E premte, 19.04.2024, 06:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Dibran Demaku: Dëshmitari

E premte, 28.03.2014, 07:23 PM


DËSHMITARI

Tregim nga Dibran Demaku

-Unë jam, ai.

-?!

-Vëllai i atij.

-Dhe?!

-Kam ardhur të bisedoj me ty.Të mirremi vesh.

-Përse?!

-Për vëllain tim!

-Por unë nuk e njoh vëllain tend.As ty.

-Po, këtë mikun këtu, e njeh?!

-Natyrisht që e njoh.

-Është miku yt?!

-Po, është miku im.

-Ky miku yt është edhe miku im.

-Mirë boll!

-Mirë e jo bash mirë!

-E përse nuk qenka mirë?!

-Sepse ti e ke akuzuar vëllain tim që është edhe miku i këtij mikut!

-Të thash se as nuk e njoh vëllain tend dhe as ty! Dhe derisa nuk e njoh si paskam arsye që ta akuzoj?!

-Emri yt përmendet si dëshmitar në akuzën kundër vëllait tim!

-Nuk e besoj!

-E beson ti ose jo, kjo është e vërteta!

-Mund të jetë e vërtetë për ty, por jo edhe për mua!

-Është e vërtetë si drita e diellit! Është e vërtetë si buka që e hamë! Është e vërtetë si uji që e pijmë! Është e vërtetë si ajri që frymojmë!

-Nëse emri im qenka i shënuar si dëshmitar në akuzën kundër vëllait tënd, kjo nuk do të thotë asgjë!Emri im mund të jetë përdorur në një kontest krejt tjetër!

-Emri yt figuron si dëshmitar në akuzën kundër vëllait tim!Se në çfarë kontesti është shënuar emri yt mund të na e shpjegosh vetëm ti!

-Unë jam dëshmitar në akuzën për disa të tjerë! Nuk jam dëshmitar kundër vëllait tënd! Sepse siç të thash edhe më parë, unë nuk e njoh vëllain tënd!

-Ata të tjerët, që thua ti, janë të akuzuar bashkë me vëllain tim!

-E çfarë faji kam unë në këtë mes?!

-Ti ke fajin e dëshmitarit!

-Unë të thash sa e sa here se nuk e njoh vëllain tend dhe as që jam dëshmitar kundër vëllait tënd!

-Mbase ti nuk je dëshmitar i drejtpërdrejtë kundër vëllait tim, por je dëshmitar i tërthortë!

-Që do të thotë?!

-Që do të thotë se derisa je dëshmitar kundër atyre që janë të akuzuar së bashku me vëllain tim,atëherë ti je dëshmitar edhe kundër vëllait tim!

-Dhe çfarë kërkon ti nga unë?!

-Unë kërkoj që ta heqësh dëshminë tënde!Mos të dëshmosh kundër vëllait tim!

-O njeri, kupto njëherë!Unë nuk e njoh vëllain tend! Dhe as që e kam njohur ndonjëherë!Dhe as që jam dëshmitar kundër vëllait tend!Dhe derisa nuk jam dëshmitar dhe nuk kam dëshmi kundër dikujt që nuk e njoh, si mund ta tërheq dëshminë që nuk e kam bërë?!

-Po, për të tjerët   keni dhënë dëshmi?!

-Për disa të tjerë po!

-Të këtij grupi të akuzuar dhe të arrestuar?!

-Nuk e di për cilin grup e keni fjalën!

-E di mirë ti për cilin grup e kam fjalën!

-Mos është ky një kërcënim nga ana juaj?!

-Jo, nuk është kërcënim.Është lutje.Në emër të vëllait tim.Në emër timin.Në emër të mikut tonë të përbashkët.Në emërtë të rënëve për lirinë e këtij vendi!...

-Të rënët mos i përzieni me të gjallët!Ata janë të shenjt për këtë vend dhe për këtë popull!

-E përse të gjallët nuk qenkan të shenjt?!Të gjallët që na e sollën lirinë?!

-Disa nga të gjallët kanë bërë faje gjatë luftës! Dhe për ato faje duhet të japin llogari!

-Me këtë do të thuash se edhe vëllai im ka bërë faje gjatë luftës?!

-Të thash se nuk e njoh dhe as që e kam njohur ndonjëherë vëllain tënd!Dhe derisa nuk e kam njohur dhe nuk e njoh nuk di se çfarë ka bërë ai gjatë luftës!

-Mund të më tregosh se si u bëre dëshmitar?!

-Nuk jam i obliguar të të përgjigjem në këtë pyetje.Pastaj,përse po më merrni në pyetje si një hetues?!Apo mos jeni hetues dhe nuk doni të tregoni?!

-Keni të drejtë.Ju lutem të më falni!Mbase me pyetjet e mija i përngjaj hetuesit,por nuk jam i tillë.Jam vetëm një qytetar i thjeshtë i këtij vendi.Një qytetar që e ka të arrestuar një vëlla nga këta që në vendin tonë erdhën si miq!Vëllai im ,po akuzoet rëndë nga këta miqtë e ardhur nga larg!Dhe jo vetëm kaq.Akuzës së të huajve u janë bashkuar edhe shumë njerëz-dëshmitar nga gjaku ynë!Njëri nga ata jeni edhe ju!

-Pak më parë, me mua bisedonit si me një mikun tuaj! Si me një të afërmin tuaj duke m`u drejtuar me Ti!Ndërkaq tash po më drejtoheni me Ju!A mos është kjo një lëvizje taktike nga ana juaj?!A mos do të thotë kjo se me këtë lëvizjen tuaj doni të më hidhni në taborrin tjetër?!Në taborrin e tradhëtarëve të kombit?!

-Qenkeni i hollë nga mendja.Nuk më ka rastisur një bisedë e tillë me dëshmitarët tjerë!Ju qenkeni aq i hollë nga mendja, saqë do të më vinte vërtetë keq nëse do të mbeteshit në anën që përmendet vetë.Sot dhe këtu e keni rastin të rreshtoheni drejt dhe në anën e kombit!...

-Çfarë duhet të bëj sipas jush, që të rreshtohem në anën e kombit?!

-Jam i bindur se përgjigjen e kësaj pyetje e dini ju vetë!

-Desha ta dëgjoj nga ju!

-Atëherë po ua them:Që të mbeteni në anën e kombit, duhet ta tërhiqni dëshmin!Në të kundërtën do të përfundoni atje ku nuk dëshironi as ju e as ne!

-Është ky një kërcënim tjetër nga ana juaj?!

-Jo, nuk është kërcënim!Përkundrazi. Është një këshillë.Është një këshillë miqësore.Sepse…Sepse…

-Çojeni deri në fund mendimin tuaj!Mos e leni në gjysmë!

-Sepse, siç kam mësuar nga shumë të njohur tuaj, ti je i yni!I krahut tonë!Sepse ti i takon një familjeje atdhetare den baba den!Ti nuk ke as të kaluar, as të tashme dhe as të ardhme që të jesh kundër nesh! Që do të thotë kundër kombit tënd! Që do të thotë kundër vetëvetës!...

-?!

-Apo e kam gabim?!

-Jo, ju nuk e keni gabim,por!...

-Por?!

-Ju thash se disa nga të akuzuarit e tashëm, kanë bërë faje gjatë luftës!Dhe sipas mendimit tim për ato faje ata duhet të japin llogari!

-Fajet e tyre kanë të bëjnë me të tjerët apo drejtpërdrejt me personin tuaj?!

-Faji i tyre ka të bëj drejtpërdrejt me personin tim, që do të thotë me mua!

-Faji i tyre ishte aq i rëndë sa ju nuk mund ta falni?!

-E si ta fali unë fajin e tyre, kur ata nuk kanë kërkuar asnjëherë falje?!

-Nëse ata do të kërkonin falje, ju a do të ishit në gjendje që t`i falnit?!

-Më keni zënë ngusht! Nuk di se ç`të them!

-Sa kuptova unë nga biseda me ju,sa i përket dijes juve nuk ua hëngërka qeni shkopin,siç thotë populli!

-Mbase?!

-Jo mbase,por kështu është!Unë e kuptoj se ju e dini më mire se unë se më i fortë dhe më burrë është ai që falë sesa ai që hakmirret!

-…

-Po, sikur unë të kërkoj të falur në emër të tyre?!

-Mos po merr barrë të rëndë mbi supe,he burrë?!

-Sado e rëndë që të jetë,unë do ta bart mbi supe!

-Të qoftë falë faji i tyre!Këtë nuk po e bëj për ata,por për ty he burri i dheut!Dhe nga ky moment po të jap fjalën e nderit se unë tërhiqem nga dëshmia ime!...

-Paq faqen e bardhë! Dhe që nga ky moment ti je mik imi dhe i tillë do të mbetesh në jetë të jetëve!

Dëshmitarit i kishin dalur dy kokrra loti nga të dy sytë dhe i kishin rrjedhur poshtë faqeve…



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora