E enjte, 25.04.2024, 09:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Piktura më e përjetshme se poezia

E diele, 30.03.2014, 06:03 PM


Piktura më e përjetshme se poezia

Nga Dr. Ilir Muharremi

Nga një piktor i mirë nuk mund të kërkohet më tepër se paraqitja e furisë shpirtërore. Por, sendet që vërtiten të heshtura lindin nga dora e piktorit, qofshin të shëmtuara apo ato që ndjellin kupën, sende për të qeshur, ai është i gjithëpushtetshëm. Nëse i reket natyrës, livadheve, shkretëtirës, të gjitha mund t’i populloj me njomështi dhe hijeshi. Ndoshta ia kënda të ç’veshë kreshtat e maleve nga ultësira, edhe këtë duhet ta bëjë mirë. Të gjitha ekzistojnë në botë si të tilla, të përfytyruara,  sa janë të bukura aq edhe janë të huaja për ne, të përbashkëta lindin estetikën dhe absurdin, por absurdi nuk ndodhet në sende, por as tek ne, reflektimi dhe kontakti na obligon të ringjallim absurdin. Piktori, në fillim i selitë në shpirt, shpirti ngacmohet nga diçka e panjohur, e cila bëhet e njohur në rastin e vetëdijes, por vetëdija dëmton atë origjinalitetin e objektit dhe subjektit. Pastaj, i bënë me duar, që duhet të jen çudibërëse me qëllim të krijojnë harmoni e përpjesëtime, unitete dhe ngjizje të sendeve. Nëse piktori përpiqet sendeve tja cakton fundin dhe fillimin do ndeshët me konfuzionin. Bukur e thotë Nietzche-ja se “Bota është një mrekulli force, pa fillim, pa fund”. Kjo aventurë është e padobishme, meqë nuk dëshiron asgjë, kjo asgjë vazhdon për të krijuar drejtë pesimizmit së asgjësë, një tallaz të pavdekshëm të formave të saj e krijuar përjetësisht të vetes. Pasi piktori kupton botën dhe rrugën drejt një labirinti pafund, duhet të shpikë të bukurën, për të na mbajtur në lëvizje dhe vazhdim. Piktorit duhet t’i interesoj përdorimi arbitrar i ngjyrave i cili do t’i jep dorë të shpreh sa më plot veten. Në fillim ai duhet të ruaj përpikërinë e origjinalitetit, por tabloja asnjëherë nuk përfundon dhe nuk duhet të përfundoj. Nëse do të veproj ashtu si do vetë, atëherë duhet të jetë koloristë i shfrenuar duke theksuar nuancat e çelura, në kontrast, gjithnjë duke ruajtur harmoninë. Nuk duhet pikturuar murin banal pas shpinës, por idenë e pafundësisë, e cila hap shtigje për një përjetësi. Van Goghu asnjëherë nuk është munduar të arrijë efektet e fuqishme, por gjysmëtonet, nuancimet dhe kështu shprehet: “Tabloja merr jetë aty ku nis vizatimi, i shkathët dhe vullnet shumë, edhe në qoftë i tepruar”. Kjo e fundit dukshëm lirohet nga korniza dhe përplasja e ngjyrës. A nuk është i dukshëm tejkalimi  dhe arritja maksimale e shpirtit dhe objektit, gjithnjë në teprim duke pohuar mbi veten.

Çfarë kuptimi kanë sendet në këtë univers. Besimi në kuptimin e sendeve parakupton shkallëzimin e vlerave, por besimi tek e pamundura dhe e kundërta sipas përkufizimeve tona na këshillon të kundërtën. Kjo ia vlen të shqyrtohet. Van Goghu, arriti ta teproj të pamundurën dhe diti të jetoj ashtu si ishte. Nëse pesëdhjetë vizatime janë të pamjaftueshme për Goghun, atëherë ai është gati të bëjë njëqind dhe nëse edhe njëqind janë pak, akoma më tepër, derisa të arrin atë që dëshiron. Nga ky fakt na del të arrihet gjithçka në vendin e vet, të jetë e përfunduar, dhe dukshëm nuk do të duket as fillimi e as fundi figurës, por një formim i tërë harmonik e i gjallë. Nëse do radhitim poetin karshi piktorit, atëherë, poeti duhet ta përshkruaj përleshjen brenda shpirtit, të dytë qëndrojnë njëri pranë tjetrit. Por, shtrohet pyetja cili na kënaq më shumë? Unë do radhisja tablonë si më dobiprurëse dhe i këtij pajtimi është edhe Da Vinçi i cili e radhitë në këtë mënyrë: “ Vërë një mbishkrim me emrin e të madhit Zot në ndonjë vend dhe vërë shëmbëllimin e tij të pikturuar në një vend tjetër aty pranë, vetë do ta shohësh çdo të parapëlqehet”. Natyrisht shëmbëllimi i pikturuar ngacmon shpirtin, krijon një komunikim të pavetëdijshëm ndërmjet pamores dhe estetikës, ngaqë imazhi gjithnjë sfidon fjalën, e fjala të bëhet imazh duhet të sajohet një botë e re, për ta shndërruar në imazh. Tabloja  ngërthen veprimin e përfytyrimit, poashtu edhe përfytyrimin e veprimit. Mund të ilustrohet edhe me këtë shembull. Një poet përshkruan bukurinë e femrës, një piktor përfytyrimin e femrës e shkrin në tablo, dhe dukshëm do ta shohim se në çanë do ta nxisë natyra gjyqin. Piktori i shkrin me duar atë që e ka në fantazi, poeti vizaton me penë. Por, edhe poezia nuk e ka kuptimin e shkruar edhe në momentin e interpretimit. Vargu shpërthen nga emocioni, aktori në skenë përpiqet të zbulojë emocionin, gjatë rrugës ai ka morri pengesa të cilat zbehin atë thelbin që është në letër. E them me plot bindje se tabloja dhe vargu nëse garojnë, prapë tabloja është më e drejtpërdrejt nëse kapet nga përpjesëtimi emocional. Nëse të dytë përpiqen ta përshkruajnë jetën, piktori na del poet. Poeti pohon se vetëm ai përshkruan jetën përmes sentencave të mrekullueshme, poashtu edhe piktori i qëndron këtij mendimi se ai është i lirë të bëjë të njëjtën gjë, pra ai shndërrohet në poet. Nëse i rrekemi parajsës dhe ferrit piktori ia kalon poetit. Ai vë përpara objekte, që heshturazi flasin për të tilla  ndjesi, dhe nga kjo ose do të na tmerrojnë ose do ta bëjnë shpirtin të arratiset.  Në esencë piktura më shumë se poezia çrregullon ndjenjat dhe i vë në lëvizje. Nëse poeti beson në atë se arrin ta bëjë popullin të qajë apo të qeshë, unë do përgjigjesha se kjo i takon aktorit, oratorit ose gojëtarit të poezisë. Fjala është e heshtur, logjikën e krijon aktori. Por, prapë nuk qe ajo logjikë që duhet të jetë. E vërteta mbetet e pezulluar. Nëse një poet përshkruan eksitimin dhe një piktor pikturon të njëjtën gjë, mesiguri pasionet do t’i ngjallë prapë tabloja dhe jam mese i sigurt. Më duhet ta sqaroj edhe një shembull të cilin e përdori Da Vinçi: “Mbretit Matvei  poeti i dhuroi librin me poezi, në të cilin lavdërohej dita, që e lindi këtë mbret për të mirën e botës; piktori i dhuroi portretin e të dashurës: mbreti e mbylli sakaq librin e poetit, iu kthye tablosë dhe e ndali në të shikimin e mbushur me mahni. Atëherë poeti i sëmbuar në sedër u ngrit e i tha: O mbret! Lexoje, lexoje librin dhe do ta shohësh që përmban vlera më të mëdha se tabloja. Mbreti ia kthen: Hesht. Kjo tablo i shërben ndjenjave më të holla e më të lartësuara, se libri yt i paracaktuar për të verbrit. Më jep diçka që mund ta shoh e ta prek e jo vetëm ta dëgjoj.” E them se shkenca e piktorit me atë të poetit tejkalojnë njëra tjetrën, në veçanti tabloja. Shpirti kërkon harmonin sepse përbëhet nga ajo, harmonia lind në ato çaste, kur përpjesëtueshmëria e objekteve bëhet e dukshme , por edhe e dëgjueshme. Kjo lind brenda çastit dhe menjëherë sfidon shpirtin, shpirti rrëshqet pakushte. Njëra pjesë lind prej pjesës tjetër menjëherë. Vepra e poetit nuk përbënë përpjesëtim harmonik siç e ka tabloja dhe nuk mund ta gëzon shpirtin. Cila shqisë këtu ka vlerën më të madhe: e dëgjuarit, e nuhaturit e të prekurit apo e të pamurit? Ai i cili humbet të pamurit, nuk shijon dot bukuritë e gjithësisë dhe shndërrohet në të varrosur përsegjalli. Syri është mrekulli force, këshilltar i gjithë arteve njerëzore, zot i shkencave, korrigjuesi më i miri. Poeti nuk mund të paraqesë me një fjalë njeriun, piktori këtë e vë përpara me një vërtetësi që e kopjon nga njeriu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora