E shtune, 24.08.2019, 12:33 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shqiptarët meritojnë më tepër se Ivanovin!

E diele, 30.03.2014, 07:04 PM


Shqiptarët e FYROM-it meritojnë më tepër se Ivanovin !

Nga Elvi Sidheri

Për rreth dy javë në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, zhvillohen zgjedhjet presidenciale, të cilat do të pasohen sipas të gjitha gjasave me një balotazh me datë 27 prill, në ditën kur parashikohen edhe zgjedhjet parlamentare në këtë vend fqinj.

Mundësitë më të mëdha ndërkohë janë, që presidenti aktual të fitojë sërish, pra që zoti Gjorge Ivanov, të rizgjidhet në postin e tij.

Çfarë domethënie ka për shqiptarët e Maqedonisë ky fakt?

Një domethënie edhe e ka në të vërtetë...dhe ajo tingëllon paksa e hidhur në vitin 2014, mbi 20 vjet pas pavarësimit të IRJ Maqedonisë dhe 12 vjet e ca nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, që në vitin 2001, i dha fund konfliktit të armatosur midis guerrilasve shqiptarë dhe forcave qeveritare të Shkupit.

Realisht, që të na pëlqejë neve si shqiptarë apo jo, nga secila anë e kufirit që të ndodhemi, në Shkup, Tiranë ose Prishtinë, sërish fakti kokëfortë na tregon se pala sllave, do t’a zgjedhi presidentin e vet, pa i pyetur fare shqiptarët, popull shtetformues në Maqedoni, që përbën të paktën (zyrtarisht) 25 % të banorëve të këtij vendi.

Sipas kësaj vije llogjike, personaliteti, puna apo edhe ndonjë vlerë e zotit Ivanov, bien në ujë menjëherë, për aq sa kanë të bëjnë me popullsinë shqiptare të IRJ Maqedonisë.

Kjo gjë për shkak se ky njeri, padyshim që e ka kryer dhe siç duken bathët...edhe do t’a kryejë ligjshmërisht detyrën e tij si president, por ndërkaq, është e qartë si drita e diellit, që ky person nuk ka asnjë kredibilitet dhe për më tepër...ai nuk gëzon asnjë gram të vetëm legjitimiteti tek shqiptarët, pra rrjedhimisht tek 25 % e nënshtetasve të vendit të tij.

Që këtu pra, kjo çështje nis të bjerë erë pak si fort!

Në ndërkohë lojërat e njohura dhe të pakufijshme të faktorit politik shqiptar në IRJM, nuk kanë të mbaruar e sipas traditës, përflaken edhe më tepër në raste zgjedhjesh, pikërisht atëherë kur konkurrenca demokratike midis tyre nuk ka sesi e përse të mungojë, por  kur njëkohësisht, përballja me faktorin ende mazhoritar sllav në vend, duhet marrë seriozisht parasysh.

Zgjedhjet e vjetshme lokale për fat sollën një fitore historike të shqiptarëve të Maqedonisë, kur qyteti i Kërçovës, për herë të parë pas 70 vjetësh u fitua nga bashkëpatriotët tanë dhe ai tashmë drejtohet nga një kryetar komune shqiptar (sadoqë marrëveshja për bashkimin e disa komunave me qytetin, në mënyrë që struktura demografike të kthehej në avantazh numerik shqiptar, qe shtyrë disa herë nga 2004-a).

E njëjta gjë pati ndodhur edhe me Strugën në vitin 2004.

Gjithësesi do theksuar se në rastin e Strugës, sa herë që është votuar pas fitores së parë shqiptare, gjërat janë bërë të vështira dhe dy herë është dashur balotazhi e unifikimi i votave shqiptare, që të mos lejohet një fitore katastrofike e sllavëve.

Në Kërçovë vjet, u nevojitën votat e emigrantëve shqiptarë të cilët u nisën dhe erdhën apostafat me avion vetëm për të votuar, që ky qytet të hiqej më në fund nga duart e pushtetit sllav të Shkupit.

Të drejtat që shqiptarët e Maqedonisë  kanë fituar qysh pas pavarësisë së këtij vendi, të gjitha kanë ardhur me shumë mund, përpjekje, jo rrallë me gjak, dëshmorë, me luftë e sakrifica.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë pësuar në kurrizin e tyre çdo krim të mundshëm dhe të imagjinueshëm...

Tokat e tyre amtare janë pushtuar historikisht prej romakëve, bizantinëve, sllavëve bullgarë, serbëve mesjetarë, turqve, sërish nga andartët grekë, nga bullgarët modernë, prapë nga serbët, nga jugosllavët e nga maqedono-sllavët e pas 1945-ës (kur marshalli Tito u fali banorëve sllavë bullgarisht-folës të Maqedonisë, identitetin e ri “maqedonas”).

Por shqiptarët kanë ditur të jenë edhe zotër në tokën e tyre...

Nga fiset e lashta ilire tek principatat mesjetare shqiptare që patën përfshirë territore të Maqedonisë së sotme të dominionet e tyre, si Pollogun apo Ohrin, si Shkupin e Pjetër Bogdanit, që nga familjet e Gropajve, deri tek Bushatllinjtë e Shkodrës etj.

Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë në 1912-ën, përbën një tjetër hap madhor në këtë aspekt, që në të njëjtën kohë shërben si dëshmi e pakundërshtueshme, për luftën e tyre sa të gjatë, aq edhe të pandalur.

Thuhet se kur Josif Broz Tito bëri vizitën e parë në Shkup pas çlirimit të Jugosllavisë nga pushtuesit nazistë, gjëja që më tepër i ra në sy (për keq domosdoshmërisht)...ishte përqëndrimi i jashtëzakonshëm i qelesheve karakteristike shqiptare në sheshin ku qe mbledhur populli për t’a pritur!

...E aty me siguri në mendjen e tij dhe në praktikë, nisi zbatimi i pastrimit etnik të atij qyteti, që mori hov vendimtar pas tërmetit të madh të 1963-shit, kur rindërtimi i Shkupit, u pasua me valët dëbuese e shtypëse mbi shqiptarët...dhe paralelisht, me migrimin e mijëra sllavëve nga viset e tjera të Maqedonisë e më gjerë.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë federative e më pas në IRJM e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë vuajtën e duruan në lëkurën e tyre, persekutimet më çnjerëzore, u dëbuan masivisht për në Turqi, u turqizuan e sllavizuan me detyrim (duke u regjistruar me forcë si turq apo maqedonas myslimanë), nuk u lejuan me çdo mjet dhe formë dhune që të shkolloheshin në gjuhën e tyre mëmë, u segreguan sipas një sistemi të pastër apartejdi, nuk u qasën asnjëherë në institucionet shtetërore, u vranë rrugëve kur dolën për të mbrojtur të drejtën e tyre për një universitet etj.

Përkuljes pa kushte ndaj pushtetit sllav të Partisë për Prosperitet Demokratik në vitet 90-të, i doli kundër si rrymë mendimi (jo edhe aq veprimi)...PDSH-ja e cila më vonë hyri vetë në qeveri me VMRO-DPMNE-në tejet nacionaliste e antishqiptare, duke thurur plane idilike afatgjata, për të mos kërkuar apo pretenduar të drejta të menjëherëshme për shqiptarët në Maqedoni, por për të pritur “me durim” derisa dikur, ca dhjetëvjeçarë më tej, popullata shqiptare t’i kalonte numerikisht sllavët!!!

Ky përparim inekzistent dhe ecje prej kërmilli, e shpunë IRJM-në dhe shqiptarët e atyshëm, drejt konfliktit të armatosur të 2001-shit, që ishte sipas të gjitha analizave, një sukses i plotë ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila mbrojti me vetëmohim pozicionet e saj kudo, në rrethinat e malësitë e Tetovës, në fshatrat e Kumanovës e gjer pranë Shkupit, në betejën heroike të Haraçinës.

Fitorja në fushëbetejë, megjithë pikëpyetjet e ligjshme lidhur me menaxhimin e triumfit ushtarak nga faktori politik shqiptar, gjithësesi u shoqërua me një marrëveshje, ku për herë të parë, sllavëve të gjithëpushtetshëm, iu imponua njohja me ligj e kushtetutë e të drejtave të munguara të banorëve shqiptarë të Maqedonisë.

Që nga ajo ditë mes-gushti e vitit 2001, shumë gjëra kanë ndryshuar, shpesh për të mirë, për shqiptarët e IRJM-së.

Gjuha shqipe flitet lirisht brenda parlamentit në Shkup, Struga dhe Kërçova tashmë drejtohen nga shqiptarët, ka një rritje të dukshme të punësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, shqipja përdoret nëpër dokumenta dhe pasaporta, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka lulëzuar etj.

Mërinë e urrejtjen ndaj shqiptarëve, sllavët, nuk guxojnë më t’a shprehin edhe aq hapur (gjë që nuk nënkupton ndonjë afrim të tyre me shqiptarët, por thjesht një përshtatje me realitetin e ri, duke ruajtur në suaza më intime e private, të njëjtat trajta racizmi antishqiptar), nuk persekutohet kush sepse flet shqip në publik (siç ndodhte deri vonë para 2001-shit) e kështu me rradhë.

Përparimi nuk mund të mohohet, por kurrësesi shqiptarët nuk mund të vetëmjaftohen (dhe vetëkënaqen) me çfarë kanë arritur.

Pushteti real në vend vijon të mbetet në duart e sllavëve dhe sido që të jetë, shqipja sadoqë ka fituar njohje ligjore e përdorim të gjerë, akoma nuk është gjuhë zyrtare në nivel republike.

Po aq edhe partia shqiptare në pushtet, BDI-ja e lindur nga UÇK-ja, duket sikur kujdeset më tepër për sundimin e feudeve të veta, sesa për avancimin e vërtetë të të drejtave të shqiptarëve.

Suksesi i drejtimit nga një shqiptar i Ministrisë së Mbrojtjes së IRJM-së (aq më tepër, i një ish drejtuesi të UÇK-së), nuk mund të mbulojë sidoqoftë, taktikat e konkorduara pushtetmbajtëse të praktikuara shpesh mes BDI-së dhe VMRO-së.

... Me stisje konfliktesh në Kalanë e Shkupit apo në urbanët e kryeqytetit, me tifozë sllavë huliganë që rrahin të mitur shqiptarë barbarisht, me statuja të Car Dushanit që Gruevski i ngre dhe zyrtarë të BDI-së bëjnë sikur shkojnë t’i rrëzojnë, situata të tilla që ringjallen sa herë dy partitë e mëdha të bllokut shqiptar dhe maqedono-sllav, ndihen në nevojë për vota apo kur kanë zbrazëti idesh dhe ofertash për përkrahësit e tyre.

Në këtë frymë...edhe rasti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme, të shkaktuara, siç u deklamua, nga mungesa e gatishmërisë së kryeministrit Gruevski, për të propozuar një kandidat konsensual të pranueshëm edhe për palën shqiptare, për president të vendit...të lë shijen e një loje të rradhës, më tepër se atë të një përpjekje serioze nga ana e BDI-së, për të imponuar vullnetin e shqiptarëve edhe lidhur me figurën e presidentit të IRJM-së.

Çështja është që Gruevski që kur ka marrë pushtetin në 2006-ën, kurrë nuk e ka shpënë një mandat deri në fund.

Zgjedhje të parakohëshme në 2008-ën (edhe si pasojë e faktit që VMRO-ja dhe lideri i saj, zgjodhën PDSH-në minorancë tek votuesit shqiptarë, si partner qeveritar), zgjedhje të parakohëshme në 2010-ën e prapë zgjedhje të parakohëshme tani...

Përse vallë?

Sepse Gruevskit nuk i dalin punët mirë po t’a çojë deri në fund një mandat, sepse atëherë edhe sllavët e tij, do t’a vinin re se monumentet megallomane në mes të Shkupit nuk hahen dhe se konflikti me secilin fqinj, ashtu si edhe ngecja e çdo integrimi (BE dhe NATO), po e dëmtojnë IRJM-në thellësisht.

Atëherë stiset arsyeja e mungesës së konsensusit midis parterëve sllavë dhe shqiptarë të qeverisë maqedonase...dhe Gruevski fiton kartën e tij të përherëshme fituese, pikërisht zgjedhjet e parakohëshme!

BDI-ja bën thirrje (legjitime) për bojkotim nga shqiptarët të zgjedhjeve presidenciale (meqë nuk do ketë kandidat konsensual mes dy nacionaliteteve kryesore, maqedono-sllavëve e shqiptarëve)...

Ekziston realisht shansi që këto zgjedhje të dështojnë, për arsye se mund të mos arrihet kuorumi prej 40 % votuesish, por ja kur në skenë në ndihmë të Gruevskit shfaqet PDSH-ja opozitare, që në kujtim të kohëve të vjetra (qeveria 1998-2001 dhe 2006-2008)...ose “për inat të vjehrrës vete fle me mullisin”, prezanton një kandidat shqiptar formalisht, sa për t’i siguruar kuorumin e nevojshëm Ivanovit dhe VMRO-së!

Kështu edhe njëherë, shqiptarët do të shohin një figurë si Ivanovi, të zgjidhet president, pa votën e tyre!



(Vota: 23 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT