Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rexhep Shahu: ''Qyteti i lutjeve''

| E marte, 01.04.2014, 06:11 PM |


“QYTETI I LUTJEVE” LIBRI I RI POETIK I REXHEP SHAHUT

Qyteti i Lutjeve është libri më i ri poetik i poetit Rexhep Shahu që doli në qarkullim në mars 2014. Ky është libri i katërt poetik i këtij poeti e gazetari dhe i nënti në radhë nga librat e tij. Libri  poetik Qyteti i Lutjeve, në 176 faqet e tij ka 138 poezi, e mes tyre, dy poema, me titujt, Një mijë vjet që pres, dhe, Më ka marrë malli. Shtëpia botuese është “Adonis a.h”, shtypshkronja, Urtësia Bektashiane. Redaktor është poeti e gazetari Izet Duraku, recenzentë poetët Aqif Hysa dhe Elinda Marku. Figura në ballinë është një fragment nga memoriali i skulptorit rumun Amy Keus, kushtuar Masakrës së Nanjingut në Kinë.

Pas vëllimeve poetike Mali i Hënës, 1998, Bregu i Brengës 2000, Lis i Vetëm në Fushë, 2011, vjen vëllimi Qyteti i Lutjeve në të cilin poeti ka derdhë revoltë dhe na shfaq një poezi mjaft të angazhuar qytetare duke mundur të ngrejë në art mjaft dukuri e shqetësime të kohës që jetojmë, shqetësime që në fund të fundit janë të gjithkohëshme, janë brenga të përhershme të njeriut.

“… Dhimbje e butë njeriu, e ardhur me aristokracinë e fjalës poetike, pa bërtitje, plot elegancë. Si në të gjitha dhimbjet e pabuja të zemrës. Më dhe kënaqësi, Rexhep Shahu. E dua këtë lloj poezie, që vjen kështu si një çlirim i vetvetes”, shprehet poeti i njohur shqiptar Petrit Ruka për librin Qyteti i Lutjeve, shënim i cili gjendet në ballinën e pasme të librit.

Po në këtë ballinë është edhe shënimi i kritikut dhe poetit Vaid Hyzoti, i cili shkruan : “Rexhep Shahu ka fjalë të rëndë. Ai flet me zë të ulët edhe kur duhet ta ngresh zërin në kupë të qiellit. Fjala e tij poetike është mbrujtur me bindjen e të vërtetës, që sheh dhe përjeton thellë. Kush ka sy, do e ndjejë. Kush s’ka sy, nuk i gjen, se në Qytetin e Lutjeve sytë nuk shiten as nën dorë…”, pohon Vaid Hyzoti në shënimin e tij për librin Qyteti i Lutjeve.

Rexhep Shahu tashmë ka poezinë e tij, ka vargun e tij qartësisht të dallueshëm e të identifikueshëm shprehen poetë e studiues të ndryshëm njohës të poezisë, ka poezi me nerv,poezi  intelektuale por të admirueshme nga çdo lexues poezie.

Poezia e Rexhep Shahut është e përsosur në papërsosmërinë e vet, shprehet redaktori Izet Duraku, është plot figuracion befasues, plot ide dhe revoltë e ngritur në art kundër mjerimit shpirtëror  dhe  kundër bjerrjes së vlerave njerzore, jashtë skemave e metrikave strikte por që krijon shtratin e vet.

Rexhep Shahu ka të botuar gjithsej 9 libra. Veç librave poetike Mali i Hënës, Bregu i Brengës, Lis i Vetëm në Fushë dhe Qyteti i Lutjeve, ai ka edhe 5 libra publicistikë, si, Misioni për Paqen, Bllaca monografi, Marsi i Minave, kushtuar Kosovës, krizës dhe luftës për Kosovën, Apologji për Udhën e Kombit me polemika me ata që kundërshtonin e pengonin ndërtimin e udhës së bashkimit kombëtar, dhe librin më të fundit të botuar po në mars 2014, Bukën Tonë të Përditshmë, me analiza, veshtrime e polemika rreth zhvillimeve në bujqësinë shqiptare në dekadën e fundit.

Kur lexon librin poetik Qyteti i Lutjeve lexuesi e sheh në fund të fundit se si lutet një qytet e çdo qytet për veten e tij, e sheh se si lutet qyteti të jetojë, shpëtojë, mbijetojë, se si lutet qyteti të jetë qytet, ku banori i këtij qyteti të mos kërkojë të blejë sy nën dorë për të parë, të mos mund të artikulojë dëshprim të thellë e të thotë, “tashmë jam i lirë të vdes…”.

Biografia letrare e Rexhep Shahut :

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.

Ka drejtuar si kryeredaktor  revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.

Rexhep Shahu ka botuar  nëntë libra :  “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011; “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012; “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 dhe “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014.