E premte, 19.04.2024, 10:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Psiko-analiza e një romani

E diele, 30.03.2014, 05:50 PM


Psiko- analiza dhe dezhavy- ja letrare e një romani

(Mbi romanin “Eklipsi i hënës”  të Skënder Drinit)

Nga Vladimir Muça

I - Një jetë e dytë krijuese

Romani “ Eklipsi i hënës “ i  Skënder Drinit , në vrojtimin e astronomisë shoqërore, vjen si   një eklips i një shoqërie të akullt, me dritësirë të zbehtë hënore, mbytur nga nebulozat kozmike.

Zakonisht eklipset, në proçesionet e tyre kozmike, sjellin nebuloza të llojeve e përmasave të ndryshme. Një nebulozë e tillë mendimore, shpirtërore, si një parabolë me simotra, zgjatet si në kufij infinitesh në subkoshiencat e qenieve njerëzore, depresiv e para- depresiv, hakmarrës e urtakë.

Në këto konturime të reja estetike romani i Skënder Drinit ka marrë cilësitë e plota të një romani post- modern , ku loja narrative luhet në një tapet të mbushur dengshëm me ndjesira shpirtërore, gjer në zanafillat e një idilike dashurore- studenteske. Ndjenjat , dëshirat  universale, vinë në një luftë për jetë a vdekje me absurdin që e ndjek si një bajloz i përtejdetit.

Veprimet shtjellohen në një iracionalitet shoqëror lindur nga mitra e një racionaliteti   (totalitarizmi ) që në forma të tjera  mbijeton, dhe që është përjetuar përditë nga autori.

Eshtë më se e qartë se Skënder Drini, mbasi ka kaluar në një katarsis estetik, duke jetuar dhe në një subjekt me depresion social, me mjeshtri ka futur ëndërrat duke pranuar manipulimin fantazist, herë me tentativë drejt racionales e herë me një intuitë ekzistencialiste.

Me këtë estetikë, me novitete të formateve kafkianë, autori po jeton në jetën e dytë krijuese. Në pluralizmin e sotëm krijues, mbas ç’bërjes të guackës mjegullore të soc – realizmit , ardhja e një romani post- modern i këtyre përmasave  psiko- analitike , është një risi në prozën romaneske, është një eveniment. Romani vjen si një produkt i vetë gjëndjes sociale të shoqërisë shqiptare, me atë depresionin e saj, ku më butë e ku më egër në shtresat shoqërore.

Intriga fabuliste ngjizet në rrugët, administratat, banesat publike dhe institucionet e një qytet – shteti ( metaforikisht Shqipëria si një e tërë unike ), me të njejtat halle, persekucione e problematika social – ekonomike në një diversitet gjykimor.

Lënia e hapësirave zhvëllimore në papërcaktueshmëri është një risi që sjell ky roman. Duke u trajnuar në formate të reja  stilistiko- estetike nga idhujt e modernëve perëndimorë me botimin e romaneve “Eklipsi i hënës “ , “ Korbi” , “Klas “ etj ai ka fituar statusin e një krijuesi me prirje moderniste .Konceptet e reja frojdiste, kafkiane, sartriste, të natyralizuara në konceptin shqiptar , na ka dhënë produktin e ri, me novitete të një koncepti të ri, ku psiko – analiza është baza e interpretimit narrativ.

Nga një përqasje e tillë, edhe mendimet e konceptet e autorit e të personazheve , burojnë here si një buranë e herë rrjedhin si një llavë e vullkanit në erupsion.

Mendimet nga ky erupsion dalin vrullshëm nga ngushticat e shpirtit të njeriut, duke mbushur fletë më fletë bardh e zi librin, pa ato ylberiadat e zakonëshme të ofsajteve modern. Në koshiencë, autorin e nxit mbajtja e një qëndrimi të ndershëm, përballë absurdit të jetës, një dëshirë e epërme për të pranuar në çdo gjë që qëndron si pengesë mes njeriut dhe botës.

Dëshpërimi njerëzor, thekson autori, rrjedh nga që njeriu e merr veten e tij dhe botën shumë seriozisht. Në konceptin kafkian jeta e njeriut është një ëndërr që do jetuar sa je në ëndërr. Në arsyetimin e tij filozofik autori nënvizon: “ Fataliteti më i madh i njeriut është fakti se ekuilibri mes jetës dhe vdekjes është vendosur në mënyrë drastike, pa pjesmarrjen e tij.”

Personazhi kryesor Fredi , në një moment kthjelltësie thirrmon: “ Por dhe unë lutem: zot na ruaj identitetin”. Një thirrje nga thellësia e subkoshiencës  etnike të vetë kombit shqiptar në këtë Depresion të Madh  njëzetetre vjeçar.

II - Universi njerëzor në një format artistik

Duke punuar shumë më fantazinë dhe spiritualitetin  autori ka udhëtuar mes shumë rreziqeve letrare. Si çdo novitet dhe kjo ndërmarje ka rreziqet e saj. Në jetën letrare të autorit, të qëmtimit , të fabulës narrative që ecën mes paradoksesh e absurditetesh shoqërore, mjafton diçka e vogël të “ krisë” , të dalë nga rruga e zotit ( prosperitet shoqëror) që fati njeriut të marrë udhën e ferrit, të shkojë nga drita në errësirë, nga ëndërrat e bukura  plot dëshira, në një botë danteske.

Në këtë koncept, të një iracionaliteti të shumë e shumë dëshirave, në luftë me absurdin që rrethon Albertin, Alfredin, Majlindën, të “ Dy “, autori siç duket e ka pasur moto atë çka evidenton në këtë kontekst Wallas Stevens : “ Ajo çka na intereson është një proces i veçantë në mendjen tonë racionale, që ne e perceptojmë si iracionale, sepse ai ze vend në mënyrë të pashpjegueshme ( fantazisë V.M.) ose më mirë mund të thoja se ajo  çka na intereson nuk është dhe aq proces hegelian, se sa ajo që rrjedh prej tij.” ( Revista “ Aleph” Nr 15 , 2004 )

Ndaj  dhe rrëfimtaria romaneske e “ Eklipsit të hënës” vjen dhe si një univers njerëzor, si një ligjësi e jetësisë në një botë globaliste, ku njeriu i zhytur në një eklips total mundohet të dalë prej tij, por cirkuitetet shoqërore të zhvillimit njerëzor, me handikapet e saj gravitacionale e mbajnë të mbërthyer në polet e negativitetit  të shoqërisë si në një zhvillim total apokaliptik.

Autori në të tilla raste, me një metaforë super funksionale, thërret në ndihmë të filozofisë mendimore farëzën e lules “ Manjolia Kobes “ e cila kish qëndruar 2035 vjet nën trysninë e shekujve ( jo si në 45 vjet). Ajo bën të dridhesh nga kokëfortësia e saj për të ruajtur genet e species ( identitetin).

Aludimati nxjerr krye në roman si një formaturë artistike dhe veçori thelbësore e një stili narrativ të Skënder Drinit, ku nënshtresat mendimore nën këtë aludimat përgatisin premisat për një përballje shoqërore të një bote lindore në ikje, autokrative dhe shoqërisë së re pluraliste e mendimit dhe gjykimit të lirë, ku çdo njeri pavarësisht statusit social, ka mundësinë e “ shitjes së mendimeve me shumicë e me pakicë” ku “ Teatri ka zbritur në rrugë dhe rruga ka artistë më të mëdhej se ju”-  thotë Fredi i “ çmenduri”.

Krijimi i situatave groteske komike të cilat nuk konsistojnë në kllounitetin e personazheve se sa në krijimin e situatave groteske, komike të përmasave hashekiane e fuzhnjetojnë “ brinjë më brinjë” romanin.Sarkazma e grotesku vjen si shkarkime natyrore atmosferike në voltazhet e një finokllëku prej të damllosuri që vjen natyrshëm.

Lexuesi bëhet pjesë e skenarit, e ndjen veten në një bashkëbisedim me një të çmendur , por edhe me një finok që herë e pushtojnë nebolozat e here i del para një qielll i  kthjellët. Në të tilla raste autori shfaqet hera – herës si një personazh i fshehtë , ku nëpërmjet Albertit ai thotë” “ Ai , Fredi hyn në kategorinë e njerëzve që një tragjedi e kthejnë në një dramë realiste, dhe një dramë realiste në komedi.”

Ndaj dhe në tërësinë narrative romani lëviz në ujrat e psiko- analizës bodeciane , ndaj dhe sarkazma , grotesku dhe komikja e pa renduar notojnë lirshëm. Një ndërthurje perfekte e zhanreve të cilët pjellojnë tek njeri tjetri, sipas vendit e kohës, duke këndjellë lexuesin me situatë të këndëshme , argëtuese, duke e kthyer dramacitetin shpirtëror e psiqik në një komediografi sociale.

III – Endërrat dhe anaforat, roli i tyre metaforik si një dezhavy

Jo vetëm anaforat  me nocione  metaforike , por edhe ëndërrat iracionale drejt një iracionaliteti të pritshëm shpirtëror e social, por dhe sentencat e herë pas herëshme nga diturakë botërorë dhe urtakë popullorë të stisur nëpër kapitujt e romanit, jo vetëm bëjnë lidhjen organike të rrëfimtarisë, por ata rrisin dukshëm valencat artistike.

Kuptimshmëria dhe idetë nga kapitulli në kapitull shkojnë në një rritje të fuqisë protonike të romanit. Në këtë kontekst , futja e monologjeve, e dialogjeve, në filozofinë narrative nuk vjen vetëm si një start i mirë në braktisjen e provincializmit dhe arkaizmit tradicional në   letërsi.

Dialogjet dhe monologjet , të ardhura mirë nga majaja psiko- analitike, vinë si gjeneratorë të shoqërisë, risi kjo e prozaizmit të sotëm shqiptar, të një grup- targeti romancierësh që po përjetojnë stinën e dy jetëve krijuese  në post- soc – realizëm.

Ngjarjet e romanit “ Eklipsi i hënës” në bashkësinë e shumë elementeve të rinj estetikë , vinë në plazmën e një Dezhavy – je, me kuitzet e mendimit e të veprimit, mbarsur me brutalitetin e një absurdi shoqëror që përfshin subkoshiencën e njeriut , si ftillesë e një horrori të pritshëm  shpirtëror  e më tej shoqëror.

Në këtë DEZHAVY letrare, romani “ Eklipsi i hënës” na vjen si një bashkësi trillesh, si produkte të një depresioni shoqëror me simbolikat përfaqësuese të të gjitha shtresave shoqërore. Këto trille e simbole, të ndërthurura si një rrjetë merimange, janë kudo, dhe nga më të ndryshmet, si në jetën e Albertit, Alfredit, Majlindës, të ish LUÇIFERIT,  kryetarit të grevës dhe të “ Dyve”. Ata kanë një ndërlidhje dhe konvergim me njera tjetrën . Kur kthjellohet qielli ( mendja e Fredit ) ato enden nëpër hapësirën e kaltër të dalë mes një reje të grisur si ato pezhishkat fluturake anafele, bashkohen e mjegullojnë diellin metaforik ( shpirtëror të Fredit ) të shumë e shumë dëshirave.

Në këtë hapësirë , sikur vinë që nga para vitit 1990 nga varret, bodrumet, bunkerat, këto simbolike krijojnë komlekse absurde por dhe rafinante në përqasjet shoqërore me ndjellësi magjistricash në ndihmë dhe të pushtetit ekonomiko – juridik. Ata personazhe të një kohë të shkuar , bashkëudhëtare të Luçiferit  në jetën përditore, duken familjarë të devotshëm, si naivë e tepër njerëzorë, me personalitet dhe prej bisnesmeni , por sapo u ngacmohet pak foleja, gjallojnë rrënjët, ndryshojnë substancën e sjelljes , duke shfaqur një makrabitet të paskrupullt.

Ndaj Skënderi me koshiencën e një romancieri post – modern, këto trille e simbole i vendos në mënyrë permanenete , jo vetëm në imagjinatën parashikuese të njëmijë e një të zezave. Por ngahera ata vinë si ato mbetjet asteroide, të cilat kalojnë atë gropën e zezë të ozonit shoqëror e vinë të frikshëm, me zjarre e tmerre drejt vendbanimeve  të hapësirave tokësore.

Me mjeshtri autori, me manipulimet iracionale, me inversin e pritshëm të një psiko analize, kundër kësaj mase jashtëtokësore ( jashtë shoqërisë që aspirojmë) krijon narracionin ëndërrimtar të formatit kafkian , ndërthurur me dëshirat e prevaluara të shoqërisë shqiptare, brenda stilit e estetikës së tij.

Por ai e  zhvillon më tej, thyen nocionin e dypersonalitetit të Sartrit nga romani “ Neveria”, thyen kompleksin e jetës së mbyllur , duke i brujtur personazhet me dëshirat e shoqërisë shqiptare në kuadrin e një formati të ri. Personazhet nuk vinë të mbyllur në “ kështjellën “ e Kafkës, por në kundrapërgjigje , me mohim të mohimit dialektik, nxjerrin në pah vitalitetin e forcave kundërshtuese  të shoqërisë si në hapësirë dhe në kohë.

Sepse siç mëton autori si personazh i fshehtë :

“ E keqja që shpërndante ai ishte mospajtimi me optimizmin e jetës ( fallco V.M.) biologjikisht , sociologjikisht, politikisht, materialisht, ideologjikisht.” Një thirrmë e fortë dhe e shtirë në shumë aspekte në gjithë shtrirjen narrative të romanit, për një drejtësi në parametra njerëzorë. Autori ngulmon nga që : “ Ne të gjithë kohërat intelektualin e vërtetë e kanë  thirrur në tryezat e mendimit për ta përjashtuar  nga tryezat e mendimit…Ai ka një të metë të jashtëzakonshme, se nuk mund të ndërrojë personalitetin… nuk mund të gjejë një lëkurë tjetër për masën e tij.”

Filozofia e një përballje të tillë, pa kompromis, është ajo çka sjell Skënder Drini në romanin e tij “ Eklipsi i hënës” një roman post – modern , ekzistencial. Veçanësia e shkrimit: ku fragmente të jetës shoqërore ndërthuren hera herës, integrohen, kapërthehen me njera tjetrën, pavarësisht statusit që kanë , në një luftë për jetë a vdekje, në një përgjumje narkotizuese, në luftë për mirësinë shpirtërore në kundërshtim me qëndrimet shtetare që gjithnjë servirin një rrugë pa shteg.

IV – Kur iracionalja shkon drejt racionales

Rrëfimi romanesk i Skënder Drinit , vjen disi i veçantë dhe në strukturën e prurjeve iracionale, herë spontane , me fiksione ekzistencialiste e herë me analiza të qëmtuara psiko – analitike, nëpërmjet ëndërrave e interpretimeve.

Romani gëlon nga pasazhet e trillet fantaziste, gjë e cila e këndjell lëxuesin duke i joshur me rrëfimtari të mëtejshme në lexim. Autori arrin të na japë nëpërmjet filozofisë psiko – analitike rifinitura karakteresh me shumë mençuri si dhe derivate të shumë shqetësimeve të personazheve , herë si një dishepull i shekullit 21- të  e herë  si një Krisht Biblik e herë si ata të  ”Dy” si një Shën Mari.

Mutacioni shpirtëror i shoqërisë zanafillën e ka tek njeriu , tek ai njeri që bëhet bartës i absurdit shoqëror në tërësi.Personazhi ynë Alfred në kontravers , djep - lindjes e ka tek ajo shprishje shpirtërore. Kjo djep – lindje është vendi ku zhvillohet me degresionet e veta dhe absurdi sipas Alber Kamysë: “ Konfrontimi i këtij iracionaliteti , dhe të egrës, që shkon për pastërtinë, thirrja e të cilës jehon në zemrën humane. Absurdi varet më shumë tek njerëzit se sa mbi botën. Për momentin është ajo e gjitha që lidh ato bashkë.” ( “Kamy hebreu”, Robert Zaretsky, Universiteti Houston)

Në këtë aspekt , iracionalja e fantazuar nga autori nëpërmjet ëndërrave përkon e shkon drejt një racionaleje të përjetuar nga Alfredi, Alberti, por dhe vetë nga autori në zhvillimet shoqërore, si para viteve…1990, por edhe në vitet e sotme, ku krimi ekonomik, social, mediativ, politik, me potencialin e tij, hera –herës gjunjëzon dhe shtetin. Në gjykimin e autorit , në kuptimoren e këtyre zhvillimeve sociale, kjo paradigmë vjen si një thirrje kushtrimore për rreziqet që mbart në zhvillimet e sotme, ku njerëzit po flasin me vetveten ( po bëhen Alfredë) , e ku shteti që duhet t’u dalë për zot në mbrojë, gjunjëzohet para një krimi.

Duke zbërthyer pasojat e depresionit të lënë peshqesh nga e kaluara, në fakt, autori i bën anamnezën  qeverisë së sotme, ku turmat e njerëzve që flasin me vete janë shtuar, dhe sëmundja e Depresionit të Madh shoqëror ka marrë trajtat e një epidemie.

   këtë kontekst , autori i bën epikrizën shoqërisë së sotme e cila është infektuar gati me të njejtin mikrob si në të shkuarën, por më patogjen në ngjarjet e fenomenet që bashkëudhëtojnë me të.

Në konceptin psiko – terapeutik, autori u thotë lexuesve e mbarë opinionit shoqëror: “ Gjykojeni  ju i dashur lexues! Mos lejoni më që me politikat stimuluar nga grupe interesi  të caktuar , në këtë botë të re të cyberias t’ju kthejnë në robotë, pa ndjenja as për ata të “ DY” , duke ju vjedhur dëshirat, duke ju kthyer në qenie pa interesa sociale , skllevër modernë të një oligarkie  të re skllavopronarësh.

Me një sintagmë të tillë të një panoramë absurdi shpirtëror të skajshëm, nëpërmjet psikologjisë të një uni degresiv, por dhe të dyfishtë, i bëhet njëkohësisht autopsia një qeverisjeje antisociale ( s’kanë rendësi kohët) ku vjedhja e personalitetit vjen si zanafillë e një seri krimesh të tjera.

Në këtë humbellë të mendjes e shpirtit njerëzor, personazhet e romanit vijnë si nga përtej jeta ( nga një iracionalitet ) nëpërmjet një ferri dantesk.

Nuk ka se si të artikulohet më mirë në këtë luftë për prosperitet social, të mirësisë e dëshirave të njeriut, se sa sjellja e ëndërrave, imagjinative perspektive, nocionet fantazisto – poetike, në suazat e një romani ku çdo njeri e ndjen veten personazh në perspektivë. Jo më kot romani fillon me një psiko- analizë të një depresioni shpirtëror dhe shoqëror.

Në konceptin Lakan dhe Jung, në një post- frojdizëm të letrarizuar, ndërthuren konceptet e jetës dhe të vdekjes, si prevalim dëshirash që të çojnë në pangopësi.

Në këtë proces, autori ndjek me rigorozitet linjat e Kafkës, Kamysë, Umberti Ekos, të një prozaizmi modern ku filozofia më intimitete , vogëlsirat detajore, përbëjnë ftillesat e një veçorie të narracionit. Gjatë rrëfimit autori operon shpesh me retronë, me palimpsestet jetësore të ruajtura në kujtesën e shprishur si shtresa mbajtëse të ndjesive njerëzore e që marrin rolin e detonatorit të një vazhdimësie të pandërprerë.

  këtë aspekt një rol të veçantë luan fantazmagoria dhe bota virtual e kudo mbirë nëpër faqet e romanit të cilët vinë si element artistikë në proçesin krijues, vinë si ushqyes të spiritualitetit, i një bote të ç’konturuar , siç perifrazon në formë metaforike Alfredi : “ Njeriu nuk rron si ide, si koncept, si një grackë e riprodhimit njerëzor, por si një qenie tokësore, humanoid, me një pushtet të ndërsjelltë në subkoshiencë, e jo me kënaqësinë e seksit, si një grackë; po ku dashuria vjen si një adhurim i ndërsjelltë me mbështetje dhe kënaqësi intelektuale.”

Siç luan me ngjarje dhe fenomene shoqërore me një ëndërrimtari, edhe më personazhet  (por dhe me veten ) autori luan psikologjikisht në ndyshueshmëri. Portretet dhe karakteret, si dhe psiko – terapia nëpërmjet Majlindës, janë dukuri themele të tyre. Kjo më dukshëm ndjehet tek Fredi, sidomos në kapitujt e fundit, ku psiko – terapia fillon të japë efektin e saj kurues në mendjen e shpirtin e personazhit ktyesor. Qartazi kjo sintetizohet në sentencën filozofike : “ .. të ndjesh është shumë herë më e sigurtë se të mbash mend.” Një dukuri ndjenjësore e shpirtërore që e përshkon romanin nga kapitulli në titull si një postulat biblik.

V – Universi dashuror dhe filozofia e mbijetesës

Ndonëse në analiza në kushtet e depresionit të ëndërrave  fantaziste, e herë – herë të qëmtimit në mes të një akullnaje ndaj të “ Dy”-  ve ( prindërve) të cilët autori jo pa qëllim s’ju ka vënë emra, ndjesitë e një dashurie universale janë bashkëudhëtarë të këtij udhëtimi të Fredit, prindërve, Fredit dhe Albertit, Fredit dhe Manjolës ( Majlindës) gjer në ngjizjen e fëmijës e rritjen e dozës në kurimin psiko- teraupik. Kjo është një tjetër veçori që sjell risi në romanin “ Eklipsi i hënës”.

Përpjekja e një iracionaleje të ëndërruar nga të gjithë i cili lufton me shpirt në një realitet absurd të përjetuar. Jo vetëm në kapitullin ku personazhet në krijimin poetik “Eklipsi I hënës” nga poetja Majlindan, në krijimin e raporteve të ndërsjellta , por dhe në kapitujt e pasmë ku ndjehet forca e një uverture, e një ndeshjeje pa komplecitete, por me ndjesira më harmonike, ndjehet gjatë shfletimit të romanit, lufta për triumfin psikologjik edhe atëhere kur gjithçka është e  “varur në fije të perit”, në ato retë e grisura del një hapësirë qiellore e triumfit të arsyes mbi absurdin që solli trysnia totalitare dhe kjo hapje pa kurrëfarë porte por me të njejtët oborrtarë.

Romani “ Eklipsi i hënës” ndoshta si i vetmi në lloin e vet, vjen në letrat shqipe si një “detyrë shtëpie”, si një logarithmë filozofike në jetën sociale, të një vendi në një tranzicion shoqëror në të gjithë shtrirjen kohore por dhe në perspektivën e një prosperiteti. Romani ndonëse mbart maja dhe të një jete studentore të kaherëshme, vjen tejet rrënqethës, mbarsur me një jetë të trazuar gjer në zgrip, një rendje drejt një jete të një “ mbinjeriu” të pastërt shpirtërisht, pa vartësi por dhe në një rrokopujë drejt një ferri. Ndaj autori në këto rrugëtime, si suport në trajtimin substancial vendos sentencën e Vilhelm Raiht se ; “ Qëllimi ndodhet në majë të shtegut ku që të arrish duhet të ngjitesh “ ( -Dëgjo  njeruc-, Vilhelm Raiht ).

Ndaj dhe ky roman më vjen si një narracion i guximshëm një sage ndërhyrëse në karaktere, psikologji, që lakuriqëson situatat , indoktrinuar nga lavazhe truri, të cilët edhe sot mbajnë statusin e makinave vrasëse të shpirtrave. Pikërisht ndaj dhe evidentohet shembulli i një caku të brishtë i një shoqërie në tranzicion, aspirimi për një qytetari kundër absurdit, një ekzistencializëm mes njerzillëkut dhe monstruozes.

Autori na ka sjellë në narracion , jo pa qëllim, shumë ëndërra. Në këto koncepte të një bote të shumë dëshirave në një luftë për një prosperitet , autori ia ka dalë mbanë duke u suportuar nga leksionet “ e famshme të ZIgmund Frojdit,dhe në atë çka evidenton në kontekst Wallas Stevens: “ Ajo çka na intereson është një proçes i veçantë në mendjen tonë racionale që ne e përjetojmë si iracionale sepse ai zë vend në mënyrë të pashpjegueshme ( fanatziste V.M. ) ose më mire mund të thoja se ajo çka na intereson nuk është një proces hegelian, se sa ajo që rrjedh prej tij.” ( Revista Aleph nr 15, 2004 )

Skënder Drini me një rrëfimtari, edhe fantaziste, zbërthen si në një mëngjez të mjegulluar diskursin e Wallas Stevens- it në parametrat e jetës së sotme shqiptare, duke lëshuar një rrezatim diku ndriçimtar, e diku verbues mbi mendimtarinë dhe problematikat që mbart në vetvete ky iracionalitet që autori me penën e durimin e vet e përqas aq bukur në jetën e sotme shqiptare.

Anamneza e kësaj shoqërie është e qartë në këtë produkt romanesk, lexuesi ta lexojë e të bëjë psiko – terapinë e vetvetes, të luftojë edhe për shoqërinë.

Në një luftë të tillë nuk ka as të humbur dhe as të fituar. Kjo luftë përcaktohet jo vetëm ndaj vetvetes , por dhe me gjithë ata që të kanë shoqëruar në këtë metamorfozë. Edhe urtia popullore  “të vraftë e mira” është një ligjësi parandaluese shoqërore, sa psiko- analitike aq dhe refraktare në gjurmën që lë pas, si një metaforizëm brilant i gjithë linjës të romanit.

Ndaj dhe në këndvështrimet filozofike, romani vjen si një vazhdimësi e letrarizimit të teorive të Zigmund Frojdit, Fridrih Niczes në trajtimin letrar të traktateve filozofikë.

Skënder Drini , pas aplikimit të Jung dhe Lakan në këto formate filozofike, me sigurinë që i jep njohja e shkrimtarëve të tillë si Alber Kamy, Zhan Pol Sartre e Franc Kafka , duke materializuar gjithçka në natyralitetin e koncepteve sociologjike shqiptare, na dhuron një roman të cilin do të kish kënaqësi që ta lexonte dhe Zigmund Frojdi.

Mars 2014

Vladimir Muça

Studjues, shkrimtar, poet

E mail: Vladimir_muça@yahoo.com



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora