E enjte, 25.04.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Avni Rudaku: Zeqir Fazliu - “Vargje Hyjnore

E shtune, 29.03.2014, 06:56 PM


NEVOJA PËR  KTHIMIN NË NATYRË DHE NOSTALGJI

Zeqir Fazliu: “Vargje Hyjnore”, SHB “RRJEDHA”, Prishtinë, 2014

Nga Avni Rudaku

Autori Zeqir Fazliu thuajse në secilin libër poetik ka vazhduar me kodin e besnikërisë së përdorimit të disa figurave, simboleve dhe personifikimeve, por në këtë libër të fundit “Vargje hyjnore”, ka ritmin krejtësisht stabil poetik dhe vjen me një lehtësi e rrjedhshmëri shumë të natyrshme të sendërtimit tekstual të vargut. Poeti këtu na shfaqet shumë i relaksuar nga nostalgjia e kujtimet, e tek-tuk me ndonjë shpërthim rebelimi dhe me dëshira për të rigjetur dhe ritakuar subjektin e kohën e humbur, sakaq të duket se i tërë libri është shkruar pa ndalje të muzave prej fillimit e deri në përfundim të tekstit. Në përgjithësi, poeti i ka shkruar këto poezi në gjendje paqeje, reflektimi mnemonistik dhe meditimi nostalgjik, si dhe me momente të mërzisë e dëshirës për rikthim në kohërat që nuk rikthehen dot. Zakonisht subjekti poetik i drejtohet nëpërmjet personifikimit, herë malit, herë hënës, herë diellit, herë bilbilit, e herë luleve. Në disa poezi, nuk e identifikon subjektin përmes të cilit ndërton bashkëbisedimin/thirrjen/mallin/dashurinë, duke iu drejtuar në veten e dytë njëjës, të përemrit vetor “Ti”. Si ilustrim mund të marrim vargjet e poezisë me titullin “Përse”: Unë e di se ti ke pakëz dashuri në shpirt/por nuk e di/Përse një fjalë të ngrohtë se thua”, ose vargu i poezisë tjetër: “Ti, po ti, nga na erdhe?”. Në disa poezi hasim edhe figura të cilat nuk vihen në kontekst dhe funksion të rrjedhjes përmbajtjesore të sendërtimit të vargut, duke u hedhur si figura fiktive, mekanikisht, si dhe domethënia e të cilave mund të na dezintegrojë përgjatë leximit semantik, por ka subtilitet dhe ndjeshmëri në vargun e Fazliut, sakaq ky emocionalitet është avulluar krejtësisht në <<njeriun e ri>> të këtij rendi social dhe global, i atij njeriu që “dashuron pa rrezikuar asgjë”, apo “pa rënë në dashuri”, për të cilat problematika flasin filozofët si, Alain Badiou (filozof francez),  Slavoj Žižek (filozof slloven) etj., të cilët janë sot ndër më të cituarit në botë. Prandaj, të qenit e Fazliut një poet i ndjeshëm, e bënë poet të afërt me lexuesin.

Shumë nga poezitë e Fazliut në këtë libër ndërtohen edhe nëpërmjet teknikës së përsëritjes, si teknikë stilistike e njohur tashmë në historin e vargut shqiptar e të huaj. Përsëritjen si teknikë e përdorë për t’ia shtuar fuqinë ekspresivitetit poetik, e veçmas për ta sforcuar mesazhin e paqes, kujtimit, përmallimit, dashurisë, soditjes mbi botën, njerëzit përreth dhe nostalgjitë mbi të kaluarën. Ka gjuhë të cilën lehtë e identifikon si të Zeqir Fazliut dhe disa nga simbolikat e përdorura në këtë vëllim, i ka përdorur edhe në ndonjë vëllim tjetër poetik, por që ky i fundit ka një gjuhë poetike krejt më të çliruar, sikur hedhje e fillimit dhe përmbarimit për një çast. Ka disa përsëritje jo vetëm si fjalë, por si përsëritje mendimesh, të cilat zgjerojnë dhe thellojnë botën e brendshme të subjektit lirik.

VARGJE POETIKE NË SFONDIN E KOMUNIKIMIT VIRTUAL

Poeti Fazliu ndonëse në moshë e cila shpesh mund të refuzojë inovacionet teknologjike, përshkruan me gjuhë të thjeshtë por me fuqi mjaft shprehëse poetike, disa nga momentet e njeriut bashkëkohor në botën virtuale dhe gjatë përdorimit të rrjeteve sociale sikur që janë fejsbuku. Ai edhe i kyçet kësaj bote virtuale, edhe e manifeston atë në varg. Ka dy poezi të cilat ndërlidhen direkt me sfondin hapësinor dhe kontekstual të komunikimit në hapësirën ‘pa tela’ dhe botën e grimcave. Në poezinë “Në FB.”, e hap poezinë me <<kërkimin>> dhe sikur të ishte ky kërkim në botën fizike, do të duhej të shkonte kohë për ta realizuar atë, por duke dashur që ta përshkruajë botën tekniko-teknologjike me revolucionin e thyerjes së pengesave dhe mureve të gjeografisë fizike, poeti Fazliu e gjenë atë që e kërkon në mesnatë, diçka që është karakteristike vetëm për kohën tonë, ngase në mikrobotën e krijuar nga teknologjia e komunikimit, çfarëdo që kërkoni, ju mund ta gjeni me shpejtësi, ndonëse kjo shpejtësi e gjetjes së kërkimit, e pikëllon dhe e bënë poetin e njeriun ndonjëherë t’i rikthehet përsëri natyrës e ta gjenë lidhjen aq të humbur me të. Në vargun e parë, mplekset kërkimi dhe menjëhershëm realizohet gjetja. E kërkova sonte Ervehenë sibilike/tek hotmaili i portës/në mesnatë/sibilikën e gjeta.” Më pas, vargu i dytë i kësaj poezie duket kështu: “U kthye/Florentina/qe e kam përpara dritares”, duke pasqyruar daljen nga dritarja apo muri i rrjetit teknologjik dhe social, në dritaren e shtëpisë, për t’iu kthyer natyrës dhe të natyrshmes, për ta ribërë komunikimin njerëzor sy më sy. Në vargun e fundit të kësaj poezie, lajmëron <<ardhjen>>, por kërkon diçka krejt tjetër nga ajo që kërkoi dhe e gjeti me shpejtësi në botën e teknologjisë dhe të njeriut si automat, duke i përçuar mesazh edhe të tjerëve, teksa i drejtohet në formën e vargut si në vijim: “Erdhi/Anabela/I bëni pak vend/në një tarasë ajri dhe drite.”

Në poezinë tjetër, e merr si frymëzim dhe përjetim kënaqësie bisedën onlinefejsbuk. “Ti fole sonte me mua në fejsbuk/Biseda online/ishte tepër e bukur”. Me një thjeshtësi të deskriptimit të atij momenti të komunikimit në ‘cyber hapësirë’, poeti i jep cilësor fizik një bisede virtuale, duke krijuar kontrastin. Ai nuk rrëfen se për çfarë bisedohej dhe çfarë e dramatizoi bisedën, por fillim e mbarim, rrëfen vetëm veprimin “Ti fole...” dhe i jep epitet konstatimi veprimit “...ishte tepër e bukur”, duke e lënë lexuesin që të kapet në përditshmërinë e tij dhe të kohës, për ta imagjinuar vetë secili prej nesh, se çfarë mund të ketë qenë ajo bisedë, pse ishte aq e bukur, çfarë ishin motivet e lloj-lloj përfytyrimesh imagjinuese të një çasti të përjetimeve të brendshme, aq të këndshme.

POEZIA ME MOTIVE POLITIKE MBI LUSTRACIONIN

Për dallim nga shumë poezi me shumë simbolika, figuracione të dykuptimta, me ca përsëritje të herëpashershme dhe që nuk specifikojnë qartë emocionet, mesazhet, kodin tematik, në poezinë “Thneglat e zeza” (Spiunët), poeti Fazliu, i kthehet diskutimeve që shfaqen që nga paslufta për krimet e totalitarizmit jugosllav, pasi që poezia kontekstualizohet në aktualitetet e diskursit publik rreth ballafaqimit me atë pjesë të historisë që është e errët. Në këto poezi, motivet politike karshi historisë dhe materies së saj të errët, ku thneglat e zeza simbolizojnë spiunët, kolaboracionistët, shërbyesit e ish regjimit shtypës dhe dënuesit e viktimave të së kaluarës, poeti Fazliu, që në vargun e parë, flet me një gjuhë të ashpër ndaj spiunëve: “Le të digjen/le të digjen/Largoni nga ky vend” (këtë e bënë madje duke e përsëritur rreshtin e parë me rreshtin e dytë të vargut hyrës), ashtu siç i vjen secilit për të mallkuar dhe dënuar posa i shfaqet fenomeni gri para pasqyrës. Në vargun e dytë, akoma më tej e sforcon dënimin, mllefin dhe qortimin, duke na thirrur në rritjen e brutalitetit të veprimit kundrejt atyre, ndaj thneglave, rrjedhimisht spiunëve: “Mos harroni pas pak/t’i vrisni/këto thnegla të trishta”. Këtu të ndalet fryma dhe pyet veten si lexues: “Pse nuk shfaq pak mëshirë poeti ndaj subjektit që e trajton?!” dhe përnjëherësh poezia të dërgon në vargun vijues, sikur të arsyeton mllefin e tij, ngase kalon nga emocionet në mendime: “thneglat s’janë veç të zeza”, sikur ta krijon përshtypjen se po ta lexon mendjen në çastin e dhënë poetik. Pasi subjekti poetik shfryhet, mallkon, bërtetë, shpalon emocionet negative, kalon nëpër mendim e rrëfim të së kaluarës së bëmave të këqija. “Ato/mbillnin hije/hije të grista/prapa perdeve”. Dhe krejt në fund, bie intensiteti emocional i hakmarrjes esktreme, në mjaftueshmëri të dënimit me largim nga postet publike, duke përfunduar me të vetmen fjali: “Largoni nga arena”. Përfundimi i këtij vargu shkon në përputhje të plotë me këtë ritëm, përshkallëzim dhe tonalitet ndjesor prej fillimit e deri në mbarim, e veçmas përdorimi i duhur i nocionit “arena”, ngase të përfytyron hapësirën publike, vendin e gladiatorëve në dyluftim, lokalitetin e manifestimit të spektaklit ku e përgjithshmja ruhet, ndërsa personalja falet. Me njëfarë mënyre, subjekti poetik nga vrasja, dënimi, mallkimi e hakmarrja, falë dhe kërkon që “thneglat” vetëm të mos marrin pozita drejtuese në shoqëri, t’i rikthehen paksa botës së tyre të brendshme dhe heshtjes, gjegjësisht katarsisit, pendimit dhe rilindjes.

Në pak poezi, autori Fazliu i kapet aktualiteteve dhe realiteteve që ngjajnë në një mjedis kulturor dhe hapësinor, siç janë “Thneglat e zeza”, “Biseda online ishte tepër e bukur”, “Në FB.”, por edhe një poezi i kushton ikonës së muzikës së lehtë shqipe, e cila vdiq në muajin shkurt të këtij viti, Vaçe Zelës, me titull që mbanë edhe vetë emrin e këngëtares. Ka poezi dashurie, pikëllimi, nostalgjie dhe dedikuar simbolizmit natyror. Kjo e fundit është madje referenca identitare që i përshkon shumë krijimet letare e poetike të Fazliut, madje me një tip romantizmi të pranueshëm edhe për ditët tona të ironisë, paradoksit e të satirës.

Avni Rudaku – recensent i librit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora