillimit të viteve ’40, në imazhin e saj ndjehet e njëjta finesë me madamat e salloneve të Parisit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane.
Por koha e shkëlqimit të madamës shqiptare nuk zgjati shumë. Pas viteve të luftës, 1945-sa ishte viti më i vështirë për të. Bashkë me burrin dhe vajzën e vogël Terezina, Gjuzepinën e internuan në Manzë të Durrësit. Gruaja e bukur, e mësuar dhe dëshiruar për të shfaqur hiret e saj në ambientet më të qytetëruara të kohës, e pati të vështirë të përballonte jetën e fshatit në atë kohë të varfër të pas luftës. Ndonëse pas pak vitesh u kthye në qytetin e Durrësit, falë vlerave të burrit të saj, që u emërua në drejtimin e lëvizjeve artistike, ndonëse i lindi edhe një djalë, Nikoleti (piktori i ardhshëm), Gjyzepina nuk mundi ta përballojë jetën familjare në atë periudhë të vështirë.
U kthye në qytetin e lindjes (1953), pranë vëllait të saj Ernest Çoba, në atë kohë Ipeshkv i Shkodrës. Pas disa muajsh filloi punën në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Kopjonte partiturat muzikore. Disa nga pjesët muzikore që ka shkruar ajo ruhen edhe sot si një dëshmi e talentit dhe përkujdesit të saj artistik. Në mjediset e Shtëpisë së Kulturës Gjyzepina njihet me një nga artistët më të njohur të qytetit, piktorin Vladimir Jani. Gruaja e bukur takoi njeriun që e kuptonte dhe e vlerësonte, ndërsa artisti shkodran, i diplomuar në Akademinë e Firences, gjeti imazhin e femrës që kishte ëndërruar. Dashuria e tyre u kthye shpejt në martesë dhe, që nga ajo ditë, Gjyzepina përfundimisht jetoi në Shkodër, larg vajzës dhe djalit, për të cilët u kujdes i shoqi Ndoc Vasia, që ia përkushtoi jetën e tij rritjes së fëmijëve dhe veprimtarisë artistike.
E vetëdijshme për forcën e bukurisë së saj, sidomos pas martesës me piktorin e njohur, thuhet se Gjyzepina tregohej gjithnjë më e kujdesshme në evidentimin e hireve femërore. Ende edhe sot në Shkodër e kujtojnë me emrin “Gjyzepina e bukur”. Ndoshta edhe në martesën e re nuk e gjeti hapësirën që dëshironte, por me siguri mori vlerësimin për bukurinë femërore, që veçanërisht për piktorët është më e çmuar dhe më e ndjeshme si muzë frymëzimi. Bashkëkohësit kujtojnë se edhe në vitet e socializmit, kur ishte më e vështirë të shpëtoje nga uniformiteti, Gjyzepina dallohej edhe nga mënyra se si vishej.
Por si historitë e bukura ashtu edhe gratë e bukura kanë të njëjtin fund të zakonshëm, si të gjitha historitë dhe gratë e tjera. Gjyzepina vdiq dhe u varros në Shkodër, në tetor të vitit 2003, ndërsa imazhi saj i bukur mbeti i përjetësuar në nëntë vepra arti. Njëra prej tyre është e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa tetë të tjerat ruhen në koleksionin privat të piktorit Nikolet Vasia në Durrës. Pra deri tani vetëm njëra nga pikturat është e ekspozuar. Pesë të tjerat nuk janë paraqitur në asnjë ekspozitë dhe tani bëhen më të njohura nëpërmjet këtij shkrimi.

Tabloja e parë (Kol Idromeno)

Është krijuar në vitin 1932, kur Gjyzepina ishte dhjetë vjeç. Autor është piktori i njohur Kol Idromeno, vëllai i gjyshes së saj. Pas vdekjes së parakohëshme të të atit, Gjyzepina u rrit te Idromenot. Meqenëse Idromeno nuk pati fëmijë, mbesat dhe nipërit e motrës ishin më të afërt për të. Por midis njerëzve më të dashur, Gjyzepina pati fatin të përjetësohet në art nga dora e piktorit të madh. Duke pasur parasysh edhe tablotë e tjera që u krijuan më vonë, me pikturën që e realizoi kur Gjyzepina ishte ende fëmijë, duket sikur Idromeno ta parandjente se ajo vajzë do të bëhej më e bukura dhe do të shndërrohej në muzë frymëzimi edhe për artistë të tjerë pasardhës. Me këtë tablo fillon cikli i pikturave që do ta shoqërojnë Gjyzepinën gjatë gjithë jetës. Piktura e Idromenos titullohet Mbesa, u realizua me ngjyra vaji në kanavacë. Ishte një nga punët e fundit të mjeshtrit, në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës. Pas vitit 1954 tabloja Mbesa u bë pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ndodhet edhe sot dhe është e vetmja vepër e njohur dhe e ekspozuar deri tani nga të shtatë pikturat kushtuar Gjyzepina Çobës.

Fotografia Idromenos

Dihet që mjeshtri Idromeno ka qenë edhe fotograf i shquar. Në fondin e fotove të tij, që ruhen në arkivin e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe në Fototekën Marubi në Shkodër, krahas figurave me kostume kombëtare, gjenden edhe portrete të njerëzve të asaj kohe. Dhe në këtë grupim nuk mund të mungonte edhe mbesa tij, Gjyzepina e vogël që pak vite më parë e kishte pikturuar. Por, ndryshe nga tabloja, vajza në foto paraqitet më e rritur, figura shfaqet më e plotë, duke pozuar në këmbë. Fotoja e Idromenos është e thjeshtë, por me vlerë historike dhe me rëndësi për Gjyzepinën. Pas portretit në pikturë ky është një imazh tjetër i realizuar nga mjeshtri Idromeno.

Portreti më i dashur (Vladimir Jani)

Tabloja e dytë u realizua në vitin 1956. Në pikturimin e veprës së parë, Mbesa, ndjehet mjeshtëria e Idromenos si dhe përkujdesi për njeriun e afërm. E dyta është realizuar me magjinë e dashurisë. Piktori Vladimir Jani, i përkushtuar pas Gjyzepinës, nuk priti gjatë për të përjetësuar bukurinë e saj femërore. Pak kohë pasi u njohën imazhi i saj i bukur nuk e linte të qetë deri sa e përjetësoi në pikturë. E realizoi në një telajo në formë ovale që e kishte sjellë nga Italia bashkë me kornizën në dru të gdhendur. Kishte mbi 10 vjet që e ruante atë kornizë të bukur. E mendonte për tablonë më të çmuar të krijimtarisë së tij. Në vitin 1956, u bind se vepra e tij më e dashur do të ishte portreti i Gjyzepinës dhe po atë vit, telajos brënda kornizës ovale, që e ruante prej kohësh në studio, i dha jetë me imazhin e bukur të Gjyzepinës. Brenda kornizës së artë, mbi sfondin në ngjyra të errëta, rrethuar nga flokët e plotë, fustani dhe më pas nga krahët e poltronit të lartë prej druri, gjithashtu në ngjyrë të kafenjtë, ndriçon fytyra dhe llërat e zhveshura të Gjyzepinës, që mbajnë tri drondafila Shkodre. Është një tablo e qetë, e pikturuar me dashuri që shikohet me ëndje. Krahët e poltronit pas llërave të zhveshura duken si krahë engjëlli dhe e gjithë piktura në formë ovale duket si një ikonë dashurie. Për Vladimir Janin është tabloja e dashurisë së tij, është portreti më i çmuar i gjithë jetës. Piktori , ashtu si dhe Idromeno, nuk solli fëmijë në jetën e tij, por ndërsa për Idromenon Gjyzepina u bë një ndër njerëzit më të afërt të familjes, për Vladimir Janin ishte e vetmja dhe më e madhja dashuri.

Portreti i gruas (Vladimir Jani)

Si e vetmja dashuri, Gjyzepina e bukur do të ishte edhe e vetmja muzë për piktorin Jani. Pas portretit të vitit 1956 imazhi i saj do ta nxiste atë në gjithë krijimtarinë e ardhshme. Vladimir Jani, gjithnjë i vlerësuar në rrethet artistike në Tiranë për talentin e tij, si dhe për përgatitjen e disa artistëve të rinj shkodranë, thuajse mbeti gjatë gjithë kohës larg kryeqytetit. Bota e tij shpirtërore dhe artistike mbushej me Shkodrën. Krijimtarinë e atyre viteve e kishte të lidhur me vendlindjen, me rrugicat dhe shtëpitë karakteristike, me pazarin e qytetit dhe figura malësorësh me veshje kombëtare. Shpesh i mbyllur në botën e tij ai nuk mori vlerësimin që meritonte, por ndërkohë u shpëtoi edhe skemave të artit zyrtar, që diktoheshin nga kryeqyteti. Ndoshta ishte edhe Gjyzepina që ndikoi në mbylljen e artistit. Pjesëmarrja e Janit në ekspozita kombëtare qe më e kufizuar, ndërsa tablotë në studio i shtoheshin vazhdimisht. Portreti që i bëri Gjyzepinës në vitin 1965 shpreh më shumë siguri në pikturim. Ndoshta është faza e një krijimtarie më të pasur për të.

Nga nudot e para (Vladimir Jani)

Nudot janë veprat më të rralla në fondin i pikturës shqiptare të traditës. Edhe ato piktura të pakta që ruhen deri tani nga autorët tanë, me ndonjë përjashtim të rrallë, u realizuan gjatë viteve kur studionin në Akademitë e Artit nëpër Evropë. Megjithatë ato mbeten të çmuara se u krijuan nga artistë të shquar si Vangjush Mio, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Vangjush Tushi ...
Pas vitit 1945, kur realizmi socialist u shndërrua në të vetmen drejtim artistik për piktorët shqiptarë, nudot nuk mund të shiheshin më, jo vetëm nëpër ekspozita, por as edhe në studiot e artistëve. Edhe ato vepra të rralla që ekzistonin më parë nëpër studio, u fshehën ose edhe u zhdukën. Ende kujtohet midis artistëve trishtimi i thellë që krijoi thyerja e statujave nudove nga vetë skulptori Janaq Paço në studion e tij, i detyruar nga presioni regresiv i atyre viteve. Odise Paskali ruante në studio një projekt për monument, të realizuar para vitit ’44, ku kishte edhe dy figura nudo. Edhe Buza kishte krijuar disa nudo në përmasa të vogla, por e pati më të lehtë t’i ruante të fshehura. Ndoshta edhe ndonjë artist tjetër mund të këtë krijuar në fshehtësi imazhe të tilla, por në ekspozitën PostEva, e para ekspozitë vetëm me nudo që u organizua në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 2000, thuajse nuk u paraqit ndonjë tablo e panjohur, e krijuar jashtë atelieve të shkollave të artit.
Pikërisht në ato vite, kur pikturimi i një femre të zhveshur po kthehej në tabu, Vladimir Jani ka realizuar një nga nudot më të bukura në artin shqiptar. Ndërkohë mund të quhet dhe një nga veprat më të hershme të këtij lloji, e pikturuar në studio, jashtë detyrave të shkollave artistike. Edhe Buza kishte krijuar një nudo në vitin 1935, por deri vonë nuk dihej cila femër kishte pozuar. Ndërsa për Vladimir Janin është e qartë. Në nudon e tij në përmasa 120x70, me ngjyra vaji në kanavacë, është e pikturuar gruaja e tij, Gjyzepina e bukur. Nga viti i realizimit (1968) deri pas vdekjes së piktorit, tabloja u ruajt në dhomën e gjumit të çiftit Jani. Të rrallë ishin ata që e kishin parë pikturën. Shumë vite pas krijimit, kur Nikolet Vasia u bë piktor i njohur, mjeshtri Jani e futi në dhomën e gjumit dhe i tha të shihte një nudo të nënës së tij.
Gjithsesi deri vonë ajo ka qenë një vepër thuajse e fshehur. Tashmë me siguri do të bëhet pronë e ndonjë galerie të njohur. Galeria Kombëtare e Arteve do të ishte vendi i merituar, për tu vështruar dhe vlerësuar më shumë, si një nga nudot më të hershme dhe më të bukura të realizuara me pozimin e një gruaje shqiptare.

Fotografia artistike (Angjelin Nenshati)

Fotografi njohur Angjelin Nenshati, ka qenë një nga miqtë më të afërt të piktorit Jani. Thuajse të gjitha krijimet në pikturë Vladimiri i ka të fotografuara me kujdesin e veçantë të këtij artisti. Gjyzepina e bukur që ishte gjithnjë e pranishme në studio, nëpër veprat e artit, por edhe me buzëqeshjen dhe mikpritjen e saj, kuptohet që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së Angjelin Nenshatit. Në objektivin e fotografit, krahas pikturave të Janit, janë fiksuar edhe shumë portrete të Gjyzepinës. Fotoja e vitit 1976 është një nga më të bukurat. Dëshira për të krijuar një imazh të ri, ku gruaja e hijshme të jepej bukur artistikisht, e ka nxitur Nenshatin të gjejë këndvështrimin e duhur. Duke e vendosur në anën e kundërt të dritës, fytyra mbetet në hije, ndërkohë ravijëzohet qartë silueti sensual në profil, ndjehet volumi plotë i figurës dhe e gjithë fotoja të jep imazhin e një busti në skulpturë.

Fotot e tjera

Fotoja e Idromenos, fotoja e vitit ’40, ku Gyzepina duket si një modele në sfilatë, bashkë me foton e A. Nenshatit, përbëjnë tre nga më të njohurat. Por në albumin e jetës së kësaj gruaje numri i fotove është akoma më i madh. Po ashtu edhe numri i fotografëve. Angjelin Nenshati, ka qenë më i pranishëm me aparatin e tij në familjen Jani, dhe mbetet autori i fotove më të shumta. Negativat e realizuar gjatë atyre viteve, ku pasqyrohet edhe Gjyzepina, tani ruhen në arkivin e Fototekës Marubi në Shkodër. Kuptohet që pjesa më e madhe janë thjeshtë dokumentare, por në këndvështrimin e sotëm, fotot e Gjyzepinës marrin më shumë vlerë. Ato janë me interes për studim, pasi një grua, që është bërë Muzë për disa artistë të njohur, bëhet objekt edhe i historisë së artit. Në mungesë të figurës origjinale, edhe fotot na ndihmojë për të njohur më mirë fizionominë dhe personalitetin e asaj që ndikoi në krijimin e disa veprave artistike.

Portret gruaje (Nexhmedin Zajmi)

Tabloja e pestë u krijua nga piktori i njohur Nexhmedin Zajmi. Është në ngjyra vaji, në përmasat 23x17cm. Rreth viteve 1968 – 1969, pikërisht në kohën kur është pikturuar ky portret, Zajmi po punonte edhe për tablonë Diga e Drinit, një nga veprat më përfaqësuese të realizmit socialist. Ndryshe nga V. Jani, N. Zajmi, ndonëse me krijime të bukura në fillimet e krijimtarisë, në ato vite ishte futur thuajse plotësisht në skemat e artit zyrtar. Ndërkohë portreti që bëri për Gjyzepinën ndryshon nga tablotë skematike që realizonte në të njëjtën periudhë. Pikturimi saj është në frymën e krijimeve të viteve të para ku ndjehet më qartë fryma akademike. Ndoshta në studion e Janit, ku është bërë ai portret, edhe Zajmit iu rikthyen imazhet e realizmit klasik italian që mësuan bashkë në Akademitë e Romës dhe të Firences, ose fytyra e Gjyzepinës e frymëzoi për një trajtim më delikat e më të ndjeshëm në portretin e një femre, ndryshe nga portretet burrërore që u bëheshin grave shqiptare në ato vite. Në studion e Janit, që ishte brenda shtëpisë tij në Shkodër, janë futur edhe piktorë të tjerë të njohur. Ndoshta aty mund të jetë realizuar edhe ndonjë portret ndryshe me imazhin e Gjuzepinës, që ende nuk është publikuar.

Portreti i nënës (Nikolet Vasia)

Gjyzepina Çoba, veç bukurisë femërore, pati edhe fatin e mirë që jeta e saj të rrjedhë pranë disa piktorëve të njohur. Vegjëlia i kaloi pranë Idromenos së madh që e përjetësoi në portretin e titulluar Mbesa. Martesa me Vladimir Janin, i krijoi mundësinë të jetë disa herë në qendër të veprave artistike të bashkëshortit, si dhe të kolegëve të tij. Thuhet se, veç Nexhmedin Zajmit, edhe një piktor i huaj, kur ka qenë në shtëpinë e Janit, i ka bërë një portret Gjyzepinës. A. Nenshati dhe fotografë të tjerë kanë realizuar disa imazhe me portretin e saj. Por, përveç artistëve që sapo përmendëm, shkodrania e bukur kishte edhe një piktor tjetër shumë më të afërt. Djali i saj, Nikolet Vasia, që u rrit në Durrës pranë të atit, pas viteve ’70 ishte bërë një nga piktorët më të njohur të brezit të tij. Ndonëse i diplomuar në Akademinë e Tiranës, gjatë viteve të Realizmit Socialist, falë talentit të tij, falë edhe trashëgimisë familjare nga Idromeno i madh, krijonte tablo të bukura, jashtë skemave shabllone të kohës.
Gjyzepina, e përkëdhelur thuajse gjatë gjithë jetës nga piktorët, ndonëse ishte rreth të gjashtëdhjetave, mendonte se mund të ishte objekt edhe në një tabloje të re, tashmë nga i biri, në një stil tjetër, krejt të ndryshëm nga artistët pararendës. Dhe në fillim të viteve ’80, gjatë ditëve që ishte me pushime në Durrës, u realizua portreti i radhës për Gjyzepinën.
Nikoleti kujton se në të njëjtën kohë kur pikturonte portretin e nënës së tij, punonte edhe për një vitrazh në përmasa të mëdha në Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Edhe portreti që i ka realizuar nënës, nga transparenca, drita dhe ngjyrat e gëzuara duket si një vitrazh i bukur.

Tabloja e tablove (Shpresa Beqiri)

Pak kohë para se të ndahej nga jeta, Gjysepina ia ka treguar imazhin e saj të pikturuar nudo, edhe piktores Shpresa Beqiri, gruas që bashkëjeton me djalin e saj Nikoletin. Ndoshta në atë kohë Gjyzepina nuk e dinte se ishte para një krijueseje të talentuar që, ndryshe nga çdo artist shqiptar, figurën e femrës nudo e ka shndërruar në një kult të magjishëm për bukurinë e trupit dhe shpirtit femëror. Nga ai çast edhe Shpresa, mbështetur në nudon e Vladimir Janit dhe tablotë e artistëve të tjerë, mendoi të krijojë një pikturë për Gjyzepinën e bukur, për ta përjetësuar në një imazh të ri magjinë e feminitetit të saj.
Ende nuk është përfunduar ajo tablo. E imagjinoj si një homazh për Gjuzepinën, e cila, ndonëse ishte si një ikonë e bukurisë femërore, jetoi në një kohë kur opinioni shoqëror, i udhëhequr nga slogani “për krijimin e njeriut të ri” ishte i prirur më shumë të sajonte paragjykime se sa vlerësime ndaj një gruaje të bukur. Nudoja e re është ende në fantazinë e piktores, ndërsa një portret i Gjuzepinës sapo është realizuar. Aty pasqyrohet edhe një nga pasionet e saj; dëshira për të koleksionuar vazo të ndryshme dekorative. Një pasion që ia pasuronte më shumë botën. Midis vazove të porcelanit, e pikturuar me llërat e zhveshura dhe sytë e mbyllura, me fytyrë të paqtë ku buzët ngjajnë si petale, Gjyzepina duket si pjesa më e butë, më e brishtë dhe më joshëse e gjithë tablosë, ku edhe sfondi është trajtuar në linja të buta dhe ngjyra të gëzuara.
Ndërsa pikturat dhe fotot e mëparshme janë arritur me pozimin e Gjyzepinës, piktura e Shpresës doli në dritë kur gruaja e bukur nuk jetonte më. Stili i ndryshëm i artistëve si dhe vendet apo koha e realizimit të tyre e bëjnë më të larmishëm koleksionin me imazhet artistike të asaj gruaje. Secila prej tyre ka vlera të veçanta, jo vetëm artistike, por edhe historike për kohën, vendin dhe mënyrën si janë krijuar.

* * *
Kjo është historia e tablove kushtuar Gjyzepinës së bukur. Për atë grua nuk mund të thuhet se kaloi një jetë të gëzuar, por pati një fat të rrallë; u përjetësua në disa vepra arti, nga autorë të ndryshëm, nga më të njohurit e vendit të saj. Pra Gjyzepina Çoba futet edhe në historinë e artit shqiptar si muza e përbashkët për disa artistë, si modelja që pozoi për realizimin e shumë pikturave dhe fotove artistike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora