E enjte, 28.03.2024, 12:49 PM (GMT)

Sport

Euro 2008. Rama dhe Topi kundra Berishës

E premte, 13.06.2008, 06:28 PM


Nga Ilda Lumani

Politika i ndan, por futbolli i bashkon të gjithë. Ethet e kampionatit evropian i kanë mbërthyer politikanët shqiptarë para ekraneve, por ka nga ata që i kanë ndjekur (dhe do t'i ndjekin) live edhe nëpër stadiume. Politikanët prononcohen ekskluzivisht për "Gazeta Shqiptare" për tifozeritë e tyre. Madje flasin me më shumë patos se për politikën, pasi emocionet që të jep futbolli janë të pakrahasueshme.

"Ka një gjë që na bashkon. Ai është futbolli"

Ndonëse vijnë nga forca të ndryshme politike, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndajnë ide të përbashkëta për skuadrën që do të bëjnë tifozllëk. Ata nuk kanë shkuar larg, duke zgjedhur të dy Italinë. Duke qenë kështu kundra Kryeministrit Sali Berisha, i cili edhe pse nuk po e ndjek rregullisht kampionatin, është simpatizant i hershëm i Francës.

Tifozët e Italisë

Topi
Kreu i shtetit, Bamir Topi është më se i justifikuar që mbështet Italinë, pasi është edhe vendi me të cilin ka një lidhje të veçantë. (Në vitet 1987-1990, Presidenti Topi ka kryer studimet pasuniversitare në Itali, në fushën e Biologjisë molekulare).

Rama
Ndërkohë, surprizë ka qenë për ne tifozllëku për Italinë i kryetarit të Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Të gjithë do të mendonit Francën, por skuadra e tij e zemrës është Italia dhe madje i ndjek me shumë vëmendje jo vetëm ndeshjet e saj, por të gjithë kampionatin. Edhe pse ka mbetur pak i zhgënjyer nga përballja e Italisë me Holandën, urojmë që Italia sot pasdite t'i sjellë buzëqeshje në takimin me Kroacinë.

Olldashi
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, edhe pse i ndjek me mjaft vëmendje ndeshjet, nuk e ka vendosur ende ku do ta shohë natën finale të Kampionatit Evropian. Kjo, pasi e gjitha varet nga ecuria e Italisë, skuadra për të cilën ai bën tifo.

Dalipi
Një mbështetës i flaktë i Italisë është edhe deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi. "Prej vitit 1978 jam tifoz me Italinë. Sigurisht që e ndjek me vëmendje Kampionatin, edhe pse pak i zhgënjyer nga ndeshja e parë me Holandën", - thotë ai.

Alibeaj
Edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj është një tifoz i Italisë, të cilën pret ta shohë padyshim në finale.

Meksi
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi nuk është një ndjekëse e rregullt e futbollit, por kur mundet i ndjek ndeshjet e këtij kampionati, ku preferon që të fitojë skuadra e zemrës, Italia.

Tifozët e Gjermanisë

Harasani
Sekretar për Programin Politik, Andis Harasani është tifoz me Gjermaninë. Madje, një tifoz i çmendur i saj. Ka ndjekur mjaft ndeshje si të Evropianit ashtu edhe të Botërorit nëpër stadiume dhe nëse gjen bileta, do të ikë në Vjenë për të ndjekur dy prej ndeshjeve ndoshta më të forta të këtij kampionati; ndeshjet e fundit të Grupit B, Austri-Gjermani dhe atë të Grupit C, Itali-Francë. Ndërsa sipas tij, pretendentë sigurisht për kampion Evrope është Gjermania, e ndjekur kjo nga Holanda. "Janë një sërë ekipesh, por mendoj me ç'kanë dhënë deri tani, Gjermania dhe Holanda janë pretendente kryesore për kampion Evrope. Portugalia dhe Spanja kanë ekipe të mira, por mendoj se janë të dobët në mbrojtje", - shton ai.

Ruçi
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi e ndjek kampionatin me vëmendje nga shtëpia dhe është tifoz me Gjermaninë. "Uroj që në finale të jetë Gjermani - Itali dhe sigurisht të fitojë Gjermania", - shprehet ai.

Paloka
Deputeti i Partisë Socialiste, Edi Paloka e shijon me mjaft kënaqësi Kampionatin Evropian dhe është në krahun e Gjermanisë, të cilën e sheh si fituese të këtij kampionati.

Memia
Ish deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të kësaj Partie, Shaban Memia gjithashtu bën tifo për Gjermaninë.

Biberaj
Deputetit tjetër i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj është tifoz me Gjermaninë që prej vitit 1976. "Mendoj se në finale do të dalë Gjermani-Holandë. Holanda ka ekip kompakt, nuk ka shumë yje, por janë ekip simpatik. Gjithsesi vota ime shkon për skuadrën time, Gjermaninë", - shprehet entuziast ai.

Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani thotë se "jam tifoz me Gjermaninë dhe besoj se në finale janë Gjermani- Itali. Këtë kampionat mendoj se lojtari më i mirë do të jetë Podolski.

Tifozët e Holandës

Idrizi
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi nuk ka se si të mos jetë i dhënë pas futbollit, aq më tepër që ai dikur në vitet '86-'87 ka qenë edhe futbollist me skuadrën "17 Nëntorin". Aktualisht është tifoz me Tiranën dhe një milanist i çmendur. Por në kampionatin evropian mbështet totalisht Holandën. "Mesa duket, kjo Holandë i ngjan Holandës së viteve '74-'89, apo edhe Milanit të famshëm të epokës së Sakit me të famshmin Rud Gulit, Rajkard dhe Van Basten. Dhe kjo Holandë ka karakteristikat e futbollit total dhe bashkëkohor. Megjithatë vlen për t'u parë si do shkojnë gjërat se edhe Gjermania, Portugalia, Spanja apo edhe Franca e Italia mbeten potencialisht pretendente. Por mesa duket, këtij evropiani i mungon Anglia, ku zhvillohet kampionati më i bukur në botë", - tregon ai.

Faruku
Në të njëjtin krah qëndron edhe deputeti i Partisë Republikane, Albert Faruku. Pasi ka marrë emocione të mëdha nga ndeshja Holandë-Itali, ku kjo mundi thellë Italinë me rezultatin 3-0, beson edhe më shumë se skuadra e tij do të jetë patjetër në finale.

Kryemadhi
Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është një tjetër tifoze e Holandës.

Indiferentët

Disa kanë arsye për të mos e ndjekur këtë kampionat, pasi në të nuk luan skuadra e tyre e zemrës. Siç është rasti i Erion Braçes, tifoz i Anglisë. "E ndjek kampionatin thjesht duke u nisur nga një kureshtje për garën. Anglia është jashtë Evropianit. Kështu që pasioni më është kthyer thjesht në argëtim duke parë ndeshjet", - shprehet ai.
Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu nuk është aspak e interesuar për Kampionatin, ndërkohë që politikani Spartak Ngjela thotë: "S'po e ndjek me vëmendje".
Grid Rroji, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri, duket se nuk ia ndjen fare për futbollin. Jo vetëm që nuk bën tifo për ndonjë skuadër specifike, por ai nuk ndjek asnjë ndeshje të Kampionatit Evropian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora